SI E SHËNOI DIASPORA 50-VJETË MË PARË NË ROMË, 500-VJETORIN E VDEKJES SË GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBE

0
801

Nga Frank Shkreli

Siç dihet, viti 2018 është shpallur nga qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës, por edhe nga Kisha Katolike në trevat shqiptare dhe në diasporë, si viti i Gjergj Kastriotit Skendërbe. Janë mbajtur disa manifestime dhe është në plan të zhvillohen programe të ndryshme kulturore, akademiko-shkencore dhe ceremoni të tjera përkujtimore, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe anë e mbanë botës ku ka shqiptarë — gjatë gjithë këtij viti. Këtu në Shtetet e Bashkuara ky përvjetor është shënuar ditët e fundit nga diaspora me simpoziume në Nju Jork dhe në Detroit ku kanë marrë pjesë një numër studiuesish dhe historianësh të njohur nga Shqipëria, nga Kosova dhe diaspora, për të shënuar këtë përvjetor me rëndësi historike. Në këto simpoziume kanë marrë pjesë shqiptarët e diasporës pa dallim feje a krahine. Ashtu siç janë bashkuar gjithëherë për raste të tilla, ashtu u bashkuan edhe tani për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes.

Është kjo pjesë e një tradite që diaspora, gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme, megjithë mjetet e kufizuara për të shënuar përvjetorë të tillë kombëtar – është përpjekur të kremtojë rregullisht datat historike dhe herojtë kombëtarë të shqiptarëve. Shënimi këtë vit i 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut na sjellë në kujtesë 500-vjetorin e Skenderbeut dhe ceremonitë e simpoziumet që u organizuan nga diaspora shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Ishte pikërisht, 50-vjetë më parë që diaspora shqiptare qe bashkuar në Romë dhe në Vatikan për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Kryetrimit të Kombit shqiptar dhe të veprimtarisë së tij epike.

Me ndihmën e Vatikanit dhe Papa Palit të VI, të Arbëreshëve dhe të diasporës shqiptare të njohur në Romë në atë kohë, përfshir Profesor Ernest Koliqin dhe të tjerë shqiptarë të dalluar mërgimtarë nga të gjitha trojet shqiptare — të gjithë të bashkuar në Romë dhe në Vatikan – i treguan botës dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e vet për historinë kombëtare duke nderuar Fatosin e tyre të Madh. 500-vjetori i Vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe ishte gjithashtu një rast që vuri në dukje edhe respektin e Vatikanit për Heroin e Shqiptarëve dhe për kombin shqiptar në përgjithësi, gjë që u pasqyrua në pritjen entuziaste që iu bë shqiptarëve në vitin 1968 në Vatikan nga Pali Pali i VI, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit kombëtar të shqiptarëve.


Loading…


Shqiptarët — përfshirë një grup të madh të diasporës shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga organizata pan-shqiptare Vatra që u prinin Peter Chicos dhe Anthony Athanas, kishin shkuar në Romë për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit — nga të gjitha anët e botës, përveç Shqipërisë komuniste të asaj kohe. Në një frymë vërtetë kastriotjane bashkimi kishin vajtur në Romë arbëreshët e Italisë, shqiptarë nga Kosova, mërgimtarë nga Evropa, Australia dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ishin këto festime e kujtime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan, ku mërgimtarët e ri të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20, u bashkuan me arbëreshët të cilët ishin detyruar nga otomanët të largoheshin nga trojet e tyre, pesë shekuj më parë. U bashkuan në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth heroit të tyre kombëtar, pa dallim feje e krahine — ashtu si ishte dikur dhe si duhet të jetë edhe sot – të bashkuar — ashtu siç i do shqiptarët Gjergj Kastrioti – Skenderbe. Revista Shëjzat e botuesit Ernest Koliqi — e cila i kishte kushtuar një numër të tërë prej 250 faqesh me një përshkrim të gjatë ceremonive me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut– shkruante se pjesëmarrja e diasporës shqiptare në Romë me atë atë rast nderoi botërisht, Shqipërinë dhe Fatosin e saj Gjergj Kastriotin – Skënderbe.

“Të huajt e ardhun nga katër anët e dheut çmeriteshin në atë shesh tue shikue ato vargje të ndritëshme shtegtarësh që ngitshin të dalun nga prehni i mesjetës, nga XV qindvjet i cili njofti lavdinë e Kruetanit të Madh. Pyetshin plot kureshtje se kush ishin ata burra e ato vasha. Emni i Shqipnisë e i Kastriotit tringulloi si za burije atë ditë në gojën e mija turistave ndërkombëtarë” do të shkruante Ernest Koliqi, në numrin e posaçëm4-6, 1968 të Shëjzave, kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar. Koliqi e ka cilësuar pjesëmarrjen e Vatranëve dhe të tjerëve nga diaspora e Amerikës si një prani që ua “shtoi shkelqimin kremtimeve”.

