Majtas, Marjan S. SOPI, Prof. Isak AHMETI (në mes) dhe Prof. dr. Vilson MARKU
(Intervistoi: MARJAN S. SOPI)
Isak AHMETI, sipas vlerësimeve të përgjithshme, përfaqëson profilin e intelektualit modern, i pajisur me kulturë kombëtare dhe evropiane.
Emri i tij, siç dihet tashmë, është i njohur në shumë fusha, jo vetëm si profesor shumëvjeçar, në Gjimnazin e Vitisë, në arsimimin dhe edukimin e shumë brezave në ç’drejtim ka dhënë një kontribut të pakrahasueshëm, në fushën e letërsisë, shkencës dhe kulturës kombëtare, por edhe si luftëtar i kauzës shqiptare të Kosovës gjatë viteve ’70-ta e të 80-ta të shek. të kaluar e më pas. Me emrin e tij lidhet edhe një lulëzim i hovshëm ekonomik në Komunën e Vitisë sidomos gjatë kohës kur ai ishte kryetar i Komunës gjatë viteve 1988-1989 dhe delegat i Kosovës në Kuvendin e Serbisë, kur guximshëm dhe dinjitetshëm, publikisht dhe institucionalisht, ka mbrojur kauzën shqiptare të Kosovës.
Ai publikisht iu ka kundërvënë politikës serbomadhe edhe në lidhje me ndryshimet kushtetuese për çka edhe është ndëshkuar, në mënyrën më të egër, nga pushteti serbosllav. Paraqitjet e tij publike edhe në Viti edhe në Prishtinë edhe në Beograd kundër politikës serbomadhe, në lidhje me Kosovën, kanë qenë burim frymëzimi për protestat dhe demostratat dinjitoze gjatë viteve 1988-1989. Dhe mu për shkak të gjithë kësaj, pushteti serbosllav e ka vëzhguar vazhdimisht, e ka marrë në pyetje shumë herë, e ka bastisë, e ka larguar nga puna, me ligje diskriminuese ia ka marrë edhe banesën duke e lënë në rrugë bashkë me bashkudhëtaren e jetës, Sofijen (e l . Stepani nga Binça) dhe me katër fëmijët si engjuj (Drita, Dritoni, Merita dhe Meritoni), etj.
Në vendimin e Serbisë të dt.11.04.1989, nr. 06.233, për largimin e Isak Ahmetit nga funksionet shoqërore-politike, ndër të tjera, thuhet edhe kjo:
Prof. Isak AHMETI
“Isak Ahmeti mban përgjegjësi sepse në mënyrë të drejtpërdrejtë, publikisht dhe energjikisht iu ka kundërvënë politikës së Serbisë, organeve të Komunës, Krahinës, Republikës dhe LKJ-së në lidhje me gjendjen e rëndë në Kosovë… Në paraqitjet e tij publike, veçanërisht gjatë ndryshimeve kushtetuese, ai ka frymëzuar shqiptarët e Kosovës për demostrata masovike kundër Serbisë, ka penguar vënjen e masave të dhunshme në Vinex, ka marrë në mbrojtje dhe ka penguar shkarkimin e drejtorit të Vinexit, Ramadan Hasanin, etj.
Në vendimin në fjalë të Serbisë, Isak Ahmeti është cilësuar dhe vlerësuar edhe si ideolog dhe inspirator i demostratave të vitit 1988 – 1989 etj. Ndërkaq shtypi serb i Beogradit dhe gazeta ” Jedinstvo” e Prishtinës, e dt. 29 – 30 korrik 1989 fq. 5 shkruante: Isak Ahmeti iu ka kundërvënë publikisht vlerësimeve të Serbisë duke thënë se me vlerësimet dhe qëndrimet e tilla, Serbia po tenton ta shndërrojë Kosovën në Liban. Ndërkaq te “Novosti” i Beogradit, dt. 21 korrik 1990 shkruante kështu: “Programin e ALTERNATIVËS po e zbaton Refik Ahmeti, Kryetari i Komunës, në bashkëpunim me Isak Ahmetin, ish kryetar i Komunës së Vitisë, i cili është shkarkuar për shkak të veprimeve separatiste!
Shkrime të tilla e të ngjashme kundër Isak Ahmetit dhe kuadrove shqiptare kishte plot në shtypin serb të asaj kohe dhe më vonë…
Për të gjitha këto e të tjera, këto ditë shtatori (2020), për një edicion të veçantë, zhvilluam këtë intervistë të cilën po e japim në vijim.
Marjan S. Sopi: Për fillim, profesor, për të qenë më afër lexuesve, do të kishte qenë me interes të veçantë që ta jepni një prezantim të rrugës suaj jetësore dhe krijuese?
Isak AHMETI: Jam biri i Marisë dhe Gjergjit, i lindur në Stubëll të Epërme, Komuna e Vitisë. Shkollën fillore e kam kryer në vendlindje, në Viti dhe Zhegër bashkë me Ndue, Lush dhe Gjergj Gjergjin etj., emrat e të cilëve tashmë janë shumë të njohur jo vetëm për opinionin tonë. Pas studimeve klasike në Kolegjin prestigjioz të Jezuitëve në Dubrovnik, përkatësisht pas maturës në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan kam ndjekur studimet për filozofi dhe teologji në Split (Kroaci). Më pas jam lauruar, me sukses të shkëlqyeshën, në Fakultetin Filozofik, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës, duke marrë titullin: Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në ndërkohë kam realizuar edhe qëndrime specializuese në qendra të ndryshme të Europës.
Përveç si profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe i Gjuhës latine, për afro tri dekada, në Gjimnazin e Vitisë, jam marrë edhe me krijimtari letrare, që nga vitet e 70-ta (shek. i kaluar) e deri me sot dhe kam të botuara këto vepra :
- Gallatea, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1972,
- Uratë zbulimi, poezi, Ril. Prishtinë, 1976,
- Kushtimebesë, poezi, Ril.Prishtinë, 1983,
- Dritë e përjetësuar, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2019,
- Njeri i kohës sime, poezi të Salvatore Quasimidos, Ril. Prishtinë, 1979,
- Qumështi i zi i agimit, Lirikë e re gjermane, Ril. Prishtinë , 1988,
- Kleri Katolik Shqiptar dhe Letëesia, ShB “Drita” – Ferizaj – Bergamo (Italy), 1994,
- Kosova, monografi, cenzor Imzot Nikë Prela, Prishtinë, 1996,
- Bibla në Letërsinë Shqiptare, Ril. Prishtinë, 1999,
- Letërsia Kishtare dhe Filozofia e saj, Illyricum Sacrum, Prishtinë, 2000,
- Weise Zeit (Kohë e bardhë) , poezi e përzgjedhur gjermanisht – shqip, botoi “Shtjefën Gjeçovi”, Zym – Has, 2000,
- Kur’ani në Letërsinë Shqiptare, botim ekektronik, Shkoder. net Fjala e Lirë, 2006,
- Mëvetësi e studimit dhe krijimit të letërsisë, Qasje disa veprave të Anton Nikë Berishës, ShB “Faik Konica”, Prishtinë, 2014 dhe
14.Vepra vlerash të mëdha poetike,
Qasje disa veprave të Anton Nikë Berishës, Faik Konica, Prishtinë, 2018.
Përveç këtyre veprave, kam botuar gjithashtu nëpër revista letrare dhe shkencore si dhe nëpër portale (në Prishtinë, në Shkup, në Zagreb, në Sarajevë, në Shkodër, në Tiranë, në SHBA, etj. mbi 300 njësi bibliografike (artikuj, kritikë letrare, vështrime, reçensione dhe studime nga fusha e letërsisë, filozofisë dhe kulturës. Kam dhjetra vepra në dsh.
