Kritikë letrare
Qëndresë Shala, “PRITJA JOTE JAM“, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2014. faqe 80. ISBN 978-9951-594-55-4
Poezia e Qëndresë Shalës, e përmbledhur tek libri “PRITJA JOTE JAM” sjell segmente lirike në kërkim të formës, edhe asaj poetike, përkatësisht të metodave shprehëse me të cilat ndërtohet poezia, “veçanërisht ajo shquhet për kultivimin e lirikave origjinale”, ka theksuar poeti dhe kritiku letrar Ramadan Musliu.
Librat e parë mbeten shprehja më e sinqertë e krijimit poetik, ata kanë thjeshtësi dhe çiltërsi poetike. Librat vijues, kryesisht janë shprehje të avancuara, më të përsosura, dhe nivel të sforcuar, por s’kan brishtësinë që e ndeshim në librat e parë, të cilët janë më të dashur për autorët, prandaj mendohet se poeteshat (por edhe poetët), të vërtetë janë në librat e parë, ashtu siç mbetet në kujtimet e secilit dashuria ose puthja e parë. Të tjerat janë përvoja të krijimit poetik!
Përmbledhja “PRITJA JOTE JAM” e Qëndresë Shalës, mund të karakterizohet si qasje për sentencën lirike dhe për lirikën e dashurisë, poezi këto të cilat janë shkruar pa sforcime të mëdha por kanë në vete metaforë përjetuese: “Ti më shkruan rrallë/ mungesa ime të lë pa fjalë”, (faqe 7); “pikëllimi i mungesës/ edhe gurin thermon”, (faqe 9); “i dashur harresat nuk i dua/ pres të çlodhem mes buzëve tua…”, (faqe 13),etj.
Kjo poezi ka mendim të thjeshtë dhe shprehje të çiltërt që përhapin në etër sekuenca lirike, e lirika të dashurisë që i përkasin moshës së saj, dhe kohës së saj. Si të themi, tërë poezia duket kërkim për poezi, gjithsesi një univers udhëtimi transdimensional dhe i vazhdueshëm. Këto shprehje qesin në pah anën shpirtërore me preokupime të gjithanshme, pa i harruar sentencat dhe nuancat e lirikës erotike, me shpresën për të ardhme edhe më të mirë, për fjalë të sinqerta nga gjenerata në kërkim, si perceptim i kundruar në dritën e perspektivës dhe të ngadhënjimit.
VETËM KUR MË KE PRANË
Të kam ikur nga mendja
Udhëve diku më ke harruar
Asnjë fjalë në letër
Asnjë pëshpërimë në eter
E më thoje i yti jam
Mos më kujto
Vetëm kur më ke pranë
Faqe 19.
PRITJA JOTE JAM
Jam aty
Ku ti symbyllas më gjenë
I dashur mos u vono
Nata më lodhi
Përmes ëndrrash
Dita tek buzët t’ua s’më çelë
E unë
Mallë të kam
Pritja jote jam
Faqe 17.
Sille kah ta sillesh edhe poezia është një ëndërr e cila shprehet përmes ndjenjës dhe përjetimit të dukurive që ajo i percepton, edhe në aspektin pozherativ, kur flet për harresën, braktisjen, tradhtinë të cilave nuk u bënë qasje aq negative, por i percepton si dukuri nën optikën e një xhelozie, sa naive po aq personale e që ngërthen një fenomen specifik në tërë konceptin krijues, kurse dukuritë që vrojtohen vetëm nën prizmin e xhelozisë dihet se përfundimin kanë dëshpërues:
unë xhelozja e pakorrigjueshme
kur po të shoh me të tjera
në tjetër botë po bie
Poezia: PO RREZON NË MUA, faqe 6.
Ky element i dyshimit a shikimit të gabimeve nën prizmin e xhelozisë herë vjen i sforcuar e herë me naivitet të theksuar, madje sa herë e fajson vetën pse “jam xheloz dhe në sytë e mi/ pse nuk të shohin vetëm ty”, por me prirje të një koncepti në të cilin poetesha procesin e mashtrimit dhe atë të dyshimit sikur i percepton në mesazhin origjinal, ku do të shprehet:
Nëse jam drita jote
mos prit më
mbyte xhelozinë time
me tënden dashuri
Poezia: MBYTE XHELOZINË TIME, faqe 63.
