13.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

SI U THEMELUA USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS?

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

Ibrahim Kelmendi

• Vendimin për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e afirmuar me akronimin UÇK, e ka marrë Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e Lëvizjes Popullore të Kosovës, më 27 Korrik 1993, mbajtur në Prishtinë (në shtëpinë e Prindërve të Bashkëveprimtarit Fatmir Brajshori).

• Më 4 dhjetor 1993 Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, për ta jetësuar vendimin e Mbledhjes Katërt, ka vendos për themelimin e Sektorit të rëndësisë së veçantë dhe Fondin “Vendlindja thërret”. Për shkak të rrezikshmërisë dhe konspiracionit, Këshilli i përgjithshëm ka ngarkuar Kryesinë e LPK-së që të cakton anëtarët e Sektorit. Komisioni ka pas për detyrë të ndihmon ngritjen e Ushtrisë. Komisioni i ka dhënë llogari Kryesisë, Kryesia Këshillit të Përgjithshëm, ndërsa ky kuvendit të radhës.

• Meqë gjatë vitit 1994 janë bërë një mori sulmesh e aksionesh guerile, Kryesia e LPK-së, në mbledhjen e saj më 17 nëntor 1994, ka vendos ta emërton Ushtrinë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe ka filluar të lëshon komunikata me sigël dhe emblemë të saj, deri sa ajo të bëhet në gjendje.

• Më 29 shtator UÇK është riorganizuar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK)

* * *

Ofrova këto të dhëna telegrafike, meqë disa protagonistë, gjithandej, po flasin e po shkruajnë, për data e vende të ndryshme të themelimit, me dëshirë që të imponohen si themelues të UÇK-së.

Tani ca sqarime edhe për disa pjesëtarë të UÇK-së, të cilët janë dezinformuar e manipuluar nga mashtrimet e disa sabotuesve dhe komplotistëve, që janë afirmuar si kuadro komanduese të UÇK-së. Dezinformimet dhe spekulimet e kundërshtarëve dhe armiqve të UÇK-së, që kanë bërë “presidenti” IR dhe tifozët e tij, dhe të tjerë si ata, besoj, kanë marrë përgjigje të merituar atëherë dhe në vitet pasuese, prandaj nuk po e ngarkoi tekstin kësaj radhe për t’u marrë me ata plëngprishës.

Vendimi për themelim të ushtrisë ishte kërkesë e anëtarëve të Lëvizjes, të cilët mendonin se organizimi pluralist partiak në Kosovë (“legal”), me lejen e Serbisë pushtuese, ia kishte zbeh rolin politikë Lëvizjes, e cila detyrohej të ishte klandestine (“ilegale”), për shkak të përndjekjeve policore. Por, akoma më me ndikim për atë vendim historik ishte bindja e shumicës së anëtarëve të Lëvizjes, se vetëm me “rezistencë pacifiste” Kosova rrezikohej të mbetej nën pushtimin e Serbisë, me përkrahje edhe të miqve të saj ndërkombëtar, prandaj ishte e domosdoshme të përgatitej edhe forca e amramtosur çlirimtare, nëse nuk jep rezultat “rezistenca pacifiste”.

Edhe para se Mbledhja e Katërt të merrte vendimi për themelim të ushtrisë, kryesisht anëtarët e Lëvizjes kishin filluar të organizoheshin në grupe guerile, klandestine, për të bërë sulme të herë pas hershme guerile kundër forcave pushtuese dhe argatëve të tyre shqipfolës. Në ndërkohë ishin përvijuar tre grupe më të mëdha: në Drenicë, nën komandim të Adem Jasharit, në Llap/Gollak, nën komandim të Zahir Pajaziti dhe në Dukagjin, nën komandim të Adrian Krasniqit. Kishte edhe grupime të tjera, më të vogla e më me pak sulme guerile, nga anëtarë të Lëvizjes por edhe nga patriotë të tjerë, të përcaktuar për veprimtari të armatosur çlirimtare.

Meqë pas Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme policia serbe identifikoi dhe përndjeku shumicën e pjesëmarrësve të asaj Mbledhjeje (ndër të cilët ishte edhe Hashim Thaçi), në bazë të obligimit statutar, udhëheqjen e Lëvizjes në Kosovë dhe jetësimin e vendimeve të asaj Mbledhjeje, e mori Dega e Lëvizjes në emigracion, deri sa të riparoheshin dëmet që ia kishte shkaktuar policia serbe.

