SHPRONËSIMI I LDK, KËRKESË E ANËTARËSISË

0
363
LDK logo

IDRIZ ZEQIRAJ

Kohë më parë, Isa Mustafa tha se “nënkryetarëve Agim Veliut e Lutfi Hazirit, u kam ofruar udhëheqjen e LDK-së!” Ai përjashtoi nga kjo mundësi nënkryetarin tjetër Haki Rugovën, edhe pse ka qenë i suksesshëm në drejtimin e komunës, madje, në zgjedhjet paraprake, ka fituar pa balotazh. Ndërsa në zgjedhjet e fundit, dihet falsifikimi industrial i votave, nga partia-bandë e AAK-së. Megjithatë, LDK-së i mungoi guximi, për ta penalizuar krimin dhe kriminelët.

Në ofërtat për kryetarllëk, kryetari i dhunshëm, Isa Mustafa, dëshmon se partia është privatizuar, pronësuar dhe ai vendos për pronën e tij, LDK-e. Në këtë frymë u bënë edhe zgjedhjet partiake në shumë Nëndegë e Degë, riemërim, pa konkurrencë dhe votë e hapur, aklamative që zhvleftëson tërë procesin zgjedhor në Degë, komunë.

Centralizimi i pushtetit, kthim në monizëm

Kalaveshja me poste e një individi në Degë të LDK-së, në komunë, asfikëson, paralizon debatin, pamundëson konkurrencën, shmang mendimin alternativ, robotizon stafin rreth shefit. Sepse partia e privatizuar, tashmë, është pronë personale e shefit dhe ai sundon me kompetenca tej mbretërore. Këtu demokracia merr fund!

Pse duhet të jetë kryetari i komunës edhe kryetar i LDK-së të Degës dhe, në shumë raste, edhe anëtar i kryesisë të LDK-së qendër apo nënkryetar i saj?! Duke centralizuar pushtetin shtetëror dhe atë partiak, tek një njeri, shmang çfarëdo konkurrence, që ai të zëvendësohet përmes votës. Zakonisht, Presedenti Rugova ka praktikuar që kryetari i komunës të qendrojë atje dhe jo të këtë angazhim shtesë në LDK-në qendër.

Nuk është domosdo që kryetari i komunës, të jetë edhe kryetar i Degës të LDK-së. Ai mund të jetë profesionist në drejtim të komunës, por, mund të mos jetë fare i përshtatshëm për drejtimin e Degës të LDK-së aty. Veç kësaj, kur një qytetar i partisë tjetër, kërkon zgjidhjen e ndonjë problemi personal apo familjar, kur hynë në zyrën e kryetarit, nuk ndjehet mirë, sepse mendon se është në zyrën e kryetarit të partisë rivale.

Pse duhet të jetë kryetari i LDK-së, automatikisht, edhe kryeministër i vendit, ndërkohë, që mund të jetë profan, injorant për këtë?! Këtë e dëshmoi edhe rasti i Ramush Haradinaj, i cili rrënoi buxhetin shtetëror, duke abuzuar paranë e popullit. Shpërdorimin enormë të parasë, për organizime festive e përkujtimore; për eksponentë të bandave të haraçit dje, sot trajner sportiv; e deri ke makro-vjedhja, nëpërmjet të shpërblimeve të “veteranëve” të rrejshëm, duke konsumuar edhe krimin e sigurimit të klientelës të përhershme elektorale. Kujtojmë Dr. Sali Berishën, asnjëherë nuk i dubloi postet kryetar partie dhe kryeministër. Megjithatë, ka qenë shumë i suksesshëm.

