SIKUR TË KISHIM DËGJUAR ISH-PRESIDENTIN XHORXH BUSH-in E RI

0
315
Bush - Cuomo

(Për epideminë e koronavirusit)

Frank ShkreliNga Frank Shkreli

Ishte viti 2005. Presidenti Xhorxh W. Bush i riu kishte paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara duhej të kishin filluar përgatitjet për një pandemi të mundëshme gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Siç dihet tani, e gjithë bota qe krejtësisht e papërgatitur për tu përballur me përhapjen e shpejt të koronavirusit anë e mbanë botës. Ndërsa Amerika dhe mbarë bota gjëndet në kulmin e përhapjes së koronavirusit dhe të një pandemie me përmasa botërore, dhe ndërkohë që po kritikohet ashpër qeveria federale, shtetërore dhe vendore këtu në Shtetet e Bashkuara për mos përgatitjen e tyre për një situatë si kjo — në një raport të ditëve të fundit, rrjeti i televizionit kombëtar amerikan, ABC vuri në dukje, paralajmërimin që kishte bërë pothuaj 15 vjet më parë, ish-Presidenti Xhorxh Bush i riu, për nevojën e marrjes së masave për t’u përgatitur për një katastrofë të mundëshme epidemie si kjo që po përjetojmë sot, anë e mbanë botës.

Z. Bush e kishte bërë këtë paralajmërim në një fjalim të mbajtur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, fjalim në të cilin ai ka nënvijuar nevojën urgjente të Amerikës për t’u përgatitur në rast të një shpërthimi të një epidemie sëmundje ngjitëse, në shkallë botërore. “Në këtë moment, nuk ka një pandemi gripi në Shtetet e Bashkuara as në botë, por nëqoftse duhet të mësojmë nga historia, atëherë duhet të jemi shumë të shqetësuar për një mundësi të tillë”, ka thënë Presidenti Bush, në fjalimin e tij mbajtur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, në vitin 2005.

Pandemia është si një zjarr që përhapet në pyll” ka nenvijuar Presidenti Bush në atë fjalim, 15-vjetë më parë. “Nëqoftse hetohet që në fillim, ka mundësi të shuhet zjarri para se të shkaktojë ndonjë dëm të madh. Por, nëqoftse lejohet të përhapet pa e diktuar, atëherë zjarri mund të këthehet në një ferr të vërtetë, që nuk mund të kontrollohet dot.” Sipas ish-zyrtarëve të Presidentit Bush, me të cilët kishte folur ditët e fundit televizioni ABC në lidhje me paralajmërimin e ish-presidentit, Z. Bush, ai ishte i bindur se vendi duhej të ishte shumë më i përgatitur se ç’ishte në atë kohë, për një pandemi të mundëshme, pasi, siç thanë ata ai kishte lexuar një libër mbi gripin spanjoll të vitit 1918.

Ish këshilltarja e Presidentit Bush për Sigurinë e Atdheut, Fran Townsend, citohet se Z. Bush kishte thënë se, “Një pandemi, si pandemia spanjolle, ndodhë çdo 100-vjetë, prandaj kemi nevojë për një strategji kombëtare”, për tu përballur me një mundësi të tillë, është shprehur Presidenti Bush. Ndërsa ish-këshilltari Karl Rove u shpreh se, sado të frikëshme dhe shqetësuese që ishin informacionet në lidhje me luftën kundër terrorizmit, në atë kohë, asgjë nuk mund të krahasohej me diskutimet që zhvilloheshin në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me mundësinë e përhapjes së një pandemie në Amerikë dhe në botë.

Sipas rrjetit të televizionit amerikan ABC, Presidenti Bush e kishte paraparë situatën në të cilën gjënden sot Shtetet e Bashkuara dhe bota, si pasojë e koronavirusit – me mungesë furnizimesh mjekësore, përfshir maskat, ventilatorët, tejet të nevojshme këto për të luftuar koronavirusin Covid-19. Thuhet se Presidenti Bush, ishte aq i bindur se Shtetet e Bashkuara duhej të ishin më të përgatitura për një fatkeqësi të tillë si koronavirusi sot, sa që propozoi një buxhet prej 7 miliardë dollarësh për këtë qëllim, por sipas ish-ndihmësve të tij, në atë kohë në Washington nuk ekzistonte një mbështetje serioze e nevojshme që projekti i Presidentit Bush të realizohej në nivel kombëtar.

