Shtëpia e artistit… – Zef Jubani

0
3051
Shtëpia muze e Zef Jubanit

Nga Pjetër Logoreci

Gjatë shetitjes në qytetin verior të Shkodres, syrit të vizitorit nuk i shpëtojnë ndryshime të shumta në rrugët kryesore të qytetit (që tashti janë të gurta), po ashtu edhe në stilin e ngjyrën e fasadave të reja, të rikonstruktuara apo të përshtatura nga arkitektët, në mes tradicionales dhe modernes. Në rrugicat e ngushta që degëzojnë nga shetitorja në drejtim të periferisë, vazhdojnë, aty këtu, të qëndrojnë në këmbë mure të lartë, të mbuluar me shermashek apo lule vile, karakteristike për shtëpitë qytetare shkodrane. Dyer të vjetra e të mëdha prej druri, mbyllin oborre të mbushur me trëndafila e lule të shumëllojshme e shumëngjyrash, apo ndonji çardak karakteristik i cili “vuan” nga pesha e kohës, apo nga mungesa e banorëve, të cilët kanë emigruar.

Ndërsa pres kafen e mëngjezit, në një lokal pothuejse në pikën zero të qytetit, më kuriozon “misteri” i një shtëpie tradicionale, çatia e së cilës shihet pas murit të lartë me gurë zalli në krah të kafenesë. Kjo ndërtesë, e cila mban mbi kurriz peshën e dy shekujve, është foleja ku lindi dhe u rrit ylli i skenës teatrore, aktori shkodran Zef Jubani. Shtëpia edhe pse me vlera të mëdha etnografike, historike e arkitekturore, sot, nuk është një muze i hapur për të gjithë, por një banesë normale private, pjesë e inventarit të objekteve me vlerë dhe të mbrojtura të qytetit, qysh prej viteve 60-të.

Përballja me derën e madhe të oborrit dhe avullinë e lartë shekullore, deshmitare të shumë ndryshimeve historike në qytet, më zgjuan dëshirën që ta vizitoj këtë shtëpi, që të shkruaj diçka për të sjellë në kujtesën e bashkëqytetarëve këtë vlerë pothuajse të lënë në harresë. Edhe më përpara kam shkruar për disa shtëpi karakteristike të Shkodres, të cilat i kam njohur privatisht në periudha të ndryshme të jetës, si: shtëpinë e Pashko Vasës, shtëpinë e familjes Çeka, apo atë të Gurakuqit. Kësaj here, i shoqëruar nga të zotët e shtëpisë, nipat e aktorit Zef Jubani, Çini dhe Viktori (të cilët i falenderoj miqësisht), pata mundësinë të përjetoj momente të bukura e krenari për këto vlera që Shkodra ka trashëguar nëpërmes këtyre familjeve në zë.

Shtëpia Muze Zef Jubani

Shtëpia Muze Zef Jubani, që gjindet në rrugën kryesore të qytetit ose në rrugicën Ndoc Çoba, ka një histori afro 200 vjeçare dhe është ndërtuar për t’i shërbyer familjes shkodrane të Zef Mesit. Sipas familjarëve, tregëtari Mati Mesi (pasardhësi i Zefit), i cili vazhdoj traditën e familjes së tij, bënte tregëti me shumë vende në rajon. Ai ishte një burrë me kulturë përendimore pasi ishte i shkolluar në Venezia. Përveç se tregëtar, Matia njihej dhe si koleksionist i librave dhe fotografive me vlerë të cilat i blinte gjatë udhëtimeve të tija jashtë vendit. Ai zotëronte disa gjuhë dhe instrumenta muzikorë dhe ishte ndjekës e pjesëtar i ahengut dhe grupeve muzikore shkodrane, ku më vonë do të bënte pjesë dhe dhëndrri i tij Çin Jubani. Pas vdekjes në moshë të re (nga zemra) të Matisë, vajza e tij e vetme Roza, nëna e aktorit Zef Jubani, u martua me Çin Jubanin, që vinte nga një familje e mesme qytetare, i cili e trashëgoj shtëpinë në fjalë.

Që në pamje të parë kuptohet se për mirëmbajtjen e shtëpisë nuk është bërë shumë nga shteti. Vetëm pullazi i shtëpisë është rikonstruktuar nga ndërmarrja e Monumenteve të Kulturës në vitin 2005-së, por në pjesët e mbrendëshme edhe pse ka disa probleme, nuk është punuar. Kati i sipërm i ndërtesës ka 5 dhoma të cilat ndërlidhen njëra me tjetrën nëpermes një çardaku, i cili deri nga fillimi i shekullit të kaluar ishte i hapur, por për nevojat e familjes është mbyllur dhe përdorur si sallon. Sipas kujtimeve të piktorit të madh Simon Rrota në ditarin e tij, shkruhet se pas termetit të vitit 1905, u bë e domosdoshme riparimi i shtëpive. Shumë familje shkodrane duke parë nga ana praktike shfrytëzimin sa më të mirë të hapsirave të shtëpive (edhe si pasojë e rritjes së fëmijëve), mbyllen hapësirën e stërmadhe të çardakut, duke e ndarë atë në siperfaqe të banueshme e dhoma për familjarët.

