SHTËPIA E BARDHË SHËNON PËR TË DYTIN VIT DITËN KOMBËTARE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT

0
369

Ish-Presidenti Xhorxh W. Bush duke folur para Monumentit në Washington D.C., kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë.

Nga Frank Shkreli

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë mban datën e 7 Nëntorit, 2018, ditës që Shtëpia e Bardhë ka vendosur për të dytin vit, t’ia kushtojë viktimave të komunizmit në botë. “Në Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit, ne nderojmë kujtimin e më shumë se 100-milion vetave të vrarë dhe të përsekutuar nga regjimet totalitare komuniste”, në mbi 40-vende të ndryshme të botës. “Ne ritheksojmë mbështetjen tone të patundur ndaj atyre të cilët luftojnë për paëq, begati dhe liri, anë e mbanë botës”, thuhet në deklaratën e Shëpisë së Bardhë, të shpërndarë për medien me 7 Nëntor, data që shënon ditën e Revolucionit Bolshevik në Rusi.

Në deklaratën e Shëpisë së Bardhë nenvijohet se, “Ç’prej Revolucionit Bolshevik të vitit 1917 në Rusi, ne kemi qenë dëshmitarë të pasojave të anktheve të mëdha, shtypjeve dhe vdekjeve të shumta. Komunizmi ka përfunduar në eliminimin e lirisë së fesë, të pronës private dhe të lirisë së fjalës. Këto tmere kanë përfshirë vrasjet e qëllimshme të ukrainsave duke përdorur urinë si mjet eliminimi të tyre gjatë Holodomorit, përndjekjet e mëdha të rusëve gjatë Terrorit të Madh; zhdukjen e kamboxhianëve në fushat e eliminimit dhe vrasjen e qytetarëve të Berlinit ndërkohë që përpiqeshin të arratiseshin nga komunizmi gjermano-lindor për në liri në ish-Gjermaninë Perëndimore. Këto viktima dhe vuajtjet e tyre janë një dëshmi e gjallë e një fakti të pamohueshëm se komunizmi do të jetë përgjithmonë shkatërrimtar ndaj shpirtit të njeriut dhe ndaj begatisë ssë njerëzimit”, theksohet në deklaratën me rastin e Ditës Kombëtare të Viktimave të Komunizmit.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë përfundon duke u kujtuar amerikanëve se, “Sot ne kujtojmë të gjithë ata të cilëve u janë mohuar bekimet e mëdha të lirisë, nën regjimet shtypëse komuniste. Së bashku ne mbajmë zi duke kujtuar humbjet e mëdha që shumë prej tyre kanë pësuar nën komunizëm dhe njëkohësisht të angazhohemi rishtas për të vazhduar përpjekjet tona për avancimin e kauzës së lirisë dhe të mundësive për një jetë më të mirë, për të gjithë”, përfundon deklarata zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, me rastin e Ditës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, kushtuar viktimave të komunizmit në botë, më 7 nëntor, 2018.

Vendimi për të kujtuar artë nga 100-milion viktimat e komunizmit botëror në nivel kombëtar këtu në Shtetet e Bashkuara ishte marrë vitin që kaloi nga Shëpia e Bardhë e Presidentit Trump, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, më 1917. Në atë përvjetor vitin e kaluar, kisha shënuar se në Washington u organizuan ceremoni dhe konferenca akademike ku morën pjesë ekspertë dhe historianë nga e mbarë bota, për të kujtuar krimet e komunizmit anë e mbanë botës. http://telegraf.al/opinion/shtepia-e-bardhe-shpalli-diten-kombetare-te-viktimave-te-komunizmit/.

Ishte me atë rast që admnistrata e Presidentit Trump kishte vendosur që të caktonte datën e 7 nëntorit, të ditës së Revolucionit Bolshevik Rus, si një datë kujtese për miliona viktimat e komunizmit në botë – një revolucion Bolshevik ky, që sipas deklaratës së parë të Shtëpisë së Bardhë mbi këtë ditë pëkujtimore botuar vitin e e kaluar — shënoi fillimin e disa dekadave të errëta të komunizmit shtypës,një ideologjie politike, e papajtueshme me lirinë, begatinë dhe dinjitetin e jetës njerëzore”, thuhej në deklaratën e vitit të kaluar të Shtëpisë së Bardhë me të cilën u njoftua shpallja e 7 Nëntorit si Dita Kombëtare e Amerikës kuhstuar Viktimave të Komunizmit në botë.

“Gjatë shekullit të kaluar”, thuhet më tej në atë deklaratë “Regjimet totalitare komuniste anë e mbanë botës kanë vrarë më shumë se 100 milionë veta dhe kanë shfrytëzuar, dhunuar dhe shkaktuar dëme të papërshkrueshme për miliona të tjerë. Këto lëvizje, nën pretendimin se ishin lëvizje çlirimtare kombëtare, në të vërtetë, kanë shkelur, sistematikisht, të drejtat e njerëzve të pafajshëm, dhënë atyre nga Perëndia, siç janë liria e fesë, liria e asociimit dhe një numër lirishë të tjera bazë të njeriut që ne i konsiderojmë si të shenjta.”

Siç dihet, deri vitin që kaloi, Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur një ditë të tillë, kushtuar viktimave të komunizmit, ndoshta për arsyen logjike se në Amerikë nuk ka pasur viktima të komunizmit. Por u vendos data e 7 nëntorit, ditës së Revilucionit Bolshevik rus, për të kujtuar viktimat e komunizmit kudo në botë. Sivjet, Shtëpisë së Bardhë iu bashkangjit edhe shteti Virxhinia, ligjvensit e së cilës vendosën marsin që kaloi që në shtetin Virxhinia të shpallet gjithashtu 7 nëntori i këtij viti dhe për vitet në vijim, si dita e kujtimit të viktimave të komunizmit në botë. Ka giasë që edhe shtete të tjera të ndjekin shembullin e Virxhinias.

Me këtë rast dua të përsëris thirrjen time për të disatën herë se edhe Shqipëria e Kosova, si dy vende që kanë vuajtur më së shumti nga komunizmi, që udhëheqsit aktualë të tyre, të bëjnë diçka simbolike për të kujtuar viktimat e komunizmit – duke caktuar, të pakën një ditë në kalendarin vjetor, kushtuar viktimave të komunizmit – ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore. Ky duhet të jetë një obligim solemn mbarë kombëtar shqiptar, një angazhim serioz dhe i pa hile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në qoftë se kombi shqiptar dëshiron të shkojë përpara, krah për krah, me kombet që kanë vuajtur nga komunizmi dhe të shënojë një pajtim të vërtetë kombëtar.

Një vendim i tillë zyrtar për të kujtuar viktimat e komunizmit në trojet shqiptare – duke caktuar një ditë kushtuar kujtimit të tyre — kërkon kurajë morale, vendosmëri dhe vullnet serioz për të kujtuar ato viktima të pafajshme, të një regjimi ilegal dhe shtypës. Përcaktimi i një dite kushtuar viktimave të komunizmit në trojet shqiptare, do të lehtësonte gjithashtu edhe përballimin aq të nevojshëm të politikës dhe të shoqërisë shqiptare, me të kaluarën komuniste dhe do të ndihmonte edhe në zbardhjen e krimeve të komunizmit, kësaj ideologjie çnjerzore, të një regjimi të imponuar sllavo-aziatik mbi Kombin shqiptar.