SI PO E PRISHIM GJUHËN SHQIPE, II

1
1903

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Shkelje të rregullave gjuhësore ndodhin edhe me shtrembërimin e emrave të përditshëm “autobuz” dhe “guzhinë”, në vend se të shqiptohen drejt autobus dhe kuzhinë. Siç dihet fjalët autobus dhe kuzhinë janë me prejardhje nga frëngjishtja “autobus” dhe” cuisine”, prandaj obligohen që qytetarët t’i shqiptojnë dhe t’i shkruajnë drejt. Kur ndonjë nënë lind binjak, shtypi shkruan se nëna lindi dy binjakë, që do të thotë se nëna ka lindur katër fëmijë.

Duhet pasur kujdes se parashtesa latine “bi” do të thotë dyfish, prandaj vetë fjala binjak do të thotë dy fëmijë. Me parashtesën latine “bi” shkruhen edhe fjalët bilateral (dypalëshe), bigami (martesë me dy gra), bimester (dymujor), bicycle (biçikletë) që do të thotë dyçikletë prej dy rrathësh. Gjithashtu në vend të fjalës me burim neolatin dubloj duhet të shkruhet dyfishoj, kurse në vend të fjalës duplikat shkruhet dyfish.

Keqpërdorimit të gjuhës shqipe nuk i shpëtojnë edhe fjalët e huaja, të cilat pa ndonjë arsye futen në shkrimet shqiptare. Rastet janë të shpeshta, sidomos kur autorët nuk e dinë se fjalët janë sinonime: e para në gjuhën e huaj dhe e dyta në gjuhën shqipe.

Një ndër fjalët më të shpeshta të gjuhës publicistike që përdoret është fjala e huaj “human”, në vend të fjalës shqipe “njerëzor”.
Kurse fjalët trim dhe hero kanë një kuptim:
e para është shqip, e dyta është neolatine. Dukuri e fjalëve me kuptim të njëjtë ndodh edhe me titujt e forumeve ndërkombëtare, psh. “Anëtar i Bordit Këshillimor” (shqip del Anëtar i Këshillit Këshillimor) në vend se të thuhet “Anëtar i Komisionit këshillimor”. Këto sinonime përsëriten kështu:

…ndaj humanizmit dhe njerëzimit, ose …kjo nuk është aspak humane dhe njerëzore, por edhe …fytyra jote plotë nuri dhe dritë, shpirtëror dhe psikologjik, në përfundim të kësaj mund të konkludoj (nga lat. concludere që do të thotë përfundoj)… etj.

Unë habitem pse redaksitë shqiptare i durojnë këto gabime të skajshme, të cilat e mundojnë lexuesin shqiptar. Gjithashtu fjalia me fjalën e huazuar nga frëngjishtja toksik “Nxënësit u helmuan me helm toksik”, duhet shkruar shqip: Nxënësit u helmuan me lëndë helmuese. Po të shkruhen shqip, fjalitë e sipërshënuara dalin qesharake: …kjo nuk është aspak njerëzore dhe njerëzore; …ndaj njerëzimit dhe njerëzimit; …plotë dritë dhe dritë, shpirtëror dhe shpirtëror, meqë psikologjia merret me studimin e shpirtit të njeriut, …u helmuan me helm helmues, në përfundim të kësaj mund të përfundoj… etj.

E njëjta përsëritje ndodh edhe me fjalën konkrete vdiq. Derisa në fjalinë e parë të lajmit shkruan se personi ka ndërruar jetë, në fjalinë e dytë shkruan se personi vdiq. Kjo tregon pasigurinë e gazetarit, ndaj pa ndonjë arsye i thekson fjalët me kuptime të njëjta. Prandaj nëse gazetarët gabojnë në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, janë kryeredaktorët dhe lektorët, të cilët duhet t’i evitojnë këto gabime të ndjeshme.

