Shqipëria dhe himni i marrëzisë

1
885
Grid Rroji

Nga Grid Rroji, 14 dhjetor 2016BletaShqiptare.com

Me sytë e dikujt që e sheh gjendjen e Shqipërisë në këtë fillim shekulli dhe analizon veprimet tona si popull, sigurisht që lind dyshimi se mos kemi të bëjmë me një turmë të marrësh të pakontrollueshëm e të paparashikueshëm, që nuk mund të kuptojnë atë që po ndodh rrotull tyre.

Por po t’a përkufizosh marrinë kolektive si mungesë kuptimi apo moskokëçarje tërësore së bashku me veprime që dalin jashtë çdo logjike normale, gjithsesi duhen shumë prova që t’a vërtetojnë apo mohojnë këtë hipotezë. E këtu ngec karkaleci se në Shqipëri shumë pak veprime kanë kuptim logjik të qëndrueshëm e mund të përbëjnë provë materiale për hipoteza teorike. Por në gjendjen që jemi na duhet të paktën që t’a provojmë t’u tregojmë shqiptarëve të vërtetën.

Me siguri që nuk mund të jetë e vërtetë që një popull i lashtë, me histori të trazuar por edhe të lavdishme, që historia e ka përplasur andej këtej, por që i ka përballuar problemet me vitalitet të theksuar, një popull që u ka mbijetuar shumë furtunave të sillet si turmë të marrësh.

Nuk mundet që një popull i vogël, fatet e të cilit varen nga vullnetet e fuqive të mëdha, të mos e kuptojë se po ndodh një rivizatim i zonave të influencës nga ku ne dalim më shumë se të humbur, të rraskapitur e tokë e lirë. S’ka mundësi që ata që dinë nuk e kuptojnë se në këtë rivizatim, ne shqiptarët jemi mbetje, kusur për pazaret e tjetërkujt, me vlerë të kufizuar sepse nuk kemi as shtet, as sovranitet, as politikë të jashtme, as politikë të përgjegjshme e kombëtare, as ekonomi reale e as burime natyrore që i duhen kujt.

Jemi thjesht një popull që të mëdhenjve u ka shkaktuar shumë andralla, na njohin si kriminelë, drogaxhinj dhe tutorë prostitutash, dhe të gjitha zgjidhjet që kanë provuar nuk kanë sjellë rezultatet që ata prisnin. Ja për shembull, shikojeni në çfarë kalendash ka hyrë reforma në drejtësi tek e cila investuan aq fort kaq shumë faktorë të huaj. Ndaj edhe jemi të shpenzueshëm, të negociueshëm, pa mbrojtje e pa garanci. Nuk mund të sillet një popull në këto pozita sikur katundi ku jeton të mos ketë asnjë lidhje me botën, me devizën “sa të kem Shijakun e Kavajën nuk e rruaj për Ingliterrën”. Ashtu do silleshin vetëm të marrët.

Nuk mundet që një popull i vogël që ekzistencën e vet në pika kyçe të historisë ia dedikon mbështetjes së SHBA-ve, të mbajë në detyrë një kryeministër që papërgjegjshmërisht bëhet vegël qorre e disa segmenteve okulte kundër presidentit të zgjedhur amerikan dhe e trajton një miliarder me sedër të ndjeshme si Trump-i, sikur t’a kishte kopshtarin e vet në Surrel, duke i thënë “klloun” e “turp për njerëzimin” e më pas “hajt se tipa si ai, i tejkalojnë këto punë”. Aq më pak e kemi luksin që të kemi një kryeministër, që për hir të karrikes së vet flirton me Putinin kinse po ushtron trysni. Sepse duke qenë të vegjël, pa shtet, pa sovranitet, pa politikë të jashtme, pa politikanë të përgjegjshëm e kombëtarë, pa ekonomi reale e burime natyrore që i duhen kujt, nuk kemi as forcë e fuqi e asnjë garanci. Dhe kur e marrin vesh tanët lojën, ajo jo vetëm ka mbaruar, por humbësit dalin detyrimisht shqiptarët. Nuk mundet që një shoqëri e shëndoshë të mos e kuptojë që kështu sillen vetëm të marrët.

Të gjithë nuk duam të besojmë se jemi kaq të paditur sa ti lemë politikanët tanë të na drejtojnë pa teklif në greminë, me buzëqeshje në buzë. Po a mundet vallë që një shoqëri e shëndoshë të tolerojë që partia kryesore e opozitës, e cila ka qeverisur vendin për gjysmën e kohës së tranzicionit, që hiqet si flamurtare e lirive e demokracisë, që kërkon dekriminalizim e zgjedhje të lira, të mbetet peng i një trusti kriminal dhe për të shpëtuar Saliun e të birin, t’i shpallë luftë çdo ambasadori amerikan që vjen në Tiranë? Nuk mundet që sjellja e opozitës të jetë kaq e papjekur e antikombëtare, sa t’i dalë zot agjendës së Greqisë kundër kryeministrit të vendit dhe të mos pipëtijë kur një ministre e shtetit shqiptar anatemohet në shtypin grek, thjesht sepse u volit për të sulmuar Ramën.

