S’janë anti-amerikanë, janë anti-shtet!

0
977
Ilva Tare

Nga Ilva Tare, TemA

Ka një shqetësim të rritur javët e fundit, përpara dhe pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, për atë që po etiketohet si anti-amerikanizëm shqiptar. Ndjenja të tilla nuk janë të përjashtuara edhe në vende të tjera me kontribut dhe mbështetje amerikane, ndaj nuk do të ishte çudi që të zhvilloheshin edhe në Shqipëri. Me gjasë në të ardhmen edhe mund të ketë rryma të kësaj natyre.

Por, qëndrimet që përpiqen të shfaqen si bindëse për publikun dhe që e nxjerrin kokën herë me emër dhe hërë pa emër, herë me sulme personale dhe hërë me argument ideologjik nuk duhet të klasifikohen si anti-amerikane. Pavarësisht rolit vendimtar dhe këmbënguljes së pashembullt të amerikanëve, për t’i shkuar deri në fund shembjes së sistemit aktual të drejtësisë, tek shqiptarët besoj se nuk janë formuar ende qeliza anti-amerikane.

Masa më e madhe e shqiptarëve i janë mirënjohës SHBA në nivel superfuqie, apo siç thuhet në tentativat për diversion të Washingtonit dhe të dërguarish të Presidentit amerikan të radhës, për pjesën më të madhe të qëndrimeve të mbajtura në favor të interesave shqiptare në rajon, që nga pavarësia e Kosovës tek anëtarësimi i NATO-s.

Pa përkrahjen amerikane faktori shqiptar në rajon do të ishte edhe më i dobët, edhe më i cenueshëm edhe më i dëmshëm nga gjëmat e shkaktuara prej shkelësve të ligjit dhe pandëshkueshmërisë. Investimet e munguara amerikane në vend dhe kompani të painteresuara për t’u futur në një treg informal dhe pa rregulla loje duket se e kanë mbushur kupën. Shqipëria do të dalë nga harta e vendeve, ku antiligji përfiton nga pushteti i cilitdo nivel dhe amerikanët së bashku me aleatët europianë janë të vendosur për këtë.

Ndaj, për shqiptarët e ndershëm dhe të pambrotjur, që janë fatmirësisht ende shumicë në këtë vend investimi amerikan për një drejtësi të barabartë për të gjithë është një super lajm i gëzueshëm. Sa për rrymat e ashtuquajtura anti-amerikane, duhet pranuar se ato nuk kanë hyrë ende në territorin e Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë se jemi vend imun edhe në të ardhmen. Ato çfarë lexoni e dëgjoni nëpër tregun mediatik, janë mllefe personale ose frikë individuale për përgjegjësitë në shkeljen e ligjit.

Në të dyja rastet duhen mirëkuptuar, për panikun që u sjell fillimi i një reformimi rrënjësor të drejtësisë, por asesi nuk duhen ngatërruar me anti-amerikanë. Ata, edhe sot janë të gatshëm të flasin për aleancën strategjike me shtetin më të fuqishëm në botë, në rast se do ta bënin gjumin të qetë nga makthet e një shteti ligjor që është ende një kornizë kushtetuese në përpjekje për t’u kthyer në realitet. /Javanews