Faik KRASNIQI
Problemi i varfërisë është një ndër problemet më të mëdha në vendin tonë. Në kilometrazhin e gjatë të sfidave dhe problemeve me të cilat po ballafaqohet Kosova, është edhe fenomeni i varfërisë. Që nga pas lufta e deri më sot, ka pasur ngritje të vazhdueshme të varfërisë, megjithatë termi varfëri ka qenë termë i cili e preokupon shoqërinë tonë. Sipas Raportit të Bankës Botërore “Evropa Juglindore Raporti i Zhvillimeve Ekonomik” shkalla e papunësisë në Kosovës sillet rreth 46 %, ose më mirë të them rreth gjysma e popullsisë janë të papunë, e sidomos të rinjtë që janë rreth 70 për qind të papunë prej tyre.
Pavarësisht faktit që statistikat çdo herë mund të pësojnë ndryshime, në rënie dhe ngritje të papunësisë, termi varfëri dhe papunësi ekziston në fjalorin e përditshëm dhe është pjesë e shoqërisë tonë e cila si duket nuk po e gjen assesi derën që të paktën të zbutet ky fenomen. Kjo gjendje po ashtu pasqyron faktin se Kosova është më e varfra jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.
Dëshmia më e madhe e varfërisë në Kosovë, e tregon ikja masive e vitit të kaluar, ku Kosovën e braktisën mbi 100 mijë qytetarë të saj drejt shteteve të BE-së, për shkak të varfërisë dhe papunësisë së madhe që po mbretëron në Kosovë, dhe për një jetë më të mirë në Evropë. Dhe çfarë është më e keqja, për shumicën e popullatës është vrarë shpresa për një të ardhme të mirë në Kosovë, ku padyshim fajtorë janë kjo klasë politike sidomos ato në pushtet, të cilët duke vjedhur e plaçkitur çdo gjë, pasuruan vetveten dhe varfëruan popullatën, e një pjesë të tyre e zhytën në varfëri të skajshme.
Prandaj, është pak e pritshme që institucionet tona që e sollën varfërinë ekstreme në Kosovë, të punojnë në atë drejtim që sadopak ta zbusin atë. Siç duket që nga paslufta, misioni i tyre paska qenë ky: popullin ta gjunjëzojmë dhe ta varfërojmë skajshmërisht. Për 17 vite ia arritën një gjëje të tillë. Çfarë është akoma edhe më tragjike, varfëria po thellohet dita-ditës edhe më shumë, dhe ka rrezik që të bëhemi si shumë shtete afrikane me nga 70-80 përqind të popullatës të varfër.
Madje, në shumë statistika dhe hulumtime të Bankës Botërore dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, edhe jemi duke u krahasuar me shumë shtete afrikane dhe aziatike, sidomos sa i përket korrupsionit, papunësisë dhe varfërisë. Kjo tregon që ky vend ka probleme shumë të mëdha, dhe shpresa në këtë vend ka vdekur!
o musliman depresiv. shko te Shefqen Krasniqi, e mos na lodh me artikuj te depresionisteve.
Komentet janë mbyllur.