Regjisori Pëllumb Kulla rrëfen në emisionin “Kjo Javë”, në News24, takimin me ish-diktatorin Enver Hoxha, teksa familja e tij ishte e persekutuar, pasi ishte kundër komunizmit.
Kulla tregoi se ia kishin thënë hapur që nuk pranohej për biografi, por kur kishte kaluar Enver Hoxha pranë makinës së tij, ai i kishte ngritur dorën, që në fakt e kishte parë.
“E pa dhe ndaloi, në një repart shumë të gjerë te Uzina Enver, unë isha në një prej makinave ku punohej. Ishte i rrethuar nga i tëri enturazhi si rrethohej atëherë, dhe unë i fola dhe i shpreha gjithë pakënaqësinë që nuk më lejonin”, rrëfeu regjisori.
Pjesë nga intervista:
Ju ishit një djalë që guxuat të takonit ish diktatorin Enver Hoxha dhe t’i thonit se po ju mohohej e drejta për të studiuar dhe se ju kishit dëshirën shumë të madhe për të vijuar përpara. Si arritët deri te ai, si ishte ky takim…
Në fakt, erdhi Enver Hoxha te unë. Qëlloi që bëri një vizitë shumë të bukur në kohën që isha atje, e sapo kisha dhënë prova për shkollën e lartë për aktor, që më tërhiqte shumë. Kishte ardhur një pedagoge ruse, dhe atëherë ishin më të mirët, po unë për biografi nuk pranohesha, dhe ma thanë hapur. Kur Enver Hoxha po kalonte pranë makinës, unë ngrita dorën dhe punë sekondash, mund të mos e shihte dorën time, por për fat të mirë e pa. Pra, kam qenë gjithmonë njeri me fat. E pa dhe ndaloi, në një repart shumë të gjerë te Uzina Enver, unë isha në një prej makinave ku punohej. Ishte i rrethuar nga i tëri enturazhi si rrethohej atëherë, dhe unë i fola dhe i shpreha gjithë pakënaqësinë që nuk më lejonin.
Si reagoi?
Më priti shumë mirë, më pyeti se kush isha i kujt isha dhe pse i kisha këto telashe. Dhe vura re që përmenda gjyshin tim të pushkatuar, dhe atij nuk i kujtohej gjë. Fola mirë, pa emocione, fola ngrohtësisht. E më tha së unë isha rritur në kohën e pushtetit popullor, nuk kisha të bëja me to dhe do të shkoja në shkollë.
Pra, ta premtoi që aty?
Ma premtoi dhe e mbajti fjalën. Më pas ata që ishin në enturazh u përpoqën dhe unë nisa shkollën. Nuk më dhanë bursë dhe më duhej të kompensoja, të punoja jashtë orarit, dhe të gjitha pushimet e shkollës unë i kam bërë punë.
Çfarë punonit në atë kohë?
Punoja montator, në Bistricë, Kurbnesh, Rruga. Do kompensoja pak familjen time të vuajtur dhe që ishte financiarisht dobët. Kështu shkolla u krye.
4 vitet e shkollës si ishin?
Shumë të bukur, kemi qenë në një kurs me kolektiv nga më të shquarit që ka sjell historia. Kisha Robert Ndrenikën, Viktor Zhustin, Antoneta Papapavlin, Bukuroshe Kokalarin, Kadri Pirron, Ali Begën, besoj mos kem harruar shumë se do ta kem pisk punën pastaj. Ishte një jetë e bukur, plot fantazi, pedagogët ishin të mrekullueshëm.
Si e priti familja qe e fituat shkollën, duke takuar Enver Hoxhën?
E pritën me gëzim, por edhe me një lloj shqetësimi, sepse duke mos më dhënë bursa lindi problemi që mirë ti e ke me qejf të bësh këtë shkollë, por edhe ne e kemi të vështirë. Edhe unë i premtova se do e kompensoja dhe ia dola mbanë.
Po periudha e riedukimit?
Unë u emërova në Vlorë, isha mes shokësh të mirë, por në mënyrë të pashpjeguar, në një konflikt me një nga sekretarët e komitetit të partisë, që më bëri disa vërejtje për një dramë dhe unë nuk isha dakord me to, unë shkova në guroren e Kaninës në Shashicë në mal, për të thyer gurë e për të ndenjur në hotel. Dukesha si inxhinier i lartë, specialist i gurëve që merrja 166 lekë të vjetra në ditë që s’më dilnin. Pastaj punova në një ndërmarrje ndërtimi si mekanik. Pas martese, time shoqe e pranuan aktore në Teatrin e Vlorës, edhe mua më lanë të punoja më amatorët në atë ndërmarrjen ku isha.