Shqipëria e Bashkuar, 19 gusht 2016
Shqiptarët e Amerikës janë bërë bashkë me një kërkesë për politikanët e Kosovës
13 shoqata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u janë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të mos votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, shkruan lajmi.net.
“Komuniteti Shqiptaro Amerikan me shqetësim të madh përcjellë situatën e fundit të krijuar lidhur me kufirin Kosovë-Mali i Zi, pikërisht rreth ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin kufitar. Kërkojmë nga Kuvendi dhe deputetët e Republikës së Kosovës që të mos ratifikojnë marrëveshjen, e cila i dëmton trojet Shqiptare”, thuhet në këtë letër.
Ata kanë sugjeruar politikanët e shtetit të Kosovë që t’i lënë anash politikat ditore dhe të tregohen sa më vigjilentë rreth kësaj çështjeje. Letra e plotë:
“Shoqata Rugova me seli në New York dhe komuniteti Shqiptaro Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u drejton publikisht këtë letër dhe kërkesë deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Të Nderuar Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës: Komuniteti Shqiptaro Amerikan me shqetësim të madh përcjellë situatën e fundit të krijuar lidhur me kufirin Kosovë-Mali i Zi, pikërisht rreth ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin kufitar. Kërkojmë nga Kuvendi dhe deputetët e Republikës së Kosovës, që të mos ratifikojnë marrevëshjen, e cila i dëmton trojet Shqiptare.
Jemi kundër çdo pazari të bërë me tokat tona. Jemi në një kohë kur duhet të tregoheni sa më vigjilentë dhe t’i leni me një anë politikat ditore. Shpresojmë dhe besojmë që do mbaheni mend ndër gjenerata si legjislativ, i cili nuk ratifikon çfarëdo marrëveshje, që dëmton trojet Shqiptare.
Me respekt,
- Shoqata Rugova
- Federata Pan Shqiptare VATRA Mark Gjonaj,
- Asambleist i Shtetit të New Yorkut
- Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane
- Batalioni Atlantiku
- Këshilli Shqiptaro Amerikan
- Shoqata Malësia e Madhe
- Fondacioni Plavë e Guci
- Shoqata Atdhetare Dibra
- Shoqata Shqiptaro Amerikane Ana e Malit
- Shoqata Peja
- Shoqata Drenica
- Komuniteti Shqiptaro Amerikan Hasan Prishtina
CT 12 Korrik, 2016, New York