Medial.me, 13 nëntor 2018
Kryeministri Ramush Haradinaj ka dekonspiruar presidentin Hashim Thaçin për idenë e korrigjimit të kufijve, që e shet si të tijën. Haradinaj thotë se ky është plan i Aleksander Vuciqit dhe nuk është korrigjim, por ndarje e Kosovës.
Kryeministri për herë të parë tregon se ky plan i është paraqitur edhe atij, dhe sipas tij, miniera e Trepçës i mbetet Serbisë. Shefi i ekzekutivit thotë se nëse Thaçi është marrë vesh për këtë plan, duhet të tërhiqet sa më parë
Në emisionin Pressing të T7, Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se plani për ta vënë territorin në tavolinën e diskutimeve me Serbinë, të cilin po e promovon Presidenti Thaçi, i është ofruar edhe atij. Haradinaj thotë se ajo nuk është as korrigjim i kufijve e as shkëmbim i territorit, por ndarje e Kosovës.
“Në këtë skenar kanë lypë aleatë, që të gjithë, përfshirë edhe mua. Prej Beogradit të dashur jo prej ndërkombëtarëve por prej njerëzve prej Beogradit”, është shprehur Haradinaj.
Shefi i ekzekutivit thotë se këtë plan në tavolinë e ka shfaqur presidenti serb, Aleksander Vuciq. Thaci, sic shpjegon kryeministri, vetëm se ka rënë në grepin e presidentit serb.
“Ky është një skenar i Beogradit, i z. Vuciq. Është real që është i tij. Nëse dikush ka dilema, unë ju garantoj se është i tij. E di. Nuk është se ma ka thënë dikush”, ka përseritur disa herë mbrëmë Haradinaj.
Sipas Haradinaj, Serbia e ka kërkuar Veriun për të zgjidhur për ta njohur Kosovën sepse Vuciqit i duhet diçka që ta arsyetojë humbjen e Kosovës.
“Korrigjimi, shkëmbimi, janë një tip kamuflimi për një marrëveshje që do njihte Kosovën nëse ia japim një pjesë të Veriut”.
Haradinaj në Pressing ka shpalosur të gjithë planin, duke vizatuar vijat, ku vendoset kufiri sipas idesë së Vuciqit dhe pjesët që do t’i merreshin Kosovës.