Në Sektor të rëndësisë së veçantë Kryesia ka pas caktuar Ali Ahmetin, Azem Sylën, Jashar Salihun dhe Xhavit Halitin. Këta duhej të ndihmonin pjesëtarët e Ushtrisë në formim, duke ua mundësua ndërlidhjet mes tyre dhe duke ua përcjell ndihmat financiare.

Fatkeqësisht, si kudo në botë, edhe te ne, shërbimet armiqësore kanë përgatit kuadro (spiunë e marioneta) të tyre dhe i kanë penetruar në radhët tona. Por, gjithandej, ata vështirë se mund të identifikohen e pengohen qysh në fillim, prandaj me kalim të kohës, ata ia dalin edhe të imponohen edhe si kuadro udhëheqëse, kur niveli i organizimit dhe vigjilenca nuk janë në nivel të duhur.

Sektorit të rëndësisë së veçantë i dorëzoheshin ndihmat financiare që grumbullonin veprimtarët e Lëvizjes në emigracion për UÇK-në. Më vonë do të dal në pah se në atë Sektor me operativ imponohen Xhavit Haliti dhe Azem Syla. Ata, duke anashkaluar kolegët e tyre, Ali Ahmetin dhe Jashar Salihun, kooptojnë një si “shtab qendror” në Kosovë, të përbërë nga Nait Hasani, Rexhep Selimi, Xheladin Gashi, Sokol Bashota. Këtyre duhet t’ua kenë dërguar një pjesë të ndihmave financiare, ndërsa pjesën më të madhe të tyre duhet t’i ketë “livadhis” Xhavit Haliti, i cili bënte “jetë” paralele në Tiranë. Në vitin 1996 plas informacioni, se “grupet” tjera, as nuk ishin përfshi në UÇK, as nuk po furnizoheshin me financa, armë e municion, sepse komandantët e atyre “grupeve”, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqi, nuk pranonin komandime nga emigrantët Xhavit Haliti dhe Azem Syla…

As pas kaq shumë viteve, ende nuk janë identifikuar e konkretizuar emrat e pjesëtarëve të UÇK-së, që i komandonte Shtabin qendror i Naitit, Rexhepit, Xheladinit, Sokoleti, të komanduar nga Xhaviti dhe Azemi. As nuk janë identifikuar sulmet guerile që duhet të kenë bërë ata, apo ushtarë të tjerë, të komanduar prej tyre. Rexhep Selimi, njëherë me fodullëk, pat rrëfyer se kishte gjuajte në oborr të strehimores së refugjatëve bosniakë në Prishtinë një granatë xhepi, pasi ishte dalë nga byrektorja përball godinës së Radio Prishtinës. Megjithatë, Sektori i rëndësisë se veçantë, me ndihmë të Kryesisë, lëshonte komunikata për sulmet guerile që kryenin “grupet”, edhe pse ato ishin privuar nga Xhavit Haliti dhe Azem Syla, për të qenë pjesë e UÇK-së.

Për shkak të këtyre sabotazheve dhe komploteve të Xhavit Halitit dhe Azem Sylës, dhe argatëve të tyre që simulonin Shtabin qendror, plasën grindje në Këshill të Përgjithshëm të Lëvizjes, meqë u konstatua se “grupet” në Drenicë, Llap-Gollak, Dukagjin dhe të tjera më të vogla, nuk ishin furnizuar me financa, armatim e municion, nga Sektori (Xhaviti dhe Azemi), i cili tashmë kishte anashkaluar Aliun dhe Jasharin. Por, për shkak të dyzimit fraksionist, Këshilli i përgjithshëm dhe as Kryesia nuk qe në gjendje të sqaronin ato sabotazhe e komplote, duke i përjashtuar Xhavitin dhe Azemin.

Në janar 1997 filluan përpjekje për të ndërlidh “grupet” me Shtab qendror. Fatkeqësisht ndodhi goditja e rënë nga policia serbe, duke vrarë në pusi në Pestovë të Vushtrrisë Zahirin, Edmondin dhe Hakifin, me 31 janar 1997 dhe duke arrestuar Naitin dhe … Zogajn. Aty e tutje humbi edhe atë pak funksionalitet, që kishte Shtabi qendror.

Për shkak të atyre sabotazheve e komploteve Adem dhe Hamzë Jashari, në pamundësi për të pas alternativë tjetër ushtarake (meqë sipas Xhavit Halitit dhe Azem Sylës ata ishin komitë, nuk ishin pjesëtarë të UÇK-së), duhet të jenë detyruar të barrikadohen në shtëpi të tyre, duke u martizuar me familjarë të tyre, në luftimet mbrojtës nga 5 deri me 7 mars 1997.