Si shkrimtar jam përfaqësuar në shumë publikime të rëndësishme.
Mehmetali Rexhepi për profilin njerëzor dhe etik të Isak Ahmetit
Në çfarë prizmi mund ta paraqesim profilin njerëzor dhe etik të Isak Ahmetit – pyet poeti dhe studiuesi Mehmetali Rexhepi dhe përgjigjet:
Ai është prore i këndshëm për të komunikuar , për të shkëmbyer pikëpamje me miq, studiues, dashamirë të kulturës e të librit, edhe me nivele të ndryshme njerëzish, pa imponuar qëndrime e pikëpamje… Ta ka ëndja t’i shkëmbesh pikëvështrimet për çështje të ndryshme, madje dhe atëherë kur lakoret e pikëpamjeve nuk bashkohen në një cak. Duke qenë njohës i filozofisë biblike, me lejohet të pohoj pa modesti se Profesor Isaku arrin të prek mendësi e kode të hershme kishtare, ku vegjetonin variante gjuhësore e kulturore të ilirishtes pararëndëse e shqipes. Mosha e tretë e ka bërë të veten, por Prof. Isaku nuk është luhatur në asnjë pikëpamje: as njerëzore, as shpirtërore, as atdhetare.
Marjan S. Sopi: Si shkrimtar jeni përfaqësuar në shumë publikime të rëndësishme. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Isak AHMETI: Si shkrimtar unë jam përfaqësuar në shumë publikime të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Kështu p.sh. jam përfaqësuar në:
- Kisa u jednoj legendi, Prosvet, Beograd, 1972,
- Regen in einer Legende, ( libri i parë i poezisë shqipe nga Kosova në gjuhën gjermane), të Rudolf Grulich-ut, Heiligenhof, D, 1976,
- Knjiga mladjih pesnika të Aleksander Petrovit (Nolit – Prosveta – Zavod za izdavanje udzbenika i nastavna sredstva, Beograd, 1978,
- Shkrimtarët e Kosovës, të Nebil Durakut, Prishtinë, 1984,
- Lule për Nënën, të Dr. Dom Lush Gjergjit, Drita – Ferizaj – KS, Zagreb, 1985,
- Madre Teresa, Emi, Piemme, Itali, 1987,
- Adresar jugoslovenskih pisaca, Novi Sad, 1986,
- Leksikoni i Shkrimtarëve Shqiptarë, 1501 – 1990, të Hasan Hasanit, Shkëndija, Prishtinë, 1990, 2003,
- Psherëtimë për tokën, të Hysen Kqikut, ShB “Kurora”, Gjilan, 2004,
- Portrete shkrimtarësh, të Demir Behlulit, Prishtinë, 2002,
- Letërsia shqipe për klasën e dytë të shkollave të mesme, të autorëve: Klara Kodra – Rita Filipi – Stefan Çapaliku, ShB Libri Shkollor, Prishtinë, 2012,
- Albumi i Shkrimtarëve Shqiptarë, të Sinan Gashit, Prishtinë, 2012,
- La Stella di Dardania irradia terra e cielo, të Engjëll Koliqit, Strigari, Itali, 2010,
- Bibliografi e kritikës letrare shqiptare ’44/74, të Isak Shemës dhe Ibrahim Rugovës, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976,
- Letërsia Shqiptare, autorë dhe vepra, të Ymer Çirakut dhe Maksim. Gjinajt, ShB e Librit Universitar, Tiranë, 2001,
- Fjalori Enciklopedik i Kosovës I – II, ASHAK, 2018.
Marjan S. Sopi: Në fushën e publicistikës, poezisë, studimore, eseistikës, të përkthimit etj. kontributi juaj është tejet i frytshëm dhe kualitativ. Cili është ai motivi kryesor që ju ka nxitur t’i qaseni këtyre fushave dhe të nxirrni vlera të mirëfillta, të cilat do t’u qëndrojnë kohërave?
Isak AHMETI: Vepra ime letrare në përgjithësi është motivuar kryesisht nga dashuria dhe pasioni për artin, për artin e mirëfilltë, për shkencën e mirëfilltë, jashtë kufizimeve ideologjike. Kam ecur dhe vazhdoj të eci kryesisht nëpër tri shtigje krijuese që janë:
- poezia,
- përkthimi, dhe
- shkenca.
Shpresoj, vlerat që i kam krijuar, duke ecur nëpër këto tri shtigje, për pesë dekada, do t’ u qëndrojnë kohërave.
Në lidhje me veprën time letrare, Prof. dr. Shyqri Galica ka shkruar se krijuesin e studiuesin Isak Ahmetin do ta kujtojnë lexuesit dhe poetët, do ta nderojnë përkthyesit e dashamirët e letërsisë së huaj dhe do ta kërkojnë e do ta studjojnë shkencëtarët. Duke pasur për model krijuesit më të mirë të letërsisë sonë dhe të asaj të botës, Isak Ahmeti ka artikuluar botën e tij krijuese nëpërmjet një forme ndryshe të ligjërimit, emocione krijuese, që e shquajnë atë si një poet në kërkim, por që ka formuar dhe individualitetin e tij.[1]
Veprës time kërkimore – shkencore i janë referuar jo vetëm studiuesit tanë por edhe studiuesit e huaj si: Robert Elsie, Marilyn Kott, Oliver Jens Schmitt, Markus W. E. Peters, Tobius Puiu etj.
Marjan S. Sopi: Ka shumë kohë (afro 50 vite), që ju merreni me krijimtari letrare, po ashtu edhe punë studimore etj. por edhe me studime në fusha të ndryshme. Cila është fusha juaj më e preferuar dhe cilat janë disa nga arritjet tuaja?
Isak AHMETI: Afro pesë dekada që merrem me krijimtari letrare, po ashtu edhe me punë studimore, kryesisht në fushën e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Fusha më e preferuar për mua ka qenë dhe mbetët letërsia shqiptare dhe rrugëtimi i saj në kontekst me Biblën, e pse jo edhe në kontekst me Kur’anin dhe kulturën islame (orientale). Në këtë drejtim, shpresoj, janë arritjet e mia kryesore, arritjet e mia më të mira dhe të veçanta. Dëshmia më e mirë për këtë janë librat e mi studimorë si:
– KLERI KATOLIK SHQIPTAR DHE LETËRSIA,
– KOSOVA,
– LETËRSIA KISHTARE DHE FILOZOFIA E SAJ,
– BIBLA NË LETËRSINË SHQIPTARE,
– VEPRA VLERASH TË MËDHA POETIKE, etj.
Marjan S. Sopi: Në vitet e 90-ta, përkatësisht në vitin 1994 keni botuar studimin monografik: KLERI KATOLIK SHQIPTAR DHE LETËRSIA, çfarë mund të na thoni për këtë libër si dhe për librin: BIBLA NË LETËRSINË SHQIPTARE?
Isak AHMETI: Në vitin 1994, në kuadër të botimeve “Drita” kur ishim nën embargo, në Bergamo të Italisë është botuar libri im: Kleri Katolik Shqiptar dhe Letërsia, pjesë të të cilit më parë, me pseudonimin Shpend Shpata, i kisha botuar te “Drita”- revistë fetare – kulturore, të cilën edhe e kam lekturuar me vite të tëra, sikundër edhe shumë libra të Dom Lush Gjergjit. Ky libër imi është një studim monografik, mjaft i thelluar (në Shqipëri është vlerësuar si një abetare dhe libër prijatar pas rënies së diktaturës), i shkruar me pasion dhe përkushtim të rrallë, me dije dhe qartësi (Sarë Gjergji), është libër, siç është vlerësuar edhe nga Isak Shema dhe të tjerë, me vlerë shkencore, rizbulim dhe rivlerësim i krijimtarisë letrare të shumë autorëve të traditës letrare. Kjo vepër, si libër prijatar (Ndue Dedaj), u ka shërbyer si pikë referimi shumë studiuesve shqiptarë dhe të huaj siç janë: Alfred Çapaliku, Zef Mirdita, Markus W. Peters, Robert Elsie, Simon Pepa, Sinan Gashi, Xhavit Aliçkaj, Nuhi Ismajli etj.
