SI TI, BABA – poezi nga Faslli Haliti

0
566
Faslli Haliti - viz. Kamberi

Viz. S. Kamberi «Artist i Popullit»

FASLLI HALITI

SI TI, BABA

Edhe unë si ti, baba,
Kam filluar
T’i heq këmbët zvarrë
Siç i hiqje edhe ti
Dikur,
Kur ti ishe saç jam sot unë.

Edhe mua, baba,
Kanë filluar
Të më dridhen duart
Siç të dridheshin ty
Dikur,
Kur ti ishe, saç jam sot unë.

Edhe mua, baba,
Ka filluar
Të më derdhet filxhani i kafesë,
Siç të derdhej ty dikur
Sapo e vije
Në buzë,
Kur ishe kaq saç jam sot unë…

Edhe unë
Si ti,
Baba,
Shkoj shpesh në toilet,
Siç shkoje dhe ti dikur,
Atëherë
Kur ishe kaq saç jam sot unë.

Ti po qan,
Baba ?
Si,
Ti nuk do
Që unë të vij në Had tek ti,
Të të tregoj për jetën dhe peripecitë
Këtu mbi tokë,
Mbi dheun
E zi.
Të pimë
Një kafe
Babë e bir ?
Të të tregoj sinqerisht baba
Është më mirë në tokë, a në Had, më mirë ?