Pamundësia t’u shkonin në ndihmë pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, apo të shpërthenin kryengritje të armatosura në afërsi dhe gjetiu në Kosovë, dëshmon nivelin e mjerë ushtarak të UÇK-së së atyre ditëve. Fatkeqësisht. Por, martirizimi i Jasharëve nxiti euforinë kryengritëse në Kosovë…

Shkur e shqip: në mars 1998 UÇK nuk kishte shtab qendror as të përgjithshëm, qoftë edhe vetëm si simulim, meqë krijimin e tij e kishin sabotuar e komplotuar komplotistët Xhavit Haliti dhe Azem Syla!

Të alarmuar nga përmasat tragjike të martirizimit të Jasharëve, Kryesia e Lëvizjes u përpoq të luante rrolin e shtabit të përgjithshëm, me seli në Tiranë. Paralelisht zuri të organizohet edhe “shtabi” tjetër, që në zhargonin pezhorativ është afirmuar si “shtab i Rognerit” (Rogner e ka emrin hoteli austriak në Tiranë), i komanduar nga Xhavit Haliti. Ndërsa në Kosovë, Vegjëlia çlirimtare po vetë-organizohej në UÇK të saj, duke formuar shtabe të zonave, duke u (vet)zgjedh komandantë të zonave.

Këto zhvillime kaotike na detyruan të thirrim mbledhje të përgjithshme të Lëvizjes në emigracion, e cila u mbajt në Zvicër, me 2-3 maj 1998. As kjo Mbledhje e përgjithshme nuk qe në gjendje të riparojë komplotet që ndodhen edhe gjatë marsit e prillit 1998, nga “shtabi i Rognerit”, meqë komplotistët Xhavit Haliti dhe Azem Syla, tashmë bashkë edhe me Hashim Thaçin, ia dolën të mashtronin dhe manipulon një pjesë të delegatëve të asaj Mbledhjeje…

Fatkeqësisht “shtabi i Rognerit” ia doli të kapë Jashar Salihun, që ishte kryetar i Këshillit qendror të Fondit “Vendlindja thërret” dhe shumë anëtarë të atij Këshilli, rrjedhimit ia arritën të plaçkitin rreth 70 % të financave të Fondit. Me një pjesë të atyre mjeteve ata korruptuan funksionarë e ushtarakë në Shqipëri, por edhe disa kudro të UÇK-së në Kosovë.

Fatkeqësisht, shërbimet armiqësore, që ishin përcaktuar ta viktimizonin Kosovën, duke e diskualifikuar edhe UÇK-në si forcë terroriste, i afirmuan këta komplotistë si protagonistë përfaqësues të UÇK-së, meqë u duheshin si marioneta për ta komplotuar UÇK-në…

Tashmë, kanë zënë të shpeshtohen informatat, për mosndihmime të UÇK-së, me mjete financiare të Fondit, por as me armatim e municion, sepse përmasat e sabotazhave dhe komploteve të “shtabit të Rognerit” ishin vërtet më të mëdha, se sa mund të hamendësohen. Fatkeqësisht, protagonistët po vazhdojnë të heshtin, meqë po mendojnë se duke diskredituar Xhavit Halitin, Azem Sylën, Hashim Thaçin, dhe argatët e tyre, po frikësohen se po komprometojnë UÇK-në. Ata nuk po duan të kuptojnë se UÇK ishte e Vëgjelisë së Kosovës, ndërsa “shtabi i Rognerit” dhe argatët e tij, ishin bandë komplotiste e profiterë lufte, që u munduan ta kapin UÇK-në.

Fatmirësisht UÇK-ja i sfidoi ata komplotistë e profiterë lufte, që kishin përkrahje edhe kuislingët Bujar Bukoshi, Isa Mustafa, dhe vartësit e tyre! Sfidoi edhe Serbinë pushtuese!

Tifozët e kUmandantëve të “shtabit të Rognerit” nuk kanë asnjë provë konkrete që dëshmon se Xhaviti, Azemi, Hashim dhe argatët e tyre, ishin komandantë të vërtet të UÇK-së, të emëruar, zghedhur apo caktuar, nga strukturat kompetente.

* * *

Uroj të kenë kurrajo sa më shumë veta, të ofrojnë informacion sa më konkret.

- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit