Shqiptarët mbartin vlera njerëzore, problem e kanë izolimin

0
578
Suzana Finger

Armando Plakaj, TiranëRevista Drini28 Janar 2020

Në vitin 2008 studiuesja gjermane Suzana Finger, ka dhënë një intervistë për gazetarin Armando Plakaj. Pikëpamjet e saj për shqiptarët janë të vlefshme edhe në ditët e sotit.

Qysh asokohe, ajo konsideronte se problemi më i madh për shqiptarët në Kosovë qëndron në ekonomi, apo më konkretisht në mbylljen e kufinjve.

Kosova, siç thoshte Finger, ka qenë gjithmonë një vend me migrim të fortë të forcave të afta punëtore dhe tani po krijohet një situatë kur të rinjtë kanë diplomat universitare e të arsimit professional në xhep, por janë të mbyllur në një vend me një treg shumë të vogël punësimi.

Në këtë intervistë të botuar në Gazetën “Shqip” në vitin 2008, e të cilën AktivPress po e riboton, ajo i shfaq mendimet e saj në lidhje me debatin për trajtimin e hebrenjve në Shqipëri e në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, identitetin kosovar, problemet e gjuhës letrare shqipe, pasionin për kulturën e traditat shqiptare dhe mbresat nga qëndrimi disavjeçar në Kosovë.

Intervista e plotë:

Mbi Berlin retë po shpërndahen e koha duket se po çel sërish. Ndërsa pres të vijë në orën e caktuar, në mendje më kalon ashtu papritur mendimi, nëse intervista me zonjën Finger duhet bërë në gjermanisht apo në shqip. Ndërsa akoma nuk kisha gjetur përgjigje për këtë pyetje, ajo afrohet dhe unë instiktivisht e pyes; Ju jeni zonja Finger?

Me një buzëqeshje tepër fisnike kërkon falje në gjermanisht për një vonesë fare të pakonsiderueshme në kohë dhe ndërkohë e ftoj të shkojmë diku pranë, në ndonjë lokal të qetë, për të bërë intervistën e paracaktuar.

Ajo duket një zonjë shumë e fisme. Me shumë këtë cilësi, nisur nga një vlerësim apriorí, duket se ia shton fakti se ajo është nga ata njerëz, që u është dashur shumë mund, djersë e kohë, por dhe pasion e këmbëngulje, për të njohur një gjuhë, të cilën pakkush merr mundimin ta mësojë në botë.

Ky fakt të ngacmon instinktivisht e të bën të ndjehesh disi i emocionuar. Por ashtu në rrugë e sipër, ajo nis të flasë një shqipe të rrjedhshme me ngjyrime të vogla të gegnishtes, e të fton me modesti të komunikojmë më tej në gjuhën, të cilën e ka mësuar plot pasion.

Ajo është një nga ata persona me të cilët një shqiptar e ndjen veten mirë. Sepse shqiptarët jo gjithkush i kupton menjëherë, e njohuritë nga vendi i tyre, tradita, kultura dhe gjuha, sigurisht e bëjnë atë të shihet me sy tjetër. Ajo është një avokate e tyre. Nuk është se ndikon në politikën gjermane apo përfshihet në të aktivisht, duke bërë lobing për ta, por dashuria, pasioni, interesi dhe mbajtja e kontakteve të vazhdueshme me shqiptarët, e bën këtë zonjë të gëzojë respektin e tyre.

Shumë prej tyre e njohin mirë atë tashmë, sidomos brezi i ri në Kosovë, ku për një kohë ajo edhe ka punuar, ndërsa pohon paraprakisht se atje ka kaluar një nga periudhat më të bukura e përvojat më të paharrueshme të jetës së saj.

Në fakt ajo ka lindur në Sllovaki (ish-Çekosllovaki) para rreth 49 vjetëve, në një familje me origjinë gjermane e ka pasur mundësinë qysh në fëmijëri të njohë disa gjuhë të huaja (pohon se në shtëpinë e saj kur ka qenë e vogël, ka komunikuar në sllovakisht e hungarisht çdo ditë). Më pas ka ardhur për të studiuar në Berlin, e gjatë kësaj kohe ka njohur shumë mirë gjuhët sllave e mentalitetin ballkanik, por pohon se njohuritë e saj për Ballkanin nuk do të ishin të plota, nëse nuk do të ishte marrë edhe me shqipen e shqiptarët.

