Si e njoh unë Gurakuqin…? – nga Anton Harapi

0
1293

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar

Ndër shqiptarë nuk njoha kend ma hije-lehtë se Luigj Gurakuqin. Kujtimit t’em nuk i çfaqet nji burrë si ai: i urtë, i mendshëm e njiheri edhe trim si zana. Personaliteti i tij qe nji krijesë origjinale, ku shpirti shqiptàr, i pajisun me kulturë e qytetnim, shprehej i madh, i naltë, fisnik.

Këte pata fatin me e pasë mik zemre e shoq pune, bashkëpuntuer dhe prìs: me te përpoqëm idealet, damë gëzimet e idhnimet: lirija e besimi qi patëm shoq me shoq, kaptoi ndër hapat ma të guxueshëm, u ul e përfshini fjalët e punët edhe ma të zakonshmet: por deri edhe ndër këto kande të jetës, ku edhe shpirti i fatosit ka hijet e veta, në fundin e zemrës së tij nuk pashë tjetër veç se shka bindë, tërhjekë e ban për vehte.

Në Luigjin gjeta njerìn, hetova shqiptarin.
Cilësitë e rropamet e shpirtit të tij i kam para sysh porsi idè, porsi simbol, por nuk vehem t’i përshkruej. Sferat e jetës së Luigjit, nuk ka pendë shqiptari qi i përfshin. I zoti ndër të zotët, i madhi ndër të mdhejt, i miri ndër ma të mirët. Luigj Gurakuqi qe i mbarë Shqipnìs, i të gjithë Shqiptarëvet, por Shqipnija nuk qe për tè.

Të paren herë qi më rà t’a njoh, ishem endè pa hym ndër valet e jetës. Emzot Doçi, Pater Fishta e Luigji bisedojshin mbi problemin shqiptàr. Unë, si i ri, rrijshem e ndigjojshem pa marrë pjesë në kuvend. Abati don me më ba me folë, e thot: “Po ky frati i rì a merret me çashtjen shqiptare? A e don Shqipnìn?

Luigji, pa më njoftë e pa më dijtë, si më pau ashtu të friksuem e të turpnuem, mori fjalën për mue: “Po – tha menjiherë – edhe ky e ka për zemër atdhèn, edhe ky tash e jep kontributin e vet, por tash don të zajë prej nesh”.
Mu ba se m’u çel perdja: njohta optimistin e dashamirin e të rijvet. Mora zemër.

Shkuen vjetë e vjetë pà u pà ma me te. Kur, ja, e gjej në Kuvendin e Françeskanvet në Troshan, ku i skredituem e i luftuem, me durimin e fatosit, në qetsì të plotë, pritëte të dyndeshin ret e zeza të gojë-këqivet, të ftofej pasjoni i anmiqëvet, t’a ndiente Shkodra e Shqipnija nevojën e tij. Nuk e mbaj mend shka folëm, por e dij se folëm gjatë, folëm me zemër në dorë, folëm si burrat me kulturë. Këte veç mbajta mend, se ishem pjekë në nji njeri me ndiesì të nalta shpirtnore.

Sikur nuk mjeroi kur Shkodra pa e njoftë e përbuzi, ashtu nuk i u rrit mendja kur Shkodra dhe mbarë Shqipnija brohoriti për te.
Në një odë, në një tryezë me te, me javë e muej bashkëpunuem në fletoren “Ora e Maleve“. Aty pash zotsìnë teorike e praktike, turret e entuzjazmit dhe aftësìn e përqendrimit, superjoritetin e fisnikrìnë e tij.

– Luigj, i thom nji ditë: Ne me pendë e të tjerët me pushkë, ne me fjalë e të tjerët me plumb, tash po na e dalin e na lanë në zàll ne me gjithë Shqipnì!? E atëherë kush e pat e pat, e mjerë kush i han shpina dhè!
Ani, tha, përzot’a: le të na vrasin, se unë Shqipnin nuk due t’a ngrehi mbi gjaqe e intriga, por mbi idè dhe mbi ndiesì.

Nuk kam marrë kurrnji shënim përmbi ato kohë vërtè ideale, këtu vetëm due të përtrìj disa ndër kujtime të çmueshme qi shpirti i em ruejti mbi ketë shqiptàr vërtè të jashtëzakonshëm.

Ishte koha e zgjedhjevet. Entuzjazmi i ynë kishte shti, deri në popullin e ulët, nji interesim të gjallë. Lufta elektorale vlonte, njimend e qetë dhe e organizueme, por me të tanë intensitetin e vet. Kurr Shkodra me rrethe nuk u gjet në nji lëvizje ma ideale, ma të madhe e ma të organizueme. Ishte e para herë qi muhamedanë e katolikë të lidhun sinqerisht në njenën anë e muhamedanë e katolikë në tjetrën anë, Opozitë e Popullore, luftojshin shoq me shoq si ndër vende të qytetnueme, jo me armë, por me fjalën e lirë e me propagandë.

