SHTATË VËLLIME QË NRIÇOJNË THELLËSISHT FIGURËN E NËNËS TEREZE

0
633
Anton Nikë Berisha - Nëna Tereze në shtatë shpalime

Nexhat Rexha

Anton Nikë Berisha, Nëna Tereze në shtatë shpalime – në shtatë vëllime. Botuan “Faik Konica” e Prishtinës dhe Kuvendi Françeskan i Gjakovë 2019

Misioni i përkushtimit dhe i flijimit në jetë bart në vete synimin dhe vullnetin për ta mundur të keqen e për të dhënë nga vetja çdo gjë për dashurinë ndaj njeriut të varfër, të lënë anash, të braktisur e të harruar nga shoqëria. Kush arrin të kontribuojë në këtë mision dëshmon madhështinë e vet dhe të qenies së njeriut në përgjithësi.

Në këtë rrjedhë duhet parë dhe veprat për Nënën Tereze të hartuara nga Anton Nikë Berisha, në të cilat autori ka vështruar dhe ndriçuar një varg dukurish të jetës, të shpirtit e të flijimit të saj si misionare e dashurisë.

Në këto shtatë shpalime, Nëna Tereze, si simbol i triumfit të jetës dhe dashurisë për tjetrin, është parë nga këndvështrime dhe aspekte të ndryshme, që janë fryt i një pune të gjatë e të bërë me përkushtim.

Brenda hulumtimit dhe shpalimit të botës së Nënës Tereze e të flijimit të saj për njeriun, sidomos për atë më të vafrin e të varfërve, në këto vepra specifikohet ideja e konkretizimit të natyrshëm të veprimit të saj për t’i ndihmuar dhe për t’ia lehtësuar vuajtjet e tjetrit që ia sjell jeta dhe për ta dashur tjetrin dhe për t’u flijuar për të.

Në shtatë librat për Nënën Tereze autori ka vështruar një lëndë shumë të gjerë, ku veprimtaria e saj është parë në disa rrafshe e aspekte, gjë që ka mundësuar njohjen më të thellë të botës e të shpirtit të saj.

Figura e Nënës Tereze është trajtuar nga dy rrafshe kryesore: në atë letrar, përmes dy romaneve dhe dy përmbledhjeve me përsiatje poetike, dhe me studime monografike, si janë katër vëllimet e tjera (III-VII).

Në këto vepra për Nënën Tereze autori është mbështetur në një literaturë të gjerë, sidomos në tekstet e saj, qofshin ato lutje, letra, tekste ligjëratash ose vlerësime e mendime të autorëve dhe njohësve të jetës së kësaj bije shqiptare, e cila edhe për të gjallë nga bashkëpunëtorët e saj dhe ata që e kanë njohur për së afërmin, është quajtur shenjtëreshë e gjallë.

Në këtë prizëm, fjala e gdhendur me dashuri për t`i ofruar lexuesit shqiptar dhe atij të huaj (meqenëse disa vepra të Berishës janë përkthyer edhe në italisht), botën e pasur shpirtërore si vlerë gjithënjerëzore, i ka ndihmuar shumë autorit ta ndriçojë figurën e Nënës Tereze.

Me përvojën dhe njohjen e thellë të artit të fjalës, fjalës së bukur artistike, Anton Nikë Berisha (nëpërmjet romaneve “Nëna e dritës”, “Ëndrra e jetës” dhe përsiatjeve poetike “Ujëvarë drite në zemër” dhe “Sytë e heshtjes” e vëzhgoi jetën e Nënës Tereze dhe dëshmoi dashurinë e saj të madhe për tjetrin, sidomos për skamnorët dhe ata që nuk mbroheshin nga askush.

Këtë humanizëm dhe dashuri Nëna Tereze e dëshmoi që nga mosha e re, si Gonxhe Bojaxhiu, kur ajo jetoi në qytetin e Shkupit, në vendlindjen e saj.

Në tri vëllimet e para botën e Nënës Tereze autori e vështron përmes artit te fjalës: romaneve dhe përsiatjeve poetike, gjë që i ka mundësuar të shpalosë virtytet dhe cilësitë shpirtërore më të thella të saj. Në katër vëllimet e tjera, përmes studimeve monografike bota e Nënës Tereze ndriçohet përmes analizimit dhe interpretimit të teksteve të saj, të letrave e sidomos të Testamentit shpirtëror. Duhet thënë se lutjet e Nënës Tereze për popullin tonë dhe për lirinë që i mungoi atij për shumë kohë, vetvetiu trokasin në ndërgjegjen e njeriut, cilido qoftë ai.

Përmes këtyre veprave Nëna Tereze rrezaton universin e thellë, që ndërlidh botën njerëzore nëpër kohë e vende ku ajo ka prekur me zemrën e dorën e saj, me lutjet dhe me flijimin e saj në Kalkutë, në qytete të tjera të Indisë dhe në shumë vende të tjera të botës.

Portretizimi i saj në veprat poetike të Anton Nikë Berishës ndërlidhet me funksionin dhe ndikimin e fjalës artistike që gjakon të bukurën dhe të madhërishmen dhe ndikimin estetik në lexuesin.

Po përmend faktin se në vëllimin e shtatë autori merr në vështrim Testamenti shpirtëror të Nënës Tereze dhe dukurinë e errësirës shpirtërore, që ajo e përjetoi nga viti l937, dukuri që u ndodhi dhe shenjtërve të tjerë.

Thënë përmbledhtas, shtatë shpalimet ose shtatë vëllimet për Nënën Tereze të Anton Nikë Berishës, jo vetëm dëshmojnë besimin e saj të thellë në Zotin dhe domosdonë e flijimit të njeriut për tjetrin, sidomos për të varfrit e më të varfërve, po ato njëherit janë dhe një lapidar që do të qëndrojë sot e nesër për arsye se e ndriçon figurën dhe shpirtin e Nënën Tereze në mënyrë të mirëfilltë, duke u mbështetur në mendimet e saj dhe në veprimin konkret: duke i flijuar për të varfrit e më të varfërve të viseve të ndryshme të botës.

Dhënia e çmimit Nobel për paqe (1979) dhe shenjtërimi i saj zyrtar nga Vatikani (e shpalli të shenjtë Papa Françesku më 4 shtator 2016 në Katedralen e Shën Pjetrit në Romë) janë dëshmi kuptimplote për rëndësinë e Nënës Tereze për mbarë njerëzimin, në veçanti për popullin tonë, bijë e së cilës ishte.

Shtatë veprat artistike – imagjinative dhe ato studimore të Anton Nikë Berishës për Nënën Tereze meritojnë një shtrirje dhe njohje dhe në shumë gjuhë të tjera, për arsye se ato ngërthejnë vlera të mëdha, që mund të përafrohen denjësisht me të arritura në përmasat evropiane.

Shkup, gusht 2019