SI MUNDEM ME IKË PA TY – poezi nga Ndoc Selimi

0
3304
Ndoc Selimi

Ndoc Selimi, biri i Komanit, aviator dhe pene mprefte, me sa mall Ndoci i shkruan vendlindjes, po me sa kujdes e ruan gegnishten. Ndoci krahas pilotimit si aviator, mbajti prane penen, sa shume shkrojti per armen e bukur te aviacionit, i kishte falë jeten dallendysheve te ajrit. Sot Ndoc Selimi jeton ne emigracion ne Itali, po edhe ketu nuk pushon s’shkruari.

Urime miku im Ndoc Selimi.
Gjin Musa, gazetar.

SI MUNDEM ME IKË PA TY
(Gegnisht)

Due me u kthye te rrezet nën hanë
ku pushon ti avioni im
me vuejtë bashkë heshtjen e ajrit
e me përshëndetë tufat e zogjve,
që s’prajnë sot tuj parakalue në shenj zije
për kraht tonë të lodhun fluturimit.
Qielli na pret,
andrrën e fundit me shkrue n’hapsinë
e me puth gjurmt e mshehuna rranxë nji yllit,
që edhè sot mbajnë mend emnat tonë..
Nesër, ndoshta,
kur të bierë perdja e fundit
shkallët e nalta të planetit
kam me i ngjitë pa krahet e tu…!
Po si mundëm me ikë fillikat i vetëm
horizonteve gri
o zog stërmadh i qiellit!
Si mundem me ik pa ty…

Sa kënaqësi ndjej kur lexoj shkrimet e ish-aviatorit Ndoc Selimi, nji penë që di të shkruajë histori reale, tregime e fabula, po Ndoc Selimi është penë e thekur e poezisë.
/Gj. Musa, gazetar.

ATDHE !
Ke krijue shekujt e vitet, ditët e netët në emnin tand
t’pagzimit Shqipni.
Qielli yt asht pasqyrë
që sheh përtej hamendjeve t’horizonteve t’ngushta.
Mbretneshë e kombeve!
Hape portën yjeve t’qiellit
t’ulën te kopështi i shpirtit tand,
n’prehnin e nanës e të flasin çiltësisht si bij.
E ju engjuj tokësorë!
mbrojeni krenarinë tuej të shenjtë
prej demoneve t’ferrit
e vizatoni n’univers
andrrën e mijëra gjeneratave,
që nuk munden me ndeshë, as me gishtin tregues
lumtuninë e ditëve të veshuna me diell.
Ati ynë që rri në qiell!
ban që bekimi yt të shkrijë inatet e hyjnive
e të ndërtojë kështjella dashnije
n’shpirtin e trazuem të dimnave t’ftoftë ,
që puthën pabesisht buzët e përgjakuna t’vendit tim.
Atdhe!
Je dashnia që lundron n’oqeanin e pamatë t’shpirtnave,
je zani i t’ranëve,
je përpjekja e përjetëshme e ngadhnjimit tonë!

(Nga vëllimi me poezi: “Si mundem me ike pa ty”)