SI PO E PRISHIM GJUHËN SHQIPE, IV

0
4671
abc

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Gabimet drejtshkrimore që bëhen, janë të natyrave nga më të ndryshmet. Kështu, disa fjalë të huaja, që janë bërë pjesë e leksikut të gjuhës shqipe, shkruhen dhe shqiptohen gabim, shpeshherë duke ndërruar edhe vendin e tingujve. P.sh., thuhet “martenitet” në vend të “maternitet” (shtëpi lindjeje), “infakt” apo “infrakt” në vend të “infarkt” (mbyllje e enëve të gjakut), “boljer” apo edhe “buljer” në vend të “boiler” (zierës apo ngrohës uji), “andresë” në vend të “adresë”, “ventratë” në vend të “vetratë” (“xhamllëk”), “ambazhur” në vend të “abazhur”, “prespektivë” në vend të “perspektivë”, “k o r r e s p o d e n t” n ë v e n d t ë “korrespondent”, “afrofe” në vend të “aforfe” (nga frëngjishtja “à forfait”, që do të thotë “qesim”), “kokteil” në vend të “koktej” etj.

Në fjalë të tjera, zëvendësohet një shkronjë a një tingull me një tjetër. Për shembull, shkruhet e thuhet “dakort” (në akord) në vend të “dakord”, “eleminim” në vend të “eliminim”, “energjitike” në vend të “energjetike” (rrënja e fjalës është “energje”), “dokumenta” në vend të “dokumente”, “difekt” në vend të “defekt”, etj. Te të gjitha njoftimet për dhënie të ndonjë objekti me qira, fjala “qira” shkruhet gabimisht “qera”.

Te mjaft emra njerëzish “i”-ja zëvendësohet në të shkruar e në të folur me “j”, si p.sh., shkruhet e thuhet “Arjan” në vend të “Arian”, “Marjana” në vend të “Mariana” etj. Disa fjalë, që kanë hyrë në gjuhën shqipe dhe që kanë “c” ose “g” të ndjekur nga një “e” ose “i”, shkruhen gabimisht me “ç”, përkatësisht me “xh” ose me “g”, në vend që të shkruhen me “c” përkatësisht me “gj”, sipas drejtshkrimit të shqipes standarde. Kështu, shkruhet “çertifikatë” në vend të “certifikatë”, “proçes” në vend të “proces”, “koefiçient” në vend të “koeficient”, “defiçit” në vend të “deficit”, “liçensë” në vend të “licencë” etj.; “dixhital” në vend të “digjital”, “axhenda” në vend të “agjenda” dhe “gen” në vend të “gjen”, kur shkenca përkatëse shkruhet “gjenetika”.

Ngatërrohen në të shkruar dhe numrat arabë (1,2,3..) e romakë (I,II,III…). Numrat arabë duhen shkruar me nyje të përparme dhe me mbaresë, kurse numrat romakë pa to, (p.sh.: Kreu i 2-të ose Kreu II), mirëpo, nganjëherë, ndeshim që të shkruhet: Kreu i 2, Kreu i II-të ose Kreu II-të.

“Femërorizimi” i gjinisë mashkullore
Në gjuhën shqipe po bëhet i zakonshëm dhe masiv përdorimi i përcaktorëve (mbiemrave, përemrave) të gjinisë f e m ë r o r e p ë r e m r a t e g j i n i s ë mashkullore. Dihet se në shqipen standarde disa klasa emrash mashkullorë e ndërrojnë gjininë në shumës dhe që përcaktorët që i shoqërojnë, në shumës vihen në gjininë femërore. Emra të tillë janë ata që e bëjnë shumësin me prapashtesat “e” dhe “ra”. Kështu, p.sh., në bazë të standardit, duhet të shkruhet e të thuhet “talente të reja”, “shkrime të tjera”, “personazhe publike”, “shira të rrëmbyeshme”, “këto tri male të larta”, “qytete të vogla dhe të mëdha”, “puse të thella” dhe jo, siç ndodh rëndom, “talente të rinj”, “shkrime të tjerë”, “personazhe publikë”, “shira të rrëmbyeshëm”, “këta tre male të lartë”, “qytete të vegjël dhe të mëdhenj”, “puse të thellë”, përkatësisht.

Ka edhe fjalë të gjinisë mashkullore që, sipas standardit, në shumës shfaqen me të dyja gjinitë. E tillë është fjala “element”, e cila shumësin zakonisht e bën me “e”, me përjashtim të rasteve kur flitet për njerëz, në të cilat e bën me “ë”. Pra, duhet të thuhet, p.sh., “janë kapur disa elementë të rrezikshëm kriminalë” dhe “karboni dhe squfuri janë elemente kimike”. Nganjëherë ndodh që, për të njëjtën situatë gramatikore, përjashtimet herë realizohen e herë jo, gjë që fet për një zbatim të pavetëdijshëm ose të pakujdesshëm të standardit. Për shembull, shkruhet “vende të mëdha e të vogla” dhe tre-katër rreshta më poshtë “qytete të mëdhenj e të vegjël”, kur kemi të bëjmë me dy emra mashkullorë që shumësin e bëjnë me “e”.

Ndodh edhe më keq, kur një emri i vihen dy mbiemra ose një mbiemër dhe një përemër me gjini të ndryshme, si për shembull “objekte të shumtë, të ndërtuara me rrasa” apo “këto qytete të mëdhenj”. Ndërkaq, ndërsa përjashtimet e sipërpërmendura zbatohen në mënyrë jo të rregullt, dukuria e “femërorizimit”, siç po e quaj unë, në përdorimin e zakonshëm është shtrirë shumë dhe në klasa të tjera emrash të gjinisë mashkullore, duke ua ndërruar në mënyrë të gabuar gjininë përcaktorëve të tyre.

Po bëhet një prirje e përgjithshme që përemrat e gjinisë mashkullore “ata” dhe “këta” të zëvendësohen me ata të gjinisë femërore “ato” dhe “këto”. Kështu, për shembull, të gjithë lexuesit e faqeve të para të gazetave në stacionet televizive thonë “këto tituj/artikuj” dhe shumë njerëz thonë “ato burra”, “këto politikanë”, kur duhet të thuhet “këta tituj/artikuj”, “ata burra”, “këta politikanë”. Po kështu, thuhet “lekë të reja”, “fokë të gjata” etj., kur duhet të thuhet “lekë të rinj”, “fokë të gjatë” etj., duke respektuar gjininë e emrit.

E njëjta gjë ndodh edhe me disa emra me karakter ndërkombëtar të futur në gjuhën shqipe, si objektiv, interes etj., si dhe me disa emra shqip, si hap, këshill etj., që shumësin e bëjnë me “a”.

Përgjithësisht, atyre përcaktorët u vihen në gjininë femërore, si për shembull, thuhet “objektiva të qarta”, “këto interesa të rëndësishme”, “hapa të mëdha” dhe “këshilla vendore”, në vend të “objektiva të qartë”, “këta interesa të rëndësishëm”, “hapa të mëdhenj” dhe “këshilla vendorë”.