SI U EKZEKUTUA LUIGJ GURAKUQI NGA DJALI I TEZES, ME URDHËR TË AHMET ZOGUT?

0
1920
Luigj Gurakuqi

NGA ROLAND QAFOKU/ 2 Mars 2018

Delegat, firmëtar dhe shkruesi i tekstit të Proklamatës së Pavarësisë. I mjaftonin vetëm këto 3 “punë” që Luigj Gurakuqi bëri në jetë, për të thënë se atë të hënë të 2 marsit 1925 ishte vrarë një nga shqiptarët më të mëdhenj që ka nxjerrë kjo tokë. Kur akrepi i madh me të voglin ishin puthitur në 21.00, tre plumba të dalë nga revolveri i Baltjon Stambollës e lanë të vdekur në vend, duke i ndërprerë jetën atij që jo vetëm i kishte dhënë Shqipërisë, por që mund t’i jepte edhe më shumë asaj. Edhe sot në Bari të Italisë, në vendin ku u vra Luigj Gurakuqi, ndodhet një pllakatë që shënon këtë krim të kryer nga një shqiptar pa asnjë vlerë ndaj një shqiptari tjetër që e ka shënuar emrin mes korifenjve të kombit. Sikur ta ndiente vrasjen, Luigj Gurakuqi ka lënë pas në një poezi disa këshilla për jetën, të cilat më shumë duken si për atë vetë, sesa për të tjerët. E shkruar më 20 nëntor 1919, vargjet e saj janë mbresëlënëse:

Armët e mbushme mos me i dhanë,
Me shokë t’uej kurrë mos me u xanë.
Kurr uj’t turbull mos me i ra,
Mos me dalun n’va t’pa va.
Vendin t’uej me e dashtë prore.
Me ruejtë besë, mos me çartë ndore
T’huejtë me fjalë mos ta poshtnoni.
Bukën para po t’i a shtroni
Në Shqipnië si asht ken zakoni
Me i besue, mos i besoni

SKENA E VRASJES

Pak minuta para se ora të shkonte 21:00, më 2 mars 1925, Luigj Gurakuqi u kërkoi leje të largohej miqve të tij, me të cilët po darkonte në hotel “Cavour”, në Bari.

Dan Hasani dhe Riza Dani me bashkëshorten e tij, Makbulen, nuk u habitën shumë për largimin e beftë, teksa dëgjuan sqarimin se do të shkonte në shtëpinë e mikut të tij, Sotirit, që sipas Gurakuqit, i kishte premtuar së bijës t’i jepte dhuratë një kukull. Por teksa vuri këmbën në pragun e portës së hotelit, Baltjon Stambolla, djali i tezes së tij, i doli papritur përpara dhe pa i folur e qëlloi me revolver disa herë në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda. Miqtë me të cilët kishte darkuar dhe persona të tjerë aty pranë rendën ta ndihmonin, por qe e kotë. Luigj Gurakuqi ndërroi jetë vetëm disa minuta pas atentatit.

Skenën e vrasjes e sjell në kujtimet e veta Sejfi Vllamasi:

“Nuk qëndroi gjatë aty, nga ora 21:00 doli nga kafeneja, kur papritmas ndjeu krismat e një revolveri. Gjithçka ndodhi kaq shpejt e pa kuptuar, sa ai as nuk pati kohë të thoshte asgjë. Ra përmbys si një lis i këputur në mes, i mbytur në një pellg gjaku. Një nga tre plumbat e kishte përshkuar në zemër, e porsa e hipën në karrocë, që ta çonin në spital, ajo zemër e madhe pushoi së rrahuri.”

SI U ORGANIZUA VRASJA

Që Baltjon Stambolla ishte nxitur e paguar për të vrarë Luigj Gurakuqin, e vërteton një letër e tij, e dërguar nga burgu ku ndodhej. Gjysmanalfabet, me një shkrim plot gabime ortografike, pa pikë e pa presje, dhe me mendim tejet konfuz deri në çoroditje, plot ankth dhe pa pikën e inteligjencës, Stambolla lë një provë të pakundërshtueshme se jo vetëm ai ishte autori, por se prapa kësaj vrasjeje të madhe qëndronin tre pushtetarë të mëdhenj: kryeminstri Ahmet Zogu, kunati i tij, Ceno bej Kryeziu, dhe konsulli i Shqipërisë në Bari, Çatin Saraçi.

