SHQIPËRIA PO ZBRAZET NGA EMIGRIMI I HESHTUR

0
584
Dr. Nail Draga

Të dhënat mbi emigrimin e shqiptarëve nga Shqipëria për tetë vitët e fundit (2011-2018) në numrin prej 317 mijë qytetarësh, sipas INSTAT-it paraqet një të dhënë alarmante që duhet të jetë shqetësim i vazhdueshëm i Qeverisë, dhe institucioneve shtetërore, ndërsa nga ky numër azil kanë kërkuar 183 mijë shqiptarë që përbën 53% të të larguarve nga vendi, nga del se Shqipërinë e ka përfshi procesi i shpopullimit sidomos i zonave rurale me pasoja tragjike për kombin shqiptar.

Dr. Nail Draga

Për opinionin e gjerë është e njohur se pas shëmbjës së diktaturës komuniste në Shqipëri procesi i emigrimit të popullsisë mori përmasa të mëdha të një ekzod masiv në vitët 1991-1992.Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe sepse pasojat e diktaturës per rreth pesë dekada në izolim dhe varfëri ekstreme të popullsisë ndikoj në emigrim në të gjitha drejtimet, për një jetë më të mirë. Sipas disa të dhënave nga rënia e diktaturës nga Shqipëria janë larguar rreth 1.5 milion banorë, duke qenë vendi i parë me emigrim të popullsisë në Europë.

Gjatë vitit 2018 rreth 200 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi

Por, nëse për këtë çështje me herët janë pritur të dhënat nga regjistrimet e popullsisë tani lëvizjet e popullsisë analizohen dhe publikohen për vitet përkatëse në sajë të informacioneve të shërbimeve të ndryshme zyrtare. Dhe pikërisht në këtë aspekt kemi informacione për numrin e shqiptarëve të cilët kanë udhtuar në botën e jashtme nga Shqipëria nga janari deri në nëntor të vitit 2018. Duke analizuar diferencën ndërmjet shqiptareve që kanë udhëtuar jashtë vendit ka qenë shumë e lartë në raport me kthimin e tyre e dhënë kjo shumë shqetësuese, duke sinjalizuar se Shqipëria po zbrazet përditë prej emigracionit masiv, nga del se një numër i konsideruar i të ikurve nuk kthehen më.

Diferenca dëshmon procesin e emigrimit

Pikërisht në këtë aspekt ditë më parë mediat informuan se sipas të dhënave nga INSTAT-i gjatë 11 mujorit 2018 kanë udhëtuar jashtë vendit 4 milionë e 969 mijë shtetas, ndërsa janë kthyer vetëm 4 milionë e 766 mijë shtetas, nga del se mbi 202 mijë shqiptarë kanë ikur dhe nuk janë kthyer ende.

Diferenca e lartë ndërmjet ikjeve dhe kthimeve që është mesatarisht rreth 300 mijë persona në vit në 5 vitet e fundit tregon se një pjesë e tyre kanë ikur e nuk janë kthyer më. Edhe pse shifrat e udhëtimeve, nuk janë tregues direkt të emigracionit, megjithate ato janë një tregues indirekt që shumë shqiptarë që ikin “harrojnë” të kthehen edhe pse në vendet e BE-së, shqiptarët nuk mund të rrinë më shumë se tre muaj, sipas rregullave të Shengenit.

Heqja e vizave me BE-në avancoj emigrimin

Edhe pse edhe më parë ka pasur emigrim të shqiptarëve në forma të ndryshme, në sajë të te dhënave të publikuara del se diferenca në favor të ikjeve ka nisur të zgjerohet kur u hoq regjimi i vizave me Bashkimin Europian në fund të vitit 2010. Ndërsa deri para heqjes së vizave, në vitin 2009 diferenca në favor te ikjeve ishte 124 mijë persona në vit, teksa ky numër u shumëfishua pas heqjes së vizave në nëntor 2010. Diferenca mes hyrje dhe daljeve në vitin e parë të heqjes së vizave ishte 283 mijë persona. Kjo diferencë u zgjerua në dy vitet në vijim, 2011-2012 me mbi 369 mijë dhe 338 mijë për secilin vit.

Ndërsa në dy vitet pasardhëse diferenca u zbut duke rënë nën 300 mijë persona në vit, duke arritur kulmin në vitin 2015, ku mbi 405 mijë persona ikën dhe nuk u kthyen, që është një nivel rekord i dekadës së fundit. Atë vit Shqipëria përjetoi një valë të pashpjegueshme ikjesh nga vendi. Ky nivel i lartë ikjesh përkon me numrin e madh të shqiptarëve që kërkuan azil në BE. Numri i azilkërkuesve në BE atë vit arriti në një rekord prej gati 69 mijë personash.

Në vitin 2016, pati në zbutje pasi diferenca mes ikjeve dhe kthimeve ra në 260 mijë persona, teksa në vitin 2017 hendeku ndërmjet ikjeve dhe ardhjeve është thelluar sërish me 334 mijë persona. Kjo tendencë u zbut disi në vitin 2018, ku diferenca ndërmjet hyrjeve dhe daljeve për 11 mujorin shënoi 202 mijë persona.