Me dashamirësi dëshiron të pohojë se shqiptarët janë njerëz të mirë dhe mbartin në vetvete shumë cilësi e potencial njerëzor. Në bisedë e sipër nis të tregojë detaje nga koha që ka kaluar në Kosovë si drejtuese e Zyrës Gjermane të Këmbimeve Akademike me Jashtë (DAAD) dhe mbresat nga puna me brezin e ri të kosovarëve.

Gjatë qëndrimit në Kosovë ajo ka përkthyer edhe pjesë të poetëve Eqrem Basha e Flora Brovina, si dhe prozë nga Mehmet Kraja dhe Migjen Kelmendi. Por është marrë edhe me çështje të mirëfillta shkencore, që kanë të bëjnë me fushën e linguistikës, historisë e marrëdhënieve ndëretnike, duke pasur parasysh se ajo njeh po kaq mirë edhe serbët e popullsitë e tjera në Kosovë. Është angazhuar në promovimin e iniciativave të tolerancës e luftës për më shumë emancipim, duke kontribuar edhe konkretisht në ndihmën që i ka dhënë shumë të rinjve e të rejave kosovare për të studiuar në Gjermani.

Ndërsa e pyes për kontaktet me letërsinë shqipe, pohon se ka qenë një mikeshë nga Shqipëria, Neviana Dosti, e cila e ka inkurajuar të merret me përkthimin e autorëve shqiptarë e thekson se ndërkohë gjatë viteve 2006-2007 ka mundur t’ía paraqesë publikut gjerman poezitë e Arian Lekës, Luljeta Lleshanakut, Lindita Arapit, Luljeta Danos, Parid Teferiqit dhe Ledia Dushit.

Aktualisht ajo pret të dalë në dritë një botim shkencor mbi trajtimin e hebrenjve në Shqipëri e Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili për shkak të tematikës që trajton pritet të ketë sigurisht edhe kundërshti e polemika. E ato nisin që në takimin me mua, pasi debatojmë pak mbi ekzistencën e deportimeve të hebrenjve në Kosovë apo mbi rolin e divizionit SS “Skanderbeg” në atë kohë, por biem dakord të dy nga ana tjetër me idenë se në Shqipëri, ata gjetën „oazin e paqes”.

I vjen keq që nuk ka mundur të mësojë për aktivitetet më të fundit shkencore për këtë temë (konferencat e akivitetet e disa muajve më parë në Tiranë e Berat, të organizuar për të përkujtuar shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri).

Ndërkohë i afrohemi lokalit ku duam të zhvillojmë intervistën:

Zonja Finger, Ju keni lindur në Sllovaki dhe duke qenë se keni lindur në një vend që konsiderohet si urë kontaktesh mes kulturave, popujve dhe gjuhëve të ndryshme, a mund të themi se kjo ju shtyu ta zhvilloni pasionin tuaj për të mësuar edhe gjuhën shqipe?

Ashtu është, por kjo ka ardhur edhe sepse une kam pasur fatin që të studioja e të hyja në kontakt me Profesor Reitenau në Universitetin e Lirë të Berlinit. Ishte ai, niveli intelektual e respekti për të, si dhe njohuritë e tij për shqitarët, që u bë edhe shkaku, le të themi, për të mësuar edhe shqipen.

Gjatë kohës që keni studiuar në Berlin, keni pasur kontakte me shqiptarë, që jetonin asokohe në Gjermani?

Po, por të gjithë ishin nga Kosova. Ishin shumë prezentë në vitet ’80 në Berlin e Gjermani.

E dinit që në atë kohë se Kosova dhe Shqipëria kishin një ndryshim mes tyre dhe kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Po, natyrisht. Unë për herë të parë isha në Shqipëri në vitin ’88 për një kurs të gjuhës shqipe dhe në një ekskursion me studentë në atë kohë.

Çfarë përshtypjesh ju la Shqipëria e asaj kohe?

Shqipëria ka qenë një vend shumë i qetë, njerëzit kanë qenë shumë të tërhequr, shumë e vështirë ishte për ne si studentë të kursit të gjuhës shqipe të krijonim kontakte me njerëzit në qytet, por përshtypja ime personale për shqiptarët ka qenë shumë e mirë.

Ndërkohë, nëse i hedh një sy CV-së suaj, përveç të tjerash, sheh që ju jeni marrë me çështje të letërsisë, të gjuhësisë, historisë, folkroristikës etj. Me çfarë po merreni aktualisht?

Kohët e fundit jam marrë me përkthim dhe kam shumë shpresë e dëshirë të vazhdoj në këtë lëmi.