Nga kujtimet e Simon Rrotes: “Rindërtimi vazhdonte gjithnji, por jo ma me atë stilin e vjetër, e nevoja e madhe për ambiente bani me transformue shtëpitë, tue mbylle çardaqe të kotme, tue hjekë musandra e trapazana (Musandra: rafta të mdhej në qoshe të dhomës për me vendose dyshekë, jorgana, shilte, jastëke etj., gjana për fjetje. Trapazan: lloj mensolete druri e gdhendun, qi zente pjesën e sipërme të nji faqe muri, përmbi musander, për me vendosë rraqe të ndryshme qi ka shpija, faqja e përparme e mbyllun me drrasë bojë të mbylltë të gdhendun), qi nuk nepshin kurrfarë dobije.“

Në një pikturë të varur në sallonin e shtëpisë me autor vëllaun e aktorit, Mati Jubanin, vërehet pamja e plotë dhe origjinale e ndërtesës, ashtu siç ishte ndërtuar në fillim, ku për t’u ngjitur në katin e sipërm shërbente një shkallë me gurë të latuar me harqe e qemerë.

Kati përdhes është ndërtuar për të shërbyer si bodrum ose ahur dhe komunikon me pjesën e banuar me një shkallë të mbrendëshme. Ahuri është i ndarë në disa pjesë, për t’i mundësuar familjarëve vendosjen e objekteve të përdorimit shtëpiak, ushqimeve, pijeve, e sendeve të tjera. Në mes mureve të lartë, gjëlbëron një oborr i mbushur me lule dhe pemë, ku dikur nuk mungoni dhe objekte të tjera si: kulla e sanës, jerevija, pusi apo lugu për larjet e rrobave.

Pesë dhomat (odat) e shtëpisë janë: oda e zjermit, oda e bukës e tri oda gjumit, të gjitha të stolisura me punime druri (lisit apo qershije) të gdhendur. Nga druri i gdhendur janë: raftet e murit (musandrat), kapaket e dritareve, pjesët e sipërme të murit (sergjijat) dhe tavanet ku varen ndriçues plot elegancë, të një cilësie të lartë, të prodhuar në perëndim. Dy nga odat janë paisur me oxhakë të bardhë tradicionalë, të punuar me mjeshtri në gips. Po ashtu nuk mungojnë objekte të tjera karakteristike si djepi në dru të gdhendur e ngjyrosur me motive të ndryshme, ku u rriten të gjithë fëmijët e familjes, por edhe arka e pajës prej drurit me motive të pikturuara.

Nga kujtimet e Simon Rrotes: “Dishmohet që punëtorët që ndërtuen këto shtëpi ishin muratorë ose mjeshtra dibranë të cilët ishin shumë të njohur. …Këto ustallarë ishin të veshun me dollama (veshje kombëtare, në formë pantallonash të gjana deri pak nën gju), me fesa tanuz në krye (fesa të kuq ngjyrë të mbylltë, jo të naltë, me nji tufë ngjyre blu të mbylltë, qi ishte e kapun në majën e nji kordoni jo të trashë në të njajtën bojë si tufa), këpucë të kuqe. Karakteristika më e madhja e tyne ishte qeseri qi e mbajshin në brez. Ata ndërtojshin shtëpijat krejtësisht, pa inxhinier, ashtu në stilin e tyne (si i shohim edhe sot). Mjaftonte qi i zoti i shtëpisë t’u diftonte dishirin dhe sasinë e odave, për me pasë nji shtëpi të ndërtueme. Ndër ustallarët që më bien ndër mend mue janë kenë të famshëm, ustah Jashari, ustah Muharremi, ustah Isaku, të cilët ishin teknikë të mirë në ndërtim muresh edhe me latue gurët me mjeshtri të madhe. Ndër katolike janë kenë vetëm Zef Marndreu, Pjeter Gjura, Lazer Sekuj, Mark Dibrani.

Duket se të parët tonë i kanë dhanë randësi të madhe dyerve të oborrit tue shpenzue shumë për punimin e gurëve (të latuem) e të harqeve të bukur, qi sot napin karakteristikën ma të madhe kur i shohim rrugës. Gjithashtu dyert i kanë ba të gjana sa me hi qerrja për çdo nevojë qi ishte p.sh. me shti arkën e nuses, dru zjerrmi, bastan, rrushin prej vneshtet etj.