Stisja e frikës së ndarjes,
stopim i reformave në LDK

Isa Mustafa, së fundi, kërkon dy vjet mandat shtesë, “për ta shpëtuar LDK-në nga ndarja!” Në fakt, ngulmohet që klani ta vazhdojë agoninë atrofizuese, stopimin e reformave, aq shumë të pritura nga anëtarësia dhe elektorati i LDK-së. Me gjithë dëmet e mëdha, që Isa Mustafa, me klanin e tij, i ka sjellur LDK-së, duke e mbajtur peng LDK-në, për 9 (nëntë) vite me radhë, anëtarësia, në veçanti, dhe shqiptarët, në përgjithësi, prisnin një reflektim fisnik të atij me shokë: “Tërhiqemi nga çfarëdo pretendimi funksionesh në parti dhe mbështesim reformat, që duhet të ndërmerrë Kuvendi i 9-të Zgjedhor”, – duhej të deklaronte Isa, në emër të klanit të tij besnik.

Dhe, kjo, njëherësh, do të ishte siguria më e madhe së Kuvendi do t`i zhvillojë punimet i qetë, duke shmangur të gjitha veprimet, thellësisht, moniste e kundra demokratike, duke favorizuar qeverisjen kriminale të PAN-it, brenda se cilës gravitojnë partitë-banda: PDK-e, AAK-a, Nisma, me bishtërat e tyre zvarranikë, që përdorën si kondomë, partiçkat e tipit të Pacollit me shokë.

Konsesnsuesi, si mundësi neutralizimi
të klanorëve kerrieristë

LPK-ja, me oreksin për pushtet, zgjodhi dhunën vrastare para, gjatë dhe pas luftës. Edhe pas ndarjes të AAK-së, nga PDK-ja, veprimtarinë kriminale, vrastare, e vazhduan së bashku. Kuota e viktimave shtohej. Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, gjithnjë e më shumë po i bindte propaganda serbo-sllave se “shqiptarët nuk dijnë të mbajnë shtet”. Ibrahim Rugova ndërmori vendimin e dhimbshëm, siç e quajti Ai “sakrificë”. Vendosi të bëjë koalicion me AAK-në, përkundër vullnetit të anëtarësisë, pasi ajo ishte e bindur se bandat e saj, me qendër në Gllogjan, kishin përgjakur Dukagjinin dhe më tej.

Pra, Ramushi, me banda, vriste për të ardhur në pushtet. Dhe, koalicioni që bëri kryetari Rugovë, i dha pushtet Ramushit, stopoi, në një masë, vrasjet serike. Megjithatë, vrasjet e dëshmitarëve të mundshëm dhe vrasjet tjera, si rrjedhojá e përçarjes dhe armiqësive të mbjella, ndër familje shqiptare vazhduan.

Problemin e ngjashëm e ka sot LDK-ja me Isa Mustafën dhe klanin e tij, të cilët kërkojnë legalizimin e pushtetit të tyre të pamerituar “ose e ndajmë LDK-në!” Pra, ndarjen e LDK-së, mund ta bëjnë vetëm karrieristët klanorë, të kryesuar nga Isa Mustafa. Kushtëzimi i tyre nuk mund të plotësohet, madje, për asnjë çmim. Sepse çdo vazhdim i sundimit të partisë nga ata, do të ishte rrënim, me fund, i LDK-së. Shkurt, e kanë tepëruar me shumëçka dhe janë të papranueshëm, për anëtarësinë dhe më gjerë.

Megjithatë, një konsensues kompromisi mund të bëhet. Duke qenë se tre nënkryetarët e LDK-së, janë drejtues komunash, mund t`iu premtohet se do të jenë kandidatë edhe mandatët tjera, nëse ata do të jenë të suksesshëm, natyrisht, me mbështetjen e pa rezervë të LDK-së. Ndërsa për Isa Mustafën t`i rezervohet qenia anëtar kryesie dhe jo të “harrohet”, siç bëri ai me Presidentin Fatmir Sejdiun.

Refuzuesit e aleancës parazgjedhore,
janë argatë të PDK

Përlavdërimet se “gëzojmë përkrahje të madhe nga qytetarët, (lexo: me këtë garniturë, përkrahja është hiçe); “partia me numrin më të madh të votave; jemi grupi parlamentar më i madh; partia me numrin më të madh të komunave dhe të këshilltarëve komunalë”, janë broçkulla, pallavra, që nuk thonë asgjë për sjelljen e LDK-së në pushtet!

