Shkruan Prof. Zymer Mehani
Me zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomiko-shoqëror dhe teknologjik, është e kuptueshme se ka evoluar edhe gjuha që ne e flasim, e cila (edhe standardi) si pasojë e këtij dinamizmi ka përvetësuar edhe shumë fjalë e shprehje, të cilat gjuhëtarët duhet t’i përligjin nën kupolën e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pra, ka lindë nevoja që standardi të rishqyrtohet, të përmirësohet dhe të plotësohet.
Kohët e fundit është zhvilluar një debat i ashpër për problemet e shqipes standarde. Në kuadër të këtij debati janë kryer veprimtari, janë shkruar artikuj nëpër gazeta dhe janë zhvilluar biseda në studio televizive. Mendimet kanë qenë të kundërta për masën dhe drejtimet e ndërhyrjes në rregullat e drejtshkrimit dhe në fjalorin e shqipes, madje është folur edhe për një standard të ri. Më në fund, gjithçka përfundoi me një propozim për të hequr “ë”-në nga pjesë të ndryshme të disa fjalëve, numri i të cilave e kalon 2500-shin.
Mendoj se, në parim, një standard i vendosur para dhjetëra vjetësh ka nevojë të përmirësohet (të korrigjohet, të pasurohet e të përditësohet), veçanërisht kur gjatë këtij intervali kohor kanë ndodhur ndryshime rënjësore ekonomiko-shoqërore e teknologjike, që kanë ndikuar edhe në gjuhë. Duhet kujtuar se Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit, 1972, në pikën III, 2 të saj porosit: “…duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha gjatë zhvillimit të saj si dhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, ‘Rregullave të drejtshkrimit’ t’u bëhen përmirësimet dhe plotësimet e duhura”.
Në këto rrethana, në qoftë se heqja e “ë”- së, në disa fjalë, arsyetohet teorikisht, korrigjimi i standardit për këtë çështje mund të bëhet pa ndonjë shqetësim. Por, duhet hequr dorë, nisur nga disa “shije” dialektore, nga “lufta” vend e pavend kundër “ë”-së, heqja e së cilës, në disa raste, e bën më të pazëshme rrokjen dhe e vështirëson shqiptimin e fjalës. Nga ana tjetër, nuk duhet menduar se shqetësimi i vetëm, që ekziston sot për shqipen standarde , është i natyrës drejtshkrimore, aq më tepër i lidhur vetëm me shkrimin apo mosshkrimin e një shkronje.
Kjo, jo vetëm vështirëson komunikimin mes shqiptarëve, por nxit rënien në pasivitet të fjalëve shqipe, duke i hapur kështu rrugën leksikut me burim të huaj. Këtu nuk është fjala për ato fjalë të leksikut të përgjithshëm dhe terminologji të fushave të ndryshme, të futura nga gjuhët e tjera, veçanërisht nga anglishtja, së bashku me konceptet, objektet dhe institucionet e reja. Futja e tyre, sidomos këta dy dhjetëvjeçarët e fundit, është favorizuar nga procesi i globalizimit dhe, në mënyrë të veçantë, nga revolucioni i teknologjive të informacionit e të komunikimit.
Ato, përveçse e pasurojnë dhe e modernizojnë gjuhën, ndihmojnë për qarkullimin e shpejtë të ideve dhe e lehtësojnë shumë komunikimin me popujt e tjerë. Problemet e evidentuara kanë krijuar nevojën për rishqyrtimin e standardit, me qëllim përcaktimin dhe realizimin e rregullimeve e të ndryshimeve që duhen bërë, duke pasur parasysh vështirësitë që janë ndeshur në zbatimin e tij, evolucionin që ka pësuar gjuha me kohë dhe realitetin e sotëm gjuhësor. Këto rregullime e ndryshime duhen bërë me përgjegjësi profesionale nga institucionet përkatëse dhe me kujdesin që të jenë të përvetësueshme lehtësisht nga përdoruesit e gjuhës.
Ato nuk duhet të çojnë, mendoj, në zëvendësimin e standardit ekzistues apo në krijimin e një standardi tjetër paralel, siç është kërkuar në ndonjë rast. Një nga arsyet pse jam kundër një ndryshimi të tillë të skajshëm, është konstatimi i gjithëmbarshëm që standardi ekzistues, megjithëse ka sjellë përmirësime të dukshme në kulturën gjuhësore të përdoruesve të shqipes, edhe sot, dyzet vjet pas vendosjes së tij, zbatohet me gabime e shtrembërime të shumta e të shumëllojta. E keqja është se edhe vetë gjuhëtarët tregohen të pakujdesshëm, për të mos thënë më shumë, në zbatimin e standardit.