Në këtë rast, nëse “xhelozia” është fajtore për dyshimet, atëherë duhet të dalë mesazhi për të mos gjykuar kur jemi të nxitur a ndikuar nga veset e këqija, sepse edhe gjykimi si gjykim, por edhe përfundimi do të jetë i shtrembët dhe me konotacione negative.
E theksova këtë element i cili më duket se është mjaftë indikativ pasi e hap perspektivë vrojtimi me sugjerime pozitive. Si të themi këtu kemi të bëjmë me një lloj prozitiviteti, pasi nuk niset nga qëllimi i keq. Edhe brenda librit, fenomeni i xhelozisë, veçmas në dashuri është shndërruar në simbolikë, ndoshta pikërisht përmes këtij prizmi mund të zbërthehen e interpretohen edhe dukuri të tjera që kanë të bëjnë me dyshimin, tradhtinë, vetminë, harresën e gjer në braktisje e fundme të cilat në mënyrë të metaforove sjellin një botë më vete: “I dashur/ hajt ta zgjasim ditën/ edhe pak”, (faqe 18); “Nesër nisem për të saten herë/ në repartin e riparimit të asaj pjese që/ harron nganjëherë për të të kujtuar”,(faqe 36);“Ai zog mali/ le të dehet prej ngazëllimi”,(faqe 45);“Afromi buzët/ ta shuaj këtë etje/ mëngjesin e së nesërmes/ ta falë me buzqeshje”, (faqe 51);“edhe në lajmin që shpirtin therrë/ me buzëqesh përherë// buzqeshja jote/ është krejt pranverë”,(faqe 70), sepse “vetëm ti/ në zemrën time/ banor i vetëm je”,(faqe 75), etj.
Poetesha Qëndresë Shala, këto dukuri i ka vënë në një thjerrëz tjetër ku përmes shprehjes idilotrike ajo jep shembullin e mirë për të falur, (pasi sipas poezisë së saj?!), gjërat që gjykohen kur jemi të dehur nga frika dhe xhelozia sjellin përfundime jo aq të sakta, prandaj si vese janë të dëmshme dhe negative të cilave nuk duhet besuar edhe aq?!…
Ky fenomen duket më shumë si thirrje poetike për të mos i parë gjërat nënë thjerrëzën e xhelozisë, smirës dhe inatit, pasi përfundimet janë të gabueshme d.m.th. Qëndresë Shala, pa ndonjë paragjykim është shprehur me modesti letrare e cila është vlerë që do të duhej të shndërrohej në synim krijues, për t’i dhënë pastaj poezisë frymëzim më të përsosur, mendim më të sforcuar, qoftë në planin poetik ose si koncept filozofik, vlerë kjo e dallueshme tek poezitë: “Pritja jote jam”; “Vetëm kur më ke pranë”; “Ka ditë”; “Mbrëmë të pashë ëndërr”; “Mos mendo që nuk të shoh”; “A jam te ti”; “Po shkoj”; “Këtë natë”; “Do të gjej”; “Shtegut”; “Dhuratë zemre”; “Më pyesin”; “Këtë mbrëmje”; “Të kërkojë në timën zemër”; “Mbyte xhelozinë time”; “Po të kisha afër”; “Buzëqesh”; “Këtij zogu n’fluturim”; “Në këtë mbrëmje”; “Do të kthehem”, dhe ndonjë tjetër që nuk arritëm për ta theksuar.
Natyrisht, poezia e këtij vëllimi është kërkim i shprehjes poetike, përpjekje për artikulim poetik që ndikohet nga proceset e ndryshme, qofshin ato të ndijimeve apo të faktorëve sociokulturor që e rrethojnë. Nëpër shumë poezi gjejmë nuanca poetike të latuara mirë, për çka mendojmë se autorja (në këtë plan) e ka artikuluar mënyrën shprehëse, me shenja në kërkim të teknikave e metodave për kuptim real ose aty këtu edhe për fjalorin specifik: erëmon, përpushë, aromshëm, brafulloj,kaçubë për gëmushë, rrugëtuarpër udhëtuar etj.
Të shpresojmë se rreth lirikave është thënë mjaftë, prandaj e pash më të udhës të trajtoj disa kostalacione konceptesh, për të parë se si autorja përmes poezisë ka arritur t’i përshkruaj fenomenet që i theksuam më lart të cilat shtyhen e nxiten qoftë nga fobia, qoftë nga dyshimi, dhe me kalimin e kohës shndërrohen xhelozi që pastaj përfundojnë në ves me shenja të “zeza” e ku gjithçka dyshohet… ndërsa në këto raste, trazimet shpirtërore nuk stimulojnë mendimin e mbar, por kryesisht reflektojnë të kundërtën e saj.