Më duket një pasion shumë i bukur, por a mendoni se megjithatë, duke iu referuar disa kritikëve nga Shqipëria e më gjerë, në këto 18 vitet e demokracisë, letërsia shqipe ka pësuar një bum botimesh nga njëra anë, dhe nga ana tjeter, një rënie të cilësisë?

Nuk mund ta konfirmoj këtë që pretendoni. Sepse unë kam lexuar shumë shkrimtarë e poetë të mirë nga Shqipëria. Ndoshta në Kosovë situata është disi më ndryshe për shkak të ndryshimeve të mëdha në ekonomi e politikë.

Kë mund të veçoni nga brezi i ri i poetëve shqiptarë?

Unë më shumë mund të flas për emrat me të cilët jam marrë. Kam shumë respekt për poeteshat e reja shqiptare, që kanë një ton, lirikë e poetikë të veçantë, e kjo për mua duhet të përkrahet.

Trajtimi i hebrenjve në Shqipëri e Kosovë, është njëra nga temat studimore me të cilat jeni marrë këto kohët e fundit. A rezulton nga hulumtimet që ju keni bërë, se shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri gjatë pushtimit nazist është një mit apo një realitet dhe nëse ka ndryshime në trajtimin e tyre në Kosovë e Shqipëri gjatë kësaj periudhe, cilat janë ato?

Unë mendoj se shpëtimi i tyre në Shqipëri është një realitet, por mënyra e shpëtimit të tyre është në disa aspekte një mit. Ashtu siç mendoj se duhet të bëhen hulumtime të mëtejshme në këtë lëmi. Shqipëria ka qenë një nga vendet më unikale, ku hebrenjtë u shpëtuan ndoshta falë vetë traditës shqiptare (kam parasysh këtu Besën e mikpritjen), kulturës së tyre, por me shumë gjasa, edhe falë ndikimit nga ish-perandoria osmane.

Tendencat për deportimin e tyre (të hebrenjve) kane qenë megjithatë prezente në Kosovë, por jo në Shqipëri, por arsyet e tyre duhet të hulumtohen e të zbardhen edhe më tej, në mënyrë që të mos ketë fryrje, keqinterpretime e abuzime.

Mendoni se Shqipëria duhet të bëjë si shtet më shumë përpjekje që komuniteti ndërkombëtar t’ia njohë këtë rol popullit shqiptar?

Po, keni të drejtë. Qeveria e shteti shqiptar duhet të jenë më aktivë në informimin e publikut ndërkombëtar në këtë çështje.

Jeni në dijeni se në Tiranë e Berat në gjysmën e parë të këtij viti janë zhvilluar dy konferenca që lidhen me shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri?

Për fat keq jo, po e dëgjoj për herë të parë nga ju, dhe më vjen shumë keq, sepse botimi im tashmë është në rrugë e sipër dhe do të doja t’i përfshija edhe këto evenimente në punimin tim.

Çfarë mund të na thoni rreth eksperiencës suaj në Kosove e më pas diçka rreth debatit për gegnishten, pasi kam konstatur një dëshirë tuajën për t’u bërë pjesë e këtij debati, qoftë edhe nga larg?

Unë kam pasur fatin të punoja disa vjet në Kosovë e kështu që kam pasur edhe rastin të kisha kontakte me gjuhëtarë e shkrimtarë, me aktivistë për krijimin e identitetit kosovar në politikë e në gjuhë. Mësova shumë në atë kohë.

Mua më duket se gjuha letrare duhet të pasurohet me elementë të gjallë nga e folmja në Kosovë, të cilët janë në përdorim, të cilët kanë vlerë stilistike e artistike për letërsinë, për gjuhën e përditshme, e që përdoren tashmë gjerësisht edhe në media. Mua më duket se diskutimet zhvillohen në mënyrë pak dogmatike. Më duket fare normale që gjuha të zhvillohet e të pasurohet, e si shembull mund të merret reforma drejtshkrimore në Gjermani.

Kundërshtaret e kësaj ideje, mbeshtesin fort mendimin tjeter se e gjithë ajo përpjekje që u ravijëzua në rezultatet e kongresit të drejtshkrimit të vitit 1972, nuk mund të hidhet dot poshtë, dhe se hapja e këtij debati tashmë do të shkaktonte probleme të panevojshme?