Edhe libri: Bibla në letërsinë shqiptare…është mirëpritur me një interesim të madh nga lexuesit, por edhe nga studiuesit tanë dhe të huaj. Për këtë libër, studim monpgrafik, kanë shkruar: Prend Buzhala,Vehbi Miftari, Tobius Puiu, Nuhi Ismajli, Lush Gjergji, Isak Shema, Fatmir Koliqi, Shyqri Galica etj.
Vehbi Miftari, duke u marrë me vlerat shumështresore të këtij libri, ndër të tjera, shkruan: është një studim, ndër të rrallët në gjuhën shqipe, i tërësishëm për një aspekt motivor, i cili ka përshkuar krijimtarinë letrare shqiptare prej filleve të saj deri më sot.
Ndërkaq shkrimtari dhe publucisti i njohur shqiptar, Fritz Radovani( L.1940), në komentin e tij me rastin e publikimit të intervistës sime dhënë shkrimtarit dhe gazetarit Mikel Gojanit , botuar te gazeta “DIELLI ” në SHBA, shkruan: ” Prof. Isak Ahmeti asht i pari shkrimtar guximtar që kam njoh prej Veprave të Tij të botueme para vitit 1990. Atëherë kur Ky ka shpalos”penën” si shpata …me thanë të vërtetën, “të tjerët” që sot mburren…vazhdonin me përgojue shkrimtarët ma të lavdishëm të Letërsisë Shqipe. E përshëndes me shumë respekt për të gjitha mendimet e Tija të çmueshme, të patjetërsueshme dhe shkencore…“.
Marjan S. Sopi: Keni botuar edhe studime tjera monografike, si “KOSOVA” (1996), “BIBLA NË LETËRSINË SHQIPTARE” (1999), “LETËRSIA KISHTARE DHE FILOZOFIA E SAJ” (2000), “KUR’ANI NË LETËRSINË SHQIPTARE” (2006).
Çfarë ngërthejnë në tematikën e tyre këta libra me interes për shkencën shqiptare?
Isak AHMETI: Këta katër libra që ju i përmendët, janë studime monografike, ku kam prekur ato fusha të artit, të letërsisë dhe kulturës sonë ku kishte mungesë studimesh të mirëfillta, aty kam trajtuar segmente të veçanta, madje tema fare të pahulmtuara dhe të pa studjuara në studimet tona historiko – letrare. Me këto katër vepra studimore, jo vetëm shpresoj por edhe besoj, të kem ofruar dhe hapur mundësi të reja në vlerësimin, rivlerësimin dhe interpretimin e letërsisë shqiptare, kufijtë e së cilës nuk i kemi te Gjon Buzuku, siç është thënë deri më tash, por te Shën Jeronimi që sivjet shënojmë 1600 – vjetorin, me temë bosht, në Akademinë Shkencore në kuadër të Takimeve të Dom Mikelit (26 shtator 2020).
Kam trajtuar raportet e Letërsisë Shqipe dhe shqiptare me letërsinë dhe kulturën perëndimore, marrëdhëniet e letërsisë shqipe dhe shqiptare me këtë letërsi, ndikimet, zhvillimet e letërsisë sonë në rrjedhat e kohës. Kështu këto vepra, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, paraqesin një kontribut të çmueshëm jo vetëm në studimet krahasimtare të letërsisë sonë. Me këto vepra, sipas vlerësimeve të përgjthshme të deritashme unë, jo rrallë, jam tej kufijve të studimeve tona të deritashme. Vlerat dhe cilësitë e shumta që ngërthejnë ato, gjuha e përzgjedhur, toni ngacmues, nxitës dhe polemizues e mbi të gjitha gjuha argumentuese (Nuhi Ismajli), janë disa nga veçoritë që i karakterizojnë këto vepra (Sarë Gjergji). Në vazhdën e këtyre veprave janë edhe dy veprat e mia studimore si:
- MËVETËSI E STUDIMIT DHE KRIJIMIT TË LETËRSISË (2014) dhe
2.VEPRA VLERASH TË MËDHA POETIKE (2018), qasje veprave të Anton Nikë Berishës, një figurë poliedrike në letrat shqipe.
Marjan S. Sopi: Ju lëroni edhe kritikën letrare. Cili është kontributi juaj në këtë fushëveprimtari të letërsisë shqipe?
Isak AHMETI: Jam marrë dhe vazhdoj të merrem edhe me kritikë letrare. Madje sa për informim të lexuesve e përsëris për herë të dytë, publilisht, se që nga vitet e ’70-ta (shek. i kaluar) pata bërë gati për botim librin me kritika letrare me titull:
SHËNIME LETRARE
të cilin (sipas propozimit tim ) e pat recensuar Dr.Ibrahim Rugova. Mendimi dhe vlerësimi i tij për këtë libër ishte pozitiv dhe pat propozuar botimin e tij. Mirëpo Redaksia e botimeve të Rilindjes, përkatësisht klani, në krye me Sabri Hamitin, ishte shkaktari kryesor që ky libër mos të shkonte në botim të Rilindjes. Klanet atëbotë ishin të forta, kishin ndikim vendimtar në politikën redaktuese dhe botuese. Ishin të frikësuar se unë po e merrja primatin, jo vetëm si përkthyesi më i njohur dhe më i afirmuar, n’ato vite, nga gjuha gjermane, italiane, spanjolle dhe latine, në Kosovë dhe më gjerë, por edhe në fushën e kritikës letrare dhe eseistike. Kritika ime letrare me shifrën “bomba” kishte zënë (fituar) çmimin e parë në konkursin letrar të “Zërit të rinisë” në qershor të vitit 1973. Këtë e kishte konfirmuar publikisht dhe zyrtarisht Redaksia e atëhershme e Zërit.
Dhe i gëzuar tej mase për këtë lajm, unë, para se të nisesha për Shqipëri (në mënyrë të organizuar) pata shkuar në Redaksi me kopjen e tretë me shifrën “bomba” për ta vërtetuar autorësinë time.[2] Dhe kur u ktheva nga Shqipëria marr lajmin se është shpallur gabimisht rezultati i konkurst dhe se nuk isha unë fitues i çmimit të parë por Sabri Hamiti (?), ky që tashmë njihet edhe si kompilator dhe plagjiator i klasit të parë, për çka flet dhe dëshmon më se miri libri studimor “Hamitologjia” i Sali Bytyqit. Lojëra të këtilla, të poshtra, të fëlliqura kundër meje, dhe jo vetëm kundër meje, ka pasur më bollëk edhe në ato vite, fatkeqësisht, por nuk kanë arritur të më ndalin dhe kam arritur, ndonëse me shumë sakrifica e përpjekje titanike, aty ku jam sot dhe ndjehem shumë i fortë, krenar dhe i lumtur edhe për faktin se unë, dhe jo Sabri Hamit, isha atëbotë i vetmi dhe i pari në Kosovë që njihja gjuhët e huaja. Madje unë isha i pari që atëbotë ia prezentova opinionit shqiptar në Jugosllavi poezinë bashkëkohore italiane, gjermane dhe spanjolle, unë shkrova dhe botova edhe artikullin famoz: PRIRJET E KRITIKËS LETRARE NË SHQIPËRI (14 prill 1984) që ishte si një bombë n ‘ato vite kur edhe në Kosovë, një numër i madh i autorëve kosovarë, ndër ta edhe Sabri Hamiti, jo vetëm që glorifikonin soc – realizmin por edhe shkruanin nën ndikimin e soc – realizmit shqiptar!…
Marjan S. Sopi: Ju merreni edhe me poezi , cila është bota e preokupimeve që frymëzon shpirtin tuaj poetik, ç’motive ngërthehen në vargun tuaj poetik? Vlerësimet e kritikës letrare për veprat tuaja poetike?
