SHQIPTARËT DHE PAPËRGJEGJËSIA PËR MBROJTJEN E INTERESIT KOMBËTAR NË MAQEDONI

1
556

Me këtë nivel të papërgjegjësisë që shfaqin shqiptarët në Maqedoni, jo vetëm për emrin e shtetit të përbashkët, por edhe për emrat personalë do të vendosin të tjerët, siç kanë vendosur deri më sot.

Abdulla Mehmeti

Në lidhje me kontestin për emrin e shtetit të Maqedonisë me Greqinë, nga hapja e kësaj çështje kanë kaluar mbi 25 vjet, ndërsa gjatë vitit të fundit zhvillohen bisedime më serioze dhe intensive, të cilat me gjasë do të përfundojnë gjatë këtij viti, për shkak të agjendës për domosdoshmërinë e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike, NATO dhe BE, nga frika e shtrirjes më të madhe të influencës ruse në këtë rajon.

Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore sa zhvillohen bisedimet në lidhje me kontestin për emrin e shtetit Maqedonisë me Greqinë, numri i intelektualëve, studiuesve, analistëve, politikanëve dhe diplomatëve shqiptarë, të cilët i ka preokupuar dhe e kanë trajtuar këtë çështje, ka qenë tejet i vogël, që mund të sillet në 20 – 30 individë.

Me intensifikimin e bisedimeve mes palëve në këtë kontest, gjatë vitit të fundit ky numër i të interesuarve ndër shqiptarët është rritur dukshëm, por jo edhe mjaftueshëm, meqë ky numër edhe më tej është dyshifror, ndëkohë që numri i gazetarëve, ekspertëve, politikanëve dhe diplomatëve grekë e sllavë të cilët janë marrë me këtë çështje është dhjetëfish më i lartë, pa i llogaritur në këtë rast edhe protestat pro dhe kundër këtyre bisedimeve në të dy shtetet, në të cilat janë përfshirë me qindramijë qytetarë, si në Shkup, Selanik, Athinë dhe në shumë qytete e shtete të tjera në botë.

Pala shqiptare ka filluar të preokupohet dhe ta trajtojë këtë çështje me intensitet të shtuar, por jo edhe të mjaftueshëm, sidomos pas propozimit të fundit të emrit të shtetit: ,,Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, dhe kjo është një shenjë e mirë se edhe shqiptarët kanë filluar të lëvizin për së mbari, pavarësisht nga niveli se si e trajtojnë këtë çështje, në mënyrë profesionale apo amatore dhe diletante.

Sidoqoftë, kjo lëvizje përpara ndër shqiptarët është një hap i rëndësishëm që dëshmon se dalëngadalë edhe qytetarët shqiptarë po e kuptojnë se çështjet me rëndësi jetike, siç është kjo e emrit të shtetit, nuk duhet të mbeten vetëm në duart e një grupi të vogël politikanësh, por ajo duhet të trajtohet si çështje me interes kombëtar.

Kur në interes të kësaj çështje të rreshtohen me qindra intelektualë, media, politikanë, diplomatë, dhe jo vetëm në Shkup, por edhe në qendrat tjera shqiptare dhe jashtë vendit, të protestojnë me qindra mijëra shqiptarë për t’ia bërë me dije botës se ne jemi këtu dhe na preokupon emri i shtetit tonë të përbashkët, se çfarëdo emri i këtij shteti nëse nuk e reflekton realitetin historik, etnik, kulturor dhe gjuhësor të popullit shqiptar autokton në Maqedoni, kurse tapia e shtetit përmes emrit të tij tentohet t’i atribohet vetëm popullatës sllave, kjo do të ishte vetëvrasje kolektive e shqiptarëve.

Një popull, siç janë shqiptarët në Maqedoni, i cili në mënyrë deklarative (shumica e kërkesave janë individuale) kërkon që emri i këtij shteti të përmbajë edhe atribute kombëtare të shqiptarëve, pa edhe të paraadhësve ilirë, që shpeshherë proteston për çështje të popujve dhe shteteve të tjera, siç janë Palestina, Siria, Turqia etj., por nuk e sheh të nevojshme dhe të arsyeshme t’i mobilizojë forcat e veta që të protestojë për problemet e veta me rëndësi jetike, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e qenies kombëtare, identitetit, historisë, kulturës, gjuhës, dhe sidomos të trojeve etnike, atëherë, sikur të ngrihet e tërë bota në këmbë për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, vetë shqiptarët do të jenë pengesa kryesore për realizimin e të drejtave të veta të ligjshme, të cilat u takojnë, dhe meqë nuk i kërkojnë, kurrë nuk do të kenë mundësi t’i realizojnë.

Kur të ngrihen si vullkani me mijëra intelektualë shqiptarë, qindra media, institucione, subjekte politike dhe jopolitike, si dhe faktorë të tjerë, me një zë e një qëndrim, për një çështje jetike kombëtare siç është emri i shtetit të përbashkët të Maqedonisë, atëherë mund të flasim lirisht se kush jemi, çka duam, nga shkojmë dhe ku do të arrijmë!

(22.5.2018)

1 KOMENT

  1. I nderuari Abdulla Al Mehmeti,

    Po te citoj ç’ka ke shkruar “Një popull, siç janë shqiptarët në Maqedoni, i cili në mënyrë deklarative (shumica e kërkesave janë individuale) kërkon që emri i këtij shteti të përmbajë edhe atribute kombëtare të shqiptarëve, pa edhe të paraadhësve ilirë, që shpeshherë proteston për çështje të popujve dhe shteteve të tjera, siç janë Palestina, Siria, Turqia etj., por nuk e sheh të nevojshme dhe të arsyeshme t’i mobilizojë forcat e veta që të protestojë për problemet e veta me rëndësi jetike, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e qenies kombëtare, identitetit, historisë, kulturës, gjuhës…

    …Ti nisu nga vetvehtja, …… dhe nderroje ate emer qe nuk ka lidhje me identitetin e juaj kombetar …meqenese qenke SHQIPTAR dhe aq me teper si mbrojtes i identitetit te kombit SHQIPTAR.

    Edhe une e kam pase emrin me identitet te huaj araboshkavellik MAHMUUT GLLAVURDA, por tani jam DARDAN GASHI…

Komentet janë mbyllur.