Ka marrë ky vend një orientim të gabuar drejt sindromave nekrofile, hajnisë, poshtërsisë e kriminalitetit, telenovelave, fesë e irracionalitetit. Jo drejt shkollimit e dijes, jo drejt punës së ndershme e zhvillimit! /AÇ
Entela Resuli
Shqipëria, 28 mijë kilometra katrorë. Një dorë vend. Me më pak se tre milion banorë. Që kur kam filluar të kuptoj dhe ndjek lajmet, në vitet 2000 e deri më sot, mbaj mend vetëm: ndërtime, shkatërrime, njerëz që protestojnë, njerëz dhe policë që dhunohen, me hunj me gurë e çka u ka kapur dora.
Janë të njëjtat programe televizive ku shfaqen deputetë të opozitës që u dalin në krah qytetarëve në kauzën e tyre dhe kur këta të fundit vijnë në pushtet, nuk janë më në të njëjtën anë!
Kështu, në këto 20 e kusur vite, të njëjtat fytyra, me pak ndryshme, dalin në televizor dhe luajnë role të ndryshme, njëherë pro dhe njëherë kundër.
Sot, përball parlamentit, ajo që pamë të gjithë ishte një skenë dhune që përsëritet, herë pas herë në këtë vend. Politika i trajton njerëzit si mish për top. Këta të fundit, mesa duket, ose e kanë qejf këtë pozicion, ose nuk dinë të sillen në një moment kur kanë “hall”.
Njëra palë, në këtë rast “opozita e bashkuar ” i thotë protestuesve “dilni, mos u dorëzoni, bëhuni agresiv se Ai ka frikë dhe kur ka frikë tërhiqet” dhe pala tjetër që thotë se, ne po respektojmë ligjin dhe ata që kanë ndërtuar në paligjshmëri nuk mund të paguhen me taksat 99 për qind popullsisë.
Duket sikur kemi mbetur në vend, sikur koha është ndalur, pavarësisht se jemi në vitin… 2018.
Këta qytetarë gjatë këtyre viteve, me vetëdije kanë zaptuar tokë, kanë ndërtuar edhe pse e dinin që as nuk e kanë blerë truallin dhe as nuk e kanë të legalizuar ndërtesën në të cilën, siç thonë kanë derdhur djersën e shumë viteve mund’ e punë.
Nga ana tjetër, ata që kanë qeverisur gjatë këtyre viteve, e kanë mbyllur një sy përball paligjshmërisë, ndoshta për të marrë ca vota që mesa duket u kanë shijuar në një moment të caktuar kur kanë dashur të marrin pushtetin. Por kjo nuk i bënë ata më pak fajtor. Përkundrazi!
Po, ç’kusur ka ky popull që i duhet të durojë gjithë këtë dramë, me shumë akte që nuk di të ndalet. Ç’kusur ka ky popull që mesa duket ka mbetur pa alternativë qeverisëse. Kë të marrësh e kë të lësh në këtë Shqipërinë tonë!?
Në vend që të investohet, të hapen vende të reja pune, t’i jepet lehtësi biznesit, arsimit. Të promovohen dhe të ndihmohen ata duan të punojnë. Ata që kanë një ide dhe duan ta zbatojnë, por nuk kanë mundësi ekonomike.
Të nxiten të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri duke punuar dhe dhënë kontributin e tyre në këtë vend. Të ndihmohen familjet e reja që të ndërtojnë një strehë për të ardhmen.
Në vend që t’i hedhin sytë nga siguria ushqimore, të kontrollohet çfarë futet dhe çfarë prodhohet në Shqipëri se po vdesin njerëzit nga hormonet e injektuara gjithandej. Të marren masa për uljen e ndotjes, për prerjen e pyjeve… e nuk po rendis më tepër se lista është e gjatë…
Kur shikon këto skena dhune si ato të paradites së sotme, apo edhe ato të programeve televizive në darkë, që nuk janë më pak stresuese, duket sikur ky vend është në të njëjtën gjendje ashtu si 20 vite më parë.
Ndoshta për disa nuk është kështu, por që është mbjell një gjendje pesimizmi gjithandej kjo është e dukshme.
Kaq të vështirë paskemi qenë!
Kaq e vështirë është që politika të bëj punën e vetë. T’i bëj sytë katër atje ku ndërtohet pa leje, dhe të ndalojë atë që shkel ligjin qysh në momentin kur vendos gurin e parë në themel në mënyrë që situatë të mos degradoj, njëherë në 5 vite.
Jemi një vend me terren gjeografik të admirueshëm, por që po na e shkatërrojnë të “pushtetshmit”, të cilët duket sikur nuk kanë prioritet zhvillimin e vendit, por pasurimin e familjeve të tyre. Po ne të tjerët? Apo ne…! Ju hëngrët dreqi, mendoni njëherë me larg se pragu i shtëpisë suaj, se nuk jeni të përjetshëm!