Shpirti i Atdheut është mbi ne

0
1514

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike ([email protected])

Trojet tona janë të kapura nga hajnat dhe gënjeshtarët antikombëtarë. Bashkoju thirrjes për të shpallur një mesazh të mirë për të varfrit. Për të bërtitur se të burgosurit do ta fitojnë lirinë, dhe të verbrit të shikojnë sërish – për t`i lënë të lirë të shtypurit.

* * *

“Demokracia” në Kuvendin e Shqipërisë dhe Kosovës është si në një spital mendor. Atje pacientët janë në shumicë, dhe mjekët kanë për të thanë gjithnjë e më pak.

Sistemi jonë shoqëror kontribuon që gënjeshtrat të inkurajohen dhe shpërblehen. Gënjeshtra është vetëvrasje morale sepse shkatërron gjithë dinjitetin tonë njerëzor. Mos i thirrni gënjeshtarët dhe hajnat zotëri, kundërmimi i plehut nuk është i njëjtë me kundërmimin e luleve apo pranverës.

Në një vend ku mbisundon mjerimi, diskriminimi, padrejtësia, papunësia, varfëria dhe ku mu për këtë shkak populli është gati të vjedhë çdo gjë, atje shteti vetë është objekt i më të shkathëtit.

Patriotët shqiptarë kanë një zemër të ngrohtë për atdheun e tyre (Shqipërinë, Kosovën dhe trojet tjera), të cilin ata dëshirojnë ta ruajnë për pasardhësit e tyre. Në kontrast me fanatikët religjioz dhe kozmopolitët, që të paguar nga armiqtë e jashtëm, përpiqen të shuajnë veçoritë e ndjenjat kombëtare të shqiptarëve. Respektivisht, shkombëtarizimin dhe tjetërsimin e tyre në çdo gjë tjetër, vetëm shqiptarë të mos mbeten.
Kudo në botë feja është në shërbim të çështjes kombëtare, vetëm te shqiptarët ngjanë e kundërta.

* * *

Shqipëria dhe domosdoshmëria e shtetit kombëtar. Jam për një mbrojtje të shtetit kombëtar, duke theksuar se alternativat e provuara nuk ekzistojnë. Anët e dëmshme të nacionalizmit nuk janë bazë e mjaftueshme për të hedhur në greminë shtetin komb.

Besnikëria ndaj popullatës shqiptare është veçanërisht e rëndësishme. Besnikëria kombëtare është themeli i demokracisë dhe lirisë. Institucionet shumëkombëshe dhe fuqia e tyre në rritje i bëjnë njerëzit të ndihen se e humbasin kontrollin mbi jetën e tyre.

Demokracia ekziston falë besnikërisë kombëtare; një besnikëri që duhet të jetë e përbashkët për qeverinë, opozitën, të gjitha partitë politike dhe të gjithë votuesit. Aty ku kombësia është treguar e dobët ose nuk ka ekzistuar, demokracia nuk ka arritur të lëshojë rrënjë. Sepse pa besnikëri kombëtare, opozita është një kërcënim për qeverinë dhe diskutimi politik asnjëherë nuk shkakton një mirëkuptim të përbashkët.

* * *

Megjithatë, ideja e kombit është nën sulm në disa vende perëndimore. Ose ajo perceptohet si një formë primitive e unitetit shoqëror ose dënohet edhe si shkak i luftës dhe konfliktit, prandaj sipas trurit të globalistëve duhet të prishet (shpërbëhet) dhe të zëvendësohet me forma më të “avancuara” dhe universale të juridiksionit.

Në rënien e një qytetërimi, të paaftët dhe të pabesët janë vendosur për të sunduar dhe për të udhëhequr, ndërkaq kompetentët dhe të kualifikuarit janë vënë mënjanë.

Në praktikë, mbështetësit ideologjik të globalizmit nuk kanë asnjë besnikëri ndaj popujve të tyre.
Një shqetësim që ne jemi gati të harrojmë se kush jemi, e hedh poshtë të kaluarën tonë dhe e humb ndjenjën kombëtare të identitetit tonë. Në vend të kësaj, ne jemi në procesin e lindjes së një Evrope ku vendimet e politikave merren larg nga shumica e njerëzve. Kjo së bashku me imigracionin e huaj në Evropë, do të minojë ndjenjën tonë kombëtare të identitetit, dhe kështu demokracinë tonë dhe lirinë tonë.

* * *

Humbja e identitetit kombëtar është humbja më e madhe e një kombi dhe kjo nuk mund të shmanget në formën bashkëkohore të kolonizimit dhe multi-kultit. Njerëzit mezi mund ta ndjekin shpejtësinë me të cilën ai fillon ta përdorë gjuhën e dikujt tjetër (gjuhën e huaj) si të tijën, të identifikojë veten me personalitetet historike të njerëzve të tjerë duke harruar të vetën, të njohë më mirë literaturën e okupatorit të tij se sa letërsinë e vet, të ketë prirje të dëgjojë më tepër muzikën e huaj se sa të veten, të lavdërojë historinë dhe vlerat kombëtare të një tjetri shpesh duke u tallur me të veten, t’u ngjajnë të tjerëve në vend të vetes.

* * *

Shqiptari dhe Atdheu tij, nuk është më për shitje si një produkt tjetër, përkundrazi, shqiptari varfanjak ishte arsyeja që kohët e fundit Perëndia ka ardhur edhe në tokat tona të shenjta, brenda dhe jashtë kufirit të imponuar nga të huajt dashakeq. Vetë Perëndia na tregoi se sa vlejmë. Ka ardhur koha të bëhemi një bashkësi e njerëzve të barabartë, përfshirë udhëheqësit.