Pa nënvlerësuar të dhënat indirekte mbi emigracionin, statistikat e sakta mbi efektin në popullsi gjatë kësaj dekade do t’i mësojmë në regjistrimin e popullsisë që parashihet të mbahet në vitin e 2021. Ndërsa deri atëherë të dhënat nga INSTAT-i mbi hyrje-daljet e shqiptarëve jashtë vendit, do mbesin të dhënat më të besueshme në lidhje me procesin e emigrimit të shqiptarëve në botën e jashtme.

Për azil kanë aplikuar 183 mijë shqiptarë

Një tjetër tregues i emigrimit është ai i aplikimeve për azilantë në vendet e Bashkimit Europian. Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se 167 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të Bashkimit Europian për periudhën 2011-2017. Ndërsa vetëm për 11 mujorin e vitit 2018 janë shtuar edhe 16 mijë aplikime të tjera, duke e çuar numrin total të aplikantëve në 183 mijë.

Më shumë se gjysma e individëve që kanë emigruar për periudhën 2011-2017 kanë aplikuar për azil. Azilantët përbënin 53% të të larguarve. Sipas INSTAT-it nga vendi janë larguar gjithsej gjatë kësaj kohe 317 mijë persona.

Fenomenit të braktisjës duhet shtuar edhe një kategori tjetër që ka të bëjë me lotarinë amerikane.Kështu sipas të dhënave kërkesat për lotarinë amerikane nga 173 mijë në vitin 2007, pas vitit 2013 e sidomos në vitin 2018 shifra arriti në 367 mijë, që paraqet një rekord i panjohur deri më tash si në asnjë shtet tjetër të botës, në raport me numrin e popullsisë së përgjithshme në vend.

Rënia e numrit të nxënësve dëshmi e emigrimit

Po ashtu për të kuptuar më saktë fenomenin e emigrimit dhe përmasat e tij në mënyrë transparente dëshmojnë të dhënat statistikore. Në sajë te të dhënave të publikuara statistikat zyrtare tregojnë se prej vitit 1990 në Shqipëri është reduktuar për 35% numri i nxënësve dhe i shkollave, 22% numri i mësuesve dhe 70% numri i klasave. Sipas të dhënave nga INSTAT-i nga 43700 mësues në vitin 1991, sot janë 29000; në sistemin 8-vjeçar(sot 9-vjeçar) nga 2200 shkolla në 1991, sot ka 1134. Vetëm këtë vit(2018) u mbyllen rreth 150 shkolla për shkak të pakësimit të numrit të nxënësve në disa qarqe.Në raport me vitin 1991, në vitin 2018 ka 260 mijë nxënës më pak.Nga 37 mijë klasa në vitin 1990, sot ka 11 mijë klasa.

Këtij trendi negativ dëshmon edhe e dhëna së në vitin 2018, u regjistruan 34 mijë nxënës më pak së në vitin 2017, ose 46 mijë më pak nxënës së në vitin shkollor 2016/17. Ndërsa e dhëna se nga viti 1990, grup mosha 0-14 vjeç është pakësuar nga 1 milion në 522 mijë, dëshmon se kemi eksodi i popullsisë ka marrë përmasa alarmante.

Ata që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen në Atdhe

Dhe në fund këtyre të dhënave duhet shtuar edhe një informacion interesant nga
Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Sociale (QSES) në një raport në muajin janar ku publikon se nga nga rreth 25 mijë studentë shqiptarë qe studjojnë jashtë vendit ose 94% e tyre nuk deshirojnë te rikthehen në Atdhe te paktën ne periudhën afat-shkurtër dhe afat-mesme, e dhënë kjo e cila dëshmon mos përspektiven e tyre në Shqipëri pasi të përfundojnë studimet. Po ashtu cekët se për shkollimin e studenteve shqiptarë jashtë vendit familjet e tyre shpenzojne miminalisht 10 mijë euro ne vit për një student, dmth. rreth 200-250 milionë euro largohen nga vendi çdo vit.

Vetëm zhvillimi dhe punësimi ndal emigrimin

Nga të dhënat e prezantuara del se ata janë shqetësuese për substancën fizike të shqiptarëve në Shqipëri në kohën e tashme dhe në të ardhmën.Në kuadër të tyre të dhënave nuk bëhët fjalë për shqiptarët jashtë Shqipërisë politike, sepse shqiptarët i ka përfshi procesi i emigrimit në tërë hapësirën e tyre etnogjeogarfike.

Vetëm angazhimi serioz duke realizuar projekte konkrete nga strukturat qeveritare, duke ofruar mundësi të barabarta të punësimit, zhvillimit propocional të vendit, si dhe funksionimi i shtetit ligjor duke i kundërvënë korrupcionit, kriminalitet dhe abuzimit me pushtetin, do të hapte mundësi reale për ndaljën e emigrimit, sepse nëse vazhdon ky trend shqiptarë më shumë do të ketë jasht Shqipërisë se sa brenda saj.

(Shkurt 2019)