Silueta e vetmisë së gurit (II)

0
560
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

Silueta e vetmisë së gurit (II)
(Fragment)

Asnjë gjurmë mos e fshij prej ballit

(Pjesa e dytë e të enjtes, dhjetor ’79)

Burrat, të bërë tokë e çarë, ecën ngadalë shpatullës së kodrës, të ndalen afër fëmijësh e grash të trembur. Fytyrat e tyre ndrisnin njëjtë me ngjyrën e verdhë të tokës, të flakës që dilte nga ajo. Të pagjak, veç të betuar ta mbronin me kaq pafuqi të shpërthyer përgjatë trupit, deri në pikën e fundit të gjakut.
-Mos i prekni burrat e pa armë, – foli një vajzë.
-Ti do të na tregosh, – e kapi për cepi të xhaketës një xhandar.
-Askush të mos e prek kënd. As femrat e as fëmijët, – tha komandanti. –Kam dhënë besë për ta!
-Besa jote, – foli djaloshi, të cilit ia kishin lënduar rëndë qafën dhe nga ajo tashmë i rridhte gjak.
-A ke emër ti?
Ai shikoi larg hapësirën mbi tokën e Llapit dhe qiellin sipër e ofshani. Eci dy apo tre hapa. Qëndroi pranë xhandarit, i cili në çastet e fundit nga po jepte shpirt bëri përpjekje të shkruante në pluhur 4S. Djaloshi, lëvizi ngadalë, e shkeli me këmbë vizatimin në tokën e vet dhe e pa qiellit nga fluturonte shqiponja e zezë dhe një flakë të kuqërremtë nga shtrihej gjithnjë.
-A ke emër ti? – e përsëriti komandanti.
-Mursel… – nxori zë me vështirësi.
-Ti do të vish me burrat, gratë e fëmijët do të mbesin në shtëpi, – foli komandanti e i thirri kalit. E shaloi e u nis para tyre. – Tash vijnë dhe ata të varrezave ta marrin serbin e vrarë, me kokë të prerë dhe të vrarët- xhandarë serbë, të mbetur në këtë tokë të shkretë.
-S` është tokë e shkretë, – foli një fëmijë.
-Kjo tokë ka zot,- rrodhi një zë nga gratë.
-Ka zot, ka, – foli një tjetër.
-Pse i merrni burrat? – foli e njëjta vajzë.-Ata veç e mbrojtën tokën e vet!
Kuajt ecën para e të lidhur duarsh prapa përkundeshin burrat e familjes Dedaj. Gratë i shikonin nga shpina dhe qanin. Qanin dhe fëmijët.
-Kush mund ta kuptojë a do t`i kthejnë prapë.
– Na e kanë marrë shtetin, na i vrasin dhe burrat…
-Toka që e ka bi` lisin dhe do ta rritë. – ndërhyri gruaja tjetër dhe i fshiu lotët.
-Atje i pret vëllai, që shkoi me sëpatë të përgjakur, ta marrë vetë gjithë përgjegjësinë…
-I morën pesë për një!
-Kush e ka pushtetin bën çfarë do!
-Ndoshta kthehen.
-Të presim… e në asnjë mënyrë nuk vdesim!
Gruaja ra në gjunjë. E puthi tokën e pastaj me ofshamë shikoi lart qiellin e mbushur me shtëllunga reshë të përhirta në të bardha
-Ndoshta këtë herë zoti do të jetë me ne!
*
Rrodhën çaste, data,ngjarje.
Vetëm ai djaloshi, që doli të fliste me ta dhe të cilin e sulmuan ashpër, ia thyen qafën, Murseli, njëri nga të pesë vëllezërit e burgosur, do të lirohet. Të katër shpirtrat, të cilët e mbrojtën tokën, qielli, ujin e burimit, pemët, që jepnin fryt – mollë të kuqe, dardha, qershi e arra të Kosovës, një e një vdiqën në burg. Veç ai doli gjallë, ai që i ngjante Murselit doli, një pjesë e djaloshit të gjatë e të bukur. Me kokën gjithnjë të mbështetur në sup, nga tentimi ta vrisnin dhe atë pse qe shqiptar dhe karakter që nuk bie para çizmeve të askujt. Flaka serbe e ndezur rreth shtëpisë në Brezhnicë ende shpërthente dhe merrte qiellin e kaltër, me zërat dhe vajet e atyre brenda shtëpisë së Hoxhës, të cilët i digjnin të gjallë. Vrisnin, ua merrnin tokën, priste thikë e vjetër serbe… Shpërthyen kaq vetëtima të përhershme, ta vrasin shpirtin dhe vrullin atdhetar të secilit, që bënte përpjekje të zgjohej kudër 4S-it, të zgjohej në rrjedhat e vjetra ilire e shqiptare.
Murseli do të martohej në një ceremoni të thjeshtë, të varfër e të pikëlluar. Ai, i martuar në mënyrë tradicionale me Nefisen, do të dashurohet me të e do të krijojnë luftë të qetë e hakmarrje në formë tjetër. Me pushkë nuk ia dilnin në këtë kohë. Si t`ia bënin? Vendosën të luftojnë ndryshe, pahetueshëm. Me lindje të reja. Me rrugë më të gjatë të shkollimit, të emancipimit… Kjo ishte betejë e ngadalshme, e qetë veç dhe shumë afat gjatë dhe e fortë, për të gjitha kohët. Me pemë të reja, të etshme për horizonte e sipërfaqe të reja, të ndritshme. I lindën pesë djem. Ndër ta do të jetë dhe njëri nga poetët më të mirë shqiptar,Rrahman Dedaj.
Poeti e intelektuali i ri, me brendësinë e vet e shkroi skicën e përhershme të luftës, duke hyrë në të gjitha antologjitë e panoramat e poezisë në të gjitha gjuhët, ku arritën të shfaqnin botën dhe veçantinë e jetës e të vdekjes shqiptare. Koha i ka dëshmuar dhe unazat e veta. Me dhunë, me vrasje e dëbime, me përvetësime tokash shqiptare s`u arrit ajo që synonte pushteti Serb. Kjo bëri që ata ta ndërrojnë metodën.
Në një dokument të vitit `51. CIA ka treguar politikën e poshtër serbe kundër identitetit shqiptar, tentimin me çdo kusht për të zbehur ndjenjat kombëtare . Autoritetet shfrytëzuan injorancën e popullatës së shqiptarëve me pretekstin të ishin turq për shkak të besimit të tyre mysliman, mohuan të drejtën për të folur gjuhën e tyre dhe u përpoqën të zhduknin traditat e tyre dhe ndjenjat patriotike dhe kombëtare. Dokumenti thotë së në Kosovë, nuk ka pasur kurrë turq, por familje shqiptare që flisnin turqishten. Pushteti serb kishte dhënë privilegje për familjet shqiptare që dërgonin fëmijët e tyre në shkollat turke. Ata shkuan aq larg sa nxiten edhe përçarje mes shqiptarëve mysliman dhe shqiptarëve katolikë.
Me qëllim të dëshmonin popullsi turke në Kosovë e jo popullsi me plisa të bardhë.
Zaten, jo vetëm familja Dadaj e kishte të përbetuar shenjtërinë për gruan, për tokën e kalin e më pastaj për librin, për shkronjat e shenjta. Në secilin rast të gatshëm të vdesin për këtë gjë, ata nisën tjetër ecje, rrugën e shkronjave shqipe.
…E ka një varg Rrahman Dedaj, për tokën,për shiun, për kalin e simfoninë e fjalës, e ka një varg kushtuar gruas, ku thotë, “çdo gjë që preku mbet të jetojë”. Ai tërë jetën në veprën e vet brilante e ka trajtuar madhështinë e tragjikes, trohat e sofrës së varfër, fatin dhe vdekjen e atyre që do të kujtohen për flijimin e përhershëm për tokën e gruan. S`ka mundur të mos rrjedh te ai ndryshe gjaku i zgjimit, gjaku i kujtimit, të shpërthejë gjaku i derdhur për tokën, për simfoninë e fjalës.
Është poeti që qëndron në krye të poezisë më të mirë kombëtare, siç e apostrofon dhe Qosja e shumë kritik të shquar.
*
-Ku humbe kaq gjatë, – më tha Çerkini.
-Ja, këtu jam, afër teje dhe Gazmendit, më mendje e sy në frëngjitë e kullës, në insertet e copëzat e jetës së Isa Boletinit, njeriut që tërë jetën luftoi për tokën, për lirinë e popullit dhe në fund kaq vjet mbeti i varrosur jashtë atdheut të vet, – fola thellë i menduar dhe bëra përpjekje të dilja nga tisi i rrëfimit për tokën e baraspeshuar me zemrën, me gjakun, me dritën, për gruan dhe kalin. Për ata që flijuan veten për tokën dhe lirinë.
Askush tjetër nuk bëzante. Heshtja binte para meje me të gjitha fshehtësitë, e zgjaste rrugën mbi gurët e kalldrëmit dhe poshtë nën urën e madhe lumi Ribnica bashkohej në rrjedhë me Moraçën. Shfaqej para meje aty Ura e Ribnicës, vendi ku iu vu kurthi e u vra Isë Boletini. Ky më shfaqej zinxhir në hamamet imagjinatave nga larg për të vrarin e mbetur të jetojë për të gjitha kohët…
-Isa e çmonte shumë lirinë, gruan dhe kalin, – shikova Çeron e pastaj Gazmendin, ndërsa mora të zbrisja shkallët e drurit, të ikja nga kali i dytë. Eca katit të parë me fotot që më përcillnin fuqishëm, dola në shkallët para kullës dhe sytë prapë më kapën shenjën e gjyles së topit, gjurmën e mbetur aty, për ta kujtuar për vite e vite zjarrin që përjetuan malësorët nga zgjedha turke, e tash, nga vrasjet, dëbimet dhe burgimet, për të tentuar më çdo kusht për të zbehur ndjenjat kombëtare të shqiptarëve në folenë e vet mijëvjeçare. Këtë gjë, këtë këmbëngulje të ngjashëm me jetën e gurit të shqiptarit këtu Serbia e ka ferrë në sy. E lufton në njëqind mënyra, të ndihmuar dhe nga fundërrinat e kombit, të lëçitura gjithnjë nga pastërtia e paqja që ka… – zbritëm deri te kroi, te ujit që rrjedh me furi nga guri dhe shpërndahet në secilën zhgjëndërr dhe ëndërr të përhershme, derisa ajo në gërshetim do të bëhet e përditshme, reale.
-E donte mjaft shumë kalin… – nuk harroi të thoshte Gazmendi.
-Isa me urti e kobure e shkroi skicën e lirisë, ndërsa Rr. Dedaj me vargje dhe mendim të përhershëm e dërgojë në botë etjen shqiptare për liri e paqe.
Lart në qiell, mbi luginat e brigjet, mbi burimet e rrjedhat e ujit, mbi kullën dhe shtëpitë e vjetra, mbi drunjtë e tokës së paepur, shfaqet herë i njëjti zog i zi, ik e vjen shpirtit të ndezur në të kuq dhe e hap sqepin të thotë diçka, veç ende hesht.
Ndërsa fluturon puplat i marrin ngjyrë të gjakut.
Zot, ky zog i zi i gjallë e i pa frikë në të gjitha kohët!
Ky zog gjaku…