Nëse LDK-ja nuk bënë koalicion parazgjedhor, humbjen e ka të parathënë. Këtë e provoi në zgjedhjet paraprake dhe do ta përsërisë edhe tani. Pretenduesi për kryetar të LDK-së, Lutfi Haziri, habit me deklarimin e tij iracional dhe të dëmshëm për partinë edhe për vet atë. “Në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë koalicion parazgjedhor. Pse ta ndajmë fitoren, kur atë mund ta kemi të plotë, të vetme!?” Përralla!

Befason edhe Avdullah Hoti, sepse ai është i matur në prononcime publike: “LDK-ja do të garojë e vetme në zgjedhje!” Dhe, kjo është barazi me të pathënën se LDK-ja do ta vazhdojë opozitarizmin e lodhur parlamentar. Të bindur se partitë tjera do të koalicionohen në para-zgjedhje, humbja e LDK-së, si e vetme në garë, do të jetë humbëse, siç ka qenë për vite me radhë. Prandaj refuzuesit e aleancës parazgjedhore, do të jenë argatë, në shërbim të PDK-së apo të ndonjë koalicioni të ngjashëm.

LDK-VV, koalicion i vetëm i pranueshëm

Vështirë të gjendet parti ideale në Kosovë. LDK-ja ka qenë parti e matur dhe serioze, dikur. Por, dëmtoi vetën, sepse ka zgjedhur kryekriminelë në kupolë të shtetit dhe të pushtetit; ka aprovuar demarkimin e kufirit, me humbje tokash shqiptare; ka aprovuar listën e veteranëve, prej tyre 33.300 të rrejshëm.

Vetëvendosje shpërfillë shtetbërësin e Kosovës, Presidentin Rugova; mbron krimin dhe kriminelët, duke refuzuar Gjykatën Speciale, kur dihet se askush tjetër nuk guxon t`i ndëshkojë vrastarët kriminelë të shqiptarëve; ka qasje ideologjike anakronike për kohën; është mosmirënjohës karshi Amerikës dhe Evropës, të cilët janë çliruesit faktikë të Kosovës. Sepse e majta e Kosovës, përkatësisht, LPK-ja, duke qenë bisht i të majtës enveriste shqiptare, sabotoi luftën kundër pushtuesit serbo-sllavë.

Megjithatë, Vetëvendosje, ka parësinë për koalicion parazgjedhor, në raport me partitë tjera banda. Ndonëse interesi është reciprok, për dy partitë: LDK-në dhe Vetëvendosjen, kompromiset, me lëshime reciproke, janë e vetmja mundësi e realizimit të këtij koalicioni, pa aleternativë. Çështjen e kryeministrit, e zgjidhë vota. Fituesit me shumësinë e votave, i përket posti i kryeministrit.

Partitë e koalicionuara në PAN, më parë se parti, janë banda të organizuara, që kanë përgjakur Kosovën, duke listuar e ekzekutuar ngeshëm, veprimtarët e LDK-së dhe ushtarakët luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës.

Kushti monstrum 50+1, është shpikje e klanit Mustafa

Isa Mustafa, me klanin e tij fatal, vendosi të qendrojë dhunshëm në pushtet edhe për një mandat dhe shpiku kushtin monstrum kriminal 50+1 të votave, për të drejtë kandidimi për kryetar të LDK-së. Qëllimi, sa kundër demokratik, aq edhe i poshtër, ishte eliminimi i konkurrencës zgjedhore, që është njëri nga parimet bazë të demokracisë. Eksponentët klanorë e përsërisin gënjeshtrën shpifarake se “Vjosë Osmani u mund nga Isa Mustafa, me votimin për konfirmimin e kandidaturës për kryetare të LDK-së”.

Rrenë qoftë! Së pari, kushti 50+1 është inkriminues; së dyti, votimi me gishtërinj, aklamativ, është po aq kriminal, metodë e sistemit ultra-komunist, stalinian. Prandaj, pushoni shpifjet, o klanorë servilë e zvarranikë!