Paralajmërimi i tij që vendi të përgatitej për një epidemi si kjo me të cilën përballet sot bota, ra në veshë të shurdhër. Megjithëkëtë, sipas raportit të televizionit ABC, Presidenti Bush bëri plane ambicioze për financimin e teknologjive të reja për të zhvilluar vaksina të reja dhe për fabrikimin e mjeteve të tjera të nevojshme. Por, sipas ABC, megjithë gatishmërinë e Presidentit Bush për të shtuar përgatitjet e Amerikës për t’u përballur me kërcënimin e një pandemie të mundëshme dhe për të financuar nisma të reja në këtë fushë – prioritetet e politikës amerikane për tu marrë me kriza të tjera botërore të asaj kohe, bëri që kjo nismë të hidhej në harresë, megjithë këmbënguljen e Presidentit Bush, për të përgatitur vendin për një krizë shëndetësore, si koronavirusi – 15-vjet pas paralajmërimit të tij. Shumë analistë dhe ekspertë amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara ishin krejtësisht të papërgatitura dhe se duhej të ishin më të përgatitura për tu përballur sot me një pandemi kaq serioze, si koronavirusi.

Duke lexuar raportin e televizionit amerikan ABC në lidhje me paralajmërimin e Presidentit Xhorxh Bush, të vitit 2005, se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përgatitura për të luftuar një pandemi të mundëshme dhe se diçka duhej të bëhej në këtë drejtim — është e pamundur të mos bëjmë pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin në gjëndje shumë më të mirë për t’u përballur sot me koronavirusin – sikur të ishte marrë seriozisht paralajmërimi i Presidentit Xhorxh W. Bush, se Shtetet e Bashkuara duhej të përgatiteshin, me kohë, për një pandemi të tillë. Sikur të ishte realizuar projekti i Presidentit Bush i vitit 2005, a do të kishim (deri tani) pothuaj 350.000 amerikanë të prekur nga koronavirusi dhe afër 10.000 të vdekur, shifra këto sipas, Universitetit John Hopkins. Eh, sikur…

Thonë se udhëheqsit e mirë dallohen në kohë të vështira dhe kur mund të parashikojnë gjërat para se të ndodhin dhe të cilët u prijnë politikave dhe përpjekjeve qeveritare për të parandaluar të keqen. Ja e keqja e një pandemie të mundëshme, për të cilën kishte paralajmëruar ish-Presidenti Xhorxh Bush ndodhi, duke prekur jo vetëm Amerikën por mbi 182 shtete anë e mbanë botës, me pasoja tronditëse, jo vetëm për jetën dhe shëndetin e njerëzve, por edhe për të ardhmen ekonomike të botës. Ndodhi çfarë ndodhi dhe me ndihmën e Zotit edhe kjo do të kalojë. Dritat nuk do të fikën anë e mbanë Evropës, siç kishte paralajmëruar ish-Sekretari i Jashtëm britanik, Edward Grey, në fillim të Luftës së Parë Botërore. Koronavirusi do të ndryshojë botën, patjetër, por do të kalojë. Dritat do të shëndrisin përsëri, për ditë më të mira, jo vetëm në Evropë dhe në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës.

Por lind pyetja se çfarë mësimesh të vështira do nxjerr Amerika dhe udhëheqsit e saj aktualë dhe të ardhëshëm, nga kjo tragjedi – dhe jo vetëm Amerika — por edhe bota në përgjithësi dhe çdo shtet tjetër i prekur nga koronavirusi, në veçanti. A do të jetë Amerika dhe bota më të përgatitur për një epidemi të mundëshme në të ardhmen? Siç tha edhe Governatori i shtetit Nju Jork, (shteti më i prekur në Amerikë nga koronavirusi), Andrew Cuomo, pasi të ketë kaluar kjo, a do merremi vetëm me dhimbje, me vuajtje, me vdekje — të frikësuar, të dëshpëruar e të zemëruar nga koronavirusi gjithandej, apo do të dalim nga kjo gjëndje e tmershme, më të zgjuar, më të mençur, më të përgatitur se përpara, për t’u përballur me një epidemi të mundëshme si kjo në të ardhmen.

Është në dorën tonë, të gjithë jemi në gjëndje ta kontrollojmë këtë situatë, ka thënë i pari i Nju Jorkut. Uroj që Amerika dhe bota të mësojnë nga kjo përvojë e tmershme duke bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, proceduriale, teknike, shkencore e të tjera, për të qenë më të përgatitur për një epidemi tjetër të mundëshme. Uroj gjithashtu që të kemi udhëheqës që e kuptojnë seriozitetin e gjëndjes së krijuar dhe që të mos jemi në mëshirën e udhëheqsëve që nuk kanë haber se çfarë po ndodhë rreth tyre.

Sido që ta merrësh, kohë të vështira për të gjithë. Për disa, shumë të vështira! Shpresë dhe mëshirë për të gjithë ne!