Si u krijua shoqnia “Vllaznia”?

0
562
Shoqëria Vllaznia

Ben Oroshi në Facebook

Shoqnia “Vllaznia” lindi si rrjedhojë e bashkimit të dy shoqnive atdhetare me baza të besimit, njëra prej tyre, ajo “Mustafa Pasha” e përbërë nga shkodranë të besimit islam dhe tjetra, “Vaso Pasha” me shkodranë të besimit katolik. Ato u bashkuan së bashku, për t’i dhanë jetë “zgjimit të djelmnisë shqyptare në fushën letrare, theatrore, muzikore e gjimnastike”- siç thuhet në komunikatën e themelimit.

Qëllimet e këtyre njerëzve ishin të mëdha, sepse të mëdhenj ishin vetë ata. Ndër veprat e para të shoqnisë “Vllaznia” ka qenë hapja e një shkolle, çelja e një biblioteke dhe organizimi i një gare sportive.

Po cilët kanë qenë drejtuesit e parë të kësaj shoqnie?

Kryesia e Shoqnisë “Vllaznia” (16 shkurt 1919):
Kryetar: HIL MOSI
Nënkryetar: HYS DRAÇINI
Arkëtar: PATUK SARAÇI
Këshilltar: KEL MARUBI
Këshilltar: LUIGJ KODHELI
Kontrollor: TAIP HILMIA
Kontrollor: OMER RUSHDI
Sekretar: JUNUZ TAFILAJ
Llogaritar: ALI BORSHI
Drejtues i degës letrare: KRISTO FLOQI
Drejtues i degës theatrore: SALI NIVICA, MATI LOGORECI
Drejtues i degës muzikore: NDUE PALUCA
Drejtues i degës gjimnastike: KOL MARGJINI.

Kjo shoqni do të arrinte që shumë shpejt të bëhej e njohur jo vetëm në Shkodër e Shqipëri por edhe më gjërë. Ajo organizoi garën e parë të atletikës në vend më 1920 dhe më pas, rrethin e parë çiklistik për amatorët në Europë më 1925. Po atë vit botoi edhe gazetën e parë sportive në vend “Gazeta e Sportit”.

Në vitet 1922-28 në Shkodër do të krijoheshin disa shoqni të tjera sportive si ajo “Juventus”, “Studente Shkodra”, “Taraboshi”, “Djelmënia shkodrane”, “Lekë Dukagjini”, “Hasan Riza” etj.

Bashkimi Sportiv Shkodran

Në vitin 1930 do të krijohej shoqëria “Bashkimi Sportiv Shkodran”, e cila lindi nga bashkimi i pesë prej shoqnie të mësipërme…

Rikrijohet shoqnia “Vllaznia”

Ne vitin 1935 do të rikrijohet sërish shoqnia “Vllaznia”. Data e themelimit të saj është 11 prilli i vitit 1935. Ngjyrat e kësaj shoqnie ishin ato, e blerta, e kaltërta dhe e arta.

Ajo do jetonte deri në vitin 1939, sepse do pushonte së ekzistuari menjëherë pas pushtimit të vendit.

Në vitet 1939-44 sporti në Shkodër ka ekzistuar por në kuadrin e disa shoqnive. Ndërkohë me të çliruar vendin, do të rikrijohej Vllaznia dhe ajo do ta thoshte fjalën e saj ashtu siç duhet në çdo lloj sporti, pavarësisht sulmeve, nëpërkëmbjeve dhe nënvleftësimeve.

Kujtimet e Karl Gurakuqit të sjelluna prej Romeo Gurakuqit!

U vûna në marrëveshje me eksponentat e djelmnís shkodrane katolike, me Hilë Mosin, Tush Kakarriqin, Terenc Toçin, Kristo Floqin (këto dy të fundit advoketën, i pari italo-shqiptár, i dyti korçár) me Mati Logorecin, me vellán t’em Lazrin (Lazer Gurakuqi, gjyshi im, R.G.), me Kolë Mjedën etj., ashtu edhe me ata të djelmíns musulmane, me Omer Ruzhdín, Ismail Anamalin, Shefqet Mukën, Ali, Shyqri e Kadri Borshin (tre vellazen) etj.