Arben Çokaj
E kam parë edhe Shqipërinë e xhaxhit, edhe Danimarkën – shtetin social e me ekonomi tregu, edhe Gjermaninë, por shkuam dhe pamë edhe Amerikën. Prandaj duke i parë këto shtete, duke i krahasuar me shtetin komunist, por edhe me shtetin e sotëm shqiptar, jam dakord me atë që më thoshte një herë Gjekë Marinaj, se shtetin diktatorial, të xhaxhit, nga i cili Gjeka iku, u arratis, se shkroi disa poezi, dhe shtetin demokratik, e ndan vetëm një vijë e hollë. Ndryshimi mes këtyre shteteve është, a funksionon një shtet sipas ligjeve apo jo? A vjedh administrata e shtetit, a korruptohet ajo? Po del se shteti komunist ishte më i ndershëm se secili prej tyre. Pasi që në kohën e para Krishtit, me historitë e Herodotit, del në pah, se sistemi demokratik, është një sistem i korruptuar. Por në konfliktin me kapitalizmin, komunizmi dështoi si sistem politik dhe ekonomik. Dhe kjo po shihet, se ka disa faktorë të brendshëm, por edhe të jashtëm, që e shkaktojnë këtë. Njeriu nuk është i përgatitur për një sistem të tillë, prandaj, është utopi, të mendosh, se egziston një sistem shtetëror, që e merr jetën e individit në dorë dhe ta bën jetën edhe më të mirë se sa mund ta bësh ti për vete. Kjo tregoi dhe tregon se nuk është e mundur. Kjo nga pikëpamja teorike dhe praktike.
Tani kur sistemi komunist nuk ka mundësi t’ia dalë të mbajë premtimet ligjore që premtoi, se nuk i përballon dot ekonomikisht, fillojnë ndëshkimet. Ne themi se komunizmi vrau njerëz, se shohim atë që ndodhi. Po pse i vrau? Sepse atij nuk i del të krijojë një sistem të tillë dhe ai të ketë sukses. Mossuksesi i tij, në atë idealizëm naiv e utopik, e bën sistemin të bëjë krime, kundrejt kundërshtarëve politikë si fillim, e më pas edhe kundrejt secilit, deri edhe kundrejt njerëzve të pafajshëm. Prandaj sistemi komunist bie si opsion. Puna është se tek ne shqiptarët, në 45 vjet komunizëm kishim shtetin e parë shqiptar, ku shteti funksionoi deri diku, ku administrata nuk vidhte pasurinë tonë të përbashkët, siç bën sot, ishte një shtet që interesohej për interesat e shtetit shqiptar, i mbronte ato, në mënyrën e tij, dhe në fund dështoi. Ajo që unë shoh sot me shqiptarët, është se nuk kemi shtet shqiptar, që interesohet më për shqiptarët realisht, në atë kohë bënte aq sa mundej, sot nuk bën fare, ose bën shumë më pak. Po ashtu edhe në Kosovë. Dhe ne duhet të mendojmë se shteti komunist si shtet nuk funksionon e nuk duhet as ta mendojmë më, por duhet të mendojmë këtë shtetin e ri e demokratik, me ekonomi tregu, si ta bëjmë këtë më funksional, dhe në interes të popullit shqiptar. Por në bazë të dijes, secili ka edhe vlerësimet e veta.
