Shqiptari, ky kusar me traditë

1
1070
Armatoles

Nga Enkel DEMI

Në një reportazh të fillim shekullit XX, Asdreni përshkruan një udhëtim me kuaj nga Durrësi në Tiranë. Është një nga përshkrimet gazetareske më interesante që vizaton shqiptarin e rëndomtë të Shqipërisë së Mesme. Poeti rrëfen se profesioni më i pëlqyer i shqiptarëve të atyre kohëve është kusaria. Madje, ai diku shkruan që nëse banorët do të punonin tokat e tyre pjellore të kësaj krahine, fitimet do i kishin shumë më të mëdha se kusaria. Asdreni tregon për ca burra të rreckosur, të veshur me zhele, të mbathur me gjysëm opinge, por që kanë armë të lara me serm dhe gurë xhevairi.

Karvani i udhëtarëve udhëhiqet nga disa njerëz të mytesarifit të Durrësit, të cilët kishin pas qenë cuba dhe mbanin lidhje me kusarët e rrugëve. Në një han njëri prej këtyre grabitësve ankohet që nuk po ecën mirë puna, sepse udhëtarët janë të paktë, përherë e më të varfër dhe pa plaçkë, por veç këtë zanat njohin dhe i mban shpresa e mirë, që dikur do bien në plaçkë, meqë kanë një muaj thatë.

Është një shkrim i jashtëzakonshëm, i cili është botuar fillimisht në shtypin turk a rumun dhe më pas në gazetën “Albania” të Faik Konicës. (Shiko botimin në 27.al)

Pas më shumë se një shekull, tek e lexon këtë reportazh të ngjethet mishtë, sepse kupton gjer në asht’ se cilët janë të parët dhe cili është profesioni që ne kemi trashëguar më me zell prej tyre. Të parët janë cuba. Ndaj këtu, në këtë rrëfim mund të kuptohet përse shoqëria e sotme, i ka të fortët një farë busulle orientuese. Kjo vjen, pasi asnjëherë moralisht kusarinë nuk e kemi gjykuar për keq, madje çunat e fortë i hasim në lagje, katund a qytet e për ta kemi admirim. Të fortët konsiderohen të shkathët, por dhe simbole të burrnisë.

Nëse Asdreni shkonte me kuaj nga Durrësi në Tiranë, nuk ngjan tipikë kjo histori me vitin 1997, kur të prisnin udhën tek Ura e Mifolit dhe jo vetëm. Grabisnin çunat çdo gjë që gjenin në makina a mjete të tjera, kanë vrarë dhe përdhunuar. Për çfarë? Për kusari. Kjo është e vetmja ideologji.

Kur Asdreni përshkruan njerëzit e mytesarifit, të cilët e shoqëronin që mos të linte pendët rrugës, a nuk ngjajnë ata me të fortët e sotëm të partive politike, qeverive apo opozitës? A nuk duhet ndërmjetësimi i tyre për të marrë më shumë vota, mbledhur pushtet, por edhe për të bërë sipërmarrje e grabitje prone?

Thjesht, duhet pranuar trashëgimia kulturore që rrit, shëndosh dhe i jep cilësi një Kombi. Nëse italianët kanë trashëguar mes të tjerave artet pamore, arkitekturën, ndërtimtarinë, dëshirën për punë, gjermanikët mes të tjerave muzikën, filozofinë, hebrenjtë shpirtin e mbijetesës, dijet e pafundme, shqiptarët kanë trashëguar kusarinë. Ta shohim në sy këtë vlerë dhe dasht’ Zoti po nuk na pëlqeu më, të fillojmë shkollën. /27.al

1 KOMENT

  1. Po ti o enkell nuk e ke rastesisht mbemrin DEMI, sepse ne gramatike, mbemri e cileson emrin… dmth ti jem Dem, apo bull qe flet bullshit.. more qenef legeni… nuk jane Shqiptaret Kusar, por te SHQIPTARET ka kusar sikur te çdo komb, njesoj qe edhe kombet tjera kane idiota sikur ti… tphuuuuuuu.

Komentet janë mbyllur.