Ne e kishim shpallë listën e deputetëvet. I kishim ba llogarìt dhe me sigurì përfundojshim me fitim, deri në nji kandidat. Natën e zgjedhjevet kundërshtarët na çojnë fjalë për nji kompromis, po deshëm t’a qesim atë deputet. Kjo punë veç nuk kishte si mu u ba pa nji dredhì, qi ishte tradhtì. Qe kush tha se do ba dredhija mbasi qellimi ishte i shejtë. Nguli kambë Luigji: Kurrën e kurrës – tha – nuk e pranoj intrigën, me dijtë se e bjerrim krejt çashtjen ndër zgjedhje!
Qe i ndershëm e burrë në veshtrim te fjalës. Si ai…

Kishin shti njerìn m’e e vrà. Merr vesht se kush asht. E kërkon dhe e gjen natën tue këthye në shtëpi, vetëm për vetëm në rrugë. Të nesërmen me buzëqeshje dhe me nji qetësi të kandëshme shpirti më kallxon:
– Pater Anton, e bana duelin! Mbramë u ndesha me N.N., i dola para dhe me dorë në revolver i thashë: Në qofsh burrë, më vrà njitash, se sa për mbas gardhi qet pushkë edhe i dobti.
– Po shka bani? Shka të tha? Si u ndave shëndosh? – Kështu unë gëzueshëm, por turrshëm.
– Uli fjalët, tha, e më bani bè e rrëfè se nuk do të më vritëte në kurrnji mënyrë.
– Po ti…?
– Shko, i thashë, se megjithëse mundem me të vrà, po të fali, jo për bè rrejshëm qi po ban, por pse nuk asht burrnì për mue me shti në nji njerì të lig sikurse ty.

Luigji qe vërtè trim, por trim i urtë e fisnik.

Njimend nuk kishte të holla për të marrë njeri mbas vehtes, por nuk donte t’a marrë as kur me lëmoshe t’atyne qi e çmojshin dhe e dojshin, i a imponova gadi përdhuni.
– Po pse, more Luigj, ti kështu po don me e marrë në qafë vehten dhe të gjithë ndjekësit e tù?
– Pater Anton – më thonte me gjitha ndiesit e zemres – m’asht mbushë mendja se e para pushkë nuk më mbytë, e sa për të dytën e shprazi vetë.
Mbasi e provoi njerìn qi i dhashë rojë mbas vehtes, të tan gëzim më tha: P. Anton, me kësi burrash, po, mund t’a bajmë Shqipnin!

Kur prekej në diellin e vet ishte entuzjast i madh, u derdhte në nji optimizëm te çuditëshëm, gati me thanë të tepruem.

Ashtu si ishim të përveshun tue shkrue, ai në njenën anë të tryezës e unë në tjetrën, vjen postari dhe i dorëzon nji telegram. Porsa e çeli, ngeli me te në dorë. Përdihet e përmblidhet në vetvehte. Si e shoh ashtu të prèm, e pyes:
– Shka asht, Luigj?
– Na kanë fikë P. Anton; ja, e kanë shpallë revolucjonin atje ne Vlonë deputetët t’anë, por asht e kotë të qajmë; duhet të jemi solidarë me shokë; çou të fillojmë edhe ne.

Larg-pamës dhe i kujtueshëm, superjoriteti i shpirtit të tij kapërcente sferën e nji karakteri të zakonshëm; ai, për besë e burrnì, qe i zoti të veprojë edhe kundra bindjes së vet.

Ishte emnue Ministër i Financaxet e nuk kishte të holla as sa me shkue në Tiranë.
– P. Anton – më thot – m’i jep dhetë napoljona uhà, se për fjalë të nderit po më vjen turp me i a lyp kujt, mbasi nuk m’a zen besë kush.
Edhe vonë m’i pagoi, jo pse nuk donte a pse harronte, por pse nuk i tepronte gja në xhep prej rrogës si ministër. Shpirtin plot e xhepin thatë, rroi pernjimend i vorfën, pse vërtè idealist i pastër.

Kishte nji mamendje të çuditëshme. Nuk mbante “notes” me vehte, as nuk merrte ndonjiherë shënime për mos me harrue. Nji ditë e nguca fort në ketë pikë dhe i u vuna tepër të mirrte shënim për nji punë.
– Më provò – tha- Pater Anton, a shkruej gja për mos me harrue, dhe a harroj gja, kur thom “po”.
E provova dhe më duel ashtu.

Si u kthye Opozita, shkova dhe e ndesha. Me lirin e zakonshme, turrshem i baj dy pyetje të thata, por të forta:
– Si me falimentue kështu, Luigj? Si me dalë e me hikë Ju tash prej Shqipnije?
Kishte vdekë në kambë burri i dheut; me e pasë prè gjak s’kishte qitë. U kuq, i u muer goja, shtërngoi buzët e i dha vehtes:
– P. Anton – tha – na kanë skreditue tepër keqas, na kanë deklarue komunista n’opinjon publik t’Europës! Për Zotin, nuk due të hiki, por po ndeja unë këtu, e dij se derdhet gjak, e derdhet kot. Të kishte pse, nuk po shikojshem fort për gjak qi derdhet, se ma për vehte jo se jo, por po me vjen si tradhtì t’a marr në qafë popullin e shkretë.

Doli dhe e la Shqipnìn, për të mbramen herë.
Në Brindisi nji fletoràr del t’a ndeshë dhe i kërkon nji intervistë. E mbaj mend, se n’atë rasë tha nji fjalë, qi qe testamenti i tij: “Partit e rrymët shkojnë e vijnë, por don me thanë shumë, se me kaq Shqipnija e humbi Pavarsin e vet”.

Luigj, përmallshëm të falem! Me të gjitha ndiesit e zemrës të kujtoj! Në kujtimin t’èm, për pa vdekë nuk të lëshoj! Ti njimend qè, por edhe jè. Njimend nuk lae as bìr as bijë; nuk shkrove shumë, as nuk u ndjeve aq fort: e po me ketë modestì t’anden lae trashigim të pavdekshëm nji ideal të mishnuem, nji jetë të dejë për shqiptarë; madhnìn e shpirtit shqiptàr ti e shprehe në të tanë vlerën, sinqeritetin e vërtetsìn e vet. Ti vdiqe Luigj! Kjo asht kunora, qi në ketë përkujtim due të vè mbi vorrin t’and: I njejtë, i pa dangë si në jetë si në vdekje! Pasët kush të ndjekët!

P. Anton Harapi