SHQIPTARËT DHE GJEOPOLITIKA

0
525

Xhelal Zejneli

Rusia, Turqia dhe Kina kanë pretendime gjeopolitike në rajonin e Ballkanit. Këto tre shtete duan të arrijnë interesa gjeostrategjikë në rajonin e Evropës Juglindore. Pretendimet e tyre të përkujtojnë kohën e luftës së ftohtë midis Perëndimit dhe Lindjes. Moska, Ankaraja dhe Pekini synojnë të krijojnë zonat e veta të interesit dhe sferat e veta të ndikimit.

Shqiptarët janë popull evropian. Si të tillë, i takojnë familjes perëndimore të popujve. Humanistët shqiptarë – Marin Barleti, Marin Biçikemi, Gjon Gazuli, Mikel Maruli, Leonik Tomeu, Maksim Greku – ishin shkolluar në frymën e Rilindjes evropiane. Në frymën latine u formuan edhe shkrimtarët e letërsisë së vjetër shqiptare – Gjon Buzuku, Lekë Matrënga, Jul Variboba, Frang Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani Bogdani etj.

Nga sa më sipër rezulton se shqiptarët asgjë nuk i lidh me vendet e Orientit, d.m.th. me Turqinë, me vendet arabe apo me Teheranin. I lidh vetëm sundimi i egër i Perandorisë Osmane. Si pasojë e sundimit osman, Shqipëria në shekullin e kombeve, d.m.th. në qindvjeçarin XIX, dolën si vendi më i prapambetur i gadishullit. Ka të tillë që thonë se Perandorinë Osmane, turqit e paskan qeverisur bashkë me shqiptarët. Midis tyre që e thonë këtë, ka edhe historianë dhe osmanologë shqiptarë. Këta s’janë veçse mercenarë. Po qe se perandorinë e paskan administruar bashkërisht, turq e shqiptarë, përse atëherë Shqipëria në shekullin e kombeve doli vendi më i prapambetur i rajonit?!

Në Kongresin Berlinit (1878) tre vende të Ballkanit – Rumani, Serbia dhe Mali ii Zi fituan pavarësinë. Grekët e arritën këtë gjysmë shekulli më parë. Në këtë kohë edhe Bullgaria fitoi një lloj autonomie. Shqiptarët ndërkaq, ngecën. Kur fqinjët e shqiptarëve fituan lirinë, rilindësit shqiptarë iu rrekën punës për të themeluar Komitetin për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip. Këta dy organizma u themeluan më 1879, d.m.th. një vit pas krijimit të shteteve të pavarura të sipërthëna. Kur fqinjët e shqiptarëve fituan dritën, rilindësit shqiptarë duhej të krijonin alfabetin e shqipes, të botonin gazetat e para në shqip, të hartonin tekste shkollore, të përpilonin gramatikën e gjuhës shqipe, të themelonin një shtypshkronjë për botimin e veprave në shqip.

Derisa fqinjët e shqiptarëve kishin sistem arsimor në gjuhët e tyre kombëtare, shqiptarët e kishin të ndaluar shkollimin në gjuhën amtare. Sot shqiptarët, themelimin e shkollës së parë shqipe (1887) – e festojnë. Por krahas manifestimeve, duhet edhe të vajtojnë, për arsye, se kur u hap shkolla e parë shqipe në Korçë, disa nga fqinjët e shqiptarëve kishin shkolla të larta, në mos dhe universitete. Ky vonim historik paraqet tragjedinë e popullit shqiptar. Liria në Kongresin e Berlinit, nuk fitohej me një abetare.

Si pasojë e sundimit të egër turk mbi shqiptarët, e kemi copëtimin e trojeve etnike shqiptare në Konferencën famëkeqe të ambasadorëve në Londër (1912-13). Shqipëria në këtë kohë, konsiderohej si mbetje turke në Ballkan. Si e tillë, tokat e saj duhet të ndaheshin midis fqinjëve grabitqarë – Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, Malit të Zi. Si pasojë e copëtimit të tokave shqiptare në Londrën e viteve 1912-1913, lind një gjysmë Shqipërie. Kjo gjysmë Shqipëri, gjatë tërë shekullit XX do të mbetet si vendi më i pazhvilluar i gadishullit. Gjatë tërë shekullit, ajo do të qeveriset me turbulenca të brendshme dhe me diktaturë. Mbi shqiptarët të mbetur nën pushtimin serb, grek dhe malazias, do të ndiqet politika e gjenocidit. Me ndihmën e Beogradit, mbi shqiptarët do të ushtrohet gjenocid edhe nga një popull pa identitet siç janë sllavo-maqedonasit. Edhe sot, në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XXI, shqiptarët nuk mund ta marrin veten. Vazhdojnë të mbeten të fundit në gadishull.