“Hijet e madhnueshme të Fan Nolit e të Faik Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë në radhët tona kryesinë vatrane, që në këto kohëna të turbullta përpiqet të ndjekë gjurmët e mëdha të atyne dy patriotëve të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës. Kishim përshtypjen se drita e agimeve të Rilindjes atë ditë po reshte mbi bashkimin e Arbershve me Shqiptarë. E bashkë me atë dritë edhe rrezja e bekimit të Perendisë”, ka shënuar Koliqi në kronikën e botuar në revistën e tij Shëjzat. Në kronikat e Shëjzave për kremtimet e 500-vjetorit të Skenderbeut, përmenden disa prej emërave më të dalluar të diasporës shqiptare të asaj kohe në Amerikë, të cilët kishin marrë pjesë, si përfaqsuesit e lartë të Vatrës, Anthony Athanas e Peter Chicos, por edhe shkrimtari i njohur Nexhat Peshkëpia, Dr. Hamdi Oruçi, Selahudin Velaj, Adem Hodo shkrimtari Nelo Drizari, ndër të tjerë.

Nga Evropa dalloheshin, Princi Ferdinando-Castriota-Scanderbeg, Dhimitër Berati, Profesor Ernest Koliqi, At Zef Valentini, Gjen. Zef Serreqi, Profesor Namik Resuli, major Rrok Nallbani, dr. Ragip Frashëri, dr. Ismail Verlaci, profesorët Abas Ermenji, Vasil Andoni e Zef Pali, Sulejman Meço, Kap. Ndue Gjomarkaj, dr. Luigj Zanga e poeti Martin Camaj. Ndër pjesëmarrës të tjerë dalloheshin edhe personalitete të diasporës së atëhershme, të dëbuar, të arratisur ose të ndaluar të këtheshin në atdhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ishin edhe Ahmet bej Resuli, Nexhmedin Vrioni e Ekrem Telhajn, prof Giuseppe Gardilone, Omer Fortuzi e Aslan Zeneli, Tahir Zajmi si dhe Lin Shkreli dhe piktorët Ibrahim Kodra e Lin Delija.

Ndër klerikët dalloheshin, Dom Prenk Ndrevashaj, At Daniel Gjeçaj, At Jak Marlekaj, At Ambroz Martini, At Paulin Margjokaj dhe At Vinçenc Malaj, e shumë e shumë pjesëtarë të tjerë të njohur të diasporës shqiptare, të mbledhur të gjithë së bashku në Romë, me gjithë ndryshimet e tyre politike që ekzitonin midis tyre. Por ata u bënë së bashku me atë rast për të shënuar Krye Heroin e Bashkimit Kombëtar të Shqiptarëve. Unë kam pasur fatin të njoh disa prej këtyre personaliteteve shqiptare dhe mund të them se në gjykimin tim modest, ishin ajka e Kombit shqiptar dhe se çdo komb do krenohej me njerëz të tillë. Kombi i tyre, fatkeqsisht, i konsideron gjithnjë, shumë nga këta, si “kolaboracionist” dhe “surretër”.

Në kronikën e revistës Shëjzat thuhet gjithashtu se mallëngjim dhe ngushullim të veçantë shkaktoi, ndër pjesëmarrësit në kremtimet kastriotjane, prania e një grupi të madh bashkatdhetarësh mërgimtarë, ndoshta më pak të njohur, por aspak më pak patriotë — të udhëhequr nga Dom Prenk Ndrevashaj, i cili kujdesej për fatin e tyre. Ata, që vitet e fundit kishin lënë Atdheun për të shpëtuar nga dhuna komuniste, u bashkuan me mergimtarët Arbëreshë të cilët kishin ikur nga Shqipëria 500-vjetë më parë për t’i shpëtuar dhunës otomane. Thuhet se aty në Vatikan — për herë të parë — u bashkuan dy mërgatat shqiptare, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

50-vjetë më parë në Romë, ishte Gjergj Kastrioti- Skenderbe, Ai i cili bashkoi shqiptarët e të gjitha ngjyrave politike me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Krye Trimit të shqiptarëve. Ishte pikërisht, 50-vjet të shkuara që u bashkuan shqiptarët e diasporës rreth Gjergj Kastriotit, i cili ashtu si në kohën e tij, Ai pat bashkuar princat shqiptarë në luftën kundër hordhive otomane dhe armiqëve të vendit. Po sot, me rastin e 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skenderbe — të pakën në vitin e shpallur si viti i Skenderbeut – a do të mblidhen “princat” aktual të shqiptarëve që të kremtojnë dhe të veprojnë bashkarisht, në mbështetje të interesave madhore të Kombit???