Në këtë plan, poezia e Qëndresë Shalës ka një botëkuptim pozitiv: “Nuk je aq i keq sa të më harrosh/ diku tjetër puthje të kërkosh// Sa herë ta përsërisë/ Edhe n`shkofsha nga kjo botë/ Një jetë tjetër për ty nis”, (faqe 31). Këtë fenomen e ka vërejtur edhe poeti e kritiku Nexhat Rexha i cili mendon se “pritja karakterizon ankthin e dridhjeve në momentet e shkrirjeve nëpër të gjitha fijet e flokut të të dashuruarve”, ku “çastet trazuese kërkojnë amshimin e rrezeve të jetës, gjithnjë në kërkim të kësaj pritjeje si lajtmotiv në mes dashurisë dhe xhelozisë”. Me një fjalëpoezia e Qëndresë Shalës, “konsiston në vargun e shkurtër, me një narracioni të lehtë poetik. Ajo krijon poezi për brezin që i përket për të sfiduar në përditshmërinë tonë triviale”, ka thënë për këtë poezi Hasan Bunjaku.
Në këto rrethana, ne mendojmë se nuk është faktor vendimtar për vetëdijesim vetëm fenomeni i dashurisë, as durimet e gjata (si tematikë) për puthjet emocionale, të cilat duken si kurorëzim, si materializim i një koncepti figurativ. Në këtë rast më shumë duket si përshkrim i saktë i realitetit të gjithëmbarshëm ku fenomeni i durimit dhe shpresës se “do të bëhet mirë?!”, ka ndikuar dukshëm edhe tek elementi poetik që bëhet fjalë, për besimin në dikë, për përgjegjësinë e fjalës së dhënë, për fjalën dhe premtimin e papeshuar “nëpër vargjet e saj” ashtu siç është shprehur edhe Adem Salihu, i cili mendon se “ajo ka shprehur bukur ndjenjën e saj përmes lirikave dhe krahasimeve të ndryshme”, të cilat i trajton karakteret duke i perceptuar nën prizmin e një dashurie, madje aty këtu duket se ka kallje, dalldisje dhe miklime të shumta në njërën anë, kurse në anën tjetër duke i pasqyruar edhe të kundërtat e këtyre proceseve që ilustrohen me pritjen, me dyshimin, me xhelozinë ajo ka arritur me sukses të bëhet mëkuese e shëruese, pasi veset i miklon me shpresën dhe ngadhënjimin.
Nëse poezitë i shohim nga ky prizëm, duket sikur elementet e dyshimit, dështimit dhe ngecjes kanë për bazë zhvillimet sociopolitike, sociokulturore të një shoqërie si tërsi etnokulturore, ndërsa elementi figurativ që ndeshët në poezinë e këtij libri janë sforcime që trajtohen si fenomen poliedrik, tamam ashtu siç është jeta me dallgët që të përplasin gjithandej. Këtë mendim figurativ, na e s’forcon më shumë poezia “MË PYESIN”, në të cilën ajo shprehet:
Më pyesin miq
dhe të tjerë kureshtarë
ku e ke atë të dashur
si nuk ta kemi parë…
Poezia: MË PYESIN, faqe 50.
Nga kjo poezi mund të besohet për dashuri të papërcaktuar dhe disa dyshime të tjera poetike që i paska ngritur autorja, për vuajtje e pritje të gjata, por jo për kompliksiteti lirik që të krijon përshtypjen e trillimit erotik. Por, poetesha figurativisht më shumë e prezanton realitetin përjetues me të gjitha kompleksitet e saj.
Qëndresë Shala, duke i parë këto fenomene dhe zhvillime nën prizmin e lirikës dhe erotikës poetike e ka krijuar mozaikun letrar si peizazh natyror mbi të cilin gërshetohen bukuritë e shumta të cilat kundrohen fenomenet natyrore, një lloj diskursi idilik, diçka në mes përjetimit emocional dhe sentencave artistike.
E gjithë poezia e kësaj përmbledhjeje është një imagjinatë e kundruar mbi obsesionin idilik, një lloj idiolatrie që ka krijuar harmoni mjaftë të mirë dhe mënyrë të realizuar në vargun poetik.