Marrim pronën, t’u kthehet toka e pronat ish-pronarëve. Kjo parimisht është e drejtë. Por padrejtësia qëndron në dy plane, e para, 1. prona nuk u kthehet shqiptarëve, por ish-pronarëve. Dhe e dyta, 2. pronat nuk u kthyen si thoshte ligji e si duhet, pasi hyri në këtë mes korrupsioni e hajnia. Meta psh. ka prona gjithandej, i ka marrë me njerëzit e tij, e këto dihen, ky është realiteti. Ashtu si ai, i kanë marrë edhe të tjerët politikanë, Saliu, Rama, etj. Ky është fakt. Ata tani duke vjedhë për vete, i lënë edhe tjerët me vjedhë. Bëhet psh. dikush ministër, do 20% të investimit publik, nëse bëhet një investim diku ose hidhet një tender me para publike. Në këto 30 vjet, përqindja shkon në 20 e më shumë, nganjëherë investimi vidhet komplet, sidomos në fillimet e demokracisë. Supozojmë se duhej bërë një rrugë, urë a kanal, ai vidhej edhe komplet, pra investimi nuk bëhej, ose kur bëhej, bëhej tepër keq, se paratë vidheshin e vidhen ende. Ne kërkonim në demokraci, që rregulli e gjërat të funksiononin me korrektësi si në kohën e komunizmit, shqiptarët drejtësinë në kokë që kanë, kanë drejtësinë e asaj kohe, por ajo nuk ekziston më. Nuk ka drejtësi askund, ashtu si e kërkojmë ne, idealiste, të jetë në Shqipëri. Dhe kemi përfunduar këtu ku jemi, që as Gjykatë Kushtetuese nuk kemi, se garant i Kushtetutës është hajni më i madh, krimineli… Pra, kemi një falsitet të një niveli të lartë. Dhe njerëzit e shohin këtë, e thonë, “nuk kemi shtet”.
Kundërshtitë në demokraci janë normale, bëhen për interesa. Por nëse marrim një kundërshti dhe e analizojmë, sa racionale është ajo, atëherë shohim se demokracia e pranon kundërshtinë edhe kur ajo është destruktive, dhe irracionale. Këto tani tek ne prishin punë shumë. Se merr peshë më shumë kundërshtia, se sa bërja e punës dhe efektiviteti, bërja e shtetit. Se kundërshti irracionale gjejmë plot edhe në SHBA. Marrim rastin e Russia Collusion, e deri te Impeachment of the President. Politikë – thonë, por kemi rastin kur një parti si ajo demokratike në SHBA, luan mendsh, ku me i gjetë dobësi Presidentit, e ashtu në përpjekje për ta dobësuar atë, ajo dëmton edhe shtetin amerikan. Si duhet vepruar atëherë? Se ka edhe abuzime, nga të dyja palët… Duhet gjetur një emërues i përbashkët, për të cilin lidhemi. Duhet gjetur një ekuilibër në mes forcave konstuktie që duan ta bëjnë shtetin dhe destruktive, që kanë tendencë ta prishin shtetin. Në Amerikë duket klishe, për SHBA-të, për këtë Great Nation, thonë politikanët. Mundet se e kanë false këtë deklarim, si i kishte Partia dhe Enveri dikur tek ne, të flasin në emër të kombit amerikan, por mendoj unë, më mirë false edhe nëse janë, si në Amerikë këto betime, se sa si tek ne, që ngaqë i bëri Enveri, njerëzve tani u duken qesharake këtë betime në emër të kombit…
Në këtë kontekst kemi edhe gjuhën shqipe letrare ose standarde. Kur është gjë e mirë në parim, pse ta kundërshtojmë? Le ta plotësojmë e pëmirësojmë… Duçja psh. në Itali kishte një shtet fashist. Ai i bëri edhe disa gjëra të mira, që edhe sot në Itali i kanë, si psh. sheshi spanjoll në qender të Romës, afër Colosseos. Kur e sheh, kujton se është ndërtuar që në kohë të Romës së Lashtë, por jo… Tani sipas mendimit destruktiv të disa shqiptarëve, me të cilët diskutoj herë pas herë, a ta prishim sheshin spanjoll në Romë, si i prishi Saliu fabrikat dhe uzinat e Enverit?! Kjo është pra marria shqiptare. E kemi gjuhën standarde shqipe, le ta bëjmë më mirë, se e bëri Enveri, a mundemi vallë! Meqë ai e bëri me dhunë, ne ta bëjmë pa dhunë… Por dalim përballë faktit të mosbërjes asgjë, pasi rrimë vetëm duke diskutuar kot, e pa produkt, dhe shajmë tjetrin, që bëri diçka të mirë, edhe nëse ajo e mirë, nuk është aq e mirë sa duhet! Unë mendoj, se gjëja më e mirë, për të kundërshtuar diçka, është shembulli më i mirë që ti bën, përkundër asaj që është bërë!