Unë mendoj se gjuha letrare është akt shumë i madh i civilizimit shqiptar dhe duhet të respektohet. Nuk mund të kërkohet nga gjuha letrare të mbulojë të gjitha problemet e dialekteve që ekzistojnë, e kjo shihet edhe në rastin e gjuhës gjermane, sa të mëdha janë këto ndryshime në të folmen gjermane. Gjuha letrare nuk mund të jetë “gjuha universale”, kompromisi magjik për të gjitha çështjet. Ajo ka funksione, është mjet komunikimi, e unë mendoj se pjesërisht duhet të mbizotërojë pak tolerancë në botimet letrare ndaj të folmeve krahinore.

Çfarë mendimi keni për përfaqësuesit e rrymës së mbështetësve të identitetit kosovar?

Kjo është një temë shumë aktuale momentalisht dhe jam pjesë e një grupimi, që po komunikon në lidhje me këtë çështje. Nuk është keq që populli shqiptar të merret me çështjen “kush jemi ne”? Natyrisht se ka ndryshim shumë të madh mes shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, por gjuha duhet të njohë zhvillim, pavarësisht nga paragjykimet apo nga synimet e rrethanat, e ajo nuk mund të zhvillohet, nëse nuk flitet për të. Diskutimet janë të hapura; nuk dihet se çdo të dalë prej tyre, por gjithsesi, mendoj se nuk ka arsye për shqetësim, e në këtë kontekst e shoh edhe debatin për identitetin kosovar.

Ndërkohë një ndjenjë shqetësimi ka përfshirë shumë shqiptarë, kur sjellin ndërmend mendime të kryesuara nga individë apo elita politiko-mediatike, siç është për shembull rasti i Migjen Kelmendit, …Meqë ra fjala, ç’mendim keni për iniciativën e zotit Kelmendi?

Unë e kam lexuar rregullisht gazetën “Java”, kur isha në Kosovë, dhe për mua ka qenë një pasurim gjuhësor. Gjuha në Kosovë ka traditën letrare, ka vlerën e gjallë dhe duhet respektuar. Përsa i përket aktiviteteve të zotit Kelmendi, mund të them se ai nuk është gjuhëtar, e përderisa nuk bëhen aktivitete të mirëfillta në këtë fushë, atëherë çdo gjë mbetet në nivelin e debateve gazetareske.

Tash për tash nuk shoh – me përjashtim të fjalorit të ri të gjuhës shqipe – ende aktivitete profesionale gjuhësore në këtë lëmë dhe gjuha letrare nuk mund të krijohet me një gazetë, e cila përfaqëson vetëm mendimet apo preferencat individuale të disa intelektualëve në Prishtinë e më gjerë. Për gjetjen e zgjidhjeve duhet të bëhen më shumë përpjekje.

Ç’mund të na thoni për situatën politike e atmosferën në Kosovë gjatë kohës që keni qenë atje dhe a ekzistojnë shpresa për popullin kosovar tashmë pas shpalljes së pavarësisë?

Unë mendoj se problemi më i madh për ta është në ekonomi. Më konkretisht: Në mbylljen e kufinjve. Kosova ka qenë gjithmonë një vend me migrim të fortë të forcave të afta punëtore dhe tani po krijohet një situatë kur të rinjtë kanë diplomat universitare e të arsimit profesional në xhep, por janë të mbyllur në një vend me një treg shumë të vogël punësimi, e kjo krijon probleme shumë të rënda, që mund të sjellin agravim të situatës pastaj. Unë mendoj se me lëvizjen e lirë të njerëzve e forcave punëtore, gjithçka mund të përmirësohet në Kosovë. Problemet sociale, të cilat janë shumë evidente në Kosovë, janë gjithashtu një pikë shumë delikate, e që duhet trajtuar me shumë përparësi.

Kosovarët kanë qenë me kohë në vendet e ndryshme të botës, e kjo ka qenë një gjë shumë e mirë. Tani është krijuar situata kur shumë njerëz flasin anglisht, por kanë shumë pak mundësi ta flasin atë jashtë Kosovës. Në Kosovë ka shumë potencial të njerëzve të rinj e unë jam e mendimit se ata duhet ta kenë shansin t’i shfrytëzojnë këto potenciale për të mirën e Kosovës, kudo që ndodhen.

Kur mendoni të shkoni sërish në Kosovë e Shqipëri?

Kam ndërmend të shkoj sërish në muajin gusht, pasi zhvillohet një seminar albanologjie, ku unë do marr pjesë aktive në një kumtesë, e ndoshta do të qëndroj disa ditë në Prishtinë, e pastaj kam ndërmend të shkoj edhe për disa ditë në Tiranë.

Ju faleminderit për intervistën dhe rrugë të mbarë për në Prishtinë e Tiranë.