Shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjtë

0
1723

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri ˗ Shkodër

Jemi në prag të Rrëshajëve që është edhe fundi dhe kulmi i këtij itinerari kaq entuziazmues siç është Koha e Pashkës. Për Kishën është ripërtëritja e një Dhurate, madje e Dhuratës mbi të gjitha dhuratat: Shpirti Shenjt. Në fakt, kur Jezusi i Ringjallur u shfaqet nxënësve, më së pari u thotë: “Paqja me ju!” (Gjn. 20, 19). Ungjilltari thekson se Jezusi, prapë, në të njëjtën ditë u thotë: “Paqja me ju!”. (Gjn. 20, 21).

Jezusi ka ardhur për të na sjellë atë Paqe të Shenjtë që është brenda Trinisë Shenjte. Me këtë urim, Ai përgatit zemrat e nxënësve, por edhe zemrat tona, që të pranojmë Dhuratën e Shpirtit Shenjt. Jezusi, pasi iu uron Paqen, u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt!”. (Gjn. 20, 22). Kjo është E Kremtja e Rrëshajëve, pra: ripërtëritja e zbrazjes së Shpirtit Shenjt mbi ne, mbi Kishën.

Me këtë rast e ndieja në zemër të propozoj këtë temë: Shtatë Dhuratat e Shpirtit Shenjt. Vetë Shpirti Shenjt është Dhurata e dhuratave, por kur Ai vjen, vjen si Dhuratë por edhe shpërndan dhurata.

Çdo dhuratë e mirë na vjen prej Perëndisë, – thotë shën Pali. Shpirti Shenjt, në fakt, ka zbrazur dhe vazhdon të zbrazë një larmi të pafund dhuratash, sipas nevojave të njerëzve në një kohë dhe në një vend të caktuar.

Edhe në këtë kohë, Shpirti i Hyjit, po zbraz një larmi të pafund dhuratash e kështu, nga dita në ditë, Kisha gjallërohet. Edhe vetë Vëllazëria Jeruzalemi i Ri është njëra prej këtyre dhuratave të bukura që Fryma e Zotit ka dashur ta bëjë në këto kohë të fundit për bijtë e vet. Aleluja! Është koha e Ringjalljes së Kishës së Krishtit, lexues i dashur, është koha e jetës, është koha e dëshmisë.

Mes të gjitha dhuratave, që Fryma e Perëndisë shpërndan për formimin dhe rritjen e individëve dhe të bashkësive, spikasin shtatë. Këto shtatë dhurata të Shpirtit Shenjt, përmenden edhe në librin e Isaisë profet, ndërsa flet për “një pinjoll që do të dalë nga trungu i Jeseut”:

“Në të do të pushojë shpirti i Zotit,
shpirti i urtisë e i dijes,
shpirti i këshillave dhe i forcës,
shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit”. (Is. 11, 2).

Tani, në vijim, po përshkruajmë me pak fjalë secilën prej këtyre dhuratave. Natyrisht, është një shpjegim që mund të zgjerohet akoma më shumë.

Shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt, janë:

1. Urtia
2. Kuptimi
3. Këshilla
4. Forca
5. Dija
6. Përshpirtëria
7. Druajtja e Hyjit

– Urtia, e ndihmon besimtarin të shohë me sytë e Hyjit. Prandaj, i urti, i do të gjithë, të mirë e të këqij.
– Kuptimi, është ajo dritë e mbinatyrshme, që ndriçon sytë e shpirtit të besimtarit.
– Këshilla, përballë zgjedhjeve të vogla apo të mëdha, na bën të zgjedhim sipas vullnetit të Hyjit.

– Forca, është shprehje e një besimi të pjekur. I fortë është ai që di t’i thotë “jo” të keqes e të mos bëjë asnjë kompromis me të. Shembullin më të lartë të forcës e dha shërbëtori i Jahveut, Jezu Krishti, i cili, edhe pse i pafajshëm, pranoi të vdiste për mëkatet tona. Me vdekjen e Tij Ai gozhdoi në drurin e Kryqit çdo mallkim që ishte sot për ne, duke e kthyer në bekim. Edhe martirët, ata që dhanë jetën në Emër të Jezusit, janë një dëshmi fisnike e forcës shpirtërore.

– Dija, na ndihmon të vlerësojmë vetveten, krijesat dhe Krijuesin sipas vlerave të tyre përkatëse.
– Përshpirtëria, na ndihmon të jemi të vëmendshëm ndaj Dashurisë së Hyjit dhe t’i përgjigjemi asaj me jetën tonë.
– Druajtja e Hyjit (tradicionalisht është quajtur “frika e Hyjit”), është dhurata e luftës kundër mëkatit. Ne angazhohemi të mos biem në mëkat dhe ta luftojmë mëkatin, jo pse kemi frikë Perëndinë, por sepse nuk duam t’i japim pakënaqësi.

Në përfundim, dëshiroj për secilin prej jush, për bashkësitë të cilave ju përkisni, për familjet tuaja, për famullitë, që të rriteni në dijen e Shpirtit Shenjt, duke shkuar nga lavdia në lavdi, nga drita në dritë, nga shenjtëria në shenjtëri. Urimi më i mirë që mund t’ju bëj me këtë rast është që t’i hapni zemrat tuaja, që të merrni një rreze drite prej së larti, e të mos bëni asnjë rezistencë për ta pranuar Dhuratën e Shpirtit Shenjt në jetët tuaja! Ju kujtoj, shumë të dashur vëllezër e motra se vetëm me Shpirtin Shenjt e në Shpirtin Shenjt ka rritje, sukses, realizim, plotësi. Zoti ju bekoftë dhe bëftë që të njiheni me këtë Mik të njerëzimit, të cilin dikush e ka quajtur “i panjohuri i madh”!