“Kërkoj mbrojtje dërgoni të holla ndërmjetsoni për pshtim pranë Qeveris Italjane. Pyetni Çatin Saraçi ku ash…? “besa” ndihma!… Baltjon Stamolla-Carceri Giudiz-iarie Bari. Shkëlqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania). Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë) Çatin Saraçit Hotel de la Ville…”

ZOGU NË VRASJEN E GURAKUQIT

Me vrasjen e Luigj Gurakuqit, Ahmet Zogu tashmë kryeminstër për herë të dytë, nuk kishte frikë më askënd. Vetëm 3 muaj pas triumfit të tij mbi Tiranë dhe dëbimit të qeverisë së Fan Nolit, më 24 dhjetor 1924, vrasja e Luigj Gurakuqit ishte eliminimi i një kundërshtari shumë herë më të rrezikshëm në planin politik, aq sa teksa mori vesh lajmin për vrasjen e tij, gostiti disa miq të huaj dhe u tha:

“Tash nuk drue ma kënd”

Por intrigat dhe dora e Ahmet Zogut dhe e miqve të tij mbështetet në prova të tjera. Studiuesi Piro Tako ka zbuluar një dëshmi tejet interesante të dhëndrit të tij për median jugosllave. A ka qenë nën efektet e alkoolit apo të një vetëkënaqësie deri në dehje, kjo nuk dihet, por Ceno bej Kryeziu e ka pranuar publikisht vrasjen e Gurakuqit dhe të dy politikanëve të tjerë shumë të njohur.

“Nuk do të kalonin vetëm disa muaj, kur ish-ministri i tij, Ceno Bej Kryeziu, do t’i deklaronte me mburrje e me një cinizëm të jashtëzakonshëm korrespondentit të gazetës jugosllave “Novosti”: Unë e kam xanë, dhe kam vra anmikun tuej Marko Raspopoviçin …Unë kam vra Zia Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, – për paqen tuaj e tonën”.

Diplomati dhe njeriu i besuar i Ahmet Zogut, Çatin Saraçi, i vë vulën intrigës dhe implikimit të vetes së vet, të komanduar nga Ahmet Zogu në komplotin e vrasjes së Luigj Gurakuqit. Në kujtimet e lëna prej tij Saraçi konfirmon çdo dyshim se cilët ishin ideatorët dhe organizatorët e kësaj vrasjeje.

“Mbas këtij episodi tragjik ia dola t’i fitoja zemrën Zogut dhe të bëhesha njeriu i tij më i besuar…Sa i takon krimit të mësipërm, ishte më se e natyrshme që emri im të përlyhej e të lidhej me atë të Zogut…U nisa për në Tiranë dhe kur mbërrita, e gjeta Zogun dhe kunatin e tij, Ceno Kryeziun, shend e verë dhe krenarë për atë çfarë kishte ngjarë në Bari…”

Por nëse në zyrat e politikës kishte dyshime për implikimin ose jo të Ahmet Zogut, media shkruante hapur se ai ishte vrasësi, ndërsa Stambolla kishte tërhequr këmbëzën e pistoletës. Gazeta “Liria Kombëtare” shkruante në faqe të parë:

“Të gjithë e dimë se Gurakuqin e vrau regjimi feudal i Shqipërisë. Gurakuqin, pra e vrau ay regjim që kryesohet sot prej Ahmet Zogut.”

ARMIQTË E GURAKUQIT

Me shumë miq, por edhe me shumë armiq, Luigj Gurakuqi i kishte publikë kundërshtarët politikë, çka në gjuhën shqipe do të thoshte armiq për vdekje. Ahmet Zogu nuk ishte as i vetmi e as armiku i tij kryesor. Mjafton të kujtojmë se si e kanë komentuar dy personazhe të iluminuara të kohës vrasjen e Luigj Gurakuqit. Nuk përligjet me asgjë cinizmi i skajshëm i Faik Konicës, që duket se e ka ngjyer në acid penën, teksa shkruan për Gurakuqin dhe Ismail Qemalin:

“…Vdekja nuk i çliron këta aktorë politikë nga gjyqi i historisë”.

