Si të kujdesemi për laringitin

0
473
Laringiti

GazetaDita.al, 24 nëntor 2014

Mjekja Ilda Xhelili tregon për lexuesit e gazetës “Dita”, se ngjirja e zërit është ndër simptomat më të dukshme të laringjitit, e cila më pas shoqërohet edhe me dhimbje dhe djegie të fytit. Lidhur me trajtimin theksohet se rastet akute mund të kalojnë edhe vetëm me kujdesin në kushtet e shtëpisë, ndërsa për rastet kronike kërkohet ndihma mjekësore

Dhimbjet e fytit, si dhe ngjirja e zërit janë ndër problemet e shpeshta shëndetësore që shfaqen gjatë stinës së ftohë. Në një pjesë të konsiderueshme të rasteve këto ndërlikime tregojnë se kemi të bëjmë me sëmundjen e laringitit. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara format se si shfaqen laringitet, shkaktarët, si dhe këshillat për të kaluar sa më shpejt ndërlikimet shëndetësore të shkaktuara prej laringjitit. Konkretisht mjekja Xhelili thotë laringu është organi i prodhimit të zërit (ose kutia e prodhimit të zërit). Kjo kuti nga lejon të flasim, bërtasim, pëshpëritim dhe të këndojmë. Laringu është i përbërë nga kërce brenda të cilave ndodhen kordat vokale. Kalimi i rrymave të ajrit nëpër laring shkakton dridhjen e kordave vokale duke shkaktuar kështu formimin e zërit. “Nga jashtë dhe brenda laringu rrethohet nga një grup muskujsh, të cilët rregullojnë pozicionin e tij, si edhe tensionin e kordave vokale duke siguruar kështu prodhimin e tingujve të ndryshëm, që nga pëshpërimat e deri tek të kënduarit.

Çdo ndryshim në rrjedhjen e ajrit ndikon në cilësinë e zërit. Përsa i përket pozicionit anatomik, pas hapësirës se gojës vijnë dy gypa paralelë, laringu dhe faringu, të cilët ndahen nga njëri-tjetri nga një “kapak” i cili quhet epiglotis. Laringu vazhdon me organet e frymëmarrjes (trakeja, bronket), kurse faringu vazhdon me organet e tretjes (ezofagu, stomaku, zorrët). Gjatë procesit të ngrënies, epiglotisi mbyll trakenë dhe kështu ushqimi kalon nëpër ezofag”. Sipas saj, shpesh kur hamë na ndodh të “mbytemi” dhe kjo ndodh nëse epiglotisi nuk mbyllet mirë dhe ndonjë grimcë ushqimi kalon nëpër trake. Kjo situatë pasohet nga kollitje të forta si refleks mbrojtës derisa mbeturinat ushqimore të dalin jashtë. “Prandaj, kur hamë duhet të kemi kujdes, të hamë ngadalë, të qëndrojmë në pozicionin e duhur në tavolinë. Rëndësi ka që edhe procesit të përtypjes t’i japim kohën e duhur dhe të mos nxitojmë të gëlltitemi pa u përtypur mirë. Ushqimet e thata është mirë që të shoqërohen me lëngje”, thekson Xhelili.

Çfarë ndodh gjatë laringitit, me çfarë simptomash të dukshme shoqërohet?

Laringiti (laryngitis) është inflamacioni (infeksioni) i kësaj kutie që prodhon zë. Cilësia e zërit në këtë rast ndryshon, ai bëhet më i ashpër, gjë e cila mund të shkojë deri në ngjirje të plotë. Shpesh shoqërohet edhe me dhimbje të forta të fytit. Laringiti konsiderohet akut (me fillim të shpejtë) nëse zgjat më pak se tre javë, përndryshe kategorizohet, si formë kronike nëse mund të zgjasë më shumë se tre javë. Forma kronike shfaqet kryesisht në moshën e mesme (40-55 vjeç) dhe është shumë më e zakonshme tek burrat sesa te gratë. Shenja më e shpeshtë klinike është ngjirja e zërit (disfonia) ose paaftësia e plotë për të nxjerrë zë (afonia). Në fillim shenjat mund të jene të përgjithshme, si një gjendje gripale, djegie fyti, kollitje të shpeshta, vështirësi në gëlltitje. Shenjat më pas mund të rëndohen me temperaturë, kollitje me gjak (hemoptisia), vështirësi ne frymëmarrje (dyspnea), fryrje (zmadhimi) i gjëndrave limfatike, rritja e sekrecioneve të pështymës, temperaturë e lartë, etj.

Si shkaktohet laringiti?

Laringiti mund të jetë me natyrë infektive dhe joinfektive. Ndër shkaktarët joinfektiv më i zakonshëm është ai që shkaktohet nga refluksi gastro-ezofageal (personat që vuajnë nga hernia ose çrregullimet e muskulaturës së ezofagut duke dhënë si pasojë kthimin pas të ushqimit). Në këto raste të sëmurëve përveç trajtimit të sëmundjes bazë u rekomandohet ushqyerja në porcione të vogla dhe të shpeshta gjatë gjithë ditës. Gjithashtu, asnjëherë nuk duhet të shtrihen menjëherë pas ngrënies. Mirë është që kur shtrihen për të fjetur të përdorin një jastëk më të lartë se zakonisht (në mënyrë që të parandalohet mekanikisht kthimi prapa i ushqimit apo i lëngjeve të stomakut). Kthimi mbrapsht i ushqimit shkakton djegie dhe dëmtime të laringut dhe të faringut si rezultat i aciditetit të lëngjeve të stomakut. Si shkaktarë të tjerë joinfektivë mund të përmendim përdorimin e alkoolit, duhanit (edhe qëndrimi në ambiente me duhan), mjekimet e zgjatura me preparate kortizonikë, traumat e shkaktuara nga ndërhyrjet mjekësore ose djegiet me substanca kimike dhe djegiet termike. Ndër shkaktarët infektive më kryesorët mund të jenë virale, bakteriale ose mykotike. Laringitet apo faringitet e shpeshta mund të çojnë jo rrallëherë në pneumoni virale apo pneumoni bakteriale.

Ç’mund të themi për trajtimin e këtyre rasteve?

Sa i takon trajtimit, sigurisht që në radhë të parë qëndron mjekimi i shkakut që shkakton laringitin. Gjithmonë me këshillimin e mjekut mund të përdoren antibiotiket, antiviralët ose antimykotikët. Për sa i përket masave të përgjithshme mund të rekomandohen avuj me vajra pishe ose mentoli, gjë e cila bën të mundur uljen e edemave (ënjtjeve) të mukozave dhe qetësimin e zërit, përdorimi i lëngjeve të ngrohta (as të nxehta dhe as të ftohta). Sigurisht, kur shkaku i laringitit është refluksi gastro-ezofageal, në radhë të parë qëndron trajtimi i tij për një periudhë të gjatë kohe nga mjeku specialist duke pasur parasysh edhe këshillimet e mësipërme për refluksin. Rëndësi të madhe ka gjatë kësaj periudhe edhe përdorimi i frutave të cilat janë mjaft të pasura me vitamina. Vitaminat luajnë rol shumë të rëndësishëm në rritjet e imunitetit të organizmit, pra rrjedhimisht luajnë rol në rritjen e rezistencës ndaj infeksioneve të ndryshme.