Isak AHMETI: Deri më tash, siç dihet tashmë, veç tjerash, kam botuar edhe katër libra me poezi:
- Gallatea (1972),
- Uratë zbulimi (1976),
- Kushtimebesë (1983) dhe
- Dritë e përjetësuar (2019).
Poezia ime, e përfshirë në këta katër libra, e për të cilën kanë shkruar, në mënyrë afirmative, shumë autorë si: Mensur Arifi, Ali Aliu, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Teki Dervishi, Emin Kabashi, Mazllum Saneja, Gjergj Gega, Rudolf Grulich, Sreten Perovic, Aleksander Petrov, Engjëll Sedaj, Ramadan Musliu, Andon Caci, Skënder Zogaj, Resul Shabani, Hyqmet B. Hasko, Mehmet Kraja, Ismet Rashiti, Mehmetali Rexhepi etj., ngërthen në vete motive dhe tema nga më të ndryshmet. Kjo nuk është vetëm shprehje e botës sime të brendshme, por edhe një formë e veçantë e komunikimit dhe e shprehjes artistike; nuk është vetëm shprehje e ndjenjave dhe mendimeve të një filizofie të caktusr për jetën, por, për më tepër, është nxitje dhe frymëzim për një art poetik modern dhe postmodern konform me tendencat më të reja të poezisë moderne italiane dhe gjermane, që përfaqësoheshin atëbotë nga Salvatore Quasimodo, Giuseppe Ungaretti, Umberto Saba, Paul Celani, Erich Fried, Helmut Heissenbütttel, Ingeborg Bachmann, Hans Magnus Enzensberger, Herman Jandl, etj.etj., të cilët edhe i kam përkthyer në shqip. Kështu poezia ime është një kulturë tjetër komunikimi në krahasim më atë që shkruhej n’ato vite në Kosovë dhe Shqipëri dhe së fundmi kërkesë për një jetë dhe poezi ndryshe, më të avancuar, për një botë (amë) në komunikim – bashkëjetesë në e me arealin kulturor të Evropës Perëndimore.[3]
Po theksoj këtu se tek libri im më i ri me poezi: DRITË E PËRJETËSUAR, siç është vlerësuar edhe nga kritika letrare (Anton Nikë Berisha, Mazllum Saneja, Lush Gjergji, Mehmetali Rexhepi etj.) kemi një mënyrë të veçantë shkrimi, ndryshe në krahasim me tre librat e parë poetikë; këtu kemi një sërë përbërësish shpirtëror, ekzistencial, etik, filozofik dhe estetik. Tek ky libër, i shkruar nën ndikimin e Biblës dhe të filozofisë shënagustiniane, për mua ka qenë primare dhe jetike depërtimi me thjeshësi në thellësitë filozofike – teologjike. Kam shprehur këtu, siç e ka vlerësuar poeti dhe studiuesi Mehmetali Rexhepi, përsiatje, variacione për dhe rreth lajtmotivit të Tej-hapësirës dhe të Tej-kohës, simbolin e të Gjithë-dijshmit, të Gjithë-mëshirshmit, burimin e jetës, të vërtetës, të ngazëllimit dhe të lumturisë.
Për më tepër, kur Isak Ahmeti shijonte modernën evropiane, të tjerët shijonin soc – realizmin (Mehmetali Rexhepi).
Marjan S. Sopi: Në rrugën tuaj jetësore , krahas punës si profesor shumëvjeçar në Gjimnazin e Vitisë, krahas krijimtarisë letrare shumë të pasur , zhanresh të ndryshme , ju keni kryer dhe ushtruar gjithashtu edhe detyra dhe funksione shoqëroro-politike të ndryshme , shumë të rëndësishme.
Çfarë mund të na thuani për këtë?
Isak AHMETI: Gjatë rrugës sime jetësore, përveç si profesor shumëvjeçar në Gjimnazin e Vitisë (ku isha edhe shef i ndërrimit dhe për dy mandate edhe kryetar i Pleqësisë së shkollës), krahas krijimtarisë, mjaft të pasur, letrare, unë kam kryer dhe ushtruar edhe shumë detyra dhe funksione shoqërore – politike, mjaft të rëndësishme, në Komunën e Vitisë në ç’drejim kam dhënë një kontribut mjaft të çmueshëm dhe të gjithanshëm.
Kam kryer dhe ushtruar, me shumë sukukses, këto detyrat dhe funksione të rëndësishme shoqërore – politike:
- Kryetar i Lidhjes të Sindikatave të Komunës së Vitisë,
- Drejtor i parë i shkollës së Stubllës (të cilën unë, pas shumë përpjekjeve dhe sakrificave, kam arritur edhe ta pavarësoj),
- Drejtor i (“dhunshëm”), i emruar nga Komuna, në Shkollën Fillore në Gjylekar për ta rregulluar gjendjen alarmante që ishte aty,
- Sekretar i KK ,
- Drejtor i Drejtoratit për Shërbime Shoqërore të Kuvendit të Komunës së Vitisë,
- Kryetar i Komunës së Vitisë1988-1989) dhe
- delegat i Kosovës në Kuvendin e Serbisë.
Në kohën kur unë isha në këto funksionene, të rëndësishme dhe me përgjegjësi, është ndërtuar Shkolla e re në Stubëll, është ndërtuar Fabrika”Letnica” në Letnicë dhe shtalla e dhive në Rekë, ku kanë qenë të punësuar rreth 400 veta, ( vetëm nga Stublla afro 300 veta ), është bërë asfaltimi i rrugës Rekë – Stubëll, me propozimin tim janë punësuar nëpër shkollat e Vitisë, si pedagogë, të gjithë pedagogët që ishin të diplomuar n’atë kohë, i është dhënë rëndësi e veçantë sidomos punësimit të barabart të të rinjve të disa fshatrave që ishin lënë pas dore si: Remniku, Stublla, Binça, etj. Kështu p.sh. me intervenimin tim nga Remniku ishin emruar e punësuar: Ramadan Avdiu si gjykatës e më pas edhe kryatar Gjyqi në Viti, Demush Mehmeti, si jurist, në “Vinex”, Hasan Aliu, si jurist, në administratën komunale, ndërsa nga Stublla: Drane Ramaj si gjykatëse në Gjyqin komunal, ndërkaq juristët e rinjë nga Stublla ishin radhitur nëpër OP (Kristë Ramaj në OP “Pylltaria”, Tadej Ramaj në OP “Gornja Morava”, Kolë Ramaj në OP “Agromorava”, Sebë Pera – Koliqi në OP “Letnica” në Letnicë, David L. Demaj, ing., i larguar nga Shkolla e Stubllës (drejtor ishte Gjon Ballabani), falë intervenimit tim është punësuar në OP “Vinex”, ndërsa nga Binça: Fran Marku, drejtor në Stacionarin e Veterinarisë në Viti, David Dodaj, ing. në OP “Vinex”, poashtu Sarë Dodaj, Shin Sopi, veterinar, poashtu nga Binça, në Stacionarin e Veterinarisë në Viti. Krejt këta janë radhitur nëpër vende pune dhe detyra me rëndësi falë intervenimit dhe angazhamit tim me qëllim të krijimit të një lloj barazie sociale. Falë angazhimit dhe intervenimit tim me qëllim të përmirësmit të strukturës nacionale, në sferën e punësimit, kanë qenë të radhitur nëpër funksione dhe detyra me rëndësi edhe kroatët si: Viktor Andrejeviqi, kryetar i LS në Kumunën e Vitisë dhe drejtor në OP “Letnica” në Letnicë, Stjepan Filiqi, sekretar i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Viti, Simon Viciq në Drejtoratin e MP në Viti, etj.
