Si të kuptohet Kongresi i Berlinit edhe pas 142 vitesh, vështrim për librin e Jusuf Buxhovit “Kongresi i Berlinit 1878”

0
426
Jusuf Buxhovi - Kongresi i Berlinit, 1878

Enver ZhinipotokuRevista Drini

Një vështrim rreth veprës “Kongresi i Berlinit 1878” i Jusuf Buxhovit, boti “Faik Konica”, Prishtinë, 2008

Meqë para dy ditësh u shënua fillimi i punës së një ngjarjeje, që ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme në historinë politike e territoriale shqiptare, Kongresi i Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878), desha të flas për dy konstatime me peshë, të cilat përveç shumë tjerash i gjejmë në veprën madhore të Mr.Jusuf Buxhovit, gazetar veteran dhe shumëvjeçar i Rilindjes në Gjermani, historian, shkrimtar dhe veprimtar politik, njëri ndër themeluesit kryesor të LDK-së më 23 dhjetor 1989, të cilat fakte përmbysin gjithë historiografinë tonë për këtë ngjarje, të yshtur nga propaganda pansllave dhe komuniste.

Studimet e Buxhovit dhe burimet e mirëfillta arkivore origjinale, e rrëzojnë tezën se ky kongres gjoja është organizuar “për ndarjen e trojeve shqiptare” dhe së dyti se “udhëheqësi i tij Kancelari Ott von Bismarck, paska thënë për shqiptarët nuk janë tjetër pos një nocion gjeografik!”

“Kongresi i Berlinit 1878” është tezë e tij e magjistraturës, e mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, kur ai ishte korrespondent i përhershëm i gazetës “Rilindja” në Gjermani, kur si njohës i gjuhës gjermane kishte shfrytëzuar të gjitha burimet dhe dokumentet arkivore për të mbështetur faktet relevante për këtë ngjarje, e cila me vendimet e saj kishte sjellë përfundime për fatin dhe fatkeqësinë e shumë popujve dhe gjeostrategjinë botërore.

Paqja e Shën Stefanit ( mars 1878) me atë që solli, dridhi me të drejtë fuqitë evropiane, për ngjalljen e pansllavizmit në territoret që i sundonte deri në këtë kohë Perandoria Osmane. Anglia, Austro-Hungaria, Italia e Bullgaria, i frikësoheshin ndikimit pansllav rus për interesat e tyre në Ballkan. Thirrja dhe mbajtja e Kongresit të Berlinit, shmangu luftën e pashmangshme midis Rusisë cariste dhe pjesës tjetër të Evropës, pra midis pansllavizmit dhe europianizmit. Gjermanisë iu besua thirrja dhe menagjimi i këtij Kongresi dhe në rradhë të parë Bismarckut, si njeri i fuqishëm që kishte bashkuar 300 landet gjermane si udhëheqës i Prusisë në një shtet të vetëm.

Ç’është e vërteta, Kongresi ratifikoi vendimet e paqes së Shën Stefanit, që Turqia duke u tërhequr nga pjesa lindore e trojeve shqiptare, të njohura si “Sanxhaku i Nishit”, ato troje i pushtoi Serbia dhe i ratifikoi ky Kongres që i njohu Serbisë Pavarësinë më 28 qershor 1878, por pati meritën se duke e reviduar Paqen e Shën Stefanit, e ndali Turqinë në kufijtë e atëhershëm gjë që pengoi depërtimin pansllav në Kosovë e Vilajetet tjera shqiptare edhe 34 vjet, deri më 1912. Kjo është merita e vendimeve të këtij Kongresi, të cilit i bie edhe studiuesi Buxhovi, e nuk e përfillin studiuesit e deritashëm.

Gjermania u zgjodh për organizimin e Kongresit, sepse ajo ende nuk ishte e involvuar në çështjet ndërkombëtare, e cila sa ishte bashkuar nën udhëheqjen e Bismarckut (1871) dhe si e paanshme u propozua të luante këtë rol.

Historiografia komuniste, e mbrujtur me petkun pansllav, u ka dhënë shpjegime jo të drejta kësaj ngjarjeje, të cilat i sqaron me fakte dhe bindshëm studiuesi Buxhovi në studimin e tij kompetent e të gjithanshëm. Sipas Buxhovit, Kongresi i Berlinit nuk ishte organizuar, as për të ndarë, as për të stimuluar ndarjen e trojeve shqiptare, në kohën kur “Turqia si e sëmura e Bosforit” siç quhej, po tërhiqej nga Rumelia e Ballkani. Kongresi ishte thirrur për të ruajtur qetësinë Fuqitë e Mëdha në raport me Rusinë që po forcohej me ndikimin në Ballkan pas tërheqjes së Turqisë, sipas vendimeve të Paqes së Shën Stefanit.

Këtë dimension të forcimit të pansllavizmit, Rusisë e Serbisë dhe dyndjes së tyre në trojet shqiptare, propaganda komuniste e dirigjuar nga Moska e Beogradi nuk e ka theksuar fare. Këtë karrem për këso shpjegimesh e ka hëngër edhe shteti ynë amë në shpjegimet e historisë shqiptare për rolin e Kongresit të Berlinit se ai gjoja i ka fajet për ndarjen e trojeve shqiptare!

