ANTON NIKË BERISHA
Pjesë nga Parathënia e librit “Silvia” të Zherar dë Nerval me përkthim të Beatriçe Balliçit, të botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës.
Teksti i veprës “Silvia” cilësohet me një gjuhë e me një sistem shprehës poetik të pasur, të gërshetuar me simbole, me metafora dhe me pamje poetike të shumta. Me një fjalë, gjatë çdo leximi të tekstit të kësaj vepre përherë vëren diçka tjetër, lartësohet një përshtypje tjetër, jo pse ndryshon teksti vetë, po pse ndryshon lexuesi dhe mënyra e ndikimit që bën ai në të. Kjo ngjet për arsye se leximi asnjëherë nuk bëhet për të njëjtin qëllim dhe në të njëjtat kushte të jashtme jetësore e sidomos të gjendjes së brendshme të lexuesit, prandaj teksti poetik asnjëherë nuk del dhe nuk receptohet në të njëjtën mënyrë.
Duke e lexuar me vëmendje këtë vepër të Zherar dë Nervalit mund të thuhet pa asnjë dyshim se ajo është ngritur dhe është përftuar duke u mbështetur në veprat paraprake, jo në kuptimin e imitimit, por të shfrytëzimit mjeshtëror të artit që i ka cilësuar ato. Edhe letërsia e Borges-it, fjala vjen, është një letërsi e ardhur nga letërsia, çka në një farë mënyre e ka pohuar edhe vetë autori. Në librin e tij “El oro de los tigres” Borges shkruan: “Sa janë ndikimet që mund të dallohen në këtë vëllim […] Në vend të parë shkrimtarët që pëlqej, kam veçuar tashmë Robert Browning; pastaj ata që kam lexuar dhe rilexuar; pastaj ata që nuk i kam lexuar kurrë, por që janë brenda meje” […]
Shumësia e kuptimeve të tekstit të veprës “Silvia” të Nervalit, shtresimet dhe mbishtresimet zënë fill me konceptin e dashurisë të personazhit kryesor, i cili njëherit është dhe rrëfimtari (narratori) i kësaj vepre letrare poetikisht shumë të ngritur. Në qoftë se Shën Augustini thoshte për Këngën e këngëve se “[…] është një libër i dendur i mistereve” (Rrëfimet 46, 35), atëherë një varg misteresh na shfaqen edhe në veprën e Zherar dë Nerval-it “Silvia”, që nuk lidhen me botën dhe me dukuritë e jashtme, me vendet dhe rrethanat ku ndodh ngjarja dhe sillet personazhi (rrëfimtar), po me botën e brendshme të tij, i cili është i dashuruar ose e gjakon dashurinë dhe bukurinë […]
Po e mbyll këtë shkrim për veprën “Silvia” të Zherar dë Nerval, për shumëçka të veçantë dhe me vlera të shumta, me mendimin se ky përkthim i ri i bërë me përkushtim e dije nga Beatriçe Balliçi, do ta pasurojë letërsinë tonë dhe pa asnjë dyshim do të mirëpritet nga lexuesi ynë, sidomos nga ata që veprat letrare i çmojnë para së gjithash për artin e madh që i cilëson.
Prishtinë, maj 2019