Marjan S. Sopi: Si keni arritur që, si profesor i Gjimnazit, të kaloni në strukturat komunale, fillimisht në funksionin e Kryetarit të Lidhjes të Sindikatave të Komunës së Vitisë e pastaj edhe në detyra dhe funksione shoqërore – politike të tjera të rëndësishme dhe me përgjegjësi?
Isak AHMETI: Gjatë kohës si profesor i Gjimnazit, si qytetar i Stubllës dhe BL të Letnicës kisha vërejtur shumë padrejtësi, nëpërkëmbje dhe pabarazi në shumë fusha të jetës në krahasim me shumë fshatra të tjera në Komunën e Vitisë. Isha shumë i brengosur për këtë dhe mendoja: ç’farë mund të bëj unë si intelektual (profesori i parë i kësaj BL)? Fillova t’i shkruaj letra anonime Kryesisë së Kosovës dhe Komitetit Krahinor të LK të Kosovës – kryetarit Mahmut Bakallit për lënjen pas dore, për pabarazinë dhe nëpërkëmbjen e komunitetit kroat dhe shqiptar (katolik) në BL të Letnicës në krahasim me fshatrat e tjera. Letrat që iu kisha dërguar organeve më të larta të Kosovës kishin alarmuar më se shumti Mahmut Bakallin, që ishte politikani shqiptar më i shkolluari i asaj kohe… Falë intervenimit të tij dhe të Selim Musliut – kryetar i Komunës së Vitisë, unë pata kaluar në strukturat komunale…
Marjan S. Sopi: Mahmut Bakalli në vitet e 80-ta kishte ardhur në Viti. Pse kishte ardhur në Viti dhe për çfarë kishte biseduar me strukturat e atëhershme komunale ?
Isak AHMETI: Sipas informacioneve që m’ i ka dhënë Shyqeri Ismajli (atëherë referent në LS të Komunës së Vitisë), njëherit edhe proçes – mbajtës i mbledhjes ku kryetari i LKK, Mahmut Bakalli, kishte shtruar si temë diskutimi, duke u bazuar në letrat e mia, gjendjen alarmante në BL të Letnicës. Pyetja kryesore kishte qenë: Pse askush nga komuniteti i BL të Letnicës nuk është i punësuar në administratën komunale dhe në strukturat komunale? Për çudi, sipas infortmatave të proçes – mbajtësit, përgjigja e kryetarit të atëhershëm të Lidhjes Socisliste (E.O. me shkollë të mesme – përgjegjës për politkën kadrovike në Komunë) kishte qenë kjo: s’ kemi njerëz të shkollua nga ajo BL, sepse krejt në kishë dhe për priftërinj!…
Aty ishte përmendur edhe emri im si kuadër potencial. Kurse njëri nga strukturat e komunës (E.O) kishte thënë: ai e ka kryer shkollën në Vatikan! Kishte ndërhyrë menjëher M. Bakall: jo në Vatikan por në Prishtinë, madje ai është i njohur si intelektual i rrallë në opinionin e gjerë, edhe në nivele të larta… Kemi shënime biogragike të sakta për të. Ai duhet të përfshihet në strukturat udhëheqëse të Komunës për shkak të aftësive dhe kualiteteve që ka… kishte rekomanduar me atë rast Mahmut Bakalli.
Marjan S. Sopi: Dhe pastaj?
Isak AHMETI: Dhe pastaj emrohëm unanimisht kryetar i Lidhjes të Sindikatave në Komunën e Vitisë, falë pikërisht intervenimit të drejtpërdrejt të Mahmut Bakallit tek strukturat udhëheqëse të Vitisë kur edhe fillon kariera ime në detyrat dhe funksionet shoqërore – politike të rëndësishme për të vazhduar deri në vitin 1989 kur, në bazë të një Vendimi të Serbisë të dt. 11.04.1989 , nr. O6. 233 largohem nga funksionet shoqërore – politike me arsyetimin se, citoj: “Isak Ahmeti mban përgjegjësi sepse në mënyrë të drejtpërdrejtë, publikisht dhe energjikisht iu ka kundërvënë organeve të Komunës, të Krahinës dhe Repulikës të Serbisë si dhe LKJ-së në lidhje me gjendjen e rëndë në Kosovë…“.
Marjan S. Sopi: Si karakterizohej periudha 1988 – 1989 në Komunën e Vitisë kur ishit kryetar?
Isak AHMETI: Gjatë perudhës 1988 -1989 isha kryetar i Komunës së Vitsë por edhe delegat i Kosovës në Kuvendin e Serbisë. Ishte kjo perudha më e vështirë, më sfiduese por edhe më e ndritshme në karierën time politike. Në njërën anë mbaheshin mitingjet serbe antishqiptare, jo vetëm në Komunën e Vitisë e ku kërkoheshin armë kundër shqiptarëve me parullat “dajte nam oruzje”(na jepni armët”, “ubijmo siptare ( t’i vrasim shqiptarët), dhe në anën tjetër organizoheshin anëmbanë Kosovës protestat e shqiptarëve, edhe në Komunën e Vitisë, që kishin për qëllim mbrojtjen e autonomisë në bazë të Kushtetutës të vitit 1974 por edhe avansimin juridik dhe politik të Kosovës në kuadër të Federatës jugosllave. Unë si kryetar i Komunës bashkë me qytetarët, në mënyrë të organizuar dhe publikisht, kemi dalë me kërkesa legjitime për një barazi të plotë juridike dhe politike të Kosovës me njësitë e tjera federale.
Edhe në parlamentin e Serbisë, gjatë këtyre viteve, unë pata kërkuar publikisht barazi të plotë me njësitë e tjera federale. Beogradi dhe politika serbe në përgjithësi bashkë me qarqet e njohura nacionaliste serbe, edhe në Komunën e Vitisë, gjatë këtyre viteve pat inskenuar disa ekcese të rënda më qëllim të diskreditimit të kuadrave shqiptare kinse përgjegjëse për ekceset si:
– Rasti i “dhunimit” të Natashës, motër medicinale në Tërpezë,
– Dëmtimi i varreve malazeze në Gërmovë – Prerja e kryqit në Stubëll etj. Për këto dhe të tjera, serbët nga mbarë Kosova kishin organizuar një miting para Shtëpisë së kukturës në Viti ku, sipas informatave zyrtare që kisha, ishin rreth 10.000 veta. Ata aty brohoritnin parulla nacionalste kundër shqiptarëve dhe kërkonin armë…
E vërteta për këto “ekcese” ishte kjo:
Në bazë të një ekipi të përbashkët, të ekspërtëve të kriminalistikës nga Kosova, Serbia, Kroacia, Sllovenia dhe Bosna, konstatohet se Natasha kishte trilluar, e nxitur nga qarqet nacionaliste serbe, për qëllime politike. Ndërsa varrezat në Gërmovë i kishte dëmtuar një serb nga Kabashi me emrin Millan, me qëllim përfitimi (ishte i vetmi n’ato kohë që ndreqte permendore), ndërsa kryqin, sipas informatave zyrtare, e kishte prerë një mësues serb me emrin S. K. që ishte në roje të shkollës në Stubëll , i shoqëruar, jo rastësisht, me një stubllan (shqiptar – katolik), që dihet me emër dhe mbiemër, më qëllim të krijimit të një konflikti ndërfetar midis qytetarëve të Stubllës dhe të Godenit.