Tragjedia e shqiptarëve është rrjedhojë:

– e sundimit të egër turk,
– e rrethimit me hienat sllavo-bizantine,
– e politikës antishqiptare të Rusisë cariste dhe bolshevike,
– e politikës joparimore të Fuqive të Mëdha të Evropës, si dhe
– e aftësisë shtetformuese të kufizuar të shqiptarëve.

Sot e tutje, shkaqet e tragjedisë kombëtare, shqiptarët nuk duhet t’i kërkojnë në sundimin egër osman, te politika hegjemoniste e fqinjëve apo te diktatura dhe politika izolacioniste e Enver Hoxhës. Është koha që fajin e vonimit ta kërkojnë në vete.

Autoritet turke shpesh e përsërisin refrenin se turqit dhe shqiptarët na qenkan vëllezër. Si mund të jenë vëllezër dy popuj të ndryshëm – shqiptarët evropianë dhe turqit aziatikë?! Si mund të jenë vëllezër shqiptarët, me sunduesit pesëshekullor turq?! Po të ishin shqiptarët vëllezër mbi bazën e fesë islame, atëherë do të duhej të ishin vëllezër edhe me çeçenët apo me ujgurët, ngase edhe ata janë myslimanë. Nuk duhet harruar se ka shqiptarë të fesë katolike apo të fesë ortodokse. Çdo të kishte ndodhur me shqiptarinë sikur shqiptarët ortodoksë të vëllazëroheshin me grekët, ndërsa shqiptarët katolikë – me italianët?! A nuk do të shpinte kjo në bosnizimin e kombit shqiptar?!

Thonë se në Turqi sot paska disa milionë shqiptarë. Po qe se në Turqi vërtet ka katër apo edhe pesë milionë shqiptarë, përse atëherë gjithë ky numër kaq i madh shqiptarësh nuk e kanë as edhe një abetare në gjuhën amtare?! Përse nuk e kanë as edhe një gazetë në gjuhën shqipe?! Përse nuk e kanë të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare?!

Po t’i shikojmë arbëreshët e Kalabrisë dhe të Sicilisë do të shohim se këta, edhe pas pesë shekuj të shpërnguljes së tyre përtej Jonit dhe Adriatikut, flasin dhe shkruajnë shqip. Sot e kësaj dite zhvillojnë veprimtari letrare e kulturore në gjuhën shqipe. Romantizmi në letërsinë shqiptare, para afro dy shekujve, lindi pikërisht ndër arbëreshët.

* * *

Tendencat e Ankarasë për të ndërhyrë në punët e brendshme të kombit shqiptar në Ballkan janë të dëmshme për shqiptarët. Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë – Dautoglu, përhapi teorinë e neo-otomanizmit. Kjo nënkupton pretendimet e Turqisë për t’u rikthyer në zonat e Ballkanit, të banuara me popullsi myslimane, siç janë Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Sanxhaku në Serbi. Këtë pjesë të gadishullit, Ankaraja pretendon ta shndërrojë në zonë të vet të interesit dhe në sferë të vet të ndikimit.

Vende të caktuara të fuqishme, objektivat e veta në Ballkan synojnë t’i arrijnë në forma të ndryshme, si: nëpërmjet të ashtuquajturave shoqata humanitare, mediumeve të caktuara, gazetarëve mercenarë, politikanëve të shitur, intelektualëve, historianëve dhe dijetarëve antikombëtarë, disa klerikëve antishqiptarë etj. Pikërisht për këtë, shqiptarët duhet të rinë në distancë ndaj Turqisë dhe vendeve të tjera të Orientit. Ka kohë që Tirana dhe Prishtina e kanë lejuar Turqinë të depërtojë ekonomikisht në trojet shqiptare. Forma bashkëkohore e ndikimit, me ndihmën e kapitalit të huaj, shpie pashmangshëm në krijimin e zonës së interesit dhe të sferës së influencës. Në pikat ekonomike strategjike të një kombi duhet të investojnë vetëm aleatët strategjikë të tij dhe jo shtetet me të cilat ai popull nuk ka ndërmend ta lidhë të ardhmen e vet.