Është e vërtetë se në Kongresin e Berlinit, në seancën e tretë më 28 qershor 1878, Serbisë i është njohur pavarësia duke përfshirë edhe territoret shqiptare që i kishte pushtuar në Sanxhakun e Nishit në dhjetor 1877- janar 1878 duke i përzënë shqiptarët nga trojet e tyre nga mbi 700 fshatra e qytete më 10.900 km katrorë, por ky Kongres është meritor që “e detyroi” Turqinë që të qëndronte e të mos tërhiqej nga Ballkani edhe 34 vjet, deri më 1912, të merremi vesh jo për të mbrojtur e ruajtur trojet shqiptare, të cilat Serbia dhe fqinjët tjerë i pushtuan posa u tërhoq Turqia, por Fuqitë e Mëdha për të ruajtur paqen, në ndërkohë që Anglia dhe Austro-Hungaria nuk ishin të gatshme për tu përballur me invazionin pansllav në Ballkan.

Pra, sipas studiuesit Buxhovi, po të mos ishte organizuar Kongresi i Berlinit si korrigjim i Paqes së Shën Stefanit (3 mars 1878), Rusia me Serbinë do ta pushtonin edhe Kosovë dhe Vilajetet tjera shqiptare deri në Adriatik. Pra, Kongresi i Berlinit dhe vendimet e tij ( 13 qershor-13 korrik 1878) e detyruan Turqinë të mbetej në Ballkan edhe plotë 34 vjet, derisa Fuqitë e Mëdha të pozicionoheshin për interesat e veta.

Se kjo është e vërtetë, tregoi koha pas vitit 1912, kur Turqia e shkordhur nga pushtimet e gjata pesëshekullore, u detyrua të tërhiqet nga Ballkani dhe të gjitha Vilajetet e shtetit etnik shqiptar që përfshinin diku mbi 80 mijë km. katrorë, u pushtuan thuaja në tërësi në tetor 1912 dhe më vonë ky pushtim u zyrtarizua nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në dhjetor 1912- janar 1913.

Edhe pse Shqipëria shpalli pavarësinë më 1912, me 28.000 km katrore, e shpëtoi LPB dhe grushti i fortë i Presidentit amerikan Woodrow Wilsonit në Konferencën e Paqes në Paris 1919, nga copëtimi i sërishëm në bazë të “Traktatit të fshehtë të Londrës”, 1915, midis Italisë-Greqisë dhe Serbisë dhe për këtë 5 vite më vonë, pardje 100 vjet në Paris u vra Esad Pashë Toptani, në emër të tradhtisë, si eksponent pro serb!

Prandaj, sado që pjesët lindore të trojeve shqiptare të Sanxhakut të Nishit 10900 km. katrorë iu dhanë Serbisë pas luftës ruso -turke të viti 1876, ku Rusia doli fituese për të rritur invazionin pansllav deri në Adriatik që ishte dhe mbetet pasion pushtues pansllav, thirrja e Kongresit të Berlinit për të korrigjuar vendimet e Paqes së Shën Stefanit, nga Fuqitë e Mëdha ( kuptohet për interesat e tyre), ku edhe shqiptarët gjetën interesat e tyre. Thuaja njësoj sikur intervenimi në Kosovë më 1999, për interesa gjeostrategjike amerikane, ku u mpleks edhe interesi ynë i shpëtimit kombëtar.

Një tjetër element, që po ashtu duhet përmendur si sqarim, të cilit i ka fryrë propaganda pansllave e nxitur nga Moska e Beogradi, është fakti që e sqaron bukur studiuesi Buxhovi në veprën e tij madhore. Është trumbetuar mbi një shekull nga propaganda ruso-serbe, të cilën propagandë mjerisht e kemi gëlltitur edhe ne shqiptarët, sidomos shteti amë se gjoja pas Kongresit, kur është pyetur udhëheqësi i tij Bismarcku, se ndaj shqiptarëve janë bërë padrejtësi të mëdha, ai gjoja paskësh thënë:”Kush janë shqiptarët, kur paraqesin vetëm një kuptim gjeografik dhe asgjë tjetër?!”

Bazuar në materialet arkivore dhe protokollet origjinale (20) dhe 64 paragrafët e vendimeve të Kongresit, thotë studiuesi Buxhovi, duke shfletuar edhe 12 librat që flasin për jetën e Bismarkut, botuar ndërmjet viteve 1924/32, askund nuk mund të haset kjo thënie, e as ndonjë vlerësim i kësaj natyre, që historiografia serbe e greke, për arsye propaganduese me të cilat ato janë të mbushura plotë e përplot, e kanë lansuar, por të pranuara edhe nga disa autorë shqiptarë, të mbështetur në burimet greke e serbe.

Pra, sipas historianit e studiuesit Buxhovi, vendimet, qëllimet dhe efekti i Kongresit të Berlinit si ngjarje me peshë për historinë botërore dhe veçmas atë shqiptare, duhet të lexohen dhe kuptohen ndryshe nga propaganda serbo-sllavo-greke, e edhe ajo që i vihet në gojë Bismarkut që ta ketë thënë për shqiptarët po ashtu. Kjo e fundit madje, sqaron Buxhovi duhet kuptuar si pykë e futur për përçarjen midis gjermanëve e shqiptarëve, sepse siç dihet historikisht, të vetmit mbrojtës të interesave shqiptare asokohe, ishin gjermanët dhe Austro-Hungaria, kur Turqia,e mundur nga shumë plagë të sundimit të gjatë pesëshekullorë po tërhiqej nga Ballkani, duke i lënë trojet tona në gojën e ujqërve, fqinjëve tonë të pamëshirshëm.

Ingen bildebeskrivelse er tilgjengelig.