SINOPSISI I JETËS, NË VARGJE…

0
1019

(Libri i ri poetik i Ermira R. Jusufit, “Mos ma fundos ëndrrën!”)

Nga: XHELADIN MJEKU

Me sjelljen në dritë të përmbledhjes së parë poetike “Sonte zemra ime frymon”, Ermira R. Jusufi paralajmëroi se po hyn kujdesshëm, me ndjenjën shpirtërore dhe shumë të ndieshme në botën e poezisë, duke shpalosur kështu vlera të lakmuara poetike për lexuesin. Këto prurje poetike vijnë si ëmbëlsirë në vazhdimësi, për t’i shijuar edhe në përmbledhjen e re poetike “Mos ma fundos ëndrrën!”,që po vjen si ngjarje tjetër vetjake, për ta plotësuar e çuar përpara edhe më opusin e saj krijues. E vendosur, që edhe më tutje ta qerasë lexuesin me vargje, që pikojnë ëmbëlsirë, si pemë të pjekura nëpër stinët e begata dhe me plot diell, autorja nuk ndalon asnjëherë në hulumtimin e gjetjeve të reja poetike.

Kur jeta e dikton vargun
Poezia, si frymëzim dhe si forcë e shprehjes së ndjenjave sublime, në përditshmërinë e jetës, vjen e artikuluar me ecejaket e parreshtura të autores. Shprehur me gjuhën e kritikës, sjell bazamentin e jetës, mbi të cilin ndërtohet gjithë lënda poetike e kësaj vepre letrare, që na vjen pas një pune të vazhdueshme e me përkushtim, duke shtyrë fuqishëm frymën krijuese të saj, në plotësimin dhe shtrirjen edhe më të gjërë, në rrafshin hapsinor, në trajtimin e temave të gjetura me kujdes e frymëzim të sforcuar, gjithnjë e më të përparuar. Ky mendim del nga leximi i vëmendshëm i kësaj poezie, që në fakt është vazhdimësi e një pune dhe angazhimi të parreshtur në krijimtarinë letrare të saj, duke shpërfaqur para lexuesit vlerat e reja, me prekje dhe ndjeshmëri të kujdesshme dhe frymëzuese.

Tash, kur për lexuesin e saj të pasionuar po e sjell edhe librin e dytë me poezi “Mos ma fundos ëndrrën!”, dëshmohet bindshëm se, vërtet, Ermira R. Jusufi ka hapur “Sinopsisin e vargjeve” të saj, për t’i kënduar jetës, të ardhmes dhe dashurisë, ashtu si e ndien dhe e parafytyron, me fuqinë e vargut: “Var në vesh fjalët, mendimet…/ Ta ruaj kujtesën sa më pranë,/ Qoftë si unazë, që mbahet në gisht./ Dhe dëfton për një periudhë,/ Kur fillimi ishte fjala,/ Me besimin për ardhmëri./ Dhe pambarimisht mbetej/ Sinopsis i një epoke, që e kujtoj”. (fq.27).

Është bërë traditë që ta paraqesim strukturën organizative të librit, që po analizojmë, që në një mënyrë që t’ia lehtësojmë lexuesit njohjen sa më shumë me lëndën përmbajtësore të saj. Paraprakisht mund të them se edhe në këtë libër, autorja e ka ruajtur (me disa freskime të ndieshme) formën organizative të librit, që nënkupton se kemi të bëjmë me vazhdimësinë e saj krijuese, që quhet poezi e pashkëputur nga hallka zinxhirore: frymëzimi-jeta-synimet, që lirisht mund të konkludohet, se kanë një vazhdimësi kushtimisht të ndërlidhur, me pretendimet e hapjes së shtigjeve të reja krijuese, në kontinuitet të vazhdueshëm.

“Mos ma fundos ëndrrën!” udhëheq me gjashtëdhjetë njësi poetike, të sistemuara në gjashtë cikle, me një lidhshmëri poetike, që autorja ka dashur ta shtrojë këtu, duke ruajtur një kontinuitet komunikimi me lexuesin dhe njësitë poetike, në vazhdimësi. Kështu, pas poezisë “Kur fryjnë erërat”, që nis rrugëtimin poetik, si poezia programatike, ku shpërfaq fuqinë e jetës në përballje me kohën, pasojnë ciklet” “Lyra e shpirtit tim”, “Sinopsis për vargjet”, “Mos ma fundos ëndrrën!”, “Flas me kujtimin tend”, “Pengu i fjalës” dhe “Në tregim ta gjeta emrin”. Në mbyllje të këtij libri takojmë poezinë emblematike “Frymëmarrje”, që vjen si çelës i gjithë lëndës poetike.Po, frymëmarrja e kësaj poezie, në realitet hap rrugë të reja drejt ardhmërisë, ku autorja e ndien si forcë shtytëse, për krijime të reja, për frymëzime dhe rrugëtim të pandalshëm:

Veç edhe pak frymëmarrje na duhet,
Të ecim ballëlartë, rrugës nismëtare,
Deri në dashuri!

