Shqipëria rihap kufijtë, Kosova vendos taksë 22 euro për bizneset dhe certifikatë tamponi ose karantinim për qytetarët

0
421
Kamionet - Vermica

Nga Almarina Gegvataj01/06/2020

PRISHTINË, 1 qershor/ATSH/ Ndërsa sot më 1 qershor Shqipëria hapi kufijtë tokësorë me të gjitha vendet fqinje, sikurse edhe me Kosovën, në pikën kufitare në Vërmicë maunet me mallra nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë, pa iu nënshtruar procedurave të dezinfektimit, kostoja e të cilës është 22 euro.

Sipas vendimit të qeverisë së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, marrë një ditë më parë, “të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësorë të QKMF-ve (Qendrave kryesore të mjekësisë familjare) në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër COVID-19. Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe posedojnë rezultatin negative për testin COVID-19 RT PCR (jo më i vjetër se 4 ditë) nuk i nënshtrohen procedurave të vetizolimit. Ata që nuk kanë testin, detyrohen të vetizolohen për 7 ditë”.

Këtë masë po e kundërshtojnë drejtuesit e mjeteve dhe pronarët e bizneseve.

Besim Gashi thotë se për këtë lloj pagese për dezinfektim të kamionëve janë njoftuar sot në mëngjes. Sipas tij, shuma prej 22 euro për dezinfektimin e një kamioni është e papërballueshme për kompaninë e tij, prandaj nuk do e bëjë këtë pagesë.

Pasi e morëm një lajm që ka dal në mëngjes një dezinfektim i ashtuquajtur prej 22 euro kjo është e papranueshme për të gjithë transportuesit dhe të gjithë firmat tjera, pasi është e papërballueshme. Prejardhja e kësaj se si ka ardhur nuk po e dimë hala nuk jemi të konfirmuar prej cilës ministri a qeveri”, tha ai.

Drejtuesi i një kamioni, Tasin Uruqi, i cili po e shfrytëzon kufirin e Kosovës vetëm si transit drejt Maqedonisë, thotë se pa paralajmërim ka nisur aplikimi i një tarife të tillë karshi tyre.

Edhe Elmi Prestreshi shprehët i pakënaqur me vendosjen e kësaj mase për dezinfektimin e maunave në pikën kufitare në Vërmicë. Ai madje këtë e vlerëson si plaçkë ndaj bizneseve.

KosovaPress tentoi të merrte një reagim edhe nga punonjësit që po kryenin shërbimin e dezinfektimit, por të njëjtit nuk pranuan të flasin.

Nga Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thanë se nuk janë përgjegjës për aplikimin e kësaj mase, ndërsa është sugjeruar të kontaktohet Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo, marrja e një sqarimi nga ky dikaster ka qenë i pamundur paraditen e së hënës.

Lidhur me këtë masë ka reaguar Oda e Afarizmit të Kosovës duke u shprehur të shqetësuar lidhur me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për vendosjen e tarifës për dezinfektim të mjeteve në hyrje të Kosovës dhe kërkon heqjen e saj të menjëhershme ose që kostoja e saj të mbulohet nga shteti.

Bizneset anëtare të sektorit të transportit kanë shprehur shqetësim lidhur me vendimin e MPBAP, i cili nga data 01.60.2020, obligon këto biznese, që të paguajnë tarifa shtesë për kamionët që hyjnë në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, kërkohet dezinfektimi i të gjitha mjeteve të rënda, që hyjnë në pikat kufitare në territorin e Kosovës si masë mbrojtëse.

Në këtë rast, biznesi i kontraktuar nga ministria ka paraqitur disa tarifa të larta, duke filluar nga 17 euro deri në 22 euro, varësisht nga pesha e mjetit. Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që të largohen këto tarifa, sepse konsiderohen shumë të larta për bizneset, e sidomos tani duke pasur parasysh vështirësitë ekonomike që po hasin. OAK konsideron se tarifën për dezinfektim duhet ta merr përsipër shteti pasi biznesi Kosovës është i mbingarkuar me taksa dhe tatime të ndryshme.

Gjithashtu, sipas këtij vendimi kërkohet dezinfektimi i mjetit në hyrje të Kosovës, ku shumë transportues që qarkullojnë më shumë se një herë brenda ditës në hyrjet e Kosovës do të detyrohen të paguajnë të njëjtën tarifë për secilën hyrje-dalje. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.