SI TË TEJKALOHEN INATET, PËRÇARJET DHE NDASITË QË TË FITOJNË SHQIPTARËT NË MAQEDONI?

0
339
Abdulla Mehmeti

Abdulla Mehmeti

Ata që i kanë planifikuar, përgatitur, përkrahur dhe realizuar përçarjet dhe ndarjet e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, që kurrë dy bashkë të mos i bëjnë, e kanë menduar mirë, se buka e thyer nuk mund të ngjitet sërish.

Asnjëra parti politike më serioze e shqiptarëve nuk u ka rrezistuar këtyre planeve të ndarjes së tyre, me këtë edhe përçarjes së shqiptarëve për ta dobësuar dhe drobitur fuqinë e tyre politike.

Më së paku shqiptarëve në këtë shtet u janë dashur veprime të tilla dashakeqe dhe destruktive, për ndarjet, përçarjet dhe përplasjet përmbrenda të njëjtave parti, siç ka ndodhur me goditjen e PPD nga PPDSH, më vonë PDSH; të PDSH nga Lëvizja për Reforma në PDSH, më vonë Aleanca për Shqiptarët; të BDI nga Partia Uniteti; të Lëvizjes Besa, nga Partia Alternativa.

Secili nga këto grupime politike i ka argumentet e veta dhe “arsyet” e ndarjes dhe përçarjes, por e vërteta është se, ky model i njëjtë i përdorur në të gjitha rastet, sigurisht që len hapësirë për dyshime, se kjo gjellë nuk ka mundur përherë dhe në mënyrë të njëjtë të gatuhet në kuzhinat shqiptare, por në kuzhinat e organeve të pushtetit dhe shërbimet e huaja sekrete, të cilat sigurisht që kanë pasur ndikim në personat kyç të këtyre përçarjeve dhe ndarjeve, drejtues të partive politike të sotme, të cilat sot përpiqen të sjellin ndryshime në skenën politike për të mirën e shqiptarëve.

Bariu që nuk din t’i ruaj dhentë e tufës së tij, si mund t’i besohet se do t’i ruaj të gjithë dhentë tjera, edhe ato pa barinj, siç janë qytetarët shqiptarë të papërcaktuar në parti politike?

Kryetari i partisë shqiptare në pozitë, BDI, edhe kësaj radhe u ka apeluar partive shqiptare të opozitës që të bëhen bashkë në zgjedhjet e ardhshme parlamantare, si edhe në zgjedhjet e mëparshme. Edhe kryetari i partisë më të madhe shqiptare të opozitës, ASH, u ka bërë thirrje dy partive të tjera, Lëvizjes Besa dhe Partisë Alternativa, njëra në pushtet dhe tjetra në opozitë, që t’i bashkohen asaj në zgjedhjet e ardhshme, me qëllim të arritjes së një fitore të mundshme mbi partitë shqiptare të pozitës, meqë në nivel të shtetit asnjëra nga këto parti nuk ka pretendime dhe shpresa të fitojë, pa u lidhur në bisht të njërit nga dy koalicionet e partive joshqiptare, të udhëhequra nga LSDM apo OBRM-PDUKM (VMRO).

Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në këtë situatë? A ka gjasa dhe shpresa që shqiptarët në këtë shtet të reflektojnë, drejtuesit e partive politike t’i tejkalojnë dallimet mes tyre, ta vendosin interesin e përgjithshëm mbi interesin e partive të tyre, kjo pritet të shihen gjatë muajve në vijim, deri para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të radhës.

Gjatë javës së ardhshme, Këshilli i Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni do të dalë me qëndrime konkrete për tejkalimin e kësaj situate, me shpresë se do të gjejë përkrahje të gjerë nga qytetarët shqiptarë dhe nga partitë politike të tyre, të cilat në këtë gjendje siç janë me asgjë nuk do ta arsyetojnë humbjen për shkak të inateve mes tyre, duke e dëmtuar kështu edhe më tej çështjen e shqiptarëve në Maqedoni, siç e kanë dëmtuar deri më sot.

(24.X.2019)