(Po aty, fq. 91)

Kur jemi në shqyrtim të kësaj përmbledhjeje poetike, po ndalemi në ndonjërin prej cikleve, për ta shkoqitur, sadopak, shtjellimin e tematikave të ndryshme dhe për të kapur fijen e bashkëveprimit të jetës, si përditshmëri dhe dashurinë, si pjesë e pandarë, pothuajse, në gjithë krijimtarinë poetike të Ermira R. Jusufit. Lidhshmëria e këtyre dy faktorëve jetikë, që e ndërtojnë poezinë e këtij libri, këtu na shfaqen si udhërrëfyes të denjë dhe paraqesin imazhin, sa më të dukshëm dhe të realizuar. Në realitet, synimi i kësaj poezie mëton ndërlidhjen dhe bashkëveprimin e dashurisë, me ecejaket e kohës, në madhësi të dyfishta, të realizuara me përkushtim edhe si plotni tematike, edhe si strukturë e qëndrueshme poetike.

Kështu, derisa “Lyra e shpirtit tim” luan në “Partiturë vargjesh”, “Era shprish flokun e saj”, “Të pushtuar në ëndërr”, prek të gjitha “Ngjyrat e botës sime”, deri te “Zemra ime oqean”, tituj të poezive, që sajojnë ciklin “Lyra e shpirtit tim”. Autorja nuk ndalon me kaq, po shpërthen fuqishëm, me besimin se jeta i dikton ardhmërinë në mënyrën, që ajo e ndien dhe e përjeton, me shpirtin e saj poetik, duke e përgjëruar jetën, që po ndërton: “Mos ma fundos ëndrrën”, derisa “Syri më shkrep pranverë”, sepse “Dashuria nuk ka titull”, prandaj dua në këtë mënyrë ta “Jetoj”, rrjeshtohen disa nga titujt e ciklit “Mos ma fundos ëndrrën!”, i cili për fuqinë poetike, që sjell këtu, i qëndron besnik edhe titullit mjaft simbolik dhe domethënës, kësaj përmbledhjeje poetike.

Poashtu, edhe në ciklin poetik “Flas me kujtimin tënd”, ndjeshmëria e vargut të lirë fuqishëm shpërfaq ndjenjën e dhimbjes dhe sjell imazhin për Atdheun, skalit figura e personalitete të shumtë historikë, kulturorë dhe emblematikë të kohës, që këtu vijnë me frymën e dashurisë për lirinë, për dëshmorët, etj. Pastaj, trajton dhimbjen dhe mungesën e nënës. Por nuk mund ta anashkalosh edhe kujtimin e përhershëm për vendlindjen, për bukuritë përralllore të natyrës së virgjër, që në çdo stinë joshin vizitorin e saj. Në asnjë çast, nuk e harron edhe mërgimtarin dhe plagët e tij, që në vazhdimësi kullojnë mall e dashuri për vendlindjen. Edhe socializimi me shtresat e varfëra, çdoherë, janë tema që e interesojnë poezinë e saj, gjithnjë në kërkim të gjetjes së një fieje shprese, s’paku, me fjalë e zemërgjërësi prej poeteje.

Filozofia e mendimit dhe proza poetike
Dy ciklet tjera poetike veçohen për trajtimet tematike dhe përmbajtësore, më ndryshe se në pjesën tjetër të krijimtarisë së mëparshme letrare.

Kështu, derisa tek ”Sinopsis për vargjet” kemi ndërtimin e poezisë, përmes mendimit filozofiko-poetik, duke çuar lartë vlerat e kësaj poezie, qoftë me figuracionin e gjetur, qoftë me vargun e gdhendur dhe të përqëndruar në rrafshin tematik për fjalën si shprehje e mendimit, dhe për vargun si ndërtues i fuqisë shprehëse. Kjo, sidomos, shprehet te disa prej poezive, si: “Fryma e fjalës”, “Sinopsis për vargjet”, “Për një mendim ndryshe”, “Kapërcej shtegun e harresës”, etj.

Ermira R. Jusufi ka provuar edhe krijmin e prozës poetike, që këtu e sjell në dhjetë sosh, duke dëshmuar se ka afinitet të mirë edhe në lërimin e kësaj gjinie letrare, paksa më të veçuar dhe më pak të krijuar te ne. “Pengu i fjalës”, si titull dhe si shprehje, paraqet figuracionin e gjithë asaj, që mund ta gjejmë në numrin më të madh të prozave poetike, prej të cilave do të veçoja, sidomos: “Krismat e takeve tua”, “Ti vrapoje kah liria”, “Serenatë urimi”, “Treni i ëndërrave” etj. Mbase, me këtë paraqitje të prozës poetike autorja premton shumë, duke e rreshtuar me poezinë, që tashmë e ka pasion të patjetërsuar.

Konstruktiviteti dhe përvoja krijuese, që vlerësohen
Nuk do të shpreh ndonjë mendim përfundimtar për këtë krijuese, as për poezinë e saj, të sistemuar në këtë libër, derisa gjatë tërë rrugëtimit nëpër ciklet poetike, takimi me vargje e shprehje figurative, me pafundësinë e metaforave, me një mbarështrim të mirë tematik dhe përmbajtësor dhe ndieshmëri të fjalës dhe mendimit filozofiko-poetik, pa mos e harruar edhe rrjedhshmërinë gjuhësore, që i japin muzikalitet kësaj poezie. Të gjitha këto veçori të dëshmuara, premtojnë një udhtim të gjatë e të pandalshëm të kësaj autoreje, emri i të cilës gjithnjë e më bindshëm po bëhet pjesë e karavanit të krijueseve të afirmuara, falë durimit, konstruktivitetit dhe përvojës së saj krijuese.

Prishtinë, nëntor 2017