Është një emër i përgjithshëm anglisht Iceberg (‘aisbe:g) ajsberg, që si shprehje figurative ka zënë vend në të gjitha gjuhët e botës dhe në gjuhën shqipe. Prandaj prej frazeologjisë anglisht “tip of iceberg” është përshtatur fjala shqip dhe anglisht Maja e ajsbergut në vend se të thuhet shqip Maja e akullnajës. Akullnajë – sipas fjalorit do të thotë një masë e madhe e akullit që ndahet nga akullnaja e maleve polare dhe me ndihmë e valëve dhe erës lëviz përqark me pjesën tjetër që gjendet nën sipërfaqen e detit. Nëse është e domosdoshme të thuhet fjala me prejardhje angleze, “Maja e Ajsbergut”, pse atëherë të mos thuhet sipas tekstit “Maja e isbergut”, derisa emri i vendit gjeografik “Irlanda” anglisht shqiptohet (‘aië:lënd), kurse shqip Irlanda.

Psh. gjuha suedeze që i përket grupit të gjuhëve gjermane, nuk i shqipton emrat anglisht, por suedisht, ngjashëm sikur në gjuhën shqipe: Irland dhe isberg. I njëjti gabim ndodhë edhe me shprehjen gjeografike dhe historike, të cilët në vend se të shkruajnë: “vise iliro-shqiptare”, shkruajnë “vise iliro-arbërore-albane-shqiptare”. Ky lloj shqiptim i tepërt krijon huti te lexuesi shqiptar dhe të huaj, sikur të numëroheshin një varg fisesh të ndryshme shqiptare, kur dihet se ato kanë një kuptim.

Pastaj vijnë edhe fjalët e çoroditura nga ministrat dhe zyrtarët shtetëror, të cilët në vend të fjalës shqipe e përdorin fjalën e huaj. Prandaj Ministria Shqiptare, apo siç thotë populli ajka e shtetit, në vend se ta mbrojnë gjuhën shqipe, e dëmtojnë edhe më shumë. Ata në vend të fjalës shqipe shumicë-a e përdorin fjalën e huaj mazhorancë, që vjen prej gjermanishtes majoritet. Jo vetëm kaq, sepse kur në parlamentin shqiptar thuhet majoritet, e kërkon nevoja, që si kundërpërgjigje të thuhet edhe fjala e huaj minoritet, që do të thotë pakicë. Prandaj ministrat dhe gazetarët, pse jo edhe populli le të zgjedhin: ose të thonë gjermanisht dhe latinisht grupi i deputetëve mazhorancë – minoritet, ose të thonë shqip grupi i deputetëve shumicë – pakicë.

E njëjta fatkeqësi ndodh edhe me fjalën mocion, që vjen prej fjalës frënge motion dhe do të thotë propozim (në kuvend), kështu shkruan në Fjalorin Frëngjisht – Shqip të Vedat Kokonës. Në vazhdim fjala librore konfidenciale, që shpesh përdoret në postën elektronike për ruajtjen e fshehtësisë, (frën. Confidetiel) do të thotë fshehtësi, e besueshme, mirëbesim ose midis nesh. Këtij ligjërimi libror nuk i shpëton edhe fjala prioritet që vjen prej frëngjishtes priorité dhe do të thotë përparësi, kurse në vend të fjalës shqipe mirëbesim, përdoret fjala konfidenc nga frëngjishtja confindent Ja se si shkruante në faqen elektronike “kosovapress” “të jenë prioritet i prioriteteve të KK të Klinës”, për të cilin mendova se autori i shkrimit është nga diaspora, në vend se të shkruaj shqip: “përparësi e përparësive të KK të Klinës”.

Duket qartë që autori shprehet me fodullëk, kinse shprehet me stil zyrtar, dhe ky quhet turp me brirë. Kështu veprohet edhe me fjalën kauza, që vjen prej latinishtes causa, në vend të fjalës shqipe çështje, që tingëllon bukur. Prandaj nuk duhet shkruar me fodullëk “kauza kombëtare”, “kauza shqiptare” etj. etj., por shqip çështje kombëtare, shqiptare, etj.

1 KOMENT

  1. E kam nje pyetje per juve i nderuari adhurues i gjuhës SHQIPE.

    Si shkruhet ne gjuhën SHQIPE emri i juaj ZYMER? A shkruhet Zymer, Zymber, Zumer, Zumhur, Zumhurija, Zumhurya apo ky emer pa lidhje nuk ka lidhje me gjuhen SHQIPE?

    Ndersa mbiemri i juaja a shkruhet Mehani, Mahani, Mehana, Maghana, Mehanja, al Mahani apo eshte ky mbiemr pa lidhje nuk ka lidhje me gjuhen Shqipe?!!!

Komentet janë mbyllur.