Në këtë linjë, por me mendime më të rrumbullakosura, është edhe Eqrem bej Vlora që në kujtimet e tij shkruan:

“Po të ishte nevoja, qoftë edhe kundër pikëpamjeve të veta, ai do të bashkohej edhe me djallin, mjaft që të na kundërvihej neve.”

ARSYET E MËDHA TË VRASJES

Kryeministri Ahmet Zogu i kishte kërkuar qeverisë italiane kthimin në Shqipëri të 10 emigrantëve më të rrezikshëm politikë. I dyti në listë, pas Fan Nolit, ishte Luigj Gurakuqi. E gjitha kjo në këmbim të plotësimit të kërkesave të Italisë, por duke përjashtuar kërkesën për koncesion për shfrytëzimin e zonave me naftë dhe gaz. Këtë të drejtë Zogu ia kishte dhënë kompanisë britanike “Anglo-Persian Oil Company”, kundrejt një rryshfeti të majmë. Por homologu i Zogut, kryeministri Benito Musolini, reagoi ashpër, duke e kërcënuar Zogun me një letër nëpërmjet së cilës i kujtonte se pikërisht me këta emigrantë ai do të nxiste rrëzimin e tij nga pushteti. Kjo ishte një kambanë alarmi për Zogun, i cili vuri në jetë planin për eliminimin e këtij grupi emigrantësh. Së pari, emëroi bashkëpunëtorin e tij, Çatin Saraçi, si konsull në Bari. Së dyti, nëpërmjet shërbimit sekret, infiltroi në radhët e emigrantëve Baltjon Stambollën, një personazh me shumë probleme dhe disa herë i burgosur dhe, së treti, përzgjodhi personin më të rrezikshëm që do të eliminohej. Për Zogun frika më e madhe vinte vetëm nga një emër, Luigj Gurakuqi.

10 FAKTE

Luigj Gurakuqi ishte shkruesi dhe një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ministër i Arsimit dhe deputet
Në momentin kur u ekzekutua, Luigj Gurakuqi ndodhej në Bari të Italisë si emigrant politik, pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, më 24 dhjetor 1924
Luigj Gurakuqi ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ismail Qemalit e Fan Nolit, si dhe një nga kundërshtarët më të ashpër të Ahmet Zogut
Luigj Gurakuqi njihej publikisht për pikëpamjet e tij pro Italisë
Ahmet Zogu i kishte kërkuar Italisë kthimin në Shqipëri të 10 emigrantëve politikë më të rrezikshëm që ndodheshin atje. I pari në listë ishte Fan Noli dhe i dyti Luigj Gurakuqi
Autori i vrasjes, Baljon Stambolla, ishte djali i tezes së Luigj Gurakuqit
Në ceremoninë e varrimit të Luigj Gurakuqit, pranë arkivolit dhe më pas në varrin e tij ishin vendosur kurora të veçanta me emrat e këtyre personave: Kel Marubi, Bajram Curri, Ndre Mjeda, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Lazar Fundo, Angjelin Suma, vëllezërit Kondi, Gjergj Gurakuqi, Dervish Mitrovica, Cin Shiroka dhe vëllezërit Dani
Në momentin kur gjykata vendosi lirimin e autorit Baltjon Stambolla, ai u ul në gjunjë dhe tha: Pas Shqipërisë në zemrën time do të ketë gjithnjë vend për Italinë.
Më 17 korrik 1947 regjimi komunist i shtetëzoi të gjitha pronat e Luigj Gurakuqit në Shkodër
Në nëntor të vitit 1957 eshtrat e Luigj Gurakuqit u sollën nga Italia në Shqipëri dhe u varrosën me një ceremoni madhështore në Varrezat e Dëshmorëve në Shkodër

