SIKUR TË ISHA PRANË TEJE, QOFTË EDHE PËR NJË ÇAST TË VETËM!

0
644

Në Ditën e Shën Valentinit

Shkruan Xhemail Peci

Sikur të isha pranë teje, qoftë edhe për një çast të vetëm, asgjë më nuk dë të ngjante me një fontanë dëshirash! Sikur të isha pranë teje, çdo gjë do të fliste vetëm me gjuhë shirash, e nëpër fijet e buta të flokëve tua ngjyrë gështenje, jeta do të thurte gërsheta!

Sikur të isha pranë teje, qoftë edhe për një çast të vetëm, hëna nuk do të ishte më kurrë e pikëlluar në rrugëtimin e saj të gjatë, e as nuk yjet nuk do të treteshin më kurrë në thellësitë e netëve të gjata pa gjumë. Dashuria nuk do të ishte më kurrë një portokalle e përgjakur, e ëndrrat nuk do t’i takonin vetëm gjumit. As kënga e mëngjesit nuk do t’i takonte më vetëm rrjedhës së lumit, as shpërthimi i pranverave nuk do të ishte vetëm e luleve dhe e petaleve të tyre!

Sikur të isha pranë teje, qoftë edhe për një çast të vetëm, sikur ta sodisja nga afër pamjen e fytyrës tënde engjëllore, sikur të prekja nga afër faqet si manushaqet e atë nurin shkëlqimtar si të bukës nore! Sikur të prekja qoftë edhe vetëm një herë, atë dorën tënde ledhatare, e sikur të merrja pjesë nga afër në atë botën tënde ëndrrimtare, kjo jetë nuk do të ishte më kurrë kalimtare!

Sikur të isha pranë teje, qoftë edhe vetëm për një çast të vetëm, sikur të mund të shikoja nga afër bebëzat e syve tu, sikur nga drita e syve tu të mund të shikoja sfondet e pafundshme të horizonteve blu, sa shumë do të dehesha në dritën e atyre dy diejve të vegjël, dhe jo më pak do të doja të kundroja nga ata sytë e tu të kaltërt, vetë dritën e shenjtë që e bekoi Zoti!

Sikur të isha pranë teje, qoftë edhe vetëm për një çast të vetëm, kurrë më nuk do t’i leja yjet të ngjiteshin në qiell, sepse yjet përjetësisht do t’i mbaja tek ato kurora që ke përmbi qepalla, derisa yjet dhe majat e qepallave do të shkriheshin mes veti në atë vallëzimin e ëmbël të hijes së qepallave tua, krejt si një valë deti.

Sikur të isha pranë teje, qoftë edhe vetëm për një çast të vetëm, e sikur të mund të kundroja zbardhëllimin e agimit në dritën e syve tu, engjëjt do të këndonin këngën më të dashur të tyre duke thënë se e tillë ka qenë edhe çelja e parë e agimit, kur Zoti vetë e tha: U bëftë dritë!

Sikur të isha pranë teje, qoftë edhe vetëm për një çast të vetëm, të gjitha këngët e kanarinave, të gjitha meloditë e zogjve, të gjitha harqet e instrumenteve, të gjitha rrjedhat e krojeve, të gjitha filharmonitë e botës, të gjitha pentagramet muzikore, e gjithë oshëtima e deteve dhe e oqeaneve do të mblidhej në oktavat e zërit tënd, dhe vetëm qetësia e natës do të përshpëriste në veshët e tu: dy fjalët më të ëmbla, njërën në njërin vesh e tjetrën në veshin tjetër, si ata dy vathët që i mba në cepet e veshëve tu!…

Sikur të isha pranë teje, qoftë edhe vetëm për një çast të vetëm, sikur të mundja nga afër të thithja sfondet e pafundshme të syve tu të kalërt, e sikur të shuaja etjen e të gjitha krojeve përmbi sfondet e atyre dy syve, Zotin do të falenderoja për krijimin e kopshteve të parajsës, dhe sa më shumë që do të mund të shuaja etjen përmbi ata dy sy, aq më shumë do të adhuroja Zotin që të fali sy të tillë!

Sikur të isha pranë teje, qoftë edhe vetëm për një çast të vetëm, hëna përgjithmonë do të përbehej në mermerin e ballit tënd, e nga buzëqeshja jote as dielli nuk do të donte të perëndonte kurrë! Sikur të mund të mbështesja kokën mbi gjoksin tënd e sikur të mund të dëgjoja në paqe refkëtimat e gjoksit tënd, sërish providencen hyjnore do të falenderoja, duke e përgjëruar përjetësisht që engjëjt të marrin frymë gjithmonë sikurse merr frymë vetë ti!

Sikur të mund të isha pranë teje, qoftë edhe për një çast të vetëm, sikur të mund të dëgjoja të rrahurat e zemrës sate përderisa ti do të ishe në ëmbëlsinë e gjumit më të thellë, prapë Zotit për pasyqrën më besnike të parajsës do t’i falesha. E sikur të mund të trokisja lehtë, fare lehtë, në portat e zemrës sate, sikur të mund të shkruaja vetëm dy fjalë gjithmonë me mall të valë – mu në palcë të zemrës sate, ky nuk do të ishte përgjërimi i fundit si për dy portat e parajsës në amshim, por mbi çdo gjë: edhe një falenderim për Zotin që të tillë të ka falë!

Sikur të mund të isha pranë teje, qoftë edhe për një çast të vetëm, sikur të mund të shkruaja vargje e strofa e rima e letra dashurie përplot gjuhë dhembshurie, të gjithë zogjtë e të gjitha lulet, të gjithë pëllumbat e të gjitha pulëbardhat, strehë do të gjenin tek zemra jote mëshirëplote, dhe këngën e të gjitha këngëve do të këndonin (si në fillim kur Zoti e krijoi rruzullimin): Zemra jote – më e shenjta e kësaj bote!

Sikur të mund të isha pranë teje, qoftë edhe për një çast të vetëm, e sikur të mund të përshpërisja nën dritën e hënës se njëlloj të dua siç të do vetëm zemër e nënës; sikur të mund të prekja gishtrërinjtë e tu të hollë e të gjatë, dhe sikur në pëllëmbët e duarve tua më të butat – më të bardhat do të mund të numëroja vijat e holla a të ndiqja gjurmët e tyre, vetë fluturat pastaj do të zbrisnin në pëllëmbët e duarve tua e të gjitha lulet e botës do të binin si lutje të shtruara në to.

Sikur të mund të isha pranë teje, qoftë edhe për një çast të vetëm, e sikur të mund të sodisja nga afër pjalmin e buzëve me të kuqen e qershive sipri, asnjë lloj i mjaltës nuk do të mund të krahasohej më me nektarin e tyre!

Sikur të mund të isha pranë teje, qoftë edhe për një çast të vetëm, të gjithë engjëjt do të zbrisnin përjetësisht në zemrën tënde, e bardhësi dhe butësi e zemrës sate edhe engjëjve do t’u bëhej shenjtëri parajase!

O, sikur të mund të ishe pranë meje, qoftë edhe për një çast të vetëm, mu në palcë të zemrës sate, një zjarr nga më të shenjtët me vargje e fjalë e ritme e rima do të ndezja: një zjarr me mall të valë sa edhe vdekja vetë do të ndiente mëshirë, e nuk do t’më ndante kurrë prej teje!…