Shqiptarët, janë me Perëndimin apo me Orientin?! Mos pandehin shqiptarët se mund të rinë në dy karrige. Politikanët shqiptarë vazhdimisht e përsërisin refrenin se janë për integrimin në organizmat euro-atlantikë. Por, integrimi në strukturat euro-perëndimore nuk bëhet duke u çelur rrugë fuqive joperëndimore të penetrohen në gadishull. Tirana dhe Prishtina duhet të kërkojnë investime kryesisht nga vendet e Perëndimit, sidomos nga Gjermania, nga ShBA-ja etj. Mirëpo, për të tërhequr investime nga vendet perëndimore, qendrat politike shqiptare duhet të krijojë rrethana politike dhe sociale të volitshme. Kjo nënkupton që shqiptarët:

– ta ngrenë cilësinë e arsimit;
– ta zhvillojnë vetëdijen kombëtare;
– të manifestojnë kapacitet shtetformues;
– të tregojnë se janë popull politik;
– të kenë orientim dhe përcaktim strategjik të qartë, properëndimor e pro-amerikan dhe të mos rinë në dy karrige;
– të ndërtojnë shtetin ligjor dhe të luftojnë korrupsionin;
– të mos ia zënë frymën demokracisë dhe të respektojnë lirinë e të menduarit ndryshe;
– t’i japin fund pasurimit brenda natës;
– ta luftojnë mafien urbane;
– të mos e ngatërrojnë politikën me fenë;
– të jenë të vetëdijshëm se çështja shqiptare në Ballkan nuk është çështje fetare, por kombëtare.
Një komb në zhvillim e sipër, nuk ecën para pa ideal dhe pa idealizëm. Si është e mundur që një Shqipëri, e bregëzuar me dy dete dhe me qindra mijë të punësuar jashtë vendit, të ketë në disa zona të saj varfëri të skajshme?!

* * *

Ekstradimi i gjashtë profesorëve turq Ankarasë, është akt absurd, pikërisht për disa arsye:
– rrëmbimi dhe deportimi i tyre është bërë pa i respektuar rregullat ligjore të shtetit të Kosovës;
– gjashtë shtetasit turq i janë dorëzuar një shteti që udhëhiqet në mënyrë autoritare, totalitare dhe jodemokratike;
– gjashtë shtetasit turq i janë dorëzuar një pushteti që i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut;
– në burgjet e Turqisë, shtetasit turq të deportuar mund të ballafaqohen me trajtim jonjerëzor dhe me proces gjyqësor të padrejtë.

Duhet shtuar se disa udhëheqës politikë të Kosovës po ashtu kanë qenë të ballafaquar me çështjen e fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia. Por, asnjë vend i Evropës nuk iu bind kërkesës së pajustifikueshme të Beogradit për ekstradimin e tyre. Përpos kësaj, kodeksi shqiptar për mbrojtjen e mikut nga rreziku nuk e lejon një veprim të tillë. Po qe se gjashtë të ekstraduarit turq kanë bërë veprime të paligjshme në Kosovë, atëherë këtë është dashur ta zgjidhnin organet e drejtësisë dhe jo shërbimet e mjegullta. Me ekstradimin e shtetasve turq cenohet sovraniteti i Kosovës dhe integriteti politik i saj.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ndaj ndërhyrjet nga jashtë janë të papranueshme për të. Ekstradimi i turqve një regjimi jodemokratik, pa procedurë ligjore, ndikon që vendet demokratike të BE-së dhe ShBA-ja të shohin me mosbesim Kosovën. Mos vallë shqiptarët dolën nga diktatura komuniste që oligarkët dhe klasa politike të pasurohen brenda natës?! A thua Kosova u çlirua nga pushtimi shekullor serb, me qëllim që rinia e saj t’i marrë rrugët pa kthim të Perëndimit?! Nuk duhet të habitemi po qe se vërejmë se mbështetja e miqve perëndimorë për shqiptarët po zbehet.

* * *

Në këto momente komplekse për kombin, shqiptarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm. Me ndihmën e Putinit, hienat e Ballkanit duan t’i tregojnë dhëmbët. Një vonim historik i kushton një populli më shumë se një shekull. Edhe një vonim historik, shqiptarët nuk do të mundë ta përballonin.