Shqipëria dhe Kosova do të bashkojnë doganat, pritet vetëm një pikë kontrolli

0
610

Nga Bashkim Kastrati

Udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës vazhdojnë që vetëm me deklarata të tregojnë për bashkëpunimin e madh e vëllazëror mes vete.
Ata bëjnë nganjëherë edhe krahët e shqiponjës me duar, ndërsa hapat i kanë si të breshkës.

Bashkëpunimi ekonomik, por edhe bashkëpunimi në fusha të tjera nuk po bëhet ashtu siç do të duhej dhe siç është pritur. Kanë kaluar dhjetë vite që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe Shqipëria dhe Kosova ende nuk kanë arritur që të kenë një pikë të përbashkët të kontrollit.

Si pasojë e kësaj shpesh krijohen radhë të gjata të qytetarëve, duke kaluar këndej apo andej kufirit.
Nuk dihet ende përse e gjithë ky hezitim, por ditë më parë kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për një medium nga Kosova ka deklaruar se edhe ndërkombëtarët kanë pasur ndikim që ende nuk është bërë një pikë e përbashkët doganore.

Por si duket nga muaji mars pika doganore kufitare Morinë – Vërmicë që lidh Kosovën me Shqipërinë do të ketë vetëm një dritare për kontroll. Këtë e ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë Lulzim Rafuna, këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për dogana dhe tatime

Rafuna i cili ka qenë drejtor i Doganës së Kosovës ka deklaruar se projekti për modernizmin e pikës kufitare Morinë – Vërmicë është në përfundim e sipër.

“Kufiri ka qenë i paraparë të përurohet në muajin janar, por për shkak të disa punëve shtesë dhe kërkesave të zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë që ka financuar përmes projektit IPA, po ashtu jemi pajtuar që të bëhen disa punime shtese në muajin janar, shkurt duke përfshirë edhe një pjesë të marsit kur fluksi i mallrave është më i ulët”, ka thënë Rafuna.

Bashkimi në një pikë doganore, që pritet të jetë moderne, do të eliminojë pritjet e qytetarëve nga të dy vendet dhe do të eliminojë radhët e gjata të mallrave për të hyrë në Kosovë apo në Shqipëri.

Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ishin investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore.

Përveç kësaj, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, por edhe në fusha tjera. Po ashtu, ishte nënshkruar edhe marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Njohësit e fushës së ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve, në vazhdimësi ndër vite kanë kërkuar që të bëhet vetëm një pikë e përbashkët doganore pasi që në këtë mënyrë lehtësohet bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ata thonë se lehtësime duhet të bëhen edhe në portin e Durrësit në mënyrë që të rritet dinamika e importit dhe eksportit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe se ky bashkëpunim përveç që do të fuqizojë ekonomikisht të dy vendet, do të ulë edhe importin nga vendet fqinje, e në veçanti importin nga Serbia, e cila vazhdon ta dominojë tregun e Kosovës me produkte të saj.

Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, është i përqendruar kryesisht në shkëmbimin e mallrave.
Megjithatë, vlerësohet se këto dy shtete gjatë shkëmbimeve tregtare, vazhdojnë të hasin në vështirësi dhe konsiderohet se nuk kanë arritur të kenë marrëdhënie tregtare në nivel të kënaqshëm.

Deri më tani nuk ka pasur vullnet të duhur dhe veprime konkrete për t’i eliminuar këto pengesa që janë shfaqur ndër vite sa i përket shkëmbimit të mallrave.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e importit e produkteve të cilat importohen nga Shqipëria në vit kapin vlerën e mbi 99 milionë, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri janë vetëm 15 milionë euro. (tesheshi)