(Përderisa atdhetarët e ndërtojnë, ndërsa tradhtarët e vjedhin dhe shesin shtetin, masa më efikase do të ishin që politikanëve të përfshirë në korrupsion dhe krime t’u konfiskohet pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme dhe t’u merret e drejta e pjesëmarrjes në pushtet për shtatë breza të ardhshëm)
Abdulla Mehmeti
Si duhet ta zgjidhin shqiptarët çështjen e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kapjen e shtetit nga oligarkët, mafia politike, rrjeti i agjentëve të huaj dhe nëntoka kriminale, në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe viset tjera shqiptare?
Më kuptoni si të doni, por, unë mendoj se hakmarrja mes shqiptarëve mbi çfarëdo baze duhet të ndërpritet, meqë ajo nuk i zgjidh problemet; ajo prodhon hakmarrje të reja, revanshizëm, pakënaqësi, tensione, pasiguri dhe e frenon zhvillimin normal të shoqërisë shqiptare.
Me fillimin e procesit të pastrimit të skenës politike nga bandat kriminale të pushtetit dhe politikëbërjes shqiptare të periudhës 27 vjeçare të tranzicionit ,,demokratik”, opinioni shqiptar në forma të ndryshme bombardohet përditë nga analistët, opinionistët, mediat dhe rrjetet sociale, si dhe përmes formave të tjera të komunikimit publik e privat, me çka kërkohet realizimi deri në fund i procesi tanimë të filluar nga prokuroritë dhe gjykatat speciale, në krijuara për hetimin dhe dënimin e këtyre krimeve, si vepra të liga që e kanë dëmtuar procesin e demokratizimit, e kanë dëmtuar interesin shoqëror, në shumë mënyra i kanë shkelur liritë dhe të drejtat e qytetarëve, e kanë rrezikuar mirëqenien e qytetarëve duke e palaçkitur pasurinë shoqërore dhe të shtetit, në disa raste edhe e kanë cënuar sovranitetin dhe integritetin e vendit në format më serioze, me këto veprime duke e rrezikuar paqen dhe sigurinë në vend, rajon dhe më gjerë.
Prandaj, këto procese për ndalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk kanë mundur t’i inicojnë vetë institucionet e shteteve përkatëse, por faktorët ndërkombëtarë, të cilët me ndihmën e institucioneve vendëse dhe të forcave progresive janë zutuar që ta çojnë këtë proces deri në fund.
Edhe përkundër faktit që procedurat hetimore kanë filluar disa muaj më parë (për disa raste më të rënda këto hetime janë zhvilluar shumë më herët), ato nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret, edhe pse janë përmendur shumë raste. Asnjë politikan dhe udhëheqës i pushtetit, i dyshuar për korrupsion dhe krime, nuk është dënuar deri më sot.
Sipas kësaj, shihet qartë se edhe përkundër faktit që janë angazhur në këtë proces shumë institucione vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ekspertë të jashtëm, diçka nuk funksionon siç duhet në botën shqiptare, në organet dhe drejtuesit e pushtetit në radhë të parë, por edhe në opinionin e gjerë, me ç’rast është krijuar një polarizim i shoqërisë në baza ideologjike, partiake, klanore, pa edhe fisnore e krahinore, është hapur një betejë e ashpër mes rrjeteve të fuqishme të bizneseve, mes interesave të huaja në vend, ndërsa klima e përgjithshme politike, gërshetimet e interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike, si dhe faktorë të tjerë e pamundësojnë efikasitetin e kryerjes me sukses të këtij procesi.
Nisur nga këto fakte, është tepër iluzore të priten rezultate të menjëhershme dhe të dobishme nga ky proces, prandaj, mendoj se do të ishte mirë të mendohet në gjetjen e mundësive të tjera alternative, për luftimin me sukses të kësaj mortaje që e ka mbërthyer shoqërinë shqiptare, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, 1997-2017.
Në mungesë të gatishmërisë dhe aftësisë së institucioneve të pushtetit për goditjen e drejpërdrejtë të krimit dhe korrupsionit, siç ka ndodhur në disa vende të tjera të botës (p.sh., në Singapor, ku janë burgosur brenda një dite dhjetëra ish kryeministra, ministra dhe funksionarë të lartë të pushtetit), së paku do të ishte inkurajues dënimi i këtyre kriminelëve në forma të tjera që nuk do të prodhonin tensione politike, pakënaqësi dhe revoltë mes qytetarëve, shumica të manipuluar nga propaganada përmes mediave të kontrolluara nga këto klane.
Prandaj, në vend të arrestimit dhe vënies në pranga të ,,peshqive të mdhenj”, për fillim do të ishte më e përshtatshme, jo edhe e mjaftueshme, masa e konfiskimit të pasurisë së tyre e vjedhur dhe fituar në rrugë kriminale, si dhe ndalimi me ligj i ushtrimit të funksioneve udhëheqëse në pushtet nga këta persona të dyshuar për krime, si dhe të afërmit e bashkëpunëtorët e tyre, së paku për 7 (shtatë) breza të ardhshëm.
Duke marrë parasysh mentalitetin tonë, mungesën e traditës demokratike, si dhe rrethanat e përgjithshme në të cilat janë aktualisht shqiptarët, të ndarë në disa shtete, nën ndikimin e rrymave të fuqishme gjeostrategjike, ideologjike, politike dhe fetare, që e dominojnë rajonin tonë aktualisht, këto do të ishin masat më të përshtatshme për momentin, deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij procesit tepër të domosdoshëm për proceset demokratike dhe integrimet globale në kontekstin kohor.
Pra, nëse nuk mund të arrestohen të gjithë ,,peshqit e mëdhenj”, së paku ta marrin dënimin e merituar, me KONFISKIMIN E PASURISË së fituar në mënyrë të paligjshme dhe t’u NDALOHET PJESËMARRJA NË PUSHTET, së paku për shtatë breza të ardhshëm.
(29 prill 2018)