Nostalgji
Sot është 3 janar…
Kjo ditë, kjo datë, tridhjetë e ca vite të shkuara, më vjen e ftohtë. Me dëborë që i afrohej metrit në qytetin e vogël në themele të Korabit, Peshkopinë që e kam me vete e s’e lëshoj kurrë, që e kalonte metrin në Luginën e Drinit dhe Nëntë Maleve të Dibrës, që i kam në shpirt. Me temperatura që zbrisnin në pesëmbëdhjetë e njëzet gratë poshtë zeros.
Me xhama të ngrirë dritaresh që formonin qëndisma të paarritshme për qëndistare. Me hej akulli që zbrisnin nga tjegullat sa i kapja me dorë. Me prindër që më shumë rrëshqisnin se sa hidhnin hapa në rrugën e ngrirë me fëmijët sukulluar me velenxa drejt çerdheve…
Pamje që më erdhi në kujtesë sot, më 3 janar 2014, nga fotot e shumta që mbushën facebook-un nga meraklinjtë e bardhësisë në mbarë Dibrën.
Pamje që më ngjalli mall…
Bardhësi që më ngjalli nostalgji…
Asokohe, më se tridhjetë vjet të shkuara, më 3 janar na “mblidhnin”… për të na “zbritur”. Vitin e parë e mësova nga të tjerët, më të vjetrit. Të dytin ua mësoja më të rinjve. Në mbledhje duhet të shkonim të veshur e ngjeshur mirë e mirë, me rrobat më të ngrohta; me xhupa pambuku të qepur si llokma bakllavaje, me triko leshi të thurur përfshirë grykën, me doreza leshi lidhur në kyçe me pe të të njëjtës përbërje, me çorapë leshi e çizme gome…
Gjeografia e udhëtimeve ishte e tërë Dibra, nga Stebleva në Reç, Kala të Dodës, Lurë, Selishtë… Gratë e institucionit dhe ata që ishin shëndetësisht të pamundur për udhëtime të gjata, nuk i shpëtonin listë-shpërndarjes, veçse hapat e tyre bënin më pak rrugë, në zonat rreth e qark apo edhe brenda qytetit.
Kjo ndodhte çdo vit. Dhe ndodhte pikërisht më 3 janar…
E kam përjetuar këtë në disa vite, sa kohë punoja në atë institucion. Kam udhëtuar në ditë dimri në zona të largëta, në rrugë pa rrugë, mbi gjurmët e mia apo mbi gjurmët e para udhëtuesve.
Një nga udhëtimet e kam përshkruar në njërin nga udhëtimet, në atë më të vështirin, në dimrin e vitit 1985…
Vet’ i dyti, në një dëborë që binte me flokë si zogj të vrarë, në rrugë të pa shkelura, udhëtova në itinerarin Luzni, Muhurr, Selishtë, Lukan, Qafë-Murrë, Katundi i Vjetër, Kacni, Selishtë, Prat, Lishan i Epër, Lishan i Poshtëm, Hotesh…
Një udhëtim i lodhshëm fizikisht por në të njëjtën kohë një çlodhje e jashtëzakonshme shpirtërore midis njerëzve në betejën e tyre për ta mundur dëborën e trashë, akullin nën këmbë e mbi kokë, solidaritetin e madh njerëzor në marrëdhëniet njeri me tjetrit për t’i qëndruar pranë komshiut…
Në ato udhëtime, që nisnin gjithnjë më 3 janar, kam qenë student në një universitet popullor, Universitetin e Dibrës. Kam marrë mësime që nuk mund të merren në asnjë universitet të botës.
“Unë kam mbaruar universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës”, shkruan Reginald Hibberd në “Albanian Life”
Në udhëtimet e mia, ato të “3 janarit” (por edhe të tjerat) ulur si “student” në Odën Dibrane, në ditë dimri dhe ditë vere, në ditë gëzimi dhe fatkeqësie, kam mësuar aq shumë sa një jetë nuk më mjafton ta përshkruaj.
Ndokush do të qeshë me nostalgjinë time.
Le të qeshë.
E qeshura është jetë ashtu si edhe qëndrimi pranë njerëzve në ditë të vështira, është jetë…
Nuk e di në se sot, më 3 janar 2014, institucionet kryesore shtetërore në Peshkopi u kanë vënë kyçin dyerve të zyrave dhe kanë mbathur këpucët në udhëtime mes dëborës e acarit fshatrave të Dibrës, pranë njerëzve që kanë nevojë më shumë se sa për bukën dhe kripën e ditës për fjalën e ngrohtë.
Nuk e di…
Nuk e besoj…
Asokohe unë dhe shokët e mi e bënim këtë, mbase paksa të ngrysur kur niseshim por të qeshur kur ktheheshim.
Kohë që më ngjallin mall dhe dashuri…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 3 janar 2014