Mirëpo, falë intervenimit tim të shpejtë dhe bisedës që pata zhvilluar urgjentisht me qytetarët e Stubllës, pata arritur ta evitoj konfliktin e mundshëm që do kishte pasoja tragjike jo vetëm atëherë por edhe sot e kësaj dite. Është me rëndësi të thuhet këtu se, në lidhje me prerjen e kryqit në Stubëll, kryetari i atëhershëm i KK të LK, Bozhidar Dajiqi, kishte nisur të organizonte një miting të përbashkët të serbëve (ortodoks) dhe të shqiptarëve (katolikë) në Stubëll duke thënë se “xhihadistët e kanë prerë kryqin!…”. Mirëpo unë, si kryetar i Komunës, në bazë të kompetencave që kisha, e pata ndaluar mbajtjen e një mitingu të tillë në Stubëll. Paramendojeni çfarë pasojash do të kishte Stublla po t’ ishte lejuar të mbahej një miting i tillë! Në fakt unë, si kryetar i Komunës, njëkohësisht edhe kryetar i Pleqësisë së Mbrojtes për Komunën e Vitisë, pata ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, në bazë të ligjit dhe kompetencave që kisha, për të mos ndodhur ndoj konflikt apo gjakderdhje e mundshme në Komunën e Vitisë. Kemi arritur të shpëtojmë, falë urtësisë dhe syçeltësisë, nga më e keqja n’ato kohë të vështira dhe shumë të rrezikshme jo vetëm për mua, por për qytetarët e Vitisë dhe më gjerë…
Marjan S. Sopi: Keni folë dhe shkruar për dy “identifikime” në lidhje me kauzën shqiptare të Kosovës.
Mund të na thuani diçka për këtë? Për çfarë është fjala?
Isak AHMETI: Viti 1988 ishte fillimi i fundit të Jugosllavisë dhe dalja e Dr. Ibrahim Rugovës në skenën politike të Kosovës. Në prill të vitit 1988, në Beograd, në një takim të LSHS, Dr. Ibrihim Rugova do të identifikohej publikisht si luftëtari më i zëshëm për mbrojtjen e kauzës shqiptare të Kosovës. Po n’atë kohë, jo rastësisht, unë do të identifikohëm publikish, në Kuvendin e Serbisë, si luftëtari më i zëshëm për mbrojtjen e kauzës shqiptare të Kosovës.
Fillojnë ngjarjet dramatike në Kosovë, më 17 nëntor 1988, nën presionin e Serbisë, shkarkohen liderët e Kosovës, Kaçusha Jashari dhe Azem Vllasi. Në vend të Kaçusha Jashatit vjen Rrahman Morina. Ky ishte hapi i parë drejt suprimimit të autonomisë. Pak më vonë, më 23 mars 1989 suprimohet autonomia. Të vetëdijshëm për planet finale të Serbisë dhe të Millosheviqit, minatorët e “Trepçës” ndërmarrin një marsh drejt Prishtinës. Këtij marshi në këmbë do t’i bashkangjiten nga të gjitha anët e Kosovës, edhe nga Komuna e Vitisë, në mënyrë të veçantë punëtorët e OP”VINEX”, në krye me drejtorin, që ishte ndër më të sukseshmit, Ramadan Hasani, që kishte përkrahjen time të parezervë si kryerar i Komunës.
Më 30 prill 1989, nën pressionin e Serbisë, duke mos pasur mundësi të bëjë asgjë në mbrojtje të Kosovës jep dorëheqje edhe Remzi Kolgeci nga posti i kryetarit të Kryesisë së Kosovës. Vazhdojnë shkarkimet, dorëheqjet etj. duke mos u pajtuar me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme kur pati shumë të burgosur, shumë të plagosur dhe të vrarë…
“DO JU SHKELIM ME TANKE” – ZHIKA RADOJLLEVIQ…
(Në zyren time, ditën kur kisha caktuar një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në OP”VIBEX”, që ishte në shenjestër të nacionalistvë serbë, nga Beogradi kishte ardhë n ‘ora 7 e 15 m, Zhika Radojlleviq , nënkryetar në Kuvendin e Serbisë, me kërkesë ultimative për ta shkarkuar drejtorin, Ramadan Hasanin, që ishte njëri nga kuadrot më të forta dhe më të suksesshme në Komunën e Vitisë. Në lidhje me këtë kërkesë të nënkryetatit të Kuvendit të Serbisë, pata një konflikt të ashpër verbal dhe krejt në fund ia hapa derën dhe e përzura nga zyra. Fjalët e fundit të tij ishin: Sa tenkovima cemo vas zgaziti (Do ju shkelim me tanke). Sa isha unë në funksionin e kryetarit nuk lejova shkarkimin e drejtorit të “Vinexit”. Më vonë ndodhën plot ngjarje të pritura dhe të papritura jo vetëm në Komunën e Vitisë. Ndodhi edhe shkarkimi i drejtorit dhe shumë masa drastike.
Marjan S. Sopi: Ju, profesor, si politikan n’ato kohë shumë të vështira, edhe në Kuvendin e Serbisë, jeni identifikuar si luftëtar i zëshëm për demokraci, për liri dhe barazi nacionale në Kosovë , të barabart me të gjitha njësitë federale në ish – Jugosllavi. Dhe mu për shkak të kësaj keni qenë i kërcënuar me vrasje. Këtë ma ka thënë edhe babai im. Çfarë mund të na thuani për këtë?
Isak AHMETI: Po, është e vërtetë se kam qenë i kërcënuar me vrasje mu në qendër të Beogradit. Diskutimi im në Kuvendin e Serbisë për të drejtat e barabarta të shqiptarëve me të tjerët, për demokraci, për liri dhe barazi kombëtare, me të gjitha njësitë federale në ish Jugosllavi, kishte nxitë dhe irituar nacionalistët serbë në Beograd dhe në Kosovë, për të më vrarë. Duke u kthyer nga mbledhja e Kuvendit të Serbisë për në hotelin ku isha i vendosur, mu në qendër të Beograradit, një grup sërbësh, prej katër vetash, më janë vërsulë me fjalët: Ty po të kërkojmë, do të vrasim (tebe trazimo, ubit çemo te)! Ka reaguar shumë shpejt Millan Babiqi që më shoqëronte (delegat nga Vojvodina në Kuvendin e Serbisë) dhe profesor në Universitetin e Novi Sadit. Falë këtij njeriu, unë kam shpëtuar nga më e keqja…
Gjatë qëndrimt tim dy ditor në mledhjen e Kuvendit të Serbisë, në Beograd, edhe në Komunën e Vitisë, nacionalistët serbë, veçanërisht punëtorët serbë në administratën komunale, kishin deklaruar publikisht: do ta vrasim posa të kthehet (ubit cemo ga cim se vrati!…)!… Zoti, urtësia ime dhe maturia, unë kam shpëtuar nga më e keqja, kam mbetur gjallë!…
Marjan S. Sopi: Keni publikuar një shkrim me titull: DY IDENTIFIKIME… Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë?