Ne shqiptarëve me 4 besime të ndryshme, feja nuk na lidh. Se shumicën e shqiptarëve e kemi me një fe, qe nuk i shërben kombit. Pra, nëse i japim rol fesë, e kemi humbur rrugën ne oborr, si në rastin e komunizmit, sepse ajo tek ne përkthehet si “pëllitje arabe” tek shumica… Atëherë si t’ia bëjmë? Se edhe fenë nuk mund ta ndalim, se njerëzit duan të besojnë diku. Mendoj se duhet të vlerësojmë, cilat janë gjërat që i shërbejnë shoqërisë sonë për mirë, e cilat e dëmtojnë atë? Dhe kur t’i gjejmë ato si shoqëri, të promovojmë ato gjëra që i shërbejnë shoqërisë për mirë dhe të dekurajojmë ato që i shërbejnë jo edhe aq për mirë, e nuk janë produktive. Kjo në parim, pastaj në praktikë. Marrim fenë, feja e lirë, por jo dominante, dhe bëhen ligje për këtë, ku kufizohet tepria e fesë. Marrim shkollën, e orientojmë drejt dijes e prodhimit. Marrim politikën, ndjekim një politikë të shtetit nacional, pra lidhemi pas kombit, si shtetet eurtopiane, dhe nuk tallemi me vendin e kombnin tonë, siç ka ndodhur të bëjmë në këto 30 vjet. Se ne, po nuk e bëmë veten, nuk na bën kush. etj. Këto gjëra i mendojnë njerëzit e zgjuar të vendit tonë, dhe në përputhje me përvojën e shteteve të tjera, shikojmë t’i zbatojmë. Por duhet një ideologji kombëtare, duhet të lidhemi pas disa interesave të përbashkëta, që na interesojnë të gjithëve, dhe nëse në kohën e komunizmit kishte ndonjë gjë të mirë, të mos e sulmojmë atë, por ta marrim si shembull të mirë, që duhet bërë edhe sot, me ligjet e reja të ekonomisë së tregut.
Por fatkeqësia tek ne qëndron në disa plane, ku më kryesoret janë:
1. nuk kemi një ideologji kombëtare, nuk kemi njerëz të ditur, që punojnë ose synojnë që ta bëjnë shqiptarinë dhe i mendojnë mënyrat edhe se si ta bëjmë këtë të mundur.
2. Shqptarët tash 30 vjet kanë një ligj të pashkruar, ndaj të cilit lidhen, Korrupsionin. I vetmi ligj, që funksionon në atë vend! Dhe kjo tendencë është aq destruktive, sa shkon deri në vetë-shkatërrim.
Pra, duhen menduar gjërat, duhen gjetur mënyrat, që ne të punojmë dhe t’i shërbejmë të mirës së përbashkët, e jo shkatërimit të përbashkët.
Mund ta ilustroj këtë me një shembull të thjeshtë, marrim pirjen e duhanit. Mirë do të ishte të mos pihet duhani, por ja që njerëzit e pijnë. Atëherë si të veprojmë, që ata që e pijnë duhanin, të mos i dëmtojnë të tjerët? Dhe nëse ata që pijnë duhanin, e dëmtojnë veten, nesër kur të kenë sëmundje në mushkëri, etj. a duhet ne, shoqëria, t’ia paguajmë shpenzimet e shërimit atij/asaj? Apo të paguajë ai/ajo vetë? Duke e ditur se shoqëri perfekte, nuk mund të bëjmë, se njeriu nuk është perfekt, duhet të synojmë një shoqëri sa më racionale të mundshme, e në këtë rast, kemi Amerikën si shembull, qoftë edhe suksesi, që tregon se kapitalizmi është megjithatë më i mirë dhe ka më sukses se komunizmi, ose se sistemet demokratike me norma sociale, që po ndjekë Europa, që kanë filluar të japin shenja dështimi. Edhe pse në sistemin amerikan ka probleme plot, pakënaqësi sa të duash, por është më mirë që njeriu të jetë i përgjegjshëm e përgjegjës për veten, se sa të hyjë një sistem, që synon t’ia marrë jetën në dorë individit dhe në fund të zhgënjen, se nuk mundet me ia dalë! Siç ka ndodhur në komunizmëm tek ne, dhe siç ka gjasa të ndodhë edhe në Europë!