…nji kujtim i mirë që ka mbetë ndër shtëpiat shkodrane janë punimet me daltë, të bame prej dibranëve tonë sidomos prej mjeshtrit qi ia mbaj mend emnin: Dan Çeliketa, i cili ka punue shtëpinë të Sahati i Inglizit, të Lord Pagjot-it. Këto punime gdhendje në dru paraqiten shumë të bukura dhe ekzakte në pikëpamje të vizatimit si dhe simetrike si në tavane, trapazana, rafta, dyer. Kto lloj punimesh gjinden ndër shumë shpia të vjetra të Shkodres, megjithëse stili i tyne perkon i gjithi me stilin Arab, Persian, Turk Oriental, me nji fjalë nji Bizantinizëm i plotë, qi me kohë vendi jonë i bani për vedi, i edukuem në atë mënyrë mbasi kishin kontakte të ngushta me popuj në kohnat e Turkisë.

Familja Jubani, e cila gëzonte reputacion të mirë dhe kulturë e shkollim përendimor, bëri ndryshime cilësore duke futur elementë dhe objekte moderne në hapsirat e banesës së tyre. Vëndosja e dyerve, dritareve, orendive cilësore e të kushtueshme të firmave të njohura europiane, i dha shtëpisë pamjen e një epoke e kulture tjetër, ndryshe nga stili oriental i banesës dhe ambienteve për rreth shtëpisë. Familja pat kontakte dhe miqësi me përsonalitete të vyer. Pjestarët e familjes kujtojnë që shpesh ndër odat e mëdha të shtëpisë, ku mblidheshin miq e të njohur, shfaqej film, ndigjohej muzikë e diskutohej për të rejat kulturore të kohës.

Edhe mjeshtri Simon Rrota në kujtimet e tija, shkruan për ndryshimet, modernizimin e ambienteve të mbrendëshme të shtepijave karakteristike të Shkodres.

…disa prej familjeve pasanike, tue kenë se shkojshin në Venedik (Venezia), mundoheshin me stilizue jetën me ndoj send tjetër qi shifshin atje si p.sh. ndonji pasqyrë të madhe me korniqe stilit barok etj. …Por ma vonë, të rijtë qi delshin jashtë për studime e panë vedin se sa mbrapa ishim prej popujve tjerë, athere filluen me ba martesa “alla franca”, me stolisë odat me mobilje, me ndërtue shpija moderne, tue lanë menjanë musandrat e trapazanat e tue marrë nji drejtim tjetër e ma të përparuem, simbas kohnave qi jetojmë sot.

Një vlerë tjetër e shtëpisë muze Jubani është se në këtë shtëpi lindi me 2 dhjetor 1910 Artisti i Popullit, aktori Zef Jubani, i njohur si Harpagoni shqiptar. Zefi ishte fëmija i katërt i Çinit dhe Rozës Jubani. I rritur në një ambient familjar ku muzika, letërsia e arti ishin pjesë e jetës, Zefi u bë një nga korifejtë e skenës teatrore shqiptare, duke arritur kulmin me realizimin e roleve më të vështirë nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në një nga odat e shtëpisë muze ruhen shumë objekte me vlerë muzeale që përfaqësojnë aktivitetin në skenë të këtij personaliteti, trofe të ndryshëm, dekorata, fotografi historike e artistike, dëshmi e tituj nderi. Por, ndër objektet e veçanta, që i perkasin jetës së tij artistike është paruka që ai mbajti kur luajti në mënyrë brilante, në teatrin e Shkodres, rolin e Harpagonit si dhe titulli ARTIST I POPULLIT, i shoqëruar me medaljen perkatëse. Në qëndër të dhomës, në mes të ralikeve të familjes, më tërheq vemendjen një bust i aktorit, i punuar me mjeshtri nga artisti shkodran Kolec Ljarja. Për ato që e kanë njohur Zef Jubanin, ngashmëria është e përkryer. Ndërsa, mbi dyshemenë e vjetër, përballë Zefit – Bust, bri oxhakut karakteristik oriental, i ruajtur në mëndyrën më të mirë të mundëshme, ndodhet djepi-shtrat ku u rritën pjestarët e familjes së Çinit, ndër to edhe Zefi.

Në muret e odës varen perlat e fisit, foto të vjetra, që janë historia e familjes e që duhet të jenë nga fillimet e fotografisë Marubi. Më e hershmja është ajo Zef Mesit me grue, më pas Matia i biri i Zefit me grue Ninen (viti 1878) dhe me familjen e tij e ndjekur nga fotoja familjare e Çin Jubanit me Rozen e fëmijet (ndër to edhe aktori Zef Jubani). Natyrshëm, po e mbyll këtë shkrim, duke pasë bindjen e krenarinë, që në Shkoder qytetaria jeton, në shumë familje, të cilat janë dhe mbesin elitare, për kulturën e traditat familjare që trashëgojnë.

Vjenë, me 18.09.2017