Ismet Krasniqi, “URAT E KOMUNIKIMIT KULTUROR”, publicistikë, botoi Shtëpia Botuese “ROZAFA”, Prishtinë 2018, ISBN: 978-9951-02-376-4
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Libri “URAT E KOMUNIKIMIT KULTUROR”, është ndërtuar si një mozaik që i kushtohet diasporës shqiptare në Zvicër. Libri çelet me prezantimin e veprës “ARTI I DALTUAR”, që i kushtohet piktorit Arsim Berisha, ndërsa recensionet nga Prend Buzhalla dhe Gani Bytyçi i japin dimensionin artistik e kritik veprës në fjalë, kurse shënimet e Sevdail Tahiri e Hasan Hasanramaj, e krijojnë një dimension shtesë që provokon mendjen e lexuesit për të shkuar tek vepra, se mbase shënimi informativ e ka këtë qëllim.
Në këtë syth është prezantuar edhe dimensioni artistik që ka të bëjë rreth librit “ARTI I DALTUAR”, kurse kolazhi me fotografi plotëson edhe më mirë aspektin vizual. Fundja e fundit, ky dimensionim i afruar në pamjen “3D”, inspiron për ta njohur veprën që ka të bëjë rreth artistit dhe protagonistit të saj Arsim Berisha, të cilit i kushtohet “ARTI I DALTUAR, një mozaik artistik mjaftë i kompletuar. Në anën tjetër shënimi i gazetarit Rexhep Rifati, ka të bëjë me promovimin e librave “ÇELNA UDHË” dhe “LINDJA E LUFTËTARIT”, me autor Ismet Krasniqi – LALA, mbajtur në Winterthur të Zvicrës, më 17 shkurt 2018.
Recensioni i Prend Buzhallës me titull “TË FOLURIT POETIK ME DASHURI”, është një lloj përkufizimi për antologjitë poetike që është përgatitur nga Ismet Krasniqi, në të cilën janë përfshirë emra e mesazhe poetike si përkushtime artistike për “Shën Terezën”. Vet titulli i librit “ÇELNA UDHË”, është një metaforë për lutjen, tamam siç lutej dikur murgesha “Shën Tereza Jonë”! Pra, AJO lutej për t’u bashkuar rreth misionit të saj, rreth dashurisë për Krishtin?! Ndërsa misioni i tanishëm i Ismet Krasniqit – Lalës, i shprehur në librin për Urat Kulturore, ka të bëjë me lidhje të brigjeve e kontinenteve, po sidomos bënë lidhjen e shpirtrave kulturor që jetojnë e flatrojnë ndër të njëjtin qiell.
Pa dyshim libri “URAT E KOMUNIKIMIT KULTUROR”, ka mision – qëllim të mirë kulturor, me ç’rast përmes lutjeve ai bënë thirrje për t’iu shmangur sa më shumë gërrithjeve dhe çaraveshjeve, që po ia bëjmë për çdo ditë trupit dhe atdheut tonë. E nëse “Shën Tereza”, lutej për një bashkim rreth Krishtit, “Shën Ismeti Ynë”, këtë lutje për bashkim e materializon me një simbol kombëtar siç është “PLISI”, (të cilin ky nuk e ka zbuluar), por është themeluesi i Manifestimit Tradicional “DITËT E PLISIT”, e kjo nismë dita – ditës është duke u përqafuar dhe mbase duke u zgjeruar, tamam si dikur që u zgjerua edhe Misioni i Shën Terezës, ndërsa “Shën-i Ynë” po afron “Shpirtra Kulturor” rreth simbolit – çeleshes së bardhë, me të cilin për shekuj të tërë, kombi ynë ka luftuar, ka pleqnuar dhe janë krenuar breza të tërë shqiptarësh.
Tash Ismet Krasniqi, gjen edhe një mënyrë tjetër për t’i lidhur pjesët e shkëputura me atdheun, e këtë e bënë duke i ndërtuar “URAT E KOMUNIKIMIT KULTUROR”, simbolikë sa mediatike po aq profetike, prandaj edhe në këtë rast na bëhet pothuajse i pari, që kaq fuqishëm dëshiron për ta lidhur Diasporën me Kosovën, e këtë lidhje LALA e bënë duke ua respektuar, duke ua lartësuar, e duke ua vlerësuar përpjekjet kulturore e artistike dhe angazhimet atdhetare, gjithë komunitetit tonë kulturor e artistik, andaj jemi të sigurt se askush nuk mundet me kaluar pa vërejtur, se misionin për bashkim, autori po e realizon me vepër! E vepra paska bashkuar në një libër shumë emra, shumë vepra letrare e artistike dhe shumë më shumë ngjarje të tjera kulturore e humane duke e bërë simbolikën e lidhjes së brigjeve ashtu siç është konceptuar edhe libri “URAT E KOMUNIKIMIT KULTUROR”.
Edhe shënimi kritik i Milazim F. Kadriut, ka të bëjë me veprën “ÇELNA UDHË”, bashkë me disa fotografi dhe shënimet përkatëse e përmbyllin këtë mozaik kulturor për këta dy libra. Shënimet tjera lidhen me një ngjarje kulturor në Shtëpinë Muze të “Shën Terezës”, në Shkup, mbajtur në nëntor 2017, në njërën anë, kurse nga ana tjetër edhe nga Shkupi, Ismet Krasniqi paska ndërtuar URA afrimi mes artistësh dhe kulturash.
