QEMAL LAME, Panorama.com.al – 1 shkurt 2020
Marrëdhëniet e miqësia me Greqinë dhe popullin grek vlerësohen të domosdoshme dhe kërkohet të forcohen më tej. Por përmirësimet nuk mund të arrihen me kushte imponuese dhe me qëllime që fshehin politikat e vjetra shoviniste greke. Historia na kujton dhe mban aktuale edhe problemet jetike kombëtare që janë diskutuar me Greqinë dhe po presim marrëveshjen e Shqipërisë me Greqinë për zgjidhjen e problemeve që mbarten prej më shumë se 70 vjetëve.
Në të vërtetë, tragjedia e kombit shqiptar në marrëdhëniet me Greqinë, Jugosllavinë e Turqinë e ka zanafillën 94 vite më parë me Marrëveshjen e Turqisë me Greqinë, në aktin kriminal të Lozanës, të realizuar me miratimin nga antishqiptarizmi i fuqive të mëdha të kohës. Greqia njeh dhe pranon Marrëveshjen e Lozanës, më 1923, por nuk pranon dhe nuk e njeh Marrëveshjen e Firences, më 1928, për Kufirin e Shqipërisë me Greqinë. Më 30 janar 1923 u nënshkrua në Lozanë marrëveshja e veçantë turko-greke, mbi shkëmbimin e grekëve të Anadollit, me “turqit” e Greqisë.
Këta “turq” të Greqisë, dihej ndërkombëtarisht se ishin realisht shqiptarët e besimit mysliman nga Çamëria. Shqiptarët e Çamërisë, popullsi autoktone në trojet e saj etnike që nga lashtësia, do të dëboheshin me dhunë të organizuar shtetërore dhe do t’i nënshtroheshin genocidit e shkombëtarizimit për të përligjur pushtimin dhe asimilimin e shqiptarëve. Me një dekret, Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jo zyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lozanës për turqit e Greqisë.
Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923: “…duhet të kryhet shkëmbimi i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks”. Grekët e vendosur në tokat turke, gjithashtu edhe i shtetasve grekë të besimit mysliman të vendosur në tokat greke. Të shkëmbyerit duhet të linin vendin e origjinën dhe duhej të fitonin atë të vendit ku shkonin, pa të drejtë kthimi. Pasi u mposhtën kundërshtimet masive të shqiptarëve që nuk pranonin të largoheshin nga tokat dhe shtëpitë e tyre u ashpërsua shpërngulja e dhunshme.
Në verën e vitit 1924, shovinistët e Greqisë fuqizuan më tej represionin shtetëror dhe shpejtuan shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Çamëria. Me këtë akt, haptazi kriminal, ligjërohej edhe politika shoviniste greke për të eliminuar zyrtarisht problemin shqiptar në trojet e tyre në Greqi. Me këtë akt kriminal u realizua në kohën moderne dhuna e egër e tregtisë së shqiptarëve, duke i trajtuar edhe më barbarisht se skllevërit e lashtësisë e më vonë të kolonizimit nga imperializmi i fuqive të mëdha. Gjuetia e shqiptarëve në Greqi, frymëzoi shovinizmin jugosllav.
Modeli i Mbretërisë së Greqisë do të merrej e zbatohej edhe nga Jugosllavia, e cila sundohej nga shovinizmi serb. Në vitin 1938 qeveria e Mbretërisë Jugosllave ka nënshkruar një konventë me qeverinë e Republikës së Turqisë për emigrimin e popullatës “turke”. Dihej ndërkombëtarisht se në të vërtet popullsia “turke” ishte popullsi etnike shqiptare. Mbretëria e Jugosllavisë do të shpërngulte popullsinë shqiptare të konfesionit mysliman, nga pjesa jugore e Serbisë, gjegjësisht nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare që shtriheshin në 3 banovina: në banovinën e Zetës, Moravës dhe të Vardarit. Shqiptarët nuk pranojnë njohje të së drejtës së Greqisë për 12 milje detare.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka dhënë një intervistë për televizionin grek ERT ku ka folur edhe për bisedimet me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. Ai ka thënë se në bisedimet me Shqipërinë është diskutuar edhe për marrëveshjen e zonave detare dhe se Tirana zyrtare, sipas tij, Qeveria e Shqipërisë ka pranuar zgjerimin e ujërave greke me 12 milje detare dhe shpreson që pakti të arrihet në muajin prill. “Shqipëria pranoi zgjerimin e ujërave greke me 12 milje detare. Shpresojmë që pakti të arrihet në muajin prill të këtij viti.
