SI PO E PRISHIM GJUHËN SHQIPE

0
1249

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Thuaja se nuk ka ditë apo edhe ndoshta fjalim të ndonjë politikani, drejtuesi të ndonjë emisioni, por dhe nga qytetarët e thjeshtë, që në fjalorin e tyre të mos ketë në përdorim fjalë të huaja.
Pas luftës në Kosovë më shumë janë futur fjalët angleze që kanë vërshuar në fjalorin tonë.

S’ka se si të mos përmendet gjatë të folurit apo edhe të shkruarit fjala angleze “OK”, e cila tashmë ka “ngulur”
thellë rrënjët e saj në fjalorin e gjuhës shqipe. Sikur kjo fjalë të përdorej vetëm në të folurit e përditshëm dhe nga njerëzit e zakonshëm nuk do të ishte ndonjë “hata” e madhe, por kur kjo fjalë zë vend në fjalorin e kryeministrit, ministrave dhe deputetëve të Parlamentit të Kosovës, doktorëve të shkencave, etj., atëherë s’ka pse të mos alarmohemi.

Nuk di pse të lartpërmendurit nuk i përdorin fjalët shqipe “ani”, “mirë”…, për të zëvendësuar “OK”-in. Ma thotë mendja se të tillët, por jo vetëm politikanët, por thuaja se çdonjëri nga ne, po të përdorim sa më shumë fjalë të huaja, mendojmë se fjalori ynë është më i pasur. Jo. Të përdorurit e sa më shumë fjalëve të gjuhës sonë në ligjërimet e përditshme i shton vlerat e ligjëruesit dhe të gjuhës së tij.

Është për të ardhur keq që në televizionet tona ka shumë emisione që janë të emërtuara me emra që rrjedhin nga gjuhë të huaja. Në këtë drejtim “prin” gjuha angleze, nga e cila e kanë marrë emërtimin disa prej emisioneve të 4 televizioneve tona në Kosovë (RTK, RTV21, KTV dhe Klan Kosova).

Po i lexuam emrat e emisioneve si “Target”, “As”, “Oxygen”, “Multimedia”, “Odeon”, “Pro et contra”
(RTK), “Rendez vouz”, “Flash”, “Relax”, “Zoom”, “Kabare variete” (RTV21), “Cosmo”, “Matinee”, Anima”, “, Asist”, “Interaktiv”, “Prokid games”, “Express day”, “Automan” (KTV), “Prive”, “Exlusive” (Klan Kosova), do të thoshim se nuk kemi të bëjmë me emisione të gjuhës shqipe, por të ndonjë gjuhe tjetër.

Nuk e di nëse drejtuesit e këtyre televizioneve të kenë menduar ndonjëherë që ka shumë njerëz në Kosovë që nuk e dinë gjuhën angleze, apo edhe ndonjë gjuhë tjetër, prej nga vjen emërtimi i ndonjërit prej emisioneve të përmendura, apo edhe të kenë menduar ata që të bëhet një rishikim i emërtimit të atyre emisioneve dhe të emërtoheshin në shqip.

E nëse drejtuesit e këtyre televizioneve mendojnë se emërtimi i këtyre emisioneve në gjuhët e përmendura është në “modë”, atëherë pse këtë “modë” nuk e praktikojnë shtetet e përmendura më parë. Si do që të jetë, është detyrë e drejtuesve të këtyre mediave që të vendosin për emërtimet e emisioneve të tyre. Mendoj se nuk ka asgjë të keqe nëse këto emisione të kishin emrat shqip.

Vihet re prirja e disa prindërve për t’u vënë fëmijëve të porsalindur emra të huaj, si: Jurgen, Megi, Pegi, etj., në vend të emrave të bukur shqip, si: Drita, Ylli, Ilir, Besa etj. Janë për t’u marrë shembull disa prindër që edhe krijojnë emra me përmbajte shqip dhe tingëllim të bukur, si: Edona, Ejona, etj.

Aty-këtu në tabelat e lokaleve dhe të dyqaneve ka emërtime në gjuhë të huaj, duke fyer padashur vlerat e gjuhës shqipe, si pasurinë e saj, muzikalitetin e saj.

Një tjetër problem që e vlen të përqendrohet vëmendja është përdorimi jo i saktë i gjuhës shqipe të shkruar dhe të folur.
Këto kohët e fundit janë vendosur tabela në rrugë me emërtime lagjesh. Kjo është një nismë e mirë, sepse orienton vendasit, sidomos të ardhurit dhe të huajt, por, para se të shkruheshin, do të ishte mirë që personat përgjegjës të këshilloheshin për drejtshkrimin. Duhej shkruar Lagjja “Goricë”, Lagjja “Jani Vruho”
dhe jo Lagja Gorica, Lagja Jani Vruho.

Është mirë të vendosen në brendësi të lagjeve tabela me emërtime rrugësh, numrat e pallateve, shkallëve, apartamenteve, shtëpive private atje ku mungojnë dhe adresat të shkruhen në numëratorin telefonik.

Në tabelat e autobusëve shikon të shkruajtura gabim “Tiran”, “Çorovod”, “Kuçov”, brenda në lokale sheh “Për familjar”, lexon Hotel Tomorri me dy r, kurse Gazeta Tomori më një r. Prandaj duhet patur kujdes se beratasit, si të gjithë shqiptarët, janë përhapur kudo në botë, marrin e u dërgojnë letra njerëzve të tyre të dashur, do të shkruajnë në zarfet adresat e tyre, jo saktë, kështu që virusi i gabimeve do të përhapet deri në Amerikë, Kanada, Australi, etj. ku shqiptarët dhe fëmijët e tyre do të mësojnë një gjuhë jo të saktë.

Ka individë që nuk e dinë kuptimin e fjalës “egoist” dhe e përdorin këtë gabim. Thonë: “Sa egoist është X, nuk lë njeri pa marrë nëpër gojë”. Jo! Fjala “egoist” nuk ka lidhje me fjalën “gojë”, por vjen nga fjala “ego” që në shqip do të thotë “unë”
dhe përdoret kur është fjala jo për një llafazan, por për një njeri që mendon e kujdeset shumë për veten e që nuk mendon për të tjerët. Po kështu ngatërrojnë “ofroj”, që vjen nga fjala “ofertë”, me “afroj”, apo “perfekt” me “prefekt”. Dëgjojmë, madje, edhe nga personalitete, të thonë “populli jonë” (duhet: populli ynë), “për arsye, sepse …” (duhet: për arsye, se…) etj.

Shembuj të kësaj natyre mund të përmenden shumë. Është detyrë e të gjithëve, e shkollës, e mediave, e institucioneve kulturore që të përpiqen më shumë për pastrimin e gjuhës shqipe