Isak AHMETI: Si e kam thënë diku dhe më heret, në prill të vitit 1988, në një takim të shkrimtarëve të Kosovës me ata të Serbisë, në Beograd, Dr. Ibrahim Rugova, si kryetar i SHSHK, ishte identifikuar publikisht si luftëtari më i zëshëm për mbrojtjen e kauzës shqiptare të Kosovës. Po në atë kohë dhe në ato ditë, edhe unë, jo rastësisht, jam identifikuar në Kuvendin e Serbisë, edhe njëherë, si luftëtari më i zëshëm në mbrojtjen e kauzës shqiptare të Kosovës. Koincidencë, jo e rastësishme, e këtyre dy identifikimeve, e Dr. I. Rugovës dhe imja. Këto paraqitje tona, njëra në LShS dhe tjetra në Kuvendin e Serbisë , në Beograd, për mbrojtjen e kauzës shqiptare të Kosovës, sot e kësaj dite mbahen mend dhe si të tilla kanë qenë burim frymëzimi për shumë aktivitete dhe ngjarje që janë zhvilluar më pas në Kosovë. Të gjitha mediat e atëhershme në Jugosllavi kësaj i patën dhënë shumë publicitet, shumë rëndësi, sidomos në Kosovë, Slloveni dhe Kroaci…
Marjan S. Sopi: Cilat kanë qenë reagimet (komentet) e lexuesve në lidhje me shkrimin tuaj: DY IDENTIFIKIME…?
Isak AHMETI: Më lejoni që këtu t’i paraqes vetëm disa nga reagimet (komentet) e shumta në lidhje me këtë:
- Prof. dr. Nebi Islami: Ti e ke pasur më vështirë, sepse Ibrahimi mbronte kauzën shqiptare para Shkrimtarëve dhe opinionit kryesisht intelektual. Ndërsa ti luftoje me ujqit, hijena dhe vrasësit. Unë kam qenë përkthyes simultan në atë mbledhje dhe i mbaj mend kërcënimet brenda në sallë por edhe jashtë sallës. Bile na kërcënuan edhe neve që përkthenim duke thënë se shqipja është gjuhë e trilluar nga çobanët prandaj edhe duhej ndaluar rrebtësisht. Duke përkujtuar atë kohë të rëndë dua të përshëndes e të përqafoj me mall duke ta pasur zili për guximin, ndershmërinë dhe martirizimin e atdhetarizmin e vërtetë e pa i llogaritur pasojat çfarë mund t’i kishe përkundër shumë delegatëve tjerë në KQ të LKS dhe KQ të LKJ-së të cilët i kam përcjellë me vemendje meqë isha në sallat ku mbaheshin mbledhjet dhe nuk kemi qenë krenarë me qëndrimin e tyre e bile me disa jemi turpëruar, sepse na e mveshnin epitetin e “shqiptarëve të ndershëm!”… Me këtë rast t’i uroj Krrshtlindjet tona dhe Vitin e Ri të Shën Silvestrit (Prof. Dr. Nebi Islami, prof. dhe dekan në Fak. e Arteve në Prishtinë – vër.ime).
2.Prof.Shefik Sadiku: Po profesori Isak , e mbaj mend paraqitjen tuaj në Kuvendin e Serbisë. Ka qenë shumë dinjitoze!…
3.Prof.Jakup Jahiri: I kam përcjellur me interesim të madh këto paraqitje, tuajën dhe të Rugovës, sepse ishte kohë shumë delikate dhe vendimtare për ndarjen definitive të rrugëve me serbët. Kjo ka bërë që të bashkëpunoj për herë me ju të dy. Ju lumtë.
4.Prof. Hasan Raif Hasani: Më kujtohet shumë mirë ajo paraqitje dhe reagimet në sallë…mendoj se kjo paraqitje ka qenë mburrje për ju dhe ne, por në të njëjtën kohë dhe rrezik për ju…
5.Isak Shabani (biznesmen): Njerëzit e formuar jetojnë dhe tregojnë veten në raste të tilla. Jam krenar me guximin tuaj!
6.Maxhun Osmani, shkrimtar: Mirë që na kujtove këtë, këto të dhëna atdhetare, ngase njeriu kurrë nuk mund t’i dijë të gjitha informacionet nëpër kohë me stuhi. Respekt për guximin tuaj intelektual – atdhetar mik Isak Ahmeti!
7.Prof. Enver Kadriu: Më vjen mirë që këtë paraqitjen tuaj në Beograd, në vitin 1988, po e vërtetojnë njerëzit që janë gjallë. Respekt për veprimtarinë tuaj Isak Ahmeti!
8.Drita Ahmeti – Kengji: Si sot më kujtohet ajo paraqitje e drejtëpërdrejtë të cilën e kam përcjellë me shumë vemendje. Kam mbetë pa tekst, jam shokuar. Kam filluar të rrënqethem e të dridhem nga frika duke menduar se nuk do ktheheshe më gjallë nga Beogradi…Ishin kohëra shumë delikate për një shprehje aq të guximshme në mbrojtje të kauzës shqiptare të Kosovës…
9.Prof. Musa Sadiku: Si sot më kujtohet diskutimi i juaj në Kuvendin e Serbisë dhe po të njëjtat fjalë ditën e nesërme kanë qenë të shkruara në të përditshmen Rilindja.
10.Mehmetali Rexhepi, shkrmtar dhe studiues i letërsisë: Gjithsesi Prof. Isak, mbahen mend qëndrimet dhe dobësitë e secilit përfaqësues shqiptar përballë urrejtjes së shfrenuar të shtetarëve serbë.
Një intelektual i kategorisë së Isak Ahmetit nuk mund t”i përkulej qëllimeve poshtruese serbe as klaneve përfituese të partive të sotme politike!…
Marjan S. Sopi: Takimet e Dom Mikelit në Stubëll. Çfarë mund të na thoni për ketë, meqë jeni, që nga fillimi, njëri nga anëtarët më aktiv, të KËSHILLIT ORGANIZATIV, në përgatitjen dhe organizimin për mbarëvajtjen e këtij manfestimi?
Isak AHMETI: Unë kam qenë, që nga fillimi, njëri nga anëtarët e përhershëm , më aktivë, në Këshillin Organizativ të këtyre Takimeve. Madje unë, pas një takimi këshillues me Imzot Nikë Prelën, me Dom Rrok Gjolleshajn, famullitar i atëhershëm i posa emruar dhe Dom Lush Gjergjin, vikar gjeneral, me veturë time, të tipit GOLF, kemi shkuar në Prishtinë (ishte dita e helmimeve në Prishtinë), në Institutin Albanologjik e mandej edhe në institucone të tjera, ku jemi konsultuar për programin e Takimeve. Më pas në mbledhjet e zgjeruara të KO kemi biseduar, gjerë e gjatë, për programin e Takimeve të para që i kemi mbajtë, me 22 Shtator 1990, nën okupimin serb të rrethuar me tanke nga policia dhe ushtria serbe.
Manifestimi kulturor, letrar dhe shkencor “TAKIMET E DOM MIKELIT”, që tashmë janë bërë tradicionale, ka mbledhë njerëz të shtresave dhe kategorive e profesioneve të ndryshme nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Austria, Sllovenia, Kroacia, SBA-të etj. Ky manifestim, multikulturor, i organizuar nën përkujdesjen e Këshillit Organizativ, ka qenë shprehje e dijes, moralit, e urtësisë, e kujtesës nacionale dhe e rezistencës kundër okupimit serbosllav. Përmes ORËS SË MADHE LETRARE dhe AKADEMISË SHKENCORE (TRIBUNËS SHKENCIRE), me kohë është shndërruar në një institucion organizues të mendësisë kosovare dhe shqiptare në përgjithësi. Pikërisht në këto Takime, në ORËN E MADHE LETRARE, të cilën e kam udhëhequr, jo rastësisht, unë, ndonëse të rrethuar me tanke, është promovuar solemnisht: KOSOVA REPUBLIKË!…
Përndryshe ORA E MADHE LETRARE është hapur me poezinë: SHKOLLËS SË PARË SHQIPE NË KOSOVË, të poetit Isak Ahmeti, e të cilën e ka recituar Zef Ahmeti.