Shqipëria gjithashtu do korrigjojë edhe tekstet shkollore”, – ka thënë Nikos Kotzias. Këto deklarime janë tronditëse për shqiptarët. Ky do të ishte një krim kombëtar. Marrëveshja e mëparshme u vlerësua e padrejtë dhe u la pa fuqi veprimi nga Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të pranohet një marrëveshje e re, e formuluar me terma të tjera për të rivendosur kushtet e njohura të vjetra shoviniste e antikombëtare. Pranimi i zgjerimit të së drejtës së Greqisë për 12 milje hapësirë detare, është e domosdoshme të sqarohet zyrtarisht nga Qeveria e Shqipërisë.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, më 30 janar 2018, në emisionin “Opinion” tha se kjo është një çështje sensitive dhe do të sqarohet nga komisioni i përbashkët i ekspertëve. Nuk u dha përgjigje e drejtpërdrejtë, për të pranuar apo mospranuar deklarimin e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotziasis, i cili tha konkretisht se Shqipëria e pranoi të drejtën e Greqisë për 12 milje hapësirë detare. Në rast se kërkesa greke është pranuar, pasojat do të jenë të rënda:
1. Pranohet Marrëveshja për Detin, e miratuar më 27 prill 2009;
2. Automatikisht mbetet pa vlerë vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese, i datës 15 prill 2010;
3. Shqipëria do të humbasë më shumë se 350 kilometra katrore hapësirë detare;
4. Greqia do të marrë miratimin ligjor për të vazhduar kërkimet dhe shfrytëzimin e naftës në hapësirën detare që do t’i grabitet Shqipërisë, etj.. Shqiptarët nuk pranojnë zgjerimin artificialisht të minoritetit grek dhe legjitimimin de jure të Vorio Epirit. Kujtojmë se gjithë Epiri ka qenë historikisht dhe mbetet shqiptar. Të mos vazhdojë korrupsioni politik me “ushtarët e ushtrisë së vdekur greke” që veproi si pushtuese në territorin shqiptar. Italia dhe Gjermania i morën eshtrat e ushtarëve, që luftuan si pushtues në Shqipëri.
Greqia imponon lënien në Shqipëri të eshtrave të ushtarëve grekë! Marrëveshja është miratuar. Por të mos shpërdorohet më tej me zgjerimin e varrezave në qytete të tjera. Me të drejtë shtohet edhe pyetja, nëse Greqia do të pranojë të krijohet një varrezë apo të ndërtohet një përkujtimore murale për 166 ushtarë shqiptarë të rënë në tokën greke, në kohën e Luftës Italo-Greke, e cila u shpall më 28 tetor 1940 dhe vazhdoi deri në mars 1941.
Me propagandën për zgjidhjen e problemeve të vjetra dhe forcimin e miqësisë, nuk pranohen qëllimet për imponimin e realizimit të politikës së vjetër shoviniste të ultranacionalistëve grekë. Në muajin prill 2016, para Pashkëve, pritet të vijë Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, i ftuar nga Kryeministri Edi Rama. Me këtë vizitë do të nënshkruhet marrëveshja strategjike e miqësisë dhe bashkëpunimit të Shqipërisë me Greqinë. Propagandohet me shumë optimizëm hapja e një epoke të re të marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Opinioni publik shqiptar dhe ai grek do ta mirëpresin këtë pakt strategjik, në rast se angazhimet realizohen në kohë e konkretisht. Tërheq vëmendjen fakti, se Shqipëria ka pranuar dhe miratuar marrëveshjen për eshtrat e ushtarëve grekë, i dha shtetësinë shqiptare të vetëshpallurit kryetar të Kishës Ortodokse, Anastasis Janullatos, etj.. Ndërsa nga shteti i Greqisë akoma nuk është vepruar konkretisht për shfuqizimin e Ligjit të Luftës, për miratimin e Marrëveshjes për Kufirin Tokësor me Shqipërinë etj.
Marrëveshja kërkohet të hartohet e miratohet duke evidentuar arritjet reale, barazinë e reciprocitetin, parimet e lirisë e demokracisë europiane, të drejtat dhe detyrimet e përbashkëta të secilit shtet sovran. Politikën e integrimit europian e vlerë- sojmë jetike për të ardhmen tonë në bashkësinë e popujve europianë, ku jemi realisht pjesëtarë fizikisht e gjeografikisht, që nga lashtësia e deri në ditët tona. Integrimi zyrtarisht me anëtarësimin në Bashkimin Europian është një e drejtë natyrale dhe reale edhe për shqiptarët.
Pa mohuar problemet e mëdha që ka Shqipëria, shteti shqiptar ka realizuar standardet që kërkohen për anëtarësimin. Dyert zyrtare të bashkësisë së madhe europiane janë të hapura dhe pritet të nisin bisedimet. Në këto momente finale po ndihen edhe presionet e fundit nga shtetet që kushtëzojnë votën e tyre me realizimin e qëllimeve të deklaruara më parë ose të mbajtura të fshehura nga institucionet qeveritare. Përvoja e deritanishme ka bindur opinionin publik për lëshimet me pasoja të rënda kombëtare që kanë bërë qeveritë shqiptare të radhës, për të arritur fazat e anëtarësimit si vend kandidat. U dënuan si krime, Marrëveshja për Kufirin Detar me Greqinë, shitja e ÇEZ etj., marrëveshje që kanë imponuar kushte diskriminuese.
Shqiptarët nuk pranojnë marrëveshje të tjera me kushte skllavëruese e poshtëruese. E duam Shqipërinë dhe integrimin europian. Por, nuk pranojmë të falim territoret tona për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Nuk duam ta humbasim Shqipërinë. E duam Shqipërinë dhe shqiptarët të bashkuar, ashtu si e meritojnë. Bashkimin Europian e vlerësojmë me të drejtë si bashkësinë ku liria, demokracia, sovraniteti shtetëror e territorial respektohen e mbrohen dhe realizohet në rrugë demokratike bashkimi i shqiptarëve me popujt e tjerë europianë.