Nikoll N. Ulndreaj
SHTEPIA E OSHTIMAVE
poemë
1
A do ma tregosh rrugën
Rrugën që kam humbur një ditë motmoti
Kurë puhia e lotskamjes me shtynte
Një rrjedhje percëlluase të një rrudhe balli
Dridhshëm e tkurrshëm
Duke i kthyer shpinën njomështisë së pishës e ahut
Në oborr të bjeshkëve.
Ika. Ika korsise së ikjeve… padëshirë
Duke më gufuar në sytë
Barë i thamë
Në bukën e misrit në stomak
Që kurën e kurrës s’munda me shkul
As me shkelë
Pa më pëlcitë muret e shpirtit
As kur u bëra fëmijë i rritur.
Kur linda
e imja nanë më mbuloj me pelush rrezesh diellahanë
gëzueshëm.
Ajo ditë e djelë korriku e lindjes time
qe e gërryer nga brenda, zguar
nga sherret e ditëviteve të tërbuara
që verbonin.
Kambanat binin e zgjonin te varret
Edhe të vdekurit
e asaj ane
Ku strukeshin në skuta pa b’za edhe pleqtë, edhe plakat
Nën e mbi njëqind vjeçare
Edhe në terr, edhe në dritë
Pa u vezulluar një herë buzëqeshja.
U nisa mbas zanit të Drinit…
Një të hëne pa u bërë mesdita
Nuk kisha orë dore as xhepi, por e dija,
Ngase nuk kish rënë çanga
Fëmijëve të mitur me ua njomë gojët e thara
Me qumësht gjiri nanash….
Koha nuk më priste sa ta ngjis shpirtin
Te një puthje nane, apo përqafim babe
Se te shtjella e theqafjes të valëborës
I ra në mend Drinit se nuk mundë ta çonte kryet më tej
As dhe një shtjellë
Pa ndërruar petkat që i rrinin shtrënguar
E lodhnin edhe pse në dukje ishte më zengjin, më engjëllorë
Më shijues, më shëtitës, më i zbardhshim, më kingjues
Më pëshpëritës, më çudibërës, më kalorës
Që rrugës takoje asaj ane
Aso kohe
Kurë kisha krahë më fluturuar në katund
Në strajcë kisha petkat e Drinit
Krejt të kaltra
Qe i shkonin për shtat e ia qeshnin buzën…
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar