Si përndiqeshin dhe vriteshin shqiptarët e krishterë të Gjilanit nga turko-osmani Selim Pasha, në vitin 1846

0
458
Gjilani i vjetër

Foto: Gjilani i vjetër…

Revista Drini
Persekutimi i të krishterëve të Turqisë (Shqipëria ishte pushtuar nga Perandoria Osmane).

Të krishterët që banojnë në Shqipëri, kohët e fundit, po vuajnë një trajtim mizor nga Pashai i krahinës Selim Pasha, sepse nuk pranuan të braktisnin besimin katolik dhe të bëheshin muslimanë.

Një numër i katolikëve në Gjilan janë burgosur, ku njëri prej tyre, Agostin Stublla ishte lidhur me zinxhirë nga qafa dhe këmbët, dhe vdiq në burg si pasojë e keqtrajtimit që iu bë. Shtatë familje në Gjilan, që e pranuan fenë islame u dërguan në Shkup, ku 23 kryefamiljarë të familjeve katolike ishin burgosur për shkak të mosbindjes; nga këta, shtatë vetë ishin të paaftë për të duruar vuajtjet dhe ndoqën shembullin e familjeve nga Gjilani.

E megjithatë, gjashtëmbëdhjetë kryefamiljarët e tjerë, mbetën të vendosur deri në fund, për të sakrifikuar gjithçka për fenë e tyre. Ata rriheshin çdo ditë me kamzhik, iu jepej pak ushqim dhe mbaheshin të lidhur me zinxhirë te muret e burgut. Selim Pashai u tërbua nga qëndresa e të dënuarve dhe urdhëroi, që familjarët e tyre të ecnin nga Gjilani në Shkup në një udhëtim tetë ditor, me duar të lidhura pas shpine, pa i përjashtuar fëmijët dhe gratë shtatzëna. Me mbërritjen e tyre në Shkup, të gjithë u burgosën.

Një numër i misionarëve të Krishterë janë të burgosur gjithashtu në Shkup, ku shtatë prej tyre ranë Martirë të besimit të tyre. Misionarët Apostolikë të Dalmacisë ndodhen në mesin e këtyre të burgosurve. Konsulli Austriak në Shkodër i ka çuar zyrtarisht një kërkesë Selim Pashës, për lirimin e tyre. 30 deri 40 familje të krishtera, u larguan nga Shqipëria për në Selanik, për t’u vendosur në Michalitsch. (Trieste Observer)

Burimi: Wellington Independent, Volume II, Issue 125, 23 December 1846, Page 4. – Perktheu nga anglishtja Elida Jorgoni.