10 MISTERE

Përse konsulli shqiptar në Bari, Çatin Saraçi, u largua në Shqipëri pikërisht ditën që do niste procesi gjyqësor ndaj Baltjon Stambollës, si i akuzuar për vrasjen e Luigj Gurakuqit?
Si ka mundësi që Çatin Saraçi, pikërisht njëri prej të dyshuarve në vrasjen e Gurakuqit, befas emërohet në një detyrë tjetër nga shefat e tij në Tiranë?
Si ka mundësi që emërimi i beftë i Çatin Saraçit u bë edhe pas kërkesës që emigrantët shqiptarë në Bari u bënë autoriteteve italiane për arrestimin e tij si i dyshuar në krim?
Si ka mundësi që Baltjon Stambolla shkruan me dorën e tij një letër në të cilën i kërkon të holla si dëmshpërblim Ahmet Zogut, Çatin Saraçit dhe Ceno bej Kryeziut, dhe për asnjë prej këtyre nuk u krye ndonjë hetim?
Si ka mundësi që autori i vrasjes, Baltjon Stambolla, edhe pse kishte prova të forta ndaj tij, dhe u cilësua autor, u lirua si i pafajshëm?
Përse Benito Musolini e rezuzoi Ahmet Zogun e nuk pranoi të kthente nga Italia në Shqipëri 10 emigrantët politikë shqiptarë që ndodheshin në Itali, mes të cilëve edhe Luigj Gurakuqin?
A ishte vrasja e Luigj Gurakuqit hakmarrja e parë e Ahmet Zogut pas kërcënimit të Benito Musolinit se me emigrantët shqiptarë që ndodheshin në Itali do ta rrëzonte nga pushteti?
Përse mori rrjedhë tjetër procesi gjyqësor pas letrës që ministri italian në Tiranë, markezi Durazzo, i dërgoi kryeministrit Benito Musolini?
Si ka mundësi që trupi gjykues italian arsyetoi për Stambollën se kishte kryer një akt politik?
Përse Ministria e Brendshme e refuzoi kërkesën e familjarëve që Luigj Gurakuqi të varrosej në Shkodër?

DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN

Hasan Prishtina, ish-kryeministër, në ceremoninë e varrimit të Luigj Gurakuqit

“Lamtumirë o mik i madh, o ndera e kombit tonë. Fli i qetë Gurakuq, se shpagën tande do ta marrim dhe lulzimin e përparimin e Shqipnisë do ta realizojmë.”

Hasan Prishtina, ish-kryeministër, gjatë ceremonisë së varrimit,

“Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme jo vetëm për Shqipërinë e pavarshme, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbesin jashtë kufinit të Shqipnisë së sotme dhe, që sado tue vuejtë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj, sa edhe ata që janë nën hijen e flamurit kombëtar”.

Stavro Vinjau, deputet

“Gurakuqi mund të quhet Plutarku i Shqipërisë, u dinte dhëmbë e dhëmballë të gjithë shqiptarëve, që kishin luajtur ndonjë rol në lëvizjen kombëtare.”

Ramiz Alia, më 1972, në detyrën e anëtarit të Byrosë Politike dhe sekretarit për ideologjinë në KQPPSH, duke iu drejtuar skulptorëve që kishin përgatitur një bocet për monumentin e Luigj Gurakuqit në Vlorë

“Ju shikojeni edhe vetë me shokët këtë që po them, por Luigj Gurakuqi nuk është mirë për të qenë në një vepër kaq madhështore, mbasi ai ka qenë njeriu më i dashur dhe i besuar i klerit katolik!”.

Gjergj Fishta, shkrimtar dhe klerik

Shqiptar i vlefshëm dhe ndèra e djelmnisë shkodrane

Fan Noli, ish-kryeministër

“Luigj Gurakuqi është pioner i qytetërimit perëndimor në Shqipëri, një nga shqiptarët e flaktë që thithi me themele kulturën e Perëndimit, dhe si njeriu që punoi më gjatë e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellë farën e saj në Shqipëri”.

TË DHËNA NË SHIFRA

53 OBJEKTE Personale të Luigj Gurakuqit i janë dorëzuar muzeut në vitin 1964 nga familja Kamsi, e cila jetonte në Bari të Italisë. Mes tyre ishin pantallonat e gjakosura dhe një portofol

350 LIRETA ITALIANE I janë gjetur në xhep Luigj Gurakuqit në momentin kur u gjet i vdekur

LUIGJ GURAKUQI KA THËNË PËR VDEKJEN

“Fitimet qi kam pasun deri më sot prej jetës s’eme politike janë këto: rrezik jete, të shame e borxhe”.