SI PO E PRISHIM GJUHËN SHQIPE, III

0
2084

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Kur ndonjë shqiptar mendjemadh në vend të fjalëve shqipe “cilësia” dhe “sasia” përdorë fjalët e huaja “kualiteti” dhe “kuantiteti”, duhet angazhuar përkthyes, sepse janë fjalë të panjohura në gjuhën shqipe. Në vazhdim vijon fjala e huaj e panevojshme, po aq edhe e pakuptueshme: “injorim” (nga lat. ignorare) në vend të fjalës shqipe “mohoj” dhe “mohim”. Edhe një furnizim tjetër i panevojshëm është fjala me burim latin “adoleshent”, që mund të thuhet shqip “djalëria” dhe “vashëria”, kurse për të dy gjinitë mund të thuhet “rinosh”: fjalë që do ta kuptonin edhe filloristët.

Në vazhdim, fjala hezitim/hezitoj me burim nga gjuha latine “haesitare” (hesitera) në FGJSSH, nuk gjendet, përveç fjalës shqipe ngurrim dhe ngurroj që do të thotë qëndrim i pavendosur për të bërë diçka, mungesë vendosmërie, lëkundje.

Pastaj vjen komplimenti i pakripë mbretëror “Ekselenca e Tij” me përshtatje nga frëngjishtja “Son Excellence” në vend të fjalës së bukur shqipe – Shkëlqesia e Tij. Kjo të kujton fjalën urtë, “pula e fqinjës është më e shijshme”, që do të thotë se fjala e huaj bëhet më e dashur. Kështu veprohet edhe me fjalën shqipe “nismë-a” (nismëtar) me kuptim të bukur dhe aq popullor, dhe në vend të saj përdoret fjala frënge “initiativ” me burim latin” initium” – iniciativë-a, iniciator-i. Pikërisht emri i qytetit të vjetër ilir Naisus ka burimin e foljes shqipe nis.

Prandaj nuk shkruhet iniciativa dhe iniciator, por nismë dhe nismëtar, jo Iniciativa Qytetare, por Nisma Qytetare. E njëjta gjë ndodh edhe me fjalën neolatine “editor-edituar-editoj” në vend të fjalës shqipe: botues-botuar-botoj. Por ka raste kur disa zyrtarë shkruajnë gabimisht të dy fjalët botues dhe editor që kanë një kuptim. Pastaj vjen fjala frënge “prononcim-prononcoj” që ka vërshuar në të gjitha shkrimet shqiptare në vend të fjalës së kuptueshme shqipe “shqiptim-shqiptoj” ose “kumtim-kumtoj” sipas

Fjalorit Frëngjisht-shqipe të Vedat Kokonës.
Vlen të shtoj se këto fjalë të huaja hyjnë pa nevojë në gjuhën shqipe, për të cilën lexuesi detyrohet të mësojë kuptimin e fjalës së huaj të gazetarit “unë prononcohem”, në vend se të shkruajë “unë shqiptohem apo shprehem”. Kurse në vend të fjalës neolatine “perceptoj, perceptim, perceptues dhe perceptueshëm”, sipas fjalorit “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” mund të përdoret fjala shqipe “përkap, “përkapje, përkapës dhe përkapshëm”. Gabimisht përdoret edhe folja kalimtare dhe vetvetore “irritoj-irritohem”, që është me prejardhje latine ” irritera”; pastaj në vend se të shkruhet “standardet”, shtypi shqiptar shkruan gabimisht “standartet”.

Prandaj nuk thuhet (shkruhet) burri apo plaga irritohet, por shqip burri apo plaga acarohet – pezmatohet, të cilën mund ta kuptojnë të gjithë lexuesit shqiptarë. Po kështu, në vend të fjalës së përhapur me përmasa ndërkombëtare implementim, që vjen nga anglishtja implementation dhe do thotë zbatim, përmbushje mund të përdoret fjala e përshtatshme shqipe zbatim. Në vend të fjalës së huaj “konsensual” (lat. konsensus) mund të shkruhet pëlqim, pajtim ose bashkim, prandaj fjalia nga salla e Kuvendit Shqiptar “vetëm një kandidat konsensual” duhet të shkruhet shqip: vetëm një kandidat me pëlqim. Pastaj në vend të fjalës së përhapur shqipe treshi (kryesisht në mesin e fëmijëve dhe rinisë), në fjalorin e diplomacisë shqiptare përdoret fjala e panevojshme ruse trojka.

Ngjashëm sikur fjala e huaj “trojka” në politikë, në gjuhën shqipe ka hyrë edhe fjala e huaj angleze (investigate-tion) = investigim dhe investigator në vend të fjalës së kuptueshme shqipe gjurmim dhe gjurmues ose hulumtim dhe hulumtues. Gjithashtu nuk thuhet ombudsmani kombëtar sipas fjalës angleze apo Ombudspersoni (lat. persona), por shqip përfaqësuesi kombëtar. Ndërsa po të thuhet shqip Kryetari i Republikës së Shqiperisë, z. Alfred Moisiu, dhe jo presidenti (fjalë frënge), do ta kuptonin edhe fëmijët parashkollorë. Prandaj sa më bukur që shkruhet shqipja, aq më madhështore do të jetë kultura kombëtare.