Në këtë libër është përfshirë një intervistë e gjatë e autorit të cilën e ka zhvilluar poeti Brahim Avdyli, (faqe 81 -112). Intervista qet në pah disa angazhime të tjera kulturore, qoftë në planin mediatik apo atë organizativ për mbajtjen e një varg festivalesh e manifestimesh kulturore të cilët kanë lënë gjurmë, ndërsa Ismet Krasniqi, është themelues dhe organizator i tyre: Festivali Folklorik “I KËNDOJMË LIRISË”, i cili nga qershori 2001, mbahet në Klinë, Manifestimi “DITA E PLISIT”, nga muaji tetor 2014, pastaj themelues edhe i “Festivalit të Grupeve Amatore Teatrale të Fëmijëve, (FGATF)”, etj.
Për romanin “ETJE”, të autorit zviceran Beat Portmann, përkthyer në shqip nga Bardhec Berisha, ka shkruar Prend Buzhalla. Përkthyesi letrar, Bardhec Berisha, jeton dhe vepron në Luzern, andaj shënimi përkatës ia shton pigmentin këtij Ylberi Kulturor i cili po i lidh brigjet e Luzernit me Klinën. Prezantimi i portreteve të autorit e përkthyesit, prezantimi i ballinës së romanit në fjalë, si dhe fotografija e vet LALËS duke bërë një interpretim skenik nga ky roman, e kompleton më mirë shënimin e gazetarit Alfred Beka.
Angazhimi i LALËS, në jetën kulturore e nderon secilin, po më shumë Klinën e cila ka mirëpritur artistët dhe grupe të shumta që veprojnë në Zvicër, duke ndërtuar edhe URA të tjera kulturore, të cilat kanë për qëllim t’i lidhin artistët me vendlindjen e tyre dhe me komunitetin e atjeshëm letrar.
Përpos shënimeve për libra, Ismet Krasniqi, në “URAT E KOMUNIKIMIT KULTUROR”, ka përfshirë shënime për pjesëmarrje të grupeve artistike nga Zvicra në Festivalet Artistike që mbahen në Klinë e rrethinë, siç është rasti me Ansamblin “VATRA” nga Bülach, që ishte pjesëmarrëse në Festivalin Folklorik “I këndojmë lirisë”, Klinë 2012, ose artistët Bujar Berisha e Liliane Vanilly. Në anën tjetër shënimi “Motive korriku” flet për Pjetër Gjonin, ndërsa shënimet tjera për “TAKIME LETRARE ME KRIJUES NGA DIASPORA”, janë edhe disa perla të mira kulturore.
Nga ky shfletim i kujdesshëm, shihet se autori paska bërë përpjekje për të përfshirë sa ma shumë pjesëmarrës në “Festivalin e Librit?!”, të tij “URAT E KOMUNIKIMIT KULTUROR”, andaj edhe fjala e Gani Bytyçit, me rastin e inaugurimit të Galerisë së Artit në Dabërdol, si dhe shënimin e Prend Buzhallës që ka të bëjë me Muzeun Etnografik të Gjon Gjergjit, janë pjesë e trashëgimisë së këtij koncepti për URAT që krijojnë Lidhje në mes Atdheut dhe Diasporës.
Nga ky libër do te mësojmë se Gjon Gjergji, pos poezisë dhe themelimit të Muzeut Etnografik “AGIMI I GJYTETNISË”, në Krushevë të Vogël (Klinë), merret edhe me pikturë si dhe me karikatura, të cilat më herët i janë botuar në shtypin e Kosovës. Po ashtu informohemi se Gjon Gjergji dhe Idriz Berisha, kanë ekspozuar edhe në Zvicër. Këtij mozaiku kulturor të përfshirë brenda “URAVE TË KOMUNIKIMIT KULTUROR”, i shtohen edhe shënimet nga krijuesit: Dan Kosumi, Musa Jupolli, Bajrush Zeka, Bajram Mehmeti, Sami Sherifi, Migena Arllati, Ibish Neziri e ndonjë tjetër, pa e anashkaluar edhe trupin diplomatik të Kosovës në Zvicër nëpër këto aktivitete.
Në fund të librit janë edhe dy shënime mjaftë karakteristike: I pari flet për “Njeriun që ra nga qielli dhe mbijetoi”, ku është përfshirë rrëfimi i Gjokë Musë Gjokajt, për fatkeqësinë ajrore që ka ndodhur në Shkup, më 5 mars 1993, në të cilën kanë gjetur vdekjen rreth 80 veta, ndërsa Gjoka, është njëri nga të mbijetuarit e asaj fatkeqësi. Tash nga ai mësojmë se udhëtimi “Në bisht të aeroplanit”, paska qenë pjesa më e sigurt për ta përballuar Ai atë fatkeqësi ajrore. Ndërsa shënimi tjetër ka të bëjë me homazhin kushtuar artistit Agron Bajrami, me rastin e vdekjes së tij, (12 mars 2018), përkatësisht shënimi për varrimin e këtij artisti të estradës shqiptare në Zvicër, të cilit më 16 mars 2018, qytetaret shqiptar, në varrezat e qytetit Aarau në Zvicër, ia thanë lamtumirën e fundit.
Ismet Krasniqi – LALA, në librin “URAT E KOMUNIKIMIT KULTUROR”, me shënimin “Kontakte me diasporën shqiptare të Zvicrës – reportazhe, kronika, recensione”, ka bërë një prezantim të mozaikut kulturor në diasporë, kryesisht në ato ngjarje ku vet ka qenë pjesëmarrës. Librin e ka pasuruar me emra dhe bashkëpunëtor të shumtë për t’ia kthyer këtë vepër si dhuratë diasporës shqiptare në Zvicër, për të cilën Ai ka shkruar me dashamirësi të rrallë!…
Winterthur, 9 nëntor 2018