Marjan S. Sopi: Çfarë e karakterizon veprimtarinë tuaj gjatë viteve 1990 – 1999 – 2011 kur edhe pensionoheni?Edhe pas pensionimit?
Isak AHMETI: Edhe gjatë këtyre viteve, përveç si profesor i Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”në Viti, jam marrë intezivisht edhe me shkrime. Kam botuar libra, qindra artikuj, vështrime dhe studime jo vetëm nga fusha e letërsisë. Kam botuar, ndër të tjera, me qëllim të senzibilizimit të kauzës shqiptare të Kosovës, edhe fejtonin shumë të rëndësishëm me titull KOSOVA… (në 19 vazhdime), te Bujku, te Rilndja e Zvicrës dhe tek ajo e Tiranës. Më pas është botuar edhe si libër dhe ka pasë jehonë goxha të madhe brendë dhe jashtë vendit. Ka qenë mjaft shpesh pikë referimi për studiuesit tanë dhe të huaj edhe për faktin se aty kam shkruar, përveç tjerash, edhe për okupimin serb të Kosovës, për përvetësimin e Kishave tona, iliro – shqiërare nga ana e Serbisë, për reagimin e Papës kundër perandorit serb, për Kosovën – kamp i përqëndrimit (në fund të shek. XX) në Evropë etj.
Krahas kësaj kam shkruar dhe dërguar shumë letra në adresë të personaliteteve dhe institucioneve të njohura, jo vetëm në Jugosllsvi, por edhe të Evropës duke i njohtuar për gjendjen e rëndë në Kosovë.
Përveç Shoqatës së Juristëve dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, Kryesisë së Jugosllavisë, Këshillit Ekzektiv të Federatës jugosllave, mjeteve të informimit (me 211 nënshkrime të intelektualëve nga Vitia ), Kryesisë së Jugosllavisë – STIPE MESIQIT, Kryetarit të atëhershëm të Jugosllavisë – JANEZ DERNOVSHEK-ut, letra iu kam dëguar edhe: Ramiz Alisë, ekscelencës së tij LORD CARINTONIT në Hagë, HANS VAN DEN BROEK-ut në Hagë, BUNDESTAG – ut gjerman etj.
Edhe në këtë përiudhë (1990 – 1999), preokupimi im kryesor ka qenë Kosova: çlirimi i saj nga çizma serbe.
Ndërkaq pas vitit 2011, kur edhe jam pensionuar, e deri më tash, shtator 2020, kam lëvizë dhe qëndruar, më gjatë se kurrë, nëpër vende të ndryshme të Evropës, kam lexuar shumë libra, kam shkruar dhe botuar, jo vetëm artikuj, vështrime dhe studime nga fusha e letërsisë dhe kulturës, por edhe libra të rëndësishëm që janë mirëpritur jo vetëm nga lexuesit por edhe nga kritika letrare dhe studiuesit. Kjo ka ndikuar që të ndjehem shumë mirë, i fortë dhe i relaksuar, përkundër moshës !…
Marjan S. Sopi: KOSOVA: Dje, sot dhe nesër?
Çfarë mund të na thuani për këtë ?
Isak AHMETI: PËR LIRINË E KOSOVËS është, jo rastësisht, nëntitulli i librit tim: KOSOVA (Prishtinë, 1996). Në këtë libër, me qëllim të senzibilizimit të kauzës shqiptare të Kosovës, veç tjerash, kam shkruar se Kosovës me dhunë e tankev iu suprimua autonomia, iu hoq statusi kushtetues në federatën jugosllave. Si përgjigje në këtë, Parlamenti i Kosovës, në korrik të vitit 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë dhe po në këtë vit nxori edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Pas kësaj u shtua edhe më shumë diskriminimi dhe represioni sistematik i regjimit serb ndaj shqiptarëve, vazhdoi gjenocidi në funksion të rrënimit total të subjektivitetit të Kosovës. Përkundër këtij represioni dhe në kushte të rënda, shqiptarët, në krye me Dr. I. Rugovën, të përcaktuar për rezistencë paqësore – politike, krijuan shoqërinë dhe strukturat e veta shtetërore, paralele, përmes mekanizmave demokratikë… Pa hyrë më thellë në këtë problematikë, po theksoj se, falë angazhimit dhe intervenimit të drejtpërdrejtë të personaliteteve të njohura kombëtare dhe ndërkombëtare (si p.sh. Gjon Pali II-të, Nënë Tereza, M. Ollbrajt, Bill Clinton, etj.), Luftës së shenjtë të UÇK-së dhe intervenimit të NATO-s, Kosova u çlirua nga çizma serbe…
Më 2008 Kosova, falë përkrahjes ndërkombëtare në krye me SHBA-të, u shpall shtet i pavarur dhe sovran. Mirëpo, përkundër shumë arritjeve që nuk mund të mohohen, Kosova nuk ka arritur të bëhet shtet ligjor dhe funksional, ka mbetë vendi më i varfër dhe më i izoluari në Evropë. Përgjegjëse për këtë është klasa politike e Kosovës… Prandaj kështu si po zhvillohen ngjarjet në Kosovë dhe rreth saj, mund të them se e ardhmja, e nesërmja, e Kosovës është e pasigurtë… Në kontekst me këtë le të përmendim edhe faktin më të ri, për mua shumë shqetësues: Shqiptarët që përbëjnë shumicën e Shtetit të Kosovës (95 %, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë (4 shtator 2020), u akceptuan, jo rastësisht, si “shumicë nuslimane”… E kryeministri i Kosovës në heshtje e pranoi këtë, fare nuk reagoi!
Kjo, mbajeni mend, i kushton dhe do t’i kushtojë shumë Shtetit të Kosovës, Popullit, edhe gjeneratave!…I ka kushtuar edhe Shqipërisë kur hyri në Konferencën Islamike!..
Shtrohet pyetja: Jemi ne me Oksidentin apo Orientin?…
Jemi apo jo shqiptarë?
Shqiptarët nuk duhet ta humbin rrugën!
Në Durrës,
Shtator 2020.
[1] “Tashmë vepra kërkimore – shkencore e poetit, përkthyesit dhe studiuesit Isak Ahmeti shfrytëzohet si literaturë e detyrueshme në Universitetin e Prishtinës dhe është futur në programet e letërsisë. Do të thotë , është një fakt që jo shumë krijues tanë kanë fatin ta kenë” (Prof. dr. Shyqri Galica: Tri shtigje krijuese: poezia, përkthimi, shkenca, botuar te “Epoka”, 24. Shtator 2011, fq.13).
[2] Isak Ahmeti është laureat i shumë mirënjohjeve, çmimeve, diplomave, veçmas, për t’u theksuar i Çmimit dhe Diplomës “Ndre Mjeda” në Kukël dhe i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë (Kukël 23 nëntor 2013), me motivacionin “Studiues i letërsisë shqipe, i dalluar për kërkimet shkencore rreth jetës dhe veprës së Mjedës”.
[3] Në vitet e 70-ta, Isak Ahmeti ka qenë njëri nga redaktorët elitarë të Revistës “Plejada” bashkë me Këshillin redaktues: Ibrahim Rugova, Eqrem Basha, Teki Dervishi, Rexhep Ismajli, Ibrahim Kadriu, Beqir Musliu dhe Ymer Shkreli, të njohur tashmë si krijues elitarë…