Shqetësimi real që ka Berisha, në rastin “Tahiri”

0
844

Nga Mero BazeTemA

Në gjithë debatin rreth mënyrës se si sulmohet Saimir Tahiri dhe si po mbrohet ai, të bien në sy dy standartet me të cilat gjykohet pala italiane në këtë histori. Nga një anë ajo lavdërohet si iniciatore e çeljes së hetimeve dhe arrestimeve, nga ana tjetër trajtohet sikur të ishte drejtësia shqiptare e këtyre 25 viteve.

Italia është pala e vetme që ka hetuar trafikun e drogës së Habilajve dhe ka mundur të prangosë një nga ata, pas katër vitesh ndjekje. Aktin e tyre pastaj e mori Prokuroria shqiptare dhe shtoi një urdhër arresti për Saimir Tahirin, bazuar më shumë në ndikim politik, se sa në prova.

Nëse e shikon korrektesën me të cilën policia italiane dhe drejtësia atje, ka gjurmuar për katër vite këta trafikantë dhe e krahason atë me implikimin e policisë shqiptare, biles dhe të një oficereje policie që bënte guidën kriminale të tyre, e kupton diferencën mes nesh dhe Italisë.

Por ndërsa opozita lavdëron Italinë që ka ndjekur, përgjuar dhe në fund arrestuar trafikantët, për gjithçka tjetër Italinë e konsideron një vend të korruptuar, si Shqipëria.

Sali Berisha ka së paku katër ditë që në postimet e veta e konsideron Italinë një vend të korruptuar, pa drejtësi, që gjithkush mund të shkojë, të blejë drejtësinë, apo të prishë provat.

Në fillim e nisi me Engjëll Agaçin, sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, i cili dikur ka qenë avokat në Itali. E akuzoi atë se është nisur drejt Italisë (edhe pse nuk ishte nisur fare) për të prishur “provat” e Saimir Tahirit. A thua provat ishin në një thes të ekspozuara në qendër të Romës dhe do shkonte Engjëlli t’ia fuste thesit me shkelm, e të prisheshin. Banaliteti i kësaj akuze, në fakt nuk ka të bëjë aq shumë me drejtësinë italiane, por me konceptin e sinqertë, që Berisha ka për mënyrën se si duhet të sillesh me drejtësinë, kur je në hall. Ai e ka praktikuar këtë.

Kur Fatmir Mediu ishte në kërkim në Itali dhe ishte dënuar me 4 vite për lidhje me krimin e organizuar nga një Gjykatë në Milano, Sali Berisha udhëtonte me Mediun dhe nuk shqetësohej që e kishte mbiemrin “Mehdihoxha” në pasaportë, pasi e dinte se Mediu po paguante ta rregullonte atë punë. Kur atij i ndodhën njëra pas tjetrës gjëmat me drejtësinë shqiptare, që nga “Rruga e Kombit”, “Gërdeci” e “21 Janari”, ai gjithmonë e ngrinte mekanizmin e prishjes së provave, blerjes së gjyqtarëve, apo kërcënimit të atyre që rezistonin.

Ndaj nuk ka si mendon ndryshe dhe për këtë rast.
Problemi i ri është se ai mendon për Italinë, atë që bënte vetë në Shqipëri.

E njëjta gjë ndodhi dhe me vizitën zyrtare të Fatmir Xhafajt në Itali, ku ai ka arritur të bindë partnerët europianë për një institucion kundër trafikut në Shqipëri, me mbështetje të partnerëve. Berisha sërisht nuk përtoi ta akuzonte Xhafajn se ka shkuar të blejë zyrtarë apo të prishë prova.

Edhe sot që Tahiri paraqiti si dëshmi një deklaratë të palës italiane, që ai nuk është nën hetim, sërish injoruan rëndësinë e palës taiane, edhe pse deri tani, gjithë akuza është ngritur falë punës së saj.

Dhe kjo nuk është akuzë, as për Xhafajn, as për Agaçin, por reflektim i mentalitetit të Berishës, për çdo lloj drejtësie në botë, e cila sipas tij, mund të blihet apo të përdhoset.

Mjafton kaq për të kuptuar se në dorë të kujt është gjykimi politik nesër në seancë për rastin Tahiri, dhe cili është shqetësimi i tij kryesor. Makthi i Berishës, nuk është as e vërteta, as drejtësia, as akuza për Tahirin apo Habilajt, por se mos dikush bën atë që ka bërë ai, kundër drejtësisë. Se vetëm ai e di në atë sallë, që mund të bësh çfarë të duash, të vrasësh kë të duash, dhe sa të duash, të vjedhësh sa të duash, të shpifësh sa të duash, të shantazhosh kë të duash, e të mos dënohesh.

Dhe ashtu siç e mendon vetë, kujton se e mendon edhe Italia, edhe SHBA. Dhe ndaj në vend që ta falenderojë Italinë, e sulmon çdo ditë, sikur të ishte një vend që shet e blen drejtësi, si këtu. Duke e ditur se çfarë ka bërë vetë, mendon se të gjithë kanë mundësi ta bëjnë atë që ka bërë ai kundër drejtësisë. Ndaj nuk është i qetë.