Në Kuvendin e 9-të Zgjedhor, të Degës të LDK-së në Gjermani, kur u tentua të zbatohet shpikja monstrume e klanit Mustafa, 50+1, delegatët e Kuvendit reaguan njëzëshëm se “nuk pranojmë shtesa statutare të klanorëve”. Ndërhyrja e nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, në cilësinë e monitoruesit, mbikëqyrësit të zgjedhjeve në atë Degë, ishte e mençur e fisnike, duke thënë se, “vërtet kushti 50+1 qendron ende të statut, por, është vënë në dyshim dhe ju mund të mos e zbatoni”. Dhe, ashtu u bë. Andaj, kjo shpikje monstrume klanore, nuk duhet pranuar, madje, në asnjë mënyrë e rrethanë, as në Kuvendin Zgjedhor Qendror.

Grupi rinorë të garon me një kandidaturë

Klani nepotik krahinor në udhëheqje, neveriti anëtarësinë, në veçanti, rininë. Një grup të rinjësh, por, edhe kuadro të hershëm rugovistë, në prag të Kuvendit të 7-të, u organizuan për ndryshime në LDK-e, në rrugë statutare, duke përdorur votën e fshehtë demokratike. Por, hileqarët klanistë, u kundërpërgjigjen vrazhdët e pacipërisht, duke përjashtuar nga konkurrenca Vjosë Osmanin.

Mendësia provinciale, nepotike e klanore, e goditi me harbutllëk grupin vital rinorë, sot të përfaqësuar në grupin e deputetëve të LDK-së. Ata u lanë jashtë strukturave vendimmmarrëse të partisë, pra, nuk u përfaqësuan në kryesinë e ngushtë, në kryesinë 23 anëtarëshe dhe as në Këshillin e Përgjigjithshëm. Një hakmarrje sa primitive, aq edhe rrugaçërore.

Prandaj, grupi i të rinjëve të LDK-së, të anatemuar, qëllimisht e padrejtësisht, duhet të përfaqësohet me një kandidaturë të vetme, për kryetar të LDK-së. Kjo është kërkesë e të gjitha grup-moshave të anëtarësisë dhe të elektoratit të LDK-së. Heshtja është hiçe. Zëri rinor duhet t`i japë frymëzim e jetë Lidhjes Demokratike, duke e bërë atë kryezonjë, si në epokën rugoviane. Rinia e LDK-së, është ajo “besa dhe shpresa për shqiptarët”, – siç thoshte kryezoti Rugovë.

LDK-ja ka pasur një lidër. Të tjerët pas tij janë vetëm kryetar. Afatizimi në dy mandate i kryetarit, është i domosdoshëm. Sepse janë të rrallë shqiptarët, që udhëheqin pa klane e nepotizëm. I mençuri Faik Konica: “5 shqiptarë e 9 parti!”

Krijimi i Institucionit të Përgjegjësisë, është i domosdoshëm, madje, që në ditën kuvendore. Për gabimet, dhe sidomos fajet, kryetari dhe kuadrot tjerë, shkarkohen, për t’u mos u penalizua partia, siç ka ndodhur përgjatë mandatit skandaloz, që po mbyllet mjerueshëm e turpshëm.

Luta tha diçka të frikshme për kryetarin e ardhshëm: “Kryetari i zgjedhur i këtij Kuvendi, mund të jetë më afat-shkurti në detyrë, sepse humbja e zgjedhjeve të afërta parlamentare, mund ta rrëzojë”. Atëherë, sa moral ka Luta, me disa kuadro të lartë rreth Isës, pas humbjeve serike, të garojnë sërishmi, për të parin e LDK-së. Guxim i tepëruar i Isa Mustafës, me klanorët e tij. Për të mos komentuar më gjatë, sjellim urtësinë popullore, fort aktuale: “Marrja nuk e ka mytë askan!