Sepse kur vendi nuk ka opozitë reale e parimore por ish hajna e bandita që duan t’u zenë vendin ministrave për të vjedhur vetë, qeveria mbretëron në llumin e korrupsionit dhe shqiptarët mbeten të papërfaqësuar. Sepse një vend që nuk ka shtet, sovranitet, politikë të përgjegjshme e kombëtare, ekonomi reale e burime natyrore dhe konsiderohet mbetje në pazaret e atyre që vendosin, nuk mund t’a ketë një luks të tillë, apo jo? Dhe armiqtë tanë e përdorin këtë amulli për të përçarë dhe dobësuar shtetin tonë, i cili edhe kështu është karakatinë. Për të mos thënë që kjo lloj sjelljeje e opozitës do të quhej në çdo vend të qytetëruar tradhti e pastër kombëtare. Kurse tek ne quhet “ia futi Sala Edit edhe këtë herë, aman aman zog kurve i rrafur nëntë herë nga nëntë është”. Por kështu do të sillej vetëm opozita e të marrëve.

Do të ishte e pakonceptueshme dhe jo logjike që një vend i vogël që rrezikohet nga armiq grabitqarë, të cilët kanë gllabëruar mbi gjysmën e territoreve të populluara nga shqiptarët gjatë shekullit të fundit, që kanë kryer të paktën pesë gjenocide mbi shqiptarët, të mirëorganizuar e me shtete solide  ̶  një komb që jeton i ndarë në pesë shtete të mos e kuptojë se forca e vetme që ka është bashkimi kombëtar, qoftë edhe në formën e integrimit kulturor, ekonomik dhe arsimor të të gjithë shqiptarëve. Nuk mundet që politikanët shqiptarë në tri shtetet ku shqiptarët janë të paktën faktor i rëndësishëm, të mos gjejnë një gjuhë e veprim të përbashkët në favor të çështjes kombëtare. Do të ishte jo logjike që paria e shtetit shqiptar në Tiranë t’i shohë e t’i trajtojë shqiptarët në Kosovë dhe Iliridë si “çështje e jashtme”, e nuk mundet që një kryeministër kozmopolit e peshë e lehtë si Rama të marrë përsipër t’i përfaqësojë ata në Beograd, pa u konsultuar me ta. Këto do ishin veprime të një parie diletante të marrësh, që nuk pyet për interesat kombëtare.

Askush nuk mund t’a konceptojë se si një kryetar kuvendi si Ilir Meta, me dosje të trasha korrupsioni e kriminaliteti nëpër kancelaritë perëndimore e gjetkë, mund të zhvlerësojë shtetin e vet në atë farë feje sa të nxjerrë bllof kryeministrin me të cilin bashkëqeveris. Sado i paaftë dhe karabush të jetë kryeministri, në raport me shtetin grek  ̶  një shtet që nuk njeh të drejtat më elementare shqiptarëve edhe pse na vendos veton për në BE, një shtet që gërthet se minoriteti grek diskriminohet, kur katër ministra janë me origjinë greke, një shtet që na kujton nga nivelet më të larta institucionale se mund të na pushtojë për dy javë dhe dërgon divizione në kufi  ̶  një kryetar serioz parlamenti do të mbronte interesat e shtetit të vet.

Cila logjikë mund t’a shpjegojë agjendën diplomatike, ku të gjitha palët shajnë njëri-tjetrin tek ndërkombëtarët, ku lufta politike bëhet me foto të marra nëpër takime ndërkombëtare, e ku njëra pjesë e shtetit i bie gozhdës e tjetra patkoit, ndërkohë që opozita i deligjitimon tek “ndërkombëtarët e vet” si mafiozë? Kjo mund të pranohet vetëm në një shoqëri të marrësh.

E pra, sado jo logjike, e pakonceptueshme, e pabukur apo trishtuese të na duket, sa më sipër janë tregues të qartë se me sy të lirë, ne shqiptarët i thurim himn marrëzisë përditë, duke lejuar që të na drejtojnë kësi lloj handraku, pushti, kodoshi e hajni si Berisha, Rama e Meta. Po nuk duhet të na vijë rëndë, një shprehje amerikane thotë “robi fle në krevatin që përgatit vetë”. Deri kur kështu?

1 KOMENT

  1. Grid,
    Qenke pershkrues i mire i gjendjes, por SHQIPERIA ka nevoje per vizionar qe tregojne apo udhezojne se si te behet me mire… e jo